Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Selimi: Bizneset Turke, largojnë bizneset Europiane nga Kosova!

| E diele, 27.10.2013, 12:05 PM |


Bizneset bilaterale të parregullta dhe dëshira për dominim ekonomik, shkak i deklaratës!

Bizneset Turke, largojnë bizneset Europiane nga Kosova!

Shkruan Ramiz Selimi

Rritja e ndikimit të Turqisë në Kosovë ka filluar të  marr dimensione tjera, është kjo në dëm apo në dobi të Kosovës, pyetje që duhet analizuar? Opinionet rreth këtij ndikimi janë të ndryshme. Disa e mirëpresin angazhimin turk si një ndihmë të mirëpritur për të modernizuar vendin në fushat ushtarake dhe ekonomike. Të tjerët e shohin atë si një konkurrencë të rrezikshme nga Azia në integrimin Evropian.

Është e qartë se Turqia në Kosovë tani nuk është vetëm ekonomikisht prezent. Por, ajo është angazhuar me të gjitha forcat që të ketë ndikim edhe në politikë, kulturë, sport dhe besim. Për të evidentuar saktësisht se kush janë shkaktarët e një trendi të tillë, nuk nevojitet hulumtim. Kuptohet që qeveritë shqiptare kanë probleme me investitorët e huaj dhe mund të mirëpresin çdo investim. Partnerët Europian të biznesit janë duke u larguar çdo ditë e më shumë nga tregu i Kosovës dhe me këtë po i hapet rruga mentalitetit “vëlla” korruptues, për të bërë biznesin e dëshiruar.

Nëse analizojmë me  kujdes deklaratat e fundit si “Kosova është Turqi dhe e kundërta”, nga kryeministri turk Erdogan, arrij në konkluzion se deklaratat e tij kanë dy qëllime,të cilat janë dhënë në momentin më të volitshëm të mundshëm, në një kohë fushate, ku kundërshtarët nuk e kanë guximin të marrin qëndrim, pasi niveli demokratik i popullit akoma nuk është në nivelin e dëshiruar për të perceptuar drejt situatën. Por , një duhet ta kuptojnë qartë opinionistët, se përgjegjësinë për deklaratat provokuese nga Erdogan e mbajnë Kryeministrat shqiptarë Hashim Thaqi dhe Edi Rama, sepse kjo polli nga konaku i këtyre të fundit. Ardhja e 600 personave nga Turqia në një inaugurim, ka dyshimet brenda.

Nuk mund të pritet nga PDK-ja një qëndrim kundër, kur shumica e tenderimeve edhe të parregullta janë bërë me ketë partner, duke larguar shumë partner Evropian. Heshtja nga LDK-ja, AAK-ja, AKR-ja tregon qartë se edhe këto parti kanë përfituar në një formë ose tjetër në tenderime dhe kontrata të ndryshme. Kurse, heshtja e VV-s ka të bëjë kryesisht me shumicën e votuesve të saj, që mund ti përkasin komunitetit mysliman, mos të them radikal, po me një besim fetar më të fortë, të cilët mund të jenë simpatizant të Turqisë.

Nuk është qëllimi që të pushtohet Kosova përsëri, por, të largohet vëmendja nga parregullsitë e shumta që janë duke bërë “vëllezërit” me biznesin në marrëdhëniet bilaterale në njërën anë, si dhe ti tregohet popullit turk, se ata janë prezent akoma dhe me ndikim në Ballkan, duke ju ndryshuar historinë dhe duke bërë deklarata nacionaliste në shtëpinë e tyre. Në anën e kundërt ai i ofron Ushtrisë Shqiptare një ndihmë prej 100 Milion euro, si duket ne jemi alergjik në para dhe mbyllim syrin e gojën kur e kërkon nevoja.

Aty ku shumica e popullit kërkon me çdo kusht të ik nga vendi, ku më shumë se gjysma e popullit do të jetë e pamundur t’i shpëtojë asimilimit, ku të gjithë anëtarët e familjes presin ndihmën nga të huajt, ku vetëm politika dhe dallaverxhinjët ushqehen me lugë të arit, nuk mund të jetë ndryshe pos aspiratave të „miqve, vëllezërve“ për të na „ndihmuar“, në “zhvillimin” e vendit dhe në emigrimin e të varfërve për një jetë me të mirë.

Lulëzimi i Turqisë, meritë edhe e shqiptarëve!

Do të ishte në nderin e kryeministrave Thaqi e Rama të shfrytëzonin këtë rast në Prizren për të ja thënë në sy Kryeministrit “vëlla”, se ne shqiptarët kërkojmë për komunitetin tonë  në Turqi (që për nga numri është i treti në këtë vend)  shkollim në gjuhen shqipe. Nuk do të ishte risi për Erdoganin sepse ai i kërkoj të njëjtën gjë Angela Merkel it në Gjermani për komunitetin turk. Kritikat duhet drejtuar tek kryeministrat shqiptar dhe duhet kërkuar parregullsitë aty, ftesën dhe të gjitha parapërgatitjet ja bëmë ne, por të kërkojmë të drejta për komunitetin tonë, nuk na bie ndërmend.

Shqiptarët duhet ti kërkojnë hapur këtij njeriu, se ku mbeten ata 5-6 milionë shqiptarë në Anadolli zoti Erdogan, që pate rastin tu thuash vëllezër, nuk pate dëshirë as durim për të ju mësuar gjuhen shqipe atyre, por i asimilove tërësisht? Apo ndoshta e ke në zemër ketë pjesë ballkanike, pasi shumë shqiptarë ua ndërtuan shtetin modern turk, himnin dhe së fundi ata me familjet e tyre u asimiluan në Turqi? Apo ndoshta e ke vërejt se ne mund të konvertohemi shumë kollaj, duke ndryshuar jo vetëm fetë, por edhe kombin? Nuk mërzitemi fort bëhemi Turq, Arab, Italian, Gjerman, Zviceran, e kemi në gjene. Apo, po të duken shqiptarët racë e mirë dhe lojale sepse ua bënë shtetin, ua ngritën futbollin, sot ju mbajnë parlamentin? (Ndoshta kjo është ajo pika që ju tërheq, sepse ne jemi shumë më të mirë kur bashkëpunojmë me të huajt, se sa kur punojmë në shtëpinë tonë). Në jetën e përditshme, asnjëherë nuk u dëgjojmë ju, por as politiken turke, për prezencën etnike shqiptare në Turqi. Turqia kurrë nuk ka lejuar që pakicat të flasin në skenën politike në mbrojtje të të drejtave të tyre etnike dhe ka qenë gjithmonë për asimilimin e minoriteteve në kombin turk. Shqiptarët, kanë qenë gjithmonë bashkëpunues për lulëzimin e Turqisë dhe prapë po mendon se me këtë pjesë Europiane përmes shqiptarëve ti shkaktosh kokëçarje Bashkimit Europian, duke tërhequr shqiptarët në drejtim të Azisë.

Nëse i do shqiptarët zoti Erdogan, ke në Turqi sa të duash, duaj së pari ata, mundësoju atyre  shkollimin në gjuhen shqipe, nga fillorja e deri në përfundim të studimeve. Koncentrohu të populli Kurd, i cili akoma lufton për të drejtat elementare të njeriut. Dhe, nëse të gjitha këto i ke rregulluar, eja për të bërë biznes korrekt me ne, unë ju preferoj, hiqu bizneseve dhe pretendimeve të pista në territoret shqiptare.