| E shtune, 26.10.2013, 10:38 AM |
“Vargje të përjetuara me perceptim të traditës”
Vepra “Guri i vatrës”/… Meditime me lotë malli”/shkruar
me një gjuhë të thjeshtë të përditësisë duke na sjellë vargun e sinqertë, me
plotë dashuri shpirtërore, gjithnjë e nëntheksuar pa qenë poet, i
autorit Sherif Bllaca/nipi i Ramë Bllacës/ shtypur në “Emal” Tiranë 2009.
“Më mirë të flesh mirë e të hash keq, se të hash mirë e
të flesh keq.” Ibseni
Shkruan Besim Perjuci
Jo pa qëllim zgjodha librin me poezi “Guri i vatrës” , titull
ky sa simbolik, aq edhe përkushtues, që më bëri të mëtohem për një të vërtetë
të madhe shpirtërore që i tejkalon të tjerat, duke më kthyer pa dashtë në të
kaluarën e hidhur të viteve të brishta të kohëve të katrahurta, kur kishte
marrë hov emigrimi i të rinjve anembanë rruzullimit.
Vargjet shpalosen përmes një impakti emocionesh që e bëjnë
edhe më të ngjeshur mendimin lirik e herë-herë me primesa të një historie me
storje fragmentare, sakaq me tone epike, të cilat provojnë të nxjerrin autorin
nga legjitimiteti i tij.
Tri janë çështjet kryesore që e kapërthejnë strukturën e
këtij libri prej 100 njësish/vjershash/: e para, plaga e rëndë
shoqërore-mërgimi, e dyta, dashuria ndaj atdheut dhe e treta,
përkushtimet e themelta për familjarët, të afërmit, miqtë dhe shoqërinë, duke i
shpalos të gjitha përmes lotit e pikëllimit.
Pra, i gjithë brumi i veprës do të rrah rininë e hershme, moshën
e pjekurisë dhe atë të pleqërisë. Bota përparimtare me demokraci të verdhë ia
ka zënë frymën autorit dhe, pa dyshim, e ka shkëputë, në rrethana të caktuara,
nga e trishta, e mallkuara dhe e zymta e një të kaluare 100 vjeçare. Dëshmitë
për këtë konsum kohe e përmbushin botën, mbase, optimiste të poetit Bllaca, por
zhgënjimi bëhet më i fuqishëm duke ia ngulfatur edhe ato pak shpresa me të
cilat si atdhetar ushqente idealet e veta. Llava shpirtërore e një erupcioni
vullkanik s’ka ndryshe se si të reflektojë, përpos nxjerrjes nga thellësia e
vargut që shënon kohezion kohor për fatet historike:/”Ju zotërinj”,fq.54,
“Ti Europë”fq.61,”Pavarësia”fq.67,”Viti i befasive”fq.68,”Huqi i Vjenës”fq.74
etj./
Shpeshherë pranon të ballafaqohet me mentalitetin kosovar,
edhe pse larg Kosovës. Kjo çuditërisht ia kanalizon dëshirën dhe vullnetin për
të parë një Kosovë të qytetëruar e të përparuar:vjershat:”Kosovë”fq.16,
“Pyes për Kosovën”fq.36,”Trimëresha Kosovë”fq.49 etj./ Qasja e autorit ndaj
portretit të mërgimtarit është evidente përmes nostalgjikës dhe realitetit me
tipare që kapërcejnë edhe imazhet më prekëse të distancës nëpër udhët plot
gjemba, që e irracionalizojnë edhe jetën, edhe ditën në ardhje, por edhe dritën
e diellit. Pa dyshim shpresa e madhe e fuqizon dhe e bën ta mbajë të jetësuar
dialogun me vetvete në larginë:/”Jetë mërgimi”fq.40,”Mos
shkoni”fq.45,”Mërgimtari”fq.79,”Malli për atdhe”fq.90.etj./.
Poeti e bën të pamundurën përmes vargut refleksiv që
ngrihet nga agonia dhe kriza shpirtërore që e ka kafshuar, në kërkim të
diagnozës së vërtetë dhe shërimit shumëvjeçar të bredhjeve nëpër metropolet e
pashkelura ndonjëherë nga vetë poeti:/”Pleqëria në mërgim”fq.126,/.
Pengesat për një realitet të mirëfilltë që mëtojnë ta kthejnë mërgimtarin nga
bota ireale në atë objektive reale, janë të shumta dhe bëhen të pakalueshme
shpeshherë:/”Atje”fq.110,”Udhëtoj diku”fq.111, “Guri i vatrës
sime”fq.114,etj./.
Shqetësimet i ka të përbashkëta me të gjithë ata
mërgimtarë, me ata njerëz të mallit e të nostalgjisë. Eh, sa larg mbetet njeriu
ynë që i duhet atdheut më shumë se kurrë! Klithje kjo, që ia vret poetit
shpirtin. Prirjet e autorit Bllaca për të shfrytëzuar gjuhën e popullit, në
mënyrë që vargu të përftojë në fuqi dhe bashkëpëlqim me idealet e vetme që
gdhenden pandërprerë në shpirtin sublim të tij, janë premisa që farkohen në
spiralen e udhës së gjatë të mërgimtarit në larginë.
Gjithçka që e rilindë autorin do ta faktorizojë me shumë
sens poetik dhe gjithsesi na tingëllon bukur si e angazhuar, si emergjente për
kthesa të mëdha që priten të ndodhin në vendlindjen e autorit, si:”Festojmë
pavarësinë”fq.42.
Jo njëherë sfidohet për t’i plas zemra nga bredhjet pa
krye, ikjet dhe kërkimazilimet metropoleve që mbajnë në vete sekretet
zhgënjyese. Imagjinata e tij poetike është një frymëzim i pashmangshëm nga
galeria e madhe e krijimeve popullore shqiptare, që del me më shumë tipare të
këtij nënqielli me tema e përmbajtje të kohës.
Duke shfetuar me kujdes këtë bukolikë vargjesh poetike
fitohet përshtypja, se, autori është njohës i mirë i krijimtarisë sonë
popullore: përrallave, legjendave, miteve e heroizmave të pashoqë të trimave
popullor, me fjalë tjera, i tregimeve të shumta në kuptim të
shumëdimensi-onalitetit krijues, si produkti original i këtij nënqielli.
Vështruar nga këndvështrimi gjuhësor, si ai morfologjik,
fonologjik, sintaksor, semantic etj. Percepcioni ynë del të jetë modest e me
nuanca komponimi në frymën e sinqeritetit shpirtëror të poetit Bllaca, i cili
pa hezitim këlthet:”Unë nuk jam as poet, as shkrimtar, por një dashamirës që
dua me vargje të shprehë dhimbjen, dashurinë dhe mallin nga këto pozicione ku
jam”.
Kultivoi vargun në frymën popullore, siç u përmend më
sipri, dhe, jo rastësiht edhe gjuhën popullore e cila e përafron mendimin e tij
me ndjeshmërinë e mjedisit ku e kaloi pjesën më të madhe të jetës, në veçanti
atë në Pejë. Andaj, poeti, shpeshherë nuk i përmbahet fort normativit të gjuhës
standarde, mirëpo kjo s’ia prishë harmoninë vargut, por përkundrazi bëhet edhe
më i dëshirueshëm për bindjet, vullnetin dhe impulset e zemrës së tij, duke mos
e penguar që ta saktëson vargun apo edhe ta lëmojë me dashuri e guximshëm dhe
pa asnjë detyrim. Kjo, pa dyshim, poetin Bllaca e bën më popullor, pa e
dëmtuar, mbase, edhe më subjektiv. Kjo e rrit besimin në sinqeritetin e autorit
që të shprehet kësisoj. Përndryshe, e vërteta e identifikon guximin e tij si
një shembull i mirë për lexuesin, që do ta nxjerrë në pah rrëfimin
autobiografik të poetit.
Liria për autorin dhe vargun e tij të zemrës, paraqet
ndjenjen më sublime të mishëruar më shumë se çdo gjë tjetër në rrugën e tij
jetësore, si ideali që ia ushqente shpirtin dhe që e kishte trashëgim familjar
me kohë, sidomos e kishte të ngulitur nga xhaxhai Ramë Bllaca me nam, emri i të
cilit zuri vend në historinë e vendit, si kundërshtari më i denjë i
shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqinë anadollake, madje duke ua thënë troç
për karshi deputetëve midis Beogradit të atëhershëm. Medet, medet, se çfarë
force kishte ky burrë atdhetarie!/”Kulla
fortesë”fq.19,”Bisedimet”fq.51,”Ramë Bllaca”fq.107 etj./.
Vargu e favorizon dashurinë e njeriut për liri dhe
çrrënjosjen e çdo prangimi nga politika dhe pushtat fodull që mbajnë fronin e
pushtetit me pak interes për popullin. Autori do t’i bashkëvuaj dhe
bashkërendit në përditësi të komunikimit dhe, sikur bashkëjeton në një simbiozë
të pandarë nga vargjet e prezantuara, sikur bartë në vete kudo që vendoset,
brenda dhe jashtë vendlindjes, frymën burimore dhe shumëçka tjetër që
shqetësojnë deri në detaje:/”Ty Kosovë”fq.43,”Diell je ti
Kosovë”fq.82,”Malli për atdheun”fq.90.”Hej, Kosovë”fq.123,etj./.
Përplasaj e poetit me servilet e profilit më të ulët
njerëzor, nuk ia ngadalson mendimin për agime të reja, për një jetë më të bukur
e të dinjitetshme, për një mundësi më shumë për ta luftuar të keqen, të ligën,
të pavërtetën. Është e sigurtë se nëpër këtë siprale poetike edhe vetë vargu
revoltohet dhe bëhet kryeneç kur sheh padrejtësitë dhe privimet nga e drejta
njerëzore, që shkarkohen nga pushtat fodull, dhe fodullëku, për çudi,
shpërblehet me privilegje e përllogaritje marramendëse interesash korruptive.
Vargu strukturohet shpeshsherë pa ndonjë rimë e ritem të
mirëfilltë, mbase edhe pa ndonjë subjekt qendror, por kjo nuk e zbehë saktësinë
e mendimit shpirtëror, pa ndonjë interes vetanak apo të perceptimit të
ngjarjeve të kohës. E thotë troç e pa shkëputje nga realiteti. E vërteta
“cullake” duhet të kuptohet dhe të mbështetet. Mistifikimi i diçkajes që është
shkatërruese, duhet të demistifikohet në rrafshin e emancipimit të vlerave të
mirëfillta kulturore.
Temat që trajtohen nuk kapin ide të reja, sepse edhe shumë
të tjerë, para tij, i kishin rrah këto probleme, të cilat tani veç po e
ndryshonin formën dhe përmbajtjen, mbase me vlera të reja shpirtërore.
Poeti është gjithmonë në kërkim të frymëzimeve të reja për
ta rrit kreativitetin,mbase edhe vëllimin e vlerave kulturore që do të ishin
zbulim i imazheve me rëndësi të veçantë për ta gatuar produktin, si pjellë e
imagjinatës së bujshme që i lëvizë poeti hapësirave mendore.
Shumë lehtë e specifikon kapjen vizuale të problemeve,pa
eksperimentuar me përditësinë e thjeshtë, me shtrirje origjinale e pa “akllëk”,
pa i fasaduar me petkun e abstraktës. Pra, gjërat e ngritura me vargun e
organizuar, përmes një sintakse të ardhur deri në një masë, i sheh dhe i
paraqet ashtu siç janë burimore, në esencë jashtëzakonisht të hapura për t’i
kuptuar më lehtë.
Fati i zhveshur me rëndomësitë e jetës qarkullon harkut
kohor si resonancë e ëndrrave të shkapërderdhura gjithandej pa vullnetin dhe
dëshirën e tij, si diçka që mbanë në vetvete atë ndjeshmëri të paracaktuar
përjetimi për t’i dhënë gjallëri ideve dhe ndjenjave shpirtërore. Hallet e
poetit janë të lidhura ngushtë me hallet e bashkëvendasve të aziluar dhe, ato i
ndërton me ta pa ndonjë renditje sistemimi të mirëfillshëm.
Figuracioni në vargun e Sherif Bllacës zë vend të
rëndësishëm dhe e bën me vlerë e të artikulue-shëm si për nga forma, ashtu edhe
për nga përmbajtja inspiruese, nëpërmjet të cilës ndërton një mozaik temash
interesante për lexuesin. Dhe, kjo, pa mëdyshje, nuk mund të mbetet pa u hetuar
tek lexuesit e pasionshëm.
Njohuritë e fituara dekadave të çorientuara historike dhe
përvojave jetësore të përjetuara, vështrohen si një ndër faktorët vendimtar të
formimit të pikëpamjeve për njerëzit dhe botën në përgjithësi. E vërteta,poeti
gjithmonë ka pretenduar të shpalos botën e tij sublime në kuptim të ndërtimit
sa më të drejtë të një produkti për ndryshime radikale, që do të kishte
përmbajtje mendimi të pushtetshëm edhe tek lexuesi. Me fjalë të tjera, secili
që di ta lexojë Bllacën, e gjen vetveten, përditësinë e tij dhe luftën për
diçka të drejtë e pa komplekse. Pra, poeti kishte arsye pse ankohej edhe pse
këto çrregullime shoqërore as ia zbehen, as ia tundosën shpresën. Ai do të
derdhë tërë energjinë e vet për ta sjellë njeriun në rrafshin etik, moral e mbi
të gjitha intelektual e human. Kështu, me përkushtim do të ndalet gjatë gjithë
kohës tek parimet e traditës, të urtësisë dhe të besimit njerëzor, si gjykimin
më të guximshëm e më racional në diagnostikimin e të këqijave dhe të prapësive
njerëzore e shoqërore, të cilat “ çdo herë” mund të sjellin kriza shpirtërore,
por gjithnjë me pretekst të përmirësimit të gabimeve:/”Besa”fq.29, “Ç’është
kjo?”fq.37,”Mos harroni”fq.45, “Fjala e keqe”fq.92.etj./.
Heronjtë i ka të ditës dhe lehtë identifikohen me bëmat
dhe angazhimet ditore. Ata janë të thjeshtë,por të sjellshëm, korrekt por të
pakorruptuar, të urtë por të arsyeshëm, real por largpamës, spontan por
natyral. Kurse me thjeshtësinë e vargut burimor që e ndërton, të duket i gjallë
e me shpirt intiminative, sa të arrijë plotësisht origjinalitetin dhe
përkueshtmërinë.
Vepra ia vlen të lexohet me ndjenjen e respektit për
vargun dhe autorin. Lexohet dhe kuptohet lehtë motivi i veprës, kurse
përmbajtja e vargut përthithet me dashuri e pasion të përkushtuar.
/Autori është nga Peja, arsimtar i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, në pension/