| E enjte, 24.10.2013, 07:40 PM |
Zgjedhë më të mirin nga të
dobëtit, të dyshuarit, dallavergjinjët!
Në ketë fushatë po fluturon
gënjeshtra, po fluturon gomari!
Shkruan Ramiz Selimi
„Vota është më e
fuqishme se sa plumbi! Me plumb mund ta vrasësh armikun, kurse me votë mund ta
vrasësh të ardhmen e fëmijëve tu.” Duke ju referuar kësaj thënie nga Abraham
Lincoln, them se populli më në fund
duhet të pjekët për të zgjedhur më të mirët nga kandidatët e plogësht që
kemi. Më mirë të votohet, se sa të mos
votohet, për të mos e vrarë te ardhmen e
fëmijëve.
Por, shtrohet
pyetja a janë politikanët aktual të nivelit aq të mirë, për ta kuptuar drejt
situatën e tanishme? Mendoj që jo! Edhe
pse ka lëvizje pozitive në disa parti me ofrimin e personave të kualifikuar,
prapë dyshimet janë reale se në sipërfaqe mungojnë personat e vërtet, ata më
shumë gjenden në prapaskenë. Vështirë se do të ketë ndryshime pozitive në vitet
që vinë, politikanet e provuar kanë një sfond
veprimi shumë të errët, kjo elitë
e tanishme është testuar dhe provuar shumë herë? Ky është maksimumi çka mund të
ofrojnë ata!
Por fatkeqësisht
mu kjo elitë do ti fitojë prapë zgjedhjet, pasi populli akoma nuk është në
nivelin e tillë demokratik për të dënuar shërbyesin kur ai e meriton. Shpesh po
bëhet bashkëpunëtor në abuzime e manipulime për shkak të kësaj mungese dhe si
rezultat po e vuan vet mbi supet e tij qeverinë e merituar.
Bashkimi
Europian ju ka dhënë rëndësi të lartë këtyre zgjedhjeve, siç duket më shumë për
shkak të bisedimeve me fqinjët verior, duke ofruar një numër të madh vëzhguesish
dhe këshilltarësh në këto zgjedhje, për të rekomanduar dhe imponuar drejtimin që duhet vijuar.
Qëllimi kryesorë i tyre është përfshirja e komunitetit serb në zgjedhjet
lokale, për të arritur një pajtim të
mundshëm me pakicën problematike, pa marr në konsideratë nevojat dhe dëshirat e
shumicës. Të huajt testuan të gjitha pulset dhe nivelet e diturisë të politikës
së tanishme. Ata e dine saktësisht së cilën barrë mund e bartin politikanët e
vendit pa shkaktuar trazira në popull.
Cilat zgjedhje mbahen me 03 Nëntor!
Presidenti
historik Ibrahim Rugova shpesh thonjte zërave që ofronin mendime tjera, se ne
nuk duhet të startojmë çdoherë nga zeroja, puna e bërë duhet respektuar, idetë
e mira duhet të vazhdojnë mbi bazën e
ndërtuar. Me të gjitha problemet dhe mangësitë qe ka shteti i ri, sistemi
shtetëror ekziston, se sa respektohet dhe zbatohet ligji në jetë është një
pyetje krejt tjetër. Shumica e partive kanë pasur pushtetin në dorë, si në
nivel qendror ashtu edhe atë lokal. Neve elektoratit ne disa Komuna po na
mbetet vetëm një mundësi, zgjidhe më të mirin nga të dobëtit, nga të dyshuarit,
nga dallavergjinjët. Disa Komuna kanë ofruar kandidatë të shkolluar në
perëndim, të cilët elektorati duhet ti
marrë shumë seriozisht, për të ju dhënë një mundësi përgjegjësie, në vërtetimin
e vlerave të tyre.
Ato që i kemi
vërejtur gjatë kësaj fushate për zgjedhjet lokale është se shumica e
partive janë duke menduar seriozisht për
zgjedhjet parlamentare, të cilat mund të pasojnë në pranverën e ardhshme, duke projektuar dhe ofruar elektoratit temat
e politikës qendrore në kontekstin
lokal. Bie në sy edhe një pragmatizëm ekstrem qendror nga lider të partive në direktiva dhe punë të
pushtetit vendor. Se Kosova është shumë larg standardeve demokratike, po e
tregojnë edhe këto zgjedhje. Liderët e partive duke njohur mentalitetin e
elektoratit janë vënë ne lëvizje duke vizituar komuna, tubime dhe takime të
ndryshme, për të mos dalluar janë këto zgjedhje lokale apo parlamentare. Si
duket elektorati më shumë ju beson liderëve dhe jo personave kandidat për
kryetar komune, të cilët duhej të ishin në qendër të vëmendjes.
Në kohëra të
luftërave dhe pas gjuetisë gënjehet më
të vërtet nga të gjitha anët, në luftëra shpesh ju besohet për shkak të frikës
që ekziston, por gjuetari gënjen vetëm nga dëshira për të treguar se sa shumë
qëlloj sot. Tani që jemi mësuar me disa palë zgjedhje në tranzicion, politika
është duke gënjyer fluturimthi, pa asnjë mbulesë, nga dëshira për të kapur pushtetin, nga
dëshira për të kapur paranë.
Premtimet e
partive gjatë kësaj fushate kanë shkuar pothuaj se në ekstrem me paradokset e
tyre, sa që Partia e Fortë na del parti me serioze duke treguar realitetin e
tanishëm me humorin e saj. Premtimet pa asnjë bazë, pa asnjë mbulesë nga
Partitë më shumë i ngjajnë lojës së fëmijëve: “Fluturon, Fluturon ...Lejleku; Fluturon, Fluturon Gomari, ...Partia;
Fluturon, fluturon... Paraja në xhep të politikanit, se sa një premtimi serioz
për të nxjerrë vendin nga situata e vështirë ekonomike.
Themelimi i 70 Iniciativave i dëmshëm për
popullin!
Se ne jemi vend
i paradokseve tregon qartë edhe themelimi i 70 iniciativave qytetare nga Parti
të ndryshme në shërbim të kryetarëve të komunave aktual. Themelimi i këtyre
iniciativave të shumta pa qëllime të
qarta, do të jetë me pasoja për zhvillimin demokratik të vendit në vitet që
vinë, pasi ato do të humbin kredibilitetin dhe besimin për të cilin janë
menduar. Tani për tani ato janë dorë e
zgjatur e subjekteve të caktuara politike.
Atëherë kur
partitë në pushtet për shkak të pakënaqësive largohen nga qytetarët, kur nuk ka
angazhim të mjaftueshëm politik, lindin iniciativat qytetare. Qëllimi i tyre
është të nxisin angazhimin politik në mposhtjen e antipatisë. Ato janë shprehje
e ndërgjegjësimit në rritje të qytetarëve, zakonisht ato janë të orientuara në
një çështje të caktuar. Në të shumtën e rasteve ato kanë neutralitet të rreptë
ose kanë bashkëpunim me të gjitha partitë. Ato kërkojnë nga partitë gjetjen e
mënyrave të reja të zgjidhjes së problemeve.
Por, tek ne
problemi është se sa kanë ndikim partitë e pushteteve të ndryshme aty. Kjo në
Kosovë nuk mund të anashkalohet, për arsye të rrethanave të ndryshme si
ekonomike ashtu edhe mentale dhe pothuajse është e pa imagjinueshme që një
iniciativë qytetare të funksionoj komplet e pavarur, ose njëkohësisht të
bashkëpunojë me të gjitha partitë. Sikur iniciativa qytetare në Kosovë të jetë
në shërbim të „fjalës së vet“ do t’a kishte vlerën e vërtet.
Zbatimi i detyrave në praktikë (tek ne) jam i bindur thellë se përcillet me sfida dhe plot vështirësi. Iniciativat qytetare sidomos në qeverisjen lokale përdoren si indikator për të vlerësuar nivelin e demokracisë dhe respektimit të ligjit në institucionet e shtetit (në botën demokratike). Nëse ato bashkëpunojnë vetëm me një parti, pra nëse përdoren nga pushtetet për të arritur qëllimin, ato janë shumë të rrezikshme sepse jo vetëm që u zgjasin jetën pushteteve, ato e vendosin edhe popullin në gjumë.