| E merkure, 23.10.2013, 07:44 PM |
NJË KËRKESË PËR TAKIM TE HOTEL “SHERATON”
Tregim nga Hyqmet Hasko
Ishte ora 19 dhe
mezi po i shtyja ato orë të pasdites, për shkak të lodhjes dhe pagjumësisë.Po
bëja çfarë ishte e mundur që të përqëndrohesha tek një shkrim për një libër
poetik të një mikut tim poet nga Kosova, por që banon në Zvicër, kur trigëlloi
zilja e celularit.
Me një veprim të
shpejtë e mbylla, se doja të përfundoja atë shkrim estetik.
Por personi që i
binte këmbënguli për një kohë të gjatë, derisa unë, më në fund, vendosa ta
mbyllja fare dhe ashtu bëra.
Mbas një ore e
përfundova shkrimin, i hodha dhe një sy kalimthi se mos kisha bërë ndonjë
gabim. Mbas përfundimit të tij ndjeva një lodhje mendore deri në kapitje, por
dhe një kënaqesi në vetvete, që arrita të bëj një shkrim dinjitoz për një poet
dinjitoz, të paktën kështu më dukej mua ai shkrim estetik.
E hapa celularin
dhe pashë se ishin mbi dhjetë thirrje të humbura, çuditërisht nga i njejti
numër.
Vendosa ta marrë
vetë, duke menduar se ky person që ka bërë dhjetë telefonata patjetër e ka një
hall urgjent.
Por, nga ana
tjetër, buzëqeshja me vete, se qenkam bërë i rëndësishëm, përderisa dikush me
bën thirrje mbi dhjetë herë.
Bëra ç’bëra,
formova numrin dhe nga ana tjetër m’u përgjgj një zë femre. Të them të drejtën
nuk e njihja, nuk kisha folur asnjëherë me të, pasi zëri më tingëllonte krejt i
huaj dhe i panjohur.
-Mbylle, më tha
ai zë me shumë mirësjelle,mbylle se të marr unë. Dhe pa e zgjatur e mbylli vetë
e para.
Pas pak
sekondash, më mori ajo.
-Do të më falësh
se po ju shqetesoj, por unë jam një mikja juaj e faccebook-ut,quhem Jolanda.
Kam ardhur posaçërisht nga Austria per t’iu takuar juve.
Diçka e mjegullt më erdhi në mend, por ashtu
kalimthi, pa lidhje…
-Mua?!- iu
përgjigja unë me shumë habi.
-Po, po, juve.
Unë kam vetëm tre ditë kohë, se dua të rikthehem përsëri në Austri, se atje më
presin shumë punë për t’u bërë. Nëse do mundeshe të takohemi nesër në orën 12,
te hotel “Sheraton”.Po ju pres, ne hollin e tij.
-Zonjë, iu
drejtova me një lloj përulje, sikur i lutesha të mos më zemërohej për një
hollësi kaq banale,-a mos do të ishte më
mirë të takoheshim në ndonjë vend tjetër, se aty çmimet janë shumë të kripura.
Ajo qeshi me një
zë vërtet të bukur dhe të ngrohtë.
-Mos e vra
mendjen për gjëra të tilla, miku im, se paguaj unë, paranë nuk e kam problem.
-Okej! -i
thashë,-nesër më dymëbdhjetë pa një cerek më ke aty…
-Faleminderit,
miku im i mirë,-më tha mikja e façebook-ut.
Të nesrmen në
orën e caktuar isha aty,u vesha thjeshtë si përditë, se asnjëherë nuk më pëlqen
pompoziteti në veshje.
Qëndrova dy tre
minuta duke vështruar nëpër holl, por nuk u lodha shumë, se e njoha shpejt,
nëpërmjet fiksimit që i kisha bërë fotos së saj të profilit.
I shtrëguam
dorën njëri-tjetrit dhe ajo më puthi lehtë në faqe.
-Shkojmë në
restorant,-më tha se tani është vakt dreke.
Të them të
drejtën hezitova pak dhe i thashë se mund të bisedojmë dhe në kafene. Nuk ua
kisha ngenë dhe takatin drekërave e sidomos në një lokal kaq të shtrenjtë, ku
duhet të lije qimet e kokës…
-Hajde,
hajde,-më tha dhe më futi krahun, si të më kishte vëlla.
Shkuam në
restorant, ku ajo pa e bërë të gjatë bëri porosinë. Kamarieri i bëri vetëm një
pyetje: “Zonjë, gatimin e do si dreka e djeshme?”. “Po, i tha ajo,po munde dhe
më të mirë” dhe buzëqeshi me një mirësjelle të një gruaje me shumë kulturë.
-Po dal drejt e
në temë,-më tha ajo,-unë do të tregojë në mënyrë të përmbledhur jetën time
familjare dhe dua nga ti të më bësh një novelë,por më mirë do ishte një roman.
-Jolanda,i
thashë,-unë nuk e kam aftësinë e duhur për të shkruar një roman, unë sapo jam
futur në rrugën e prozës.
-Të kundërshtoj,
miku im,-më tha, -ti ke një aftësi të rrallë për të rrëfyer,unë i kam lexuar
tregimet e tua, por dhe dy novelat. Më ka bërë përshtypje mjeshtria e të
shkruarit. Jeni shumë fin dhe i ngrohtë, rrëfimet tuaja të përpijnë, të bëjnë
krejt për vete!...
-Ha-ha-ha!
-qesha unë… Mjeshtria! Ha-ha-ha! Jolanda, të lutem mos e tepro, të thashë jam
një fillestar dhe filestari nuk bëhet mjeshtër menjëherë.
-Miku im, je me
shumë se ç’duhet modest, prozatorë të tjerë mburren dhe me broçkullat që
shkruajnë. Të thashë,-vazhdoi ajo, -mua më ka mbetur në mendje novela “LOTI I
LAGUR”,ndaj, miku im, e mora rrugën për t’iu takuar juve.
Ajo nuk e vazhdoi
më gjatë që të më mbushte mendjen për talentin tim të spikatur, për mjeshtërinë
spontane të rrëfimit, për trillet e një narracioni të beftë, siç u shpreh ajo,
që unë i zotërokam në mënyrë të magjishme. Por, befas heshti, u mbush me frymë
dhe filloi të fliste për jetën e saj.
Zëri i saj i
shtruar, me jone të qetë e të ëmbël, po ku herë herë ndihej një shpërthim i
beftë, nga brenda, vinte si nga katakombet…
“…Isha 28 vjeçe
kur u martova me tim shoq. Qenë vitet nëntëdhjetë, më saktë ishte viti 1995 dhe
sapo ishte hapur tregtia.
Im shoq njihej
si një Don Zhuan me femrat , kur i shkrepte për të futur një femër në dorë, nuk
shikonte para vetes asnjë tabu e pengesë. Ai bënte të pamundurën, sillej e
vërdallisej pambarim, jargosej e ziente si kazan në flakë, harxhonte para me
thes, deri sa ta bënte të tijën. Pastaj, në fillim e harronte, bënte sikur nuk
e vinte re, më tej e flakte tutje si plaçkë të vjetër, që nuk hyn më në punë.
Por im shoq
ishte dhe nje punëtor i madh,merrej me tregti,shiste dhe blinte ç’të gjente.Disa
kohë shkoj dhe në Greqi, por nuk qëndroi shumë, erdhi menjëherë që andej, se
një kushëri i tij që e kishte lënë si manaxher filloi të vidhte.
Unë isha vajzë e
vetme,kisha vetëm nënën dhe mezi shtyheshim për të përballuar jetën,ndërsa
Skënderi, kështu quhet im shoq, kishte dhe dy vëllezër të tjerë. Ata kishin vetëm nënën, se babai iu kishte
vdekur.
Një ditë, unë po
kaloja para një dyqani bylmeti,ku ishte vendosur një lajmërim ku thuhej se
kërkohej një shitëse. Ai më pa dhe m’u afrua.
-Mirëdita, bukuroshe.
Je e interesuar për punë? Unë jam pronari, të lutem, eja brenda.
U hutova për një
çast, por shkova pas tij. Ai kishte një zyrë të mobiluar me kujdes, ku çdo gjë
ishte harmonizuar më së miri.
-Po ju jeni me
shkollë të lartë?! -m’u drejtua ai.
-Po,-i thashë,-
kam mbaruar ekonomikun, por jam në hall dhe më duhet të punojë që të fitoj
bukën e gojës.
-Shumë mirë, unë
do të të afroj një punë më të përshtatshme për ty, -më tha ai,-unë kërkoj që ti
të jeshë menaxherja e të gjitha dyqaneve që kam unë,ose më saktë, të gjithë
llogarinë e biznesit tim do ta keshë ti në dorë.
Të them të
drejtën, nuk mund ta besoja këtë njeri, se shumë femra i kishte futur në dorë
me shumë premtime…Në qytetin tonë ai njihej si delja e zezë në mes të tufës me
të bardha…
Por premtimet e
tij ishin joshëse dhe timbre i zërit të tij tepër bindës.
E pashë në
fytyrë dhe e pyeta:
-Kaq besim ke
tek unë ti?!
Ai buzëqeshi dhe
më tha:
-Po, kam shumë
besim, se je vajzë e bukur, e sjellshme dhe dinjitoze.
Mua më hypën
nervat për një çast dhe shpërtheva:
-Dhe ti,- i
thashë duke i mëshuar zërit,-këtë dinjitet që unë kam kërkon ta nëpërkëmbësh,
duke më joshur me një punë ku më lë në dorë gjithçka, kur ti nuk ke besim as
tek vëllai yt…
-Jo, zonjushë,
m’u drejtua,unë nuk kam ndërmend të tallem me ty,por më duhet vërtet një person
që të ma kollandrisi biznesin dhe nuk do të jeshë vetëm, do të jeshë me Milton,
Milto Merepani, ai që ka shtëpinë në fund të qytetit tonë. Këtë punë kam kohë
që e kam menduar,por nuk po gjeja rastin për t’ua thënë.
Jolanda qëndroj
për një çast, mori frymë thellë dhe vazhdoi:
E ç’ta zgjas!
Për fillimin e punës unë e pranova, se më erdhi në shtëpi Milto Merepani,një
burrë i urtë dhe tepër i zgjuar.
Kisha rreth dy
vjet që punoja për të,kur një ditë na thirri në zyrë mua dhe Milton.
Isha e
shqetësuar se mos kisha bërë ndonjë gabim në llogari. U futëm në zyrë dhe mbi
tavolinë mua më shkuan sytë tek një unazë mjaft e bukur, me një gur të madh
diamanti.
U ulëm përballë
tij dhe për herë të parë i pashë syt që i kishte të kaltër si qiell mjaft i
pastër. Kishte sy të bukur, të ëmbël dhe të besueshëm. Sy ëngjëlli. Por nuk qe
aq ëngjëll sa dukej.
Nuk e di, por
diçka më sëmboj në zemër.Por unë kisha vendosur që në asnjë mënyrë nuk do t’i
bija në dorë.
-Nuk ju kam
thirrur as për t’iu lavdëruar,por as për t’iu sharë.Thjeshtë sot unë do të kërkoj dorën tënde, Jolanda,dua që ti
të bëhesh gruaja ime, ose më saktë nëna e fëmëjëve të mi, që do të lindin
nëpërmjet bashkimit të dy zemrave tona.
Unë isha i
përqëndruar tek biseda e Jolandës dhe nuk kisha vënë re se tavolina ishte
mbushur plot me meze dhe gotat ishin mbushur me verë të kuqe…Pashë shishen e
verës që lexonte “Madein Franca”.
-Gezuar!- më tha
Jolanda.-Suksese në rrugën e artit!
-Gëzuar,
Jolanda! Të rrojnë fëmijët dhe gjithçka që ke për zemër!-e urova unë.
Filluam të
përtypim diçka nga mezet ,por mua nuk po me durohej të mësoja se si vazhdoi
propozimi i Skënderit.
-Po,-i thashë
unë, si vazhdoi biseda më tej me tët shoq?!
Ajo qeshi.
Kishte një qeshje të -shpenguar, gjithë hir e nur. Tani e kuptoja se pse i
kishte rënë në kokë punëdhësit të saj, o Jolanda o s’ka!
-Të them të
drejtën ma kishte qejfi të bëhesha gruaja e tij,por ec duroje opinionin e
qytetit tone. Për të fliteshin shumë llafe të pa denja,bile disa e quanin dhe
mafioz.
-Nejse,kjo është
unaza,-më tha Skënderi,-kur të jeshë e bindur, vere në gisht dhe të fillojmë
jetën familjare. Në shtëpinë tënde nesër do të vijë nëna, daja im dhe Milto, miku ynë i
përbashkët.
Unë ngrita sytë
nga Milto e vështrova me shumë vëmendje, sikur doja të dija të fshehtat dhe
dredhitë e Skënderit, që kërkonte dorën time për martese.Të them të drejtën,-
vazhdoi Jolanda, (ajo e kishte fjalen për Skënderin)nuk më kishte provokuar
asnjëherë, kurrë nuk më kishte thirrur vetëm në zyrë, por gjithmonë isha e shoqëruar
me Milton.
Ç’ta zgjas më
tej, ne u martuam dhe unë linda dy djem brenda tre vjetëve.Ishim vërtet shumë
të lumtur, tregtia po na ecte mbarë,filluam të depozitojmë para dhe në një
bankë në Zvicër. Vinte në shtëpi shënd e verë dhe rokullisej në krvatin dopio
duke më ftuar gjithë vrull:
-Eja këtu
bukuroshja ime! Eja tek arushi yt!
Së toku me ne,
në krevat rrokulliseshin fëmijët tanë. Vërtet jeta jonë kishte ngjyrat e
ndezura të pasionit dhe lumturisë…
Një natë ai
erdhi mjaft i zverdhur në fytyrë, nuk i puthi djemtë, siç bënte gjithmonë.
-Ç'ke?!-e pyeta.
Ai më hodhi një vështrim që mua m’u duk shumë
mallëngjyes.
-Ç'të ka
ndodhur!? -e pyeta rishtas dhe fillova të shqetësohesha.-Mos të ka rënë në qafe
ai birboja që të kërcënoi para një viti!?
Tim shoq e
kërcenuan një herë dhe i kërkuan një sasi parash. Ai e thirri atë që e kishte
organizuar, i dha disa para dhe i tha se nese do më vishë përsëri, dije se je i
vdekur ti dhe familja jote.
Ai nuk ia mori
paratë, jo nga frika e kërcënimit, por i tha që ta çonte në Angli ileglisht. Im
shoq pranoi dhe ai u zhduk për ca kohë, por e kapën duke shpërndarë drogë, e
futen në burg dhe kur doli i sollën pa kopostar në Shqipëri.
-Jo, nuk më ka
kërcënuar ai person dhe askush, por është diçka më e keqe.
Mbeta e
shtangur, gjysëm e shtrirë në shtratin martesor. Çfarë kishte ngjarë vallë?!
-Nuk të
kuptoj,-iu drejtova e zverdhur.-Si me e keqe?!Mos do të na rrëmbejnë fëmijët?!
Ai u mundua pak
dhe iu duk si një zgjidhje për të mos më treguar të vërtetën.
-Po, - më
tha,dikush kërkon të na rrëmbejë fëmijët…
Mbeta epataksur,
me kokën në duar dhe sytë në një drejtim të papërcaktuar, si e shushatur. O
Zot, çfarë kishim bërë, që po na binte ky fat?!
-Arsyeja,
përse!? Nëse duan para, jepu!...
-Jo,- vazhdoi ai
lojën e tij.-Por i kam marr masat, që ti me dy djemtë të shkoni në Austri. Atje
do t’iu presë një miku ik austriak dhe do t’iu çojë në shtëpinë që kam blerë
për ju,për ty dhe fëmijët.
Unë ia plasa të
qarit me dënesa.
-Zemër, mos qaj
se tromaksen djemtë.Ikni ju se unë do të vijë
më vonë.
-Jo, - i
thashë,-do ikim bashkë.
-Gjë që s’bëhet.
Do të rregullojë të gjithë biznesin, do të bëj sikur do ta shesë, por do t’ia
lë njerëzve të besuar, ndaj të thashë se do të vij tek ju.
Pastaj, me një
qetësi olimpike, vazhdoi:
-Fillo bëhu
gati, merr pak ndërresa dhe nesër do të nisesh shumë herët. Sonte do të shkosh
tek shtëpia e MILTOS,në orën tre do vijë t’iu marr një miku im dhe do t’iu
shoqëroj deri në Austri. Do t’iu dorëzoj tek ai miku që të thashë.
Desha s’desha,
pranova planin e tij.
Ikëm dhe mbas
disa muajsh mora vesh se tim shoq e akuzonin për inçest me vajzën e tezes.
Të them të
drejtën, u tërbova nga lajmi i ndyrë që mora vesh.Nuk dija çfarë të beja,me kë
të ngushëllohesha, me kë të flisja.
Austriaku që
vinte na vizitonte çdo ditë me të shoqen nuk dinte shqip. Anglishten unë nuk e njihja mirë.Po plasja nga marazi.
Një ditë i
thashë Austriakut që të më gjente një punë, pasi doja me çdo kusht ta hiqja
vëmendjen nga ai maskara.
Ajo heshti dhe e
shkurtoi bisedën, sikur i druhej një keqkuptimi. Pastaj nxitoi të më sqaronte
se ajo, vajza e tezes, ishte nxitur nga i dashuri i saj,që ta bënte atë sajesë
të ndyrë. Çështje përfitimesh. Botë makute! Punë ndyrësyrash!
Im shoq bëri tre
vjet burg, derisa u bë ekzamiminimi i saktë i ADN-së.
Vajza e tezes
ishte bërë pishman për veprimin dhe e kishte denancuar të dashurin e saj.
Por ajo
përfundoi tragjikisht. Ai maskarai, i dashuri i saj, kishte paguar para tek një
infermiere dhe ajo ia kishte vdekur fëmijën në bark. Konstatimi u bë shumë vonë
dhe ajo vdiq. Kurse ai maskarai, i dashuri i saj,iku e u fsheh për ca kohë, por
thonë se e kanë kapur.
Jolanda heshti
një grimë herë dhe më pa gjatë në sy, sikur donte të lexonte në sytë e mi
përshtypjen që më pati bërë rrëfimi i saj. Ndezi një cigare dhe pesherëtiu
thellë, sikur donte të nxirrte nga krahërori një mal me brenga e vetmi…
Ishte ora 16
mbasdite, kur unë u ndava me miken time. Ajo këmbënguli që unë këtë bisedë për
jeten e saj ta bëja roman.
E përtypa gjatë
historinë e saj, një grimcë nga ato mijëra histori me të cilat përballen gratë
e vendit tim, në tentativën e tyre kuarjoze për të qenë në familje vetvetja.
-Do të shkruaj
diçka,-i premtova. Kjo histori nuk do të vdesë Brenda meje…
Del një novelë
interesante. Ndoshta dhe një roman.
Jam në dilemë,
por nuk i dihet, edhe mund të bëhet…
H..B..H.