| E hene, 21.10.2013, 08:39 PM |
Letër e hapur kryeministrit të
Turqisë, me rastin e vizitës së tij në Kosovë
Nga Alma Lama
I nderuar z.
Erdogan,
Po ju shkruaj
këtë letër të hapur me rastin e vizitës suaj në Kosovë. Prej ditësh këtu është
proklamuar vizita juaj, me rastin e inaugurimit të Aeroportit të Prishtinës, ku
firma e cila e ka marrë këtë aset është turke dhe ka qëlluar që pronari i saj
të jetë edhe dhëndri juaj. Gjëra që ndodhin në politikë, por unë do ta lë me
kaq këtë çështje pasi nuk është objekt i kësaj letre të hapur.
Më lejoni
fillimisht përpara se të hyj në temë t’ju falënderoj për mikpritjen që shteti
juaj më ofroi mua, si pjesë e delegacionit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës,
gjatë një vizite që zhvilluam rreth një vit e gjysmë më parë. Mbeta e
impresionuar në fakt me gjithë gatishmërinë e krerëve më të lartë të shtetit
tuaj, përfshirë presidentin dhe ju, për të na rezervuar kohë, takime. Patëm
edhe mundësinë të shohim edhe pjesë të kulturës së vendit tuaj, historinë,
zhvillimin etj. Më kujtohet që ju z. Kryeministër sapo kishit kaluar një operacion
dhe shëndeti juaj nuk ishte në gjendjen më të mirë, por megjithatë na e
rezervuat më shumë se një orë, në pallatin qeveritar në Stamboll, dikur pallat
i sulltanit. Dhe këtë akt tuajin unë dhe delegacioni në të cilin bëja pjesë e
çmuam dyfish, pasi tek e fundit nuk ishte as takim në nivel të kryeministrave.
z. Erdogan,
Përtej
mikpritjes suaj, gjuhës “vëllazërore”, përtej atmosferës që përpiqet të krijojë
diskursi se ne si popuj jemi të afërt sepse na ka lidhur historia, unë
personalisht u ktheva në Kosovë me një shije jo fort të mirë. Disi u hidhërova.
E kam mbajtur për vete këtë hidhërim, mirëpo sot, pas zhvillimeve që do t’i
shpjegoj më poshtë, jam e bindur se fjala ime e hapur shërben më shumë se fjala
e ruajtur në dry, për hir të diplomacisë.
Mbeta e hidhëruar
sepse gjatë takimit me ju, prej më shumë se një orë, çështja kryesore e cila u
diskutua ishte xhamia në Prishtinë. Ndërtimi i xhamisë për të cilën u bë shumë
zhurmë në Prishtinë, më së shumti nga radikalët dhe profiterët e fesë, erdhi e
rierdhi disa herë në bisedë, në formën e pyetjes dhe kërkesës nga ana juaj.
Kreu i
delegacionit u detyrua të shpjegojë se toka për këtë ishte ndarë. Natyrisht ju
nuk kishit detaje për këtë çështje, sepse jeni kryeministri i një vendi tepër
të madh, por edhe vetë xhamia në Prishtinë, unë mendoj se do të duhej të ishte
një detaj që nuk duhet t’ju interesonte fare.
Pritshmëria ime
lidhje me tema të tjera në fakt, si p.sh. thellimi i bashkëpunimit në fushën
ekonomike, lufta e krimit të organizuar dhe rrugëve të trafiqeve, bashkëpunim
në fushën e legjislacionit edhe pse ne modelet i marrim nga BE-ja, e po kështu
si shtet i madh e me ndikim në rajon pse jo një influencë më e madhe
diplomatike në raport me fqinjin tonë problematik, Serbinë, që është një
partner goxha i rëndësishëm për Turqinë, së paku sipas deklarimeve tuaja dhe të
bilancit tregtar që zhvilloni me të. Në fakt ne i jemi mirënjohës kujtdo që
punon sado pak, apo ushtron influencën e tij për të na e hequr qafe Serbinë.
Nga ky takim
mora vesh gjithashtu se edhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës z. Naim
Tërnava kishte ardhur tek ju dhe ishte ankuar për punën e xhamisë. Nuk kisha se
si të mos ndihesha e çuditur dhe e tradhtuar nga ky njeri i cili ka shkuar të
ankohet te kryeministri i një vendi tjetër, për një punë që duhej të zgjidhje
me Komunën e Prishtinës.
Përveç
pamaturisë dhe gafës së madhe të Tërnavës, me thënë të drejtën unë kërkesën
tuaj apo parashtrimin tuaj për ndërtimin e xhamisë e përjetova edhe si
ndërhyrje nga ana e shtetit tuaj në punët e brendshme të Kosovës.
Le të më
korrigjojë dikush nëse e kam gabim.
Por sikur të mos
kishte mjaftuar ky takim me kryetemë xhaminë, në takimin e radhës me
kryediplomatin e Turqisë, z. Davitoglu, një intelektual i shquar në vendin
tuaj, por me teoritë e të cilit për neootomanizmin, e thënë e zeza mbi të
bardhë në librin e tij “Thellësia Strategjike” apo edhe në disa fjalime në
vendet e rajonit, çështja e xhamisë na mbiu sërish.
Fillimisht
ministri i Jashtëm përshkroi gjerë e gjatë dashurinë e tij për qytetin e
Prizrenit. Përshkroi rrugët dhe ndërtesat me një hollësi sikur të kishte kaluar
fëmijërinë në to, duke shënuar e nuancuar me admirim hiret e këtij qyteti, një
pikturë të madhe të të cilit e mbante pikërisht në zyrën e tij, bashkë me një
pikturë të një qyteti tjetër të preferuar, atë të Mostarit.
Ndjeva xhelozi
për Prizrenin, njësoj si për të dashurin, kur dikush tjetër kërkon të ta marrë.
Askush i huaj nuk mund ta dojë Prizrenin më shumë se unë. Kurrë!
Në këtë takim
xhamia jo vetëm që doli në tryezë, por u shoqërua edhe me shkaqet e ekzistencës
së katedrales, e cila “nuk mund të mbushet nga besimtarët”.
z. Erdogan,
Ne në Kosovë,
por shqiptarët edhe më gjerë jemi shumë të interesuar të kemi raporte të mira
me shtetin e sotëm turk pavarësisht nga e shkuara jonë e hidhur. Krijimi i
raporteve të mira do të thotë në radhë të parë respekt reciprok, do të thotë
respektim i kulturës dhe traditës së tjetrit.
Ne, si ish-pjesë
e perandorisë turke, të pushtuar prej saj jo vetëm politikisht por edhe
kulturalisht e fetarisht, para një shekulli bëmë përpjekje të jashtëzakonshme
si komb për të rilindur vetveten. Ia dolëm. Sfida numër një për ne ishte
pikërisht feja. Vendosëm që asaj të mos i jepnim rëndësi të dorës së parë, por
kombi të ishte formula jonë e ekzistencës. U përcaktuam për këtë dhe ecëm
përpara. E kundërta do të na kishte fundosur. Ashtu sikurse mund të na fundosë
tani, nëse ne nuk tregohemi të vëmendshëm.
Ne nuk kemi
asnjë të drejtë t’ju gjykojmë ju dhe partinë tuaj për agjendën islamike të
cilën e keni proklamuar hapur, i takon popullit të Turqisë ta bëjë këtë
vlerësim, mirëpo unë personalisht dhe si unë ka me mijëra shqiptarë, nuk mund
të heshtnim nëse këtë agjendë ju apo kushdo tjetër do të përpiqet ta shtrijë
edhe në Kosovë. Unë i kam parë shenjat, diçka e tillë po ndodh, islami politik
ka nxjerrë kokën edhe në Kosovë dhe po bëhet gjithnjë e më agresiv.
Prandaj po ju shkruaj
për t’ju thënë se agjenda islamike për ne është helm. Ky helm e kontaminon
botëkuptimin tonë për fenë, bashkëjetesën që e kultivuam prej shekujsh,
respektin për fenë e tjetrit. Dhe në rast se ju na konsideroni vëllezër, ashtu
siç jeni shprehur, mos na e sillni atë helm këtu.
Përkundrazi, unë
nga shteti juaj, të cilin e konsideroj sot shtet mik, pres ndihmë në betejën që
ne vetë duhet të ndërmarrim për të luftuar organizatat dhe fondet e dyshimta,
që nën petkun e humanizmit sollën në Kosovë pas luftës edhe rrymat më fanatike
e ekstreme të islamit, që për mua dhe jo vetëm, janë në kundërshtim me vetë
këtë fe. Sot ata po na indoktrinojnë të rinjtë, po shfrytëzojnë varfërinë tonë
ekstreme, mungesën e edukimit të mirëfilltë dhe dobësitë e shtetit të ri të
Kosovës, i cili nuk ka kapacitete të mjaftueshme t’i luftojë.
E në fakt një
shtet i fuqishëm si i juaji, do të mund të na ndihmonte më shumë se kushdo
tjetër unë besoj se e keni dijen, eksperiencën dhe mundësitë për ta bërë këtë.
Unë dhe gjithë
shqiptarët jemi të interesuar për raporte të mira me Turqinë e sotme, edhe pse
ajo është trashëgimtare e një perandorie që ne na mbajti nën pushtim rreth 500
vite. Ju mund të keni një qëndrim tjetër për pushtimin, por unë personalisht
jam rritur me rrëfime për vajzat tona të reja që dikur hidheshin nga
shkëmbinjtë për të mos rënë në duart e ushtarëve turq, se si kullave të të
parëve të mi, iu është vënë flaka disa herë nga këto pushtues, sesi mijëra
shqiptarë merreshin e dërgoheshin nizam, duke lënë shkretë shtëpi e katandi, e
duke luftuar nëpër toka të huaja për interesa të perandorisë.
Ne nuk mund t’ju
akuzojmë ju për atë që kanë bërë paraardhësit tuaj por në momentin që na
kërkoni që ne të ndërrojmë historinë, që të zezës t’i themi e bardhë, e
përgjakshmes lulëzim, në momentin pra kur ju nuk distancoheni nga prapësitë e
paraardhësve tuaj, por përkundrazi na kërkoni që edhe ne t’i shohim me sytë
tuaj, atëherë mos pritni prej nesh mirëkuptim.
Ne si komb kemi
luftuar shumë hegjemoninë e të tjerëve, dhe tani që po shijojmë lirinë,
kurrsesi s’mund të pranojmë që dikush, sado i fuqishëm, të na e shkruajë
historinë sipas qejfit të vet. Asnjë shtet perëndimor, as ata që na çliruan nga
pushtuesi tjetër Serbia, nuk na ka ardhur me një kërkesë të tillë primitive.
Primitive pasi së pari historinë e shkruajnë historianët, jo politikanët, aq më
tepër politikanët e vendeve ish-pushtuese; dhe së dyti, sepse bie tërësisht
ndesh me fondamentin tonë, iluminizmin dhe të vërtetat që burojnë nën dritën e
tij.
Sado i fuqishëm
të jetë, askush nuk mund ta ndryshojë të shkuarën, ajo është arbitrare, edhe
kur dikush palos fletë mbi të, një ditë ajo i shqyen pa mëshirë, madje edhe në
shoqëritë e mbyllura.
E ne në Kosovë
po përpiqemi të ndërtojmë diçka tjetër, një shoqëri të hapur, ku logjika e absolutizmit
shpesh e mishëruar edhe tek feja, ia lë vendin logjikës kritike, konkurrencës
së ideve dhe dekonstruktimit të ideologjive.
Prandaj, duke ju
uruar mirëseardhje në Kosovë me datë 23 tetor, si kreu i një shteti me të cilin
na lidhi një e shkuar fatkeqe, shpresoj që kjo vizitë të bëhet me qëllimin për
të ndërtuar një të ardhme fatmirë.
Me respekt
Deputete e
pavarur në Kuvendin e Kosovës