| E diele, 20.10.2013, 04:22 PM |
ME SHPRESË, DASHURI DHE OPTIMIZËM PËR JETËN…
(Bisedë e
shkurtër, me poeten Adi-Adivije Hoxha)
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e
studiues-Tiranë
Nga e
majta: Adivija e Murati (Tiranë, 13 tetor 2013)
1.-Tani,
kur po bisedojmë, sjell ndërmend takimin tonë të para pak ditëve, në Akademinë
e Shkencave, ku u zhvillua një veprimtari përkujtimore, kushtuar Migjenit të
Madh…Për lexuesit, cilën poezi recitove aty, që u prit aq ngrohtësisht nga të ftuarit?
-I falënderoj nga zemra gjithë
të pranishmit në atë sallë, që më përkrahën dhe e duartrokiten aq fuqishëm paraqitjen
time, me poezinë migjeniane, “Bota makabre”, shkëputur nga libri im i parë,
"Parajsë, pa engjëj”…
2.-Në
faqen e Internetit “Facebook” kam lexuar disa poezi tuat, që janë aq të bukura
e të frymëzuara…Desha të di, kaq është tërë krijimtaria jote apo i ke botuar
poezitë tua në vëllime të veçanta? Nëqoftëse po, cilët janë ata dhe na trego
përmbajtjen e tyre kryesore…
-Në profilin tim, në
faqen e Internetit “Facebook”, kam të
publikuara shumë krijime të mijat, por jo gjithë krijimtarinë. Deri tani, kam botuar
tre libra me poezi: “Parajsë pa enjëj”(2004),
“Kam mall”(2008) e “Pshërëtrima jote, jam”(2010). Jam në kërkim të ndonjë
sposorizimi për librin e katërt, poezitë e të cilit, pothuajse, i kam gati.
Në librin e parë, është e pasqyruar në vargje dhimbja njerëzore. Jo e një
njeriu “të rrëzuar”, por me shpresën e dashurinë dhe vendosmërinë për jetën, të
cilat ngrihen fuqishëm mbi çdo vështirësi. Ky mendim shprehet aq bukur edhe në
lirikat e librit të dytë e të tretë, shoqeruar dhe me mjaft vargje filozofike,
të vlerësuara nga lexuesit dhe kritika...
3.-Të
gjitha kemi një jetë, vetjake e familjare…Pra, a mund të na flasësh diçka më
tepër për ato?
-Unë jetoj me prindërit
dhe vëllezërit. Bëj një jete aktive në familje
dhe në shoqëri, duke dhënë ndihmesën time vetjake dhe duke sfiduar gjendjen, njëkohësisht...Shpesh
marr pjesë në përurimet e librave të krijuesve të ndryshëm, sigurisht më tepër,
kur kam njohje me ta. Kjo gjë më sjell kënaqësi e ngrohtësi shpirtërore, pasi
aty takoj kolegë, miq e dashamirë dhe bisedat tona sillen, kryesisht, rreth
krijimtarisë letrare.
4.-Me
sa jam në dijeni, ju bëni pjesë në një Shoqatë me persona, që kanë aftësi të
kufizuara… Çfarë veprimtarishë kryesore zhvilloni dhe si mbështeten krijuesit
prej saj?
-Po, unë jam e
aktivizuar në Shoqatën e Personave me Aftesi të Kufizuara Fizike, si pjesëmarrëse
e rregullt nëpër tajnime dhe duke e ngritur zërin në takime të ndryshme, me përfaqësues
të pushtetit, local ose qendror. Në fakt, kjo Shoqatë është e fokusuar vetëm në
problematikat, që i shoqërojnë anëtarët e saj.
5.-Duke
të falënderuar shumë për përgjigjet dhe duke shprehur kënaqësinë, që u njohëm
bashkë, a mos dëshiron të shtosh diçka tjetër, në mbyllje të kësaj bisede?
-Si përfundim, ju falënderoj nga zemra dhe
shprehi gjithë kënaqësinë time, që u njohëm dhe për bisedën tonë modeste,
gjithashtu! Ju uroj suksese në veprimtarinë tuaj krijuese! Gjitha të mirat dhe
respekte për ju!
x x x
Me qëllim që lexuesi ynë
të krijojë, sadopak, një mendim për krijimtarinë poetike të autores,
Adi-Adivije Hoxha, më poshtë po vendosim tri poezi të saj, përmes të cilave
shprehen qartë, dashuria dhe optimizmi për
jetën.
1.-Më prit, vendlidlinja ime!...
Me mallin
"100-vjecar"
po vij tek ti,
vendlindja ime.
Të ta thith ajrin,
t'i hap mushkëritë,
të zgjohem,
t'i flak tej kujtimet.....
Më prit!...
2.-Eh, kjo flokarta vjeshtë!
Tek shihja yjet një natë,
shkëlqenin si në pranverë,
një gjeth, që ra, më trembi,
sikur tha:
-Është vjeshtë!
Puhizë e lehtë në faqe
ëmbël, kur më ledhatoi,
fëshfërimë e gjethit të manit,
tek ti, mendjen më çoi.
M'u kujtua ajo natë,
kur rrija në krahët e tua,
kur gjithçka u ndez flakë,
si një zjarr i pashuar.
Buzët flake m’u dogjën
dhe shpirti akull ngriu,
fëshfërimë e gjethit më foli
dhe puhizë e ftohtë veriu...
Eh, kjo flokarta vjeshtë,
sa mall më ndezi në gji,
për udhët e pashkelura,
për...
... të pajetuarën, dashuri!
3.-TË SOTMEN
JETO!...
E djeshmja
iku.
Të sotmen, jeto!
E nesërmja, PIKPYETJE, që rëndon...
Gëzoju asaj që ke,
puno për atë që synon;
nëse nuk e arrin,
mos u lëndo...
Jeta nuk është: sot për nesër,
është sot per sot...
Ndaj, gëzoju!
E nësermja është FAT,
Nuk e shkruan dot!..
Tiranë, 17 tetor, 2013