Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dibran Demaku: Pengu i dashurisë

| E shtune, 19.10.2013, 07:18 PM |


DASHURIA SI PENG OSE PENGU I DASHURISË

Udhëpërshkrim

Nga Dibran Demaku

Kishim lënë prapa rivierën e mrekullueshme të Budvës, ku kishim kaluar dhjetë ditë të paharruara të pushimeve verore, në ujërat e kaltërta dhe të pastra të adriatikut dhe po hynim në Tiranë. Në Tiranën e ëndrrave dhe të dëshirave. Në Tiranën e rinisë. Në Tiranën e dashurisë.

Metropoli shqiptar po lahej nga rrezet e diellit të asaj mesdite shtatori, pas një vere përcëlluese( edhe politike).  Mbetjet nga zgjedhjet nacionale të qershorit, që verës së nxehtë natyrore i kishin shtuar edhe vapën politike, vëreheshin gjithandej. Mbase flladi natyror i shtatorit do të ndikojë që edhe vapa e nxehtë politike shqiptare të bjerë në parametrat reale të ngrohtësisë! Dhe nëse vapa e nxehtë e politikës shqiptare do të bjerë në parametrat reale të ngrohtësisë, atëherë gjithçka do të frymojë në mënyrë normale dhe të rregullt.  Derisa po i mendoja këto seç më shkoi mendja tek mësues Miftari, i cili vite më pare ishte pushuar nga puna vetëm e vetëm se ishte anëtar i partisë politike,atëherë në opozitë,pra ishte anëtar i Partisë socialiste?! Dhe mësues Miftari nga Berati ishte i detyruar që të shiste misëra të pjekura në plazhin e Durrësit dhe me lekët që fitonte të mbante familjen e tij! Urojmë dhe shpresojmë që mësusë të tjerë si Miftari nga Berati, por tash anëtar të partisë demokratike, mos ta pësojnë fatin e tij, vetëm e vetëm se i takojnë  partisë politike tani në opozitë!

Në Tiranë po hynim nga rruga e Durrësit. Së pari do të na përshëndeste dhe do të na uronte mirëseardhje Shqipja dykrenare e ndërtuar ( dhe përuruar) në 100-vjetorin e pavarësisë, nëntorin e kaluar.

Vetëm qindra metra më tej do të na përshëndeste dhe do të na uronte mirëseardhjen Trimi i Kosovës dhe i krejt shqiptarisë, i përjetësuar në shtatoren e bronxtë-Adem Jashari. Dhe derisa po kalonim pranë shtatorës së tij na u bë se nga fytyra e Trimit po shpërthenin rreze gëzimi! Nën rrezet e diellit të asaj mesditeje shtatori, shtatorja e Trimit kishte marrë një ngjyrë prej ari, ashtu siç ishte jeta dhe rënia e tij, e praruar krejt në ar! Bëmë ca fotografi të Trimit legjendar dhe vazhduam rrugën…

Makinat e shumëta, në mesin e tyre edhe makina jonë,po lëviznin drejt qendrës apo thënë ndryshe drejt zemrës së Tiranës.  Drejt sheshit Skënderbej. Dhe darisa po i jepja makinës, në mendje më shkrepi mendimi se Tirana ose ndryshe Metropoli shqiptar është krejt i veçantë dhe dallon nga metropolet e tjera europiane. Derisa në metropolet europiane, në qendrat e tyre janë të ngritura objekte të ndryshme kulti, në Metropolin shqiptar, në zemrën e tij bënë rojë Kryetrimi shqiptar, Kryeheroi shqiptar apo Atleti i krishtërimit, siç ishte pagëzuar nga Papa i kohës i Selisë së shenjtë-Gjergj Kastrioti-Skënderbeu! Ky fakt të shtynë të mendosh dhe të konkludosh se kombi shqiptar, pa fajin e tij, ka qenë i detyruar që historinë dhe ardhmërinë e tij ta kërkojë dhe ta ndërtojë vetëm nëpër mes të shpatës dhe të pushkës!

Hotelin, në të cilin do të kalonim kohën (e gjumit) sa do të qëndronim në Tiranë,e kishim prenotuar që më parë. Personeli i hotelit do të na priste dhe përshëndeste përzemërsisht. Mirësjellja e personelit të hotelit sa na gëzoi na bëri të mendojmë dhe të konkludojmë se më në fund edhe shqiptarët duan dhe dijnë të mirësillen si kudo në Europë!

Fill pas vendosjes së bagazhit personal në dhomën e hotelit, pa bërë asnjë minutë pushim mësyejmë për në sheshin Skënderbej, që nga hoteli nuk ishte më larg se pesë minuta rruge në këmbë. Asaj pasditeje shtatori lumi i kalimtarëve në qendër të Tiranës ishte i jashtëzakonshëm.

Edhe ne ju bashkuam   vales   së atij lumi. Donim që  përshëndesnim dhe të preknim kryetrimin shqiptar-Gjergj Kastriotin -Skënderbeun,i cili i kthyer në Bronx tash e sa dekada i bënë roje Tiranës dhe krejt shqiptarisë!Edhe shtatorja e Kryetrimit nën rrezet e diellit të asaj pasditeje shtatori kishte marrë ngjyrë të artë…Bëmë ca fotografi dhe nga sheshi “Skënderbej” vazhduam rrugën nëpër sheshin “Dëshmorët e kombit”. Në anën e djathë të sheshit na pritën dhe na përshëndetën tre vëllezërit Frashëri:Abdyli, Naimi dhe Samiu. Tre vëllezërit e “Rilindjes kombëtare”,  që në historinë shqiptare kanë hyrë si ideologët e asaj lëvizjeje të rëndësishme kombëtare. Abdyli si ideolog dhe pjesëmarrës aktiv në”Lidhjen shqiptare të Prizrenit”, Naimi si ideolog dhe poet nacional i shqiptarëve dhe Samiu si ideolog dhe hartues i shumë Enciklopedive! Natyrisht që aparatet tona fotografike do të merrnin me vete edhe të tre vëllezërit e shquar…

Për rreth sheshit “Dëshmorët e kombit” janë të vendosura thuajse të gjitha institucionet shtetërore të shtetit shqiptar. Në ato institucione ndodhen ata që drejtojnë shtetin shqiptar e që me bëmat e tyre here na gëzojnë e here na dëshpërojnë! Por kështu e ka edhe vetë jeta:Herë gëzim e here dëshpërim! Në ato caste seç m`u kujtua vargu antologjik i poetit shqiptar nga Kosova,Latif Berishës, i rënë në luftën e fundit për lirinë e Kosovës:-“I zbraza të dyja në të tretën gotë, u bë idhtë e ëmbël siç është vetë kjo botë…”

Në sheshin “Dëshmorët e kombit”, në 100-vjetorin e pavarësisë u vendos edhe shtatorja e “Babait të kombit” dhe “Babait të pavarësisë”-Ismail Qemajlit.  Ajo shtatore e zbukuron këtë shesh dhe krejt Tiranën! “Babai i pavarësisë “ i përshëndet dhe u buzëqeshë kalimtarëve të shumtë që çdo ditë kalojnë këtej e sidomos rinisë studentore të Universitetit që ndodhet vetëm pak metra më tutje!

Në anën e djathtë të Universitetit tash e sa vite bënë dritë shtatorja e shpirtndriturës,asaj që emrin e shqiptarit e bëri të njohur në tërë botën, Nënës sonë të Madhe Tereze!Edhe ajo qëndron krenare rrëzë Universitetit dhe për çdo ditë, për çdo orë, për çdo minute, për çdo sekondë u buzëqeshë atyre që kalojnë andej!Shtatorja e saj bënë dritë në sheshin me emrin e saj!Nënën tone të Madhe Tereze edhe ne e përqafojmë me aparatin tone fotografik dhe me kamerën tone e marrim me vete që ta kemi në CD dh eta shohim sa here të duam!. . .

Dhe Krejt në fund kthehemi edhe një here në fund të sheshit “Skënderbej”. Në mes të pesëmbëdhjetkatëshit dhe Muzeut kombëtar, në një vend plot me lule na prêt edhe shtatorja e një trimi tjetër shqiptar! Është ajo shtatorja e kujt tjetër pos e Hasan Prishtinës!Nëse Ismail Qemajli mund të quhet “Baba” i pavarësisë së Shqipërisë, atëherë Hasan Prishtina mund të quhet Ideolog i asaj Pavarësie!Andaj jo rastësisht shtatorja e tij zë vend mu në zemër të Tiranës, pak metra larg sheshit “Skënderbej”.

Ka kaluar koha dhe është pasdite e vonë,megjithate ne shpejtojmë që t`i shohim e t`i prekim ato që i kemi në mendje e në zemër dhe që mos t`i harrojmë i kemi shkruar në letër. Ime shoqe i ka caktuar që më herët ato vende të Tiranës që do t`i shohim dhe prekim. Që nga pika jonë e nisjes ajo ka vendosur se nuk do të ikën nga Tirana pa u ngjitur në malin e Dajtit!Ka pare në televizor Teleferikun që të shpie atje dhe mendjen nuk e bënë dysh!Mua nuk më mbetët tjetër vetëm t`i bindem vullnetit të saj!. . .

Jemi ngjitur në majën e malit Dajti.  Nga këtu Tirana shihet si n ë shuplakë të dorës. Sa e bukur dhe sa e madhe duket Tirana!Në restorantin modern dhe në ambientet përrreth turistë të shumtë nga vende të ndryshme të Europës dhe të botës. Dhe askush nuk dyshon dhe nuk ka frikë nga ata,siç kishte frikë sistemi i kaluar komunist! Ai sistem e kishte mbyllur Shqipërinë si zogun në kafaz dhe e kishte shndërruar në një „Mollë të ndaluar“! Shqipëria dhe Tirana ishte „Mollë e ndaluar“ edhe për ne shqiptarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët e trojeve etnike!Por ja që ajo kohë ka ikur dhe nuk kthehet më!Tash Tiranën e kemi aq afër dhe e vështrojmë nga maja e Dajtit. Sa e bukur që duket nga këtu!Ca re të bardha si shtëllunga leshi të deles shëtisin andej-këtej mbi Tiranë. Nën ato re të bardha Tirana ngjanë në një nuse me vello të bardhë!Ngjanë në një nuse që hapëron drejt ardhmërisë dhe lumturisë! E ne që e vështrojmë nga lartë na ngjanë se jemi duke ëndërruar! Se jemi në një ëndërr të bardhë mëngjesi…

Tirana e madhe dhe e bukur!Ajo për çdo ditë rritet e zbukurohet!Sipas një statistike në“Wikipedia“ ajo me numrin e banorëve që ka hyn në mesin e qyteteve të mëdha të ballkanit dhe të Europës. Qyteti antik i Athinës për nga numri i banorëve është vetëm me disa dhjetëra mijë më shumë se ai i Tiranës. Statistika e dhënë në „Wikipedia“ i referohet kohës së tri vjetëve më parë.  Mbase tashmë Tirana e ka kaluar Athinën me numrin e banorëve…

Sado që ta shohësh dhe ta prekësh Tiranën, gjithnjë  ndonjë pjesë e saj mbetet e paparë dhe e pa zbuluar! E tëra kjo ngjanë me një dashuri! Çdo dashuri, sado e zbuluar dhe e eksploruar qoftë gjithnjë mbetet diçka e panjohur, diçka sekrete në të!Gjithmonë mbetët diçka si peng! E njëjta gjë ndodhë edhe me Tiranën! Sado që ta njohësh atë, gjithnjë diçka të mbetët si peng i parealizuar në mendje dhe në zemër!Tirana, pra gjithnjë mbetët Dashuria si peng ose Pengu i dashurisë!. . .