| E premte, 18.10.2013, 06:52 PM |
AMANETI I ÇUAR NË VEND!
Nga Frank
Shkreli
Javën e kaluar,
Z. Servet Pëllumbi, një ish-funksionar i lartë i Partisë Socialiste të
Shqipërisë, në një intervistë televizive zbardhi mëtej dokumentin e Ramiz
Alisë, të bazuar në platformën e Mikhail Gorbaçovit, të ashtuquajturën
“Katovice” duke rrëfyer vendimin e ish-diktatorit komunist të Shqipërisë për të
zbatuar vendimin sekret të Byrosë politike të Shqipërisë, në lidhje me këtë
platformë. Në Shqipëri gjithnjë duket
si tabu përmendja e këtij këtij dokumenti, dhe si rrjedhim tërheq vëmendje e
interesim sado herë që përmendet. Është
i rëndësishëm fakti që Z. Servet Pëllumbi, i cili ka qenë pjesmarrës dhe është
në dijeni të plotë të ngjarjeve të 20 e sa viteve të jetës politike në
Shqipëri, flet për këtë fenomen të rëndësishëm të historisë moderne shqiptare. Deklaratat e tija kanë peshë dhe janë një
kontribut në diksursin politik për zbardhjen e së vërtetës së historisë moderne
të vendit. Platforma “Katovice”, në të vërtetë, ishte sajuar nga
ish-udhëheqsit sovjetik Mikhail Gorbaçev.
Duke parë se komunizmi si ideologji dhe sistem qeveritar kishte dështuar
anë e mbanë ish perandorisë sovjetike, ai në vitin 1987, mblodhi ish-udhëheqsit
e partive komuniste në Katowice të Polonisë për tu paraqitur atyre platformën e
kalimit nga komunizmi në “demokraci’’.
Megjithëse
Partia e Punës e Ramiz Alisë nuk kishte marrë pjesë në mbledhjen e Katowicës,
pasi e konsideronte veten gjithnjë si shpëtimtarja e fundit e
marksizëm-leninizmit në botë, Zoti Pëllumbi thotë se megjithëkëtë platforma
“Katowice” i kishte ardhur Ramiz Alisë nga Gorbaçovi dhe sipas tij, diktatori
komunist shqiptar e zbatoi atë me përpikmëri -- në mendimin tim më me
përpikmëri se në çdo vend tjetër komunist të Europës. Zoti Pëllumbi drejton gishtin ke Ramiz Alia,
si njeriu i cili në bazë të plaformës “Katowice”, megjithëse në
prapaskenë, luajti një rol të
rëndësishëm në jetën politike të vendit edhe pas vitit 1990 duke caktuar
udhëheqsit e partive politike, si dhe reformat që duhen bërë në fushën
ekonomike dhe politike të vendit. Për
mua elementi më i rëndësishëm në këtë platformë është amaneti i Ramizë Alisë se
si të trajtohen (ose jo) ish-të përndjekurit politikë. Pyetjes së gazetarit në televizionin
“Channel One”, nëse Ramiz Alia kishte
gisht në zbatimin e platformës “Katovice” në Shqipëri, ish-udhëheqsi socialist,
Z. Servet Pëllumbi, ndër të tjera tha këto:
“Unë i jam përmbajtur gjithmonë tezës që Ramiz Alia ka qenë çelësi i të
gjitha situatave që janë zhvilluar në Shqipëri.
Ramiz Alia ka qenë në dijeni edhe për strategjinë e Katovicës së ‘87. Madje, në një pritje, në prezencë të
ish-presidentit Moisiu e kam pyetur: “Të ka dërguar Gorbaçovi një material për
Katovicën?”, sepse Ramiz Alia ka qenë në një periudhë me Gorbaçovin në shkollën
e partisë. Më tha se erdhën disa
materiale në atë kohë, por asgjë konkrete.
Ai e mohonte të ketë pasur informacione për Katovicën dhe për materialin
përkatës. Por, në të vërtetë ai ka qenë
në dijeni të plotë dhe ka vepruar në përputhje me atë strategji. Dokumenti që po ju tregoj është një facsimile
e një skeleti të fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike”, tha ai në
intervistën televizive për “Channel One”.
Në përgjigje të
gazetarit, nëse ka ndonjë pikë referimi ndaj këtij dokumenti, Zoti Pëllumbi tha
se dokumenti është lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike të Partisë në vitin
1989, nga i cili ai lexoi në ekran
pjesët më thelbësore të dokumentit, bazuar në materialet e Gorbaçovit ku sipas
tij, thuhet: “Socializmi ka dështuar. Cila
do të jetë strategjia jonë për kalimin në demokraci?” Ndër të tjera thotë: “Do të nxisim të
krijojmë parti sa të duam, gjithsesi këto parti duhet kontrolluar nga ne”. Dhe kështu u bë. Vijon Ramizi: “Në krye të tyre duhet të
vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë. Partia që do të marrë pushtetin do
të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e
perëndimorëve”. Momenti i dytë është ai
i të përndjekurve politikë: “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë,
duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin, sepse ata
sapo të marrin fuqinë do të hakmerren. Ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të
tyre”. Problemi i tretë, lidhet me
pronat: “Të shpronësuarve do t’u japim letër në dorë që t’u njihet prona, por
asnjëherë nuk do t’ua japim. Pasurinë e kemi krijuar ne dhe na takon ne”. Dhe më në fund, sipas Z. Servet Pëllumbi, Ramiz
Alia ka thënë se sipas kësaj strategjie,
“brenda dy tre legjilstaurave do kemi ish-klasën komuniste në klasë
kapitaliste”.
Megjithëse kam
besim tek deklarata e Z. Servet Pëllumbi, është shumë vështirë të zbulohet e
vërteta mbi zbatimin e këtij dokumenti, siç është vështirë të zbulohet e
vërteta për shumë gjëra të historisë komuniste dhe post-komuniste të
Shqipërisë. U mbetet historianëve të paanshëm që më në fund
të hedhin dritë mbi këtë fenomen dhe të
tjerë të kësaj natyre. Por një gjë është
e qartë. Nëqoftse Ramiz Alia kishte
gisht në vendosjen e udhëheqsve të
Shqipërisë post-komuniste dhe në krijimin e partive politike, historia e
20-viteve të fundit tregon se amaneti i ish-udhëheqsit komunist shqiptar – në
bazë të platformës “Katovice” -- është zbatuar si një skenar i ndjekur me
përkushtim,pa ndryshuar pikë as presje.
Mund të ketë qenë këjo një koincidencë, ose mund të ketë qenë një
aksident historik, që gjërat në Shqipëri të kenë rrjedhur pothuaj përpikëmërisht
në përputhje me strategjinë e platformës “Katovice”.
Në vizitën e
parë në Shqipëri në Mars/Prill të vitit 1991,
me delegacionin e parë zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit,
ishim dëshmitarë të një vendi të shkatërruar shpirtërisht dhe ekonomikisht, por
njëherazi u gjëndëm edhe përball një populli plotë pritje, i cili ëndërronte
për një të ardhme më të mirë, për një jetë të lirë dhe në drejtësi. Shqiptarët dëshironin integrimin me
Perëndimin, rivendosjen e pronës private, të demokracisë, të zbatimit të
ligjit. Dëshironon lirinë e shtypit, gjykata të pavarura dhe privatizim. Por sot pas 20 e sa vjetësh, megjithë dukjet
dhe retorikën demokratike, Shqipërisë fatkeqsisht i mungon substanca e vlerave
të vërteta demokratike dhe është kaplluar nga një kulturë politike e rrënjosur
në mos besim dhe mungesë tolerance ndaj kundërshtarit politik, që e ka lënë
vendin pas në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste.
Sipas Z. Servet
Pllumbi, në skeletin e programit të Ramiz Alisë thuhet se “Të përndjekurit
politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të
marrin pushtetin”, një amanet ky që është mbajtur, pasi jo vetëm që ata nuk
kishin asnjë mundësi që të merrnin pushtetin, por ata u anashkaluan dhe as nuk
u pranuan si pjesë e qeverive të 20-viteve të fundit. Është e mundur që asnjë përson nga rradhët e
të ish-përndjekurve dhe të dënuarve politikë dhe as nga bijtë e bijat e tyre të
kësaj shtrese të shoqërisë së vuajtur shqiptare të ketë pasur përgatitjet dhe
kualifikimet e duhura për ndonjë detyrë
me rëndësi në qeveritë socialiste dhe demokratike të 20-viteve të fundit? Kombi shqiptar do të përparojë vetëm atëherë
kur të gjithë trajtohen dhe gëzojnë të drejta të barabarta. Vetëm atëherë kur
nuk bëhen përjashtime, por kur të inkurajohet pjesëmarrja dhe përdorimi i
talentit dhe potencialit të plotë të çdo
personi pa marrë parasyshë të kaluarën familjare ose bindjet politike të tij. Kombi do të
përfitojë dhe të shkojë përpara vetëm atëherë
kur të tërheq talentet më të mira nga të gjitha shtresat e shoqërisë –
pa ndonjë barometër politik – me qëllim realizimin e ëndërrave të shqiptarëve
të para 20-viteve dhe vetëm në këtë mënyrë Shqipëria dhe Shqiptarët do të jenë
në gjëndje të përballojnë sfidat e mëdha tani dhe në të ardhëshmen. A është e
drejtë që bijtë dhe bijat e të përndjekurve të mos përfshihen në qeverisjen e
Shqipërisë demokratike? Fatkeqsisht praktikat e qeverive të 20-vietve të
fundit, më shumë kanë ndarë e përçarë se
sa kanë bashkuar e pajtuar.
Trashëgimia komuniste
nuk mund të zhduket lehtë, megjithëse kanë kaluar më shumë se dy dekada ç’prej
rënjes së komunizmit zyrtar. Këjo trashëgimi është pjesë përbërse e individëve,
e grupeve dhe klasave shoqërore shqiptare dhe si e tillë, këjo trashëgimi
fatkeqsisht është vendosëse për fatin e shqiptarëve tani dhe në të
ardhmen. Sidomos në Shqipëri, përballimi
me të kaluarën duket se është tepër i vështirë -- mos i pamundur -- pikërisht
për ndasitë e mëdha që kanë ekzistuar dhe që
ekzistojnë midis viktimave dhe
atyre që në emër të regjimit komunist dhunuan dhe shkelën të drejtat
njerëzore të këtyre viktimave, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me atë
regjim. Shoqëria shqiptare ka nevojë për
krijimin e një hapsire të lirë publike ku qytetarët mund të debatojnë të pa
penguar dhe pa ndërhyrje mbi çështjet e rëndësishme për fatin e tyre. Martin Luter Kingu ka thënë se, “Jeta jonë
fillon të marrë fund, pikërisht në ditën kur ne heshtim për gjërat e
rëndësishme.
Z. Servet
Pëllumbi hapi një debat për një gjë shumë të rëndësishme të historisë shqiptare
të 20-viteve të fundit. Dhe në një
seminar të organizuar ditët e fundit nga Ambasada e Polonisë në Tiranë mbi
standardet e të drejtave të njeriut dhe bashkpunimin me shoqërinë civile,
Avokati i Popullit i Shqipërisë, Igli Totozani theksoi se mbrojtja e të drejtave të njeriut është problemi kryesor politik dhe ekonomik
që pnegon zhvillimin normal të vendit duke thënë se “familja europiane, ku
dëshirojmë të rikthehemi pas një mungese të gjatë dhe ku aspirojmë të jemi të
barabartë mes të barabartëve, kërkon ndërgjegjësim të madh të shoqërisë,
promovimin e një barazie, tolerancë dhe gjithpërfshirje më të madhe se ai me të
cilin është mësuar shoqëria tradicionale shqiptare”.
Si e sheh Shqipëria të ardhmen e saj gjatë 20-viteve të ardhëshme? Cilat janë vlerat dhe objektivat mbi të cilat do të ndërtohet këjo e ardhëme. A do të jenë gjithëpërfshirëse a po do të vazhdojnë të jenë përjashtuese? Pa vlera dhe pa ideale të përbashkëta dhe pa të drejta të barbarta për të gjithë, përfshirë dhe ish-të përndjekurit dhe të dënuarit politikë, por sidomos bijtë dhe bijat e tyre, të cilët janë në moshën për të kontribuar -- dhe pa marrë parasyshë amanetin e Ramiz Alisë -- duhet të kenë të drejtën e konkurencës që t’i shërbejnë Atdheut në çdo kapacitet dhe detyrë për të cilën kanë kualifikimet e nevojshme. Për ndryshe, Shqipëria do të vazhdojë të çalojë drejtë përparimit, zhvillimit dhe integrimit europian për të cilin ka aq shumë nevojë.