| E premte, 18.10.2013, 07:09 PM |
NË METROPOLIN SHQIPTAR KURBAN BAJRAMI FESTOHET PRAPË NËN QIELL TË HAPUR
NGA ELIDA
BUÇPAPAJ
Në Tiranë binte
shi kur besimtarët myslimanë me rastin e festës të Kurban Bajramit falën
Namazin. I gjithë riti fetar u zhvillua si zakonisht në bulevard - në mënyrën
më të pameritueshme dhe më të paemancipuar të mundshme në mungesë të objektit
fetar.
Ceremonia u
zhvillua e shkurtuar për shkak të kushteve atmosferike, me difekte në foni, të
cilat bënin që lutjet të vinin të cunguara, ndërsa njerëzit faleshin mbi
asfalt, pak të mbuluar nga tapetet e gjithkund lisho bulevard.
Për 23 vjet
tranzicion, politika u tall me këtë komunitet, i cili dallohet për tolerancën
fetare, duke qenë një nga faktorët që i ka siguruar shtetit laicitetin e tij. Sa
e rëndësishme është kjo kur shohim se diskordancat fetare e kanë kallur në
flakë botën mbarë. Politikanët shqiptarë duhet të shkojnë për çdo vit në Mekë e
t'i kërkojnë Zotit t'i falë për mëkatet si ikonoklastë. Jo se kryejnë sulme
direkte kundër objekteve të kultit, porse blasfemojmë duke i lënë besimtarët
myslimanë të shfaqen në publik si të jenë një komunitet tribal - pa shtëpinë e
Zotit - kur në fakt janë një komunitet i qytetëruar, me bonsens dhe tolerancë
shembullore.
Toleranca fetare
që ekziston në Shqipëri, padyshim që i dedikohet edhe shumicës. Ajo është në
shërbim të vëllazërimit dhe harmonisë midis shqiptarëve. Harmonia fetare ndikon
pozitivisht edhe në harmoninë kombëtare, të cilën e prish vetëm politika.
Komuniteti
mysliman në kryeqytet meriton që të ketë Tempullin ku të falet. Shqipëria është
vendi ku identiteti fetar apo krahinor vetëm se e plotëson identitetin tonë
kombëtar, sipas thënies së përherëshme të Vaso Pashës se feja e shqiptarit
është shqiptaria. Ashtu si e pohon edhe Fishta „si t’kshtenë, si muhamedan /
Shqypnin s’bashkut t’gjith e kanë/.“ Apo: „Bini, Toskë, ju, bini Gegë! /Si dý
rrfé, qi shkojnë tue djegë!/A ngadhnyesé a t’gjith déshmorë! / »
Toleranca fetare
është në gjak të shqiptarëve. Jo më kot jemi i vetmi vend në Europë, me shumicë
myslimane që i morëm në mbrojtje hebrejtë. Islamizmi shqiptar është unik dhe
kombëtar. Im atë, poeti Vehbi Skënderi, më tregonte se i jati i tij dhe gjyshi
im, Imam Demir Efendiu, i shkolluar në Stamboll me një bibliotekë të
jashtëzakonshme, kishte pikpamje të tilla liberale, sa njërin djalë të tij,
dmth xhaxhain tim, e dërgoi të studionte në Shkollën e Fullcit, ndërsa tim atë,
duke i parë vokacionin e çoi të ndiqte studimet fetare në Medresenë e Lartë të
Tiranës, ku midis mësimdhënësve kishte orientalistin e mirënjohur Vexhi
Buharaja, Profesor Mehdi Bushatin, Hafiz Ismetin etj etj.
E pra ta lësh
këtë komunitet pa objekt kulti është mëkat. Ndërtimi i Xhamisë do të plotësojë
simetrinë fetare në metropolin e Tiranës, pasi dy komunitetet e tjera tashmë i
kanë ndërtuar Tempujt e Zotit. Në zemër të Tiranës ndodhet Katedralja e besimit
katolik që mban emrin e apostullit të Shën Palit, një nga figurat më të
rëndësishme të Krishtërimit, që e ka vizituar Durrësin, kur daton edhe
komuniteti i parë krishterë, rreth viteve 50 të erës sonë. Po në zemër të
Tiranës ka dy vjet që është inauguruar edhe Katedralja Ortodokse “Ringjallja e
Krishtit”, me një arkitektonikë madhështore, duke mbuluar një hapësirë rreth
2000 metra katrorë, me një kosto rreth 50 milionë $. Një objekt kulti i
rëndësishëm është edhe Katedralja e Nënë Terezës në Prishtinë, gurin e themelit
të të cilit e vendosi Ibrahim Rugova, me besim fetar mysliman, por me një
vetëdijë shkencore europiane për rrënjët e identitetit kulturor shqiptar, që
kërkon respekt të ndërsjelltë fetar prej palëve. Toleranca nuk pranon
intolerancën e cila i bën besimtarët myslimanë të kenë 23 vjet që, në festën e
Kurban Bajramit, t‘i falen Zotit në mes të bulevardit kryesor të Tiranës nën
tempullin e qiellit të hapur.