Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Stinët e mia

| E diele, 13.10.2013, 04:21 PM |


Sejdi BERISHA:

CIKËL POEZISH: STINËT E MIA

 

BIRO, TASH ËSHTË VJESHTË...!

 

 Tash është vjeshtë

Duhet përgatitur për gjumë të rehatshëm

Apo për ëndrra të trishëta

Vjeshtë është tash...

Babai thoshte duhet mbledhur bereqetin

Edhe drutë e dimrit për t’i siguruar

Por edhe një grimë mish pastërme

Për fëmijë e darkë mysafirësh

 

Tash është vjeshtë

E vërtetë është

Por tjetër vjeshtë më thonë

Atëherë s’ka gjumë

Por vetëm shikim kah shikllat e tavanit

Ka ëndrra që asnjërën s’di ta shpjegosh

As në kafenë e mëngjesit

Tash është vjeshtë, biro...

Kështu më thoshte babai im flokëthinjur

E, unë qysh atëherë

E kapja meselenë e babait

Këtij mjeshtri të stinëve

Por që tash kanë kapërcyer decenie

E stinët e shekujve imponuar m’i kanë

 

Biro,...

Tash është vjeshtë

E shirat mund të vërshojnë

Kurse prrojet bjeshkët i gërryejnë

Mund të bjerë edhe borë

 

M’u duk se isha ulur

Në cung të druve duke medituar

E, sërish babai më thotë

Nuk është mirë të ulësh në cung

Ku prehen e shkurtohen drutë...

 

Biro,...

Tash është vjeshtë

Sëpata mund të rrëshqasë

E nuk i dihet tehut të saj...

 

Haj medet...

Po kujt ia drejtoj këto vargje të rënda

Ndoshta vetvetes...

Se më të vërtetë

Tash është vjeshtë

Edhe unë i thash birit tim...

 

 

MOS M’I SHPRUSHNI KUJTIMET...

 

Mos shprushni nëpër ditët

As nëpër javë e muaj

Nëpër vite udhëtoni

Më shkurt do ta keni

Se sa nëpër shekuj për të shëtitur

Librat e mykur për t’i shfletuar

Për t’i përmirësuar përrallat

Këngë i thonë edhe kësaj

Atëherë

Sa këngë rishtazi do të këndohen

 

Mos m’i shprushni kujtimet

Se kur hidhërohen

Sa të pamëshirshme janë ato...

 

 

FLUTURAT E RRËFIMIT...

 

...Etja ime

Fillo të më zhveshësh

Se tash nuk do flasë

Më kanë ikur fjalët

Vetëm syri flet

Dora mbi qepalla

Vizaton fluturat e rrëfimit

Fillo ecjen nëpër gjakun tim

Dhe gjyko se çfarë ecje është kjo...

 

 

STINËT E MIA

 

Pse kështu

Pritjet e mia kaq të gjata

Kurse pranë meje

Stina e vjeshtës kalon pandërprerë

Nga një gjeth vjeshte duke ma dhuruar

 

Pse kështu

Stinët e mia

Pritjeve të Godos u ngjasin

Dhe hapat e tyre dëgjohen

Si hapat e njeriut të trembur...