| E diele, 13.10.2013, 04:57 PM |
TË NDËRTOJMË SHTETIN APO TË
JETOJMË ME RREZIKUN MAJTAS SHILA DJATHTAS KARIBDA?!
NGA ELIDA
BUÇPAPAJ
Pas rezultatit
të 23 qershorit, një student 22 vjeçar i ftuar tek Opinion i Fevziut tha se «e
ardhmja e rinisë shqiptare nuk duhet të orientohet dhe të jetë në varësi për të
mbushur rradhët e militantëve të partive”! E kam edhe tek blogjet e botuar tek
libri im Traumat e Tranzicionit, që është një detyrim kombëtar për cilëndo
parti, si kusht sine qua non - për një qeverisje fair.
Po liderët e
partive në Shqipëri nuk duan t’ia dinë. Ata krenohen kur shpërndajnë sa më
shumë tesera partie në rradhët e rinisë, në vend që t’i jepnin rinisë siguri
dhe mundësi pune për të ardhmen.
Këtyre ditëve
një deputet i PD-së pati ditëlindjen. Në facebook kjo reflektohet. E njoh këtë
deputet. Ka qenë bashkëpunëtori ynë kur kontribuonim tek Bota Sot. Ia botonim
kolumnat. I takon gjeneratës së studentëve të dhjetorit. „E kujtoj me nostalgji
atë kohë“, më ka thënë gjatë një komunikimi, kur i kujtova bashkëpunimin me ne.
E pra, thashë, edhe si mik që e kam në Facebook, po e uroj. Ky zotëri në
profilin e tij mban si cover foto atë të Sali Berishës, ndofta brenda
kraharorit të tij mban edhe ritmet e zemrës të liderit historik të PD, por
urimit tim do të duhej t’i përgjigjej, ashtu si veproi me të tjerët. Kritikat
tona në adresë të PD-së kanë bërë që nëna parti të na shpallë armiq të saj.
Kështë ndodh edhe sa herë kritikoj majtas. Si ngjau pas një shkrimi kritik për
një gafë të Ditmir Bushatit, në postin e Ministrit të Jashtëm në OKB, kur në
programin më të shikuar kabllor Amerikan të FOX TV, i pyetur nga gazetari se „A
është vend fisnik Amerika ?“– Ditmir Bushati përgjigjet „Kjo është një pyetje
komplekse“(!!!), kur për shumicën e shqiptarëve Amerika është vend fisnik.
Karakteristikë e
politikës është se ata ndihen imun, të
pagabueshëm, Zoti në qiell, ata në tokë, për konsekuencë të pakritikueshëm,
tamam si Partia e Punës.
Nëse do të
vazhdohet të zbulohet dhe ndëshkohet si armik gazetari që kritikon, tatëpjeta
është përfundimtare. Sepse kështu po bëhet luftë klasash në kushtet e
integrimeve Euro-Atlantike. Absurde dhe autoritariste kjo mendësi. Kanë plasur
dasitë politike brenda familjeve si në diktaturë. Shqiptarët nuk presin këtë
gjë nga Edi Rama. Partia mund të presë këtë gjë, por Shqipëria jo! Ndërkohë, që
në ditët e para të qeverisjes fushata e largimeve nga puna ka arritur kulmin.
Edi Rama ka premtuar se do të largojë militantët, ata që janë edhe burim i
keqpërdorimit të pushtetit. Kjo do të thotë që këtë qëndrim ai duhet ta mbajë
edhe për militantët e tij.
Në Shqipëri sa
herë ka zgjedhje – fitorja apo humbja lidhet direkt me përfitimet apo humbjen e
përfitimeve prej marrjes apo lënies së pushtetit. Dmth sa herë vjen në pushtet
njëra palë, pala tjetër shpronësohet nga përfitimet e pushtetit që de jure i
takon popullit. Deri tani, të dyja palët kanë qenë uzurpatore të pushtetit të
popullit sepse e kanë shpërdorur këtë pushtet. Asnjëra palë nuk synon të
ndërtojë shtetin e së drejtës – por veç të ndajnë plaçkën e « luftës » – sipas
shprehjes « To the victor belong the spoils » - Fitimtarit i takon plaçka – e
luftës.
Lufta për ndarje
trofesh e postesh ka dy dekada që nuk ndalet në një Shqipëri të sfilitur nga
diktatura. Partitë kanë pronë të tyre gjithçka, përfshi «superstrukturën» e
kohës të diktaturës dhe elitën e tranzicionit, që tani ka hyrë në shërbim të
pastër klientelist. Kemi shkrimtarët, gazetarët, këngëtarët, poetët e PS dhe të
PD. Këta fitojnë privilegje dhe i humbin ciklikisht, për mbrojtjen që i bëjnë
interesave të partive nga përfitojnë.
Në Shqipëri ka
mijëra OJQ këtë çerek shekulli tranzicion, pasuri e madhe po të ishin në
funksionin që kanë, por ato asnjëherë nuk i janë përmbajtur detyrimit ligjor
dhe kanë mbetur atavizma të dy partive kryesore.
Në Perëndim
ekziston institucioni think tank, i pavarur nga partitë politike, megjithëse
nuk përjashtohen edhe think tank-et brenda partive, të cilët në mënyrë të
pavarur analizojnë politikat publike në të gjithë sektorët që përmbledh sistemi
politik – nga politikat sociale deri në strategjitë politike, të ekonomisë,
shkencës, kulturës. Këto institucione janë të shenjta, në kuptimin, se
qëndrimet e tyre duhet të pranohen a priori nga politika, sepse përballë
deputetëve sharllatanë – janë bodyguard-ët e shtetit të së drejtës.
Rolin e një
think tank-u me autoritet të pakundërshtueshëm institucional në Shqipëri do të
duhet ta luante së pari Akademia e Shkencave, e cila është inekzistente.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të duhej të kishte përcaktuar politikat
afatgjata të vendit, në kuadrin e integrimeve Euro-Atlantike, përfshirë « vizat
e kuqe »- të cilat nuk mund t’i shkelë asnjë parti, cilat do qofshin
preferencat apo interesat e saj, përfshi politikën e jashtme. Politika e
jashtme e Shqipërisë është një.
Në Shqipëri nuk
ka organizma think-tank, por ka intelektualë që përfaqësojnë këtë lloj
institucioni. Si Profesor Romeo Gurakuqi, i cili përbën një rast sui generis,
pasi nuk shndërrohet në një konsumator të arritjeve të tij personale, në planin
akademik, produkt i meritokracisë, por paraqitet në publik me qëndrime kritike,
në të mirë të sistemit, i cili në Shqipëri është i rrezikuar. Po të isha unë në
vend të Ed Ramës, për të garantuar suksesin, njerëz si Prof. Romeo Gurakuqi, do
t’i mbaja sa më afër.
Në një prononcim
nga më të fundit në një blog të tij, titulluar « Miradministrim i i Shtetit
përball frymës së spoils system dhe synimeve jakobiniste » Prof. Romeo Gurakuqi
konstaton duke vënë alarmin se rotacioni rrezikon të kthehet në jakobinizëm.
“Spoil system” – kur fitimtari, në rastin tonë partia merr gjithçka.
Jakobinizmi është një doktrinë që e organizon pushtetin në mënyrë shumë
burokratike dhe shumë të centralizuar. Si lëvizje historike jakobinizmi në
shekullin XX u shfaq tek BRSS. Jakobinizmi i mbështetur në justicionalizëm
krijon premisa për konfrontime. Profesor Romeo Gurakuqi thotë se kësisoj vendi mbahet
në një “Luftë të Ftohtë permanente”. Ku fituesit dhe humbësit kthehen në dy
ushtri në luftë të hapur kundër njeri-tjetrit. Pa parime, pa moral, pa
integritet - tip Ligji Xhungle.
Por qeverisje të
stilit jakobinist dhe justicionaliste rrezikojnë rendin dhe sigurinë e vendit.
Këtë rrezik Edi Rama duhet ta përjashtojë.
Sistemi duhet të
vendoset në themele të meritokracisë dhe të shpëtojë nga armata e militantëve e
profiterëve të plaçkës të luftës. Sepse në këtë kontekst janë rreshtuar sot
aleatët politikë të kryeministrit bashkë me militantët.
Musolini thoshte
“Fashizmi është gjithë populli italian”, ndërsa Enver Hoxha “partia është
mendja dhe zemra e popullit”. Për diktaturën komuniste ekzistonte partia,
prandaj ekzistonte populli, ndërsa armiqtë e partisë, të cilët i konsideronte
armiqtë e popullit ekzekutoheshin. Edhe Moton e Musolinit «Kush nuk është me ne
është kundër nesh», Enver Hoxha e kishte personalizuar me moton “O me ne o
kundra nesh”. Këtë moto sot e kanë edhe dy partitë kryesore në Shqipëri.
Prandaj
tranzicioni shqiptar është histori e konfliktualitetit dhe polarizimeve,e
teorive sovjetike në kushtet e reja historike. Gjatë këtij tranzicioni çerek
shekullor populli shqiptar mbetet shërbëtor i partisë, dhe të dyja partitë në
Shqipëri janë pjesë e së tërës. Të dy partitë në fakt – janë degë të së njëjtës
parti – prej andej e kanë
burimin. Sipas
mendjeve të politikës këta 23 vjet tranzicion, populli shqiptar jashtë këtij
konteksti nuk ekziston. Kur në një sistem demokratik, duhej të ndodhte e kundërta
që politika të jetë shërbëtore e sovranit. Ashtu si deklaron shpesh Edi Rama.
Se qeverisja e tij do të jetë në shërbim të popullit. Kryeministri i Shqipërisë
ta vejë në jetë këtë moto.
Sepse përndryshe
rrezikon të riciklojë pararendësit. Kush e do Shqipërinë dhe vendin nuk e do
assesi këtë riciklim, qoftë simpatizant i njërës apo tjetrës palë. Shqiptarëve
iu duhet shteti ligjor, sistemi politik sovran dhe një administratë publike në
shërbim të së mirës të qytetarëve. Sistem demokratik do të thotë shoqëri e
lirë, me treg të lirë, me kapitalizëm të zhvilluar ku iniciativa private është
shans i suksesit. Dmth vendet e lira i krijon sistemi politik, jo partitë
politike, ato respektojnë rregullat e sistemit. Jo si është vepruar deri më sot
kur ato njëqind mijë e ca vende pune të administratës publike riciklohen sa
herë ka riciklim politik. Kjo metodë është vrasje e demokracisë. Prandaj duart
larg kësaj metode jakobiniste, të cilën e kanë ushtruar diktaturat majtas apo
djathtas.