| E enjte, 10.10.2013, 08:29 PM |
POLITIKA SHQIPTARE NË HIGH
HEELS PËRPARA TRAGJEDISË LIVE TË SOFIE QENDROS
NGA ELIDA
BUÇPAPAJ
Këto ditë na
panë sytë një tragjedi e cila nuk u luajt në një skenë teatri apo amfiteatri.
Nuk ishte një tragjedi greke as e mesjetës. Nuk ishte e shkruar as nga Eskili,
as nga Shakespeare. Por për nga përmasat i tejkalonte edhe tragjeditë e
antikitetit grek e romak edhe tragjeditë shekspiriane. E kalonte tragjedinë e
Persëve, Prometeut të lidhur. E sfidonte Othellon, Hamletin apo Romeo e
Zhulietën. Tekstin e saj nuk e kishte shkruar asnjë dramaturg shqiptar.
Dramaturgët shqiptarë shkruajnë skeçe e vazhdojnë të kenë në kokat e tyre
skemat e dramave të realizmit socialist. Kjo tragjedi nuk u luajt nga aktorët e
teatrove shqiptare, të cilët sot ndihen si lypsarë dhe të mjerë.
Kjo tragjedi
mirëfilli shqiptare u interpretua „live“. Nga një zonjë e moshuar 87 vjeçare
mbetur në mes të katër rrugëve, e cila
vdiq „live“ përpara syve tanë. Sepse e lamë ne që të vdesë. Vdekja e
kësaj gruaje të moshuar është produkt i asaj që ka prodhuar politika shqiptare
këto 23 vjet. Tragjedia e kësaj nëne dhe gjysheje është pasojë e indiferencës
së shoqërisë në degradim.
Zonja Sofie
Qendro shërbeu si subjekt i gazetave dhe televizioneve. Mjerimi i saj u
fotografua, xhirua dhe shërbeu si mall për botën multimediale shqiptare, e cila
konkuron për nga teknika me vendet më të pasura të botës. Sofie Qendro u la të
vdesë pak e nga pak, ne të gjithë e lamë atë të vdiste. Ne të gjithë e vramë
pak e nga pak. E para ishte politika, e dyta ishte shoqëria civile, i treti
pushteti i katërt, pastaj vinim të gjithë ne, shoqëria shqiptare.
Ajo grua vdiq
dhe askush nuk çau krye për këtë vdekje tragjike të imponuar nga një shtet që
ka dalë nga funksioni dhe për një shoqëri e cila ka hequr dorë nga vlerat që e
kanë bërë t'iu mbijetojë të gjitha tallazeve. Asaj gruaje i vunë vizën që në
gjallje. Cinizmi i ne të gjithëve ishte kanibalesk. Sepse vetëm kanibalët
ushqehen me mish njeriu, me mishin e më të dobtëve, pjesës më vulnerabël të
shoqërisë.
Në Shqipëri janë
mijëra banesa bosh – ndërtuar nga biznesi i ndërtimeve. Në Shqipëri s’ka
fabrika, si tha Peter Lucas. S’ka fabrika por ka kazino. S’ka bukë, por ka
biskota! Në Shqipëri s’ka fabrika por banesa bosh ka me mijëra, ku mund të
strehohej shumë mirë zonja Sofie Qendro, nëse do të shqetësohej dikush, por në
asnjë nivel nuk u mor askush me dramën që po luhej para syve tanë, e cila nga
çasti në çast pritej të shndërrohej në tragjedi. Klasa jonë politike ka disa
shtëpi, në qytet e det. Vilat e tyre ishin bosh dhe asnjëri prej tyre nuk u
tregua i mëshirshëm, human, solidar sa për të gjetur një zgjidhje të
përkohëshme deri tek zgjidhja definitive. Që ajo zonjë të mos vdiste, këtu para
syve tanë, nën dritën e projektorëve, blitzave dhe kamerave të televizioneve.
Disa ditë më
parë, shtypi i Tiranës ishte fokusuar tek luksi i veshjeve të klasës politike,
si një narracion pa asnjë pikë kritike. Për të treguar shijet e VIP-ave
shqiptarë që këtë luks dhe prosperitet e kanë prej taksave të shqiptarëve,
dmth, prej taksave tona!
Para disa ditësh
në një intervistë Adelina Mamaqi një shkrimtare për fëmijë tregonte se pensioni
i saj është 130 mijë lekë të vjetra dmth 90 Euro, ashtu si gjysmë milioni
pensionistë, nënat dhe baballarët tanë! Po këpucët e grave të politikës sa
kushtojnë? Disa fish më tepër se pensioni i Adelina Mamaqit!
Ku jemi duke
shkuar kështu ?
E çfarë qeraje
për banesë mund të paguajë një e moshuar si zonja Sofie Qendro me 100 Euro
pension? Në çdo shoqëri normale, në çdo vend normal është shteti që jep
përkrahje sociale, është shoqëria civile që tërheq vemendjen, janë mediat që
ngrejnë në këmbë opinionin publik që të mos lejohet kurrë „live“ ekzekutimi i
një gruaje të moshuar, prej inkuizicionit të indiferencës sonë! E lamë ne të
vdesë prej mungesës së mëshirës dhe ndjenjave njerëzore.
Nuk ka asnjë
lloj justifikimi për tragjedinë „live“. Kjo tragjedi e ekzekutuar përpara nesh,
tregon se ndërgjegjia jonë është blozë. Sofie Qendro na akuzon ne! Sofie Qendro
është e pafajshme. Ne jemi fajtorë të vdekjes së saj.