| E merkure, 09.10.2013, 08:25 PM |
AKUZË GJENOCIDI PËR KRIMET KOMUNISTE NË RUMANI
Nga Frank
Shkreli
Gjatë dy
dekadave të fundit, shtetet ish-komuniste të Europës Lindore dhe të
ish-Bashkimit Sovjetik -- dikush më
shumë e dikush më pak, e disa prej tyre aspak -- janë përpjekur që të përballen
me krimet dhe me abuzimet e të drejtave të njeriut, që ishin karakteristikë e
jetës së përditëshme të regjimeve
komuniste për pothuaj 50-vjetë.
Megjithëse ky proces ndryshon nga vendi në vend, në përgjithësi shtetet
ish-komuniste janë përpjekur të zbatojnë një sistem drejtësie që të mundësonte,
që këto shoqëri të përballeshin me të kaluarën e tyre tragjike komuniste, duke
mare vendime për ligjet e lustracionit, ndalimin për të marrë pjesë në jetën
politike të ish-zyrtarëve komunistë dhe të ish-zytarëve të policisë sekrete të
shteteve komuniste, përfshirë edhe spiunët.
Disa vende kanë hapur të gjitha dosjet duke bërë të mundur që qytetarët
e thjeshtë të mund të shikojnë arkivat dhe informatat e mbledhura për ta nga
ish-sigurimi i shtetit komunist. Ky
proces i përballimit me krimet e regjimeve komuniste në shumë vende ka
përfshirë gjyqe dhe procedura ligjore
kundër ish-zyrtarëve komunistë dhe ish-agjentëve të sigurimit të shtetit, të
cilët dyshohet se kanë kryer krime
kundër njerëzimit dhe brutalisht kanë dhunuar dhe kanë shkelur të drejtat bazë
të njeriut, të bashk-kombasve dhe bashk-qytetarëve të tyre.
Kohët e fundit
media amerikane dhe ajo rumune dhe europiane, përfshirë media të njohura si
gazeta Nju Jork Tajms, kanë shkruar për
vendimin e prokurorëve rumunë të cilët kohët e fundit njoftuan vendimin për të
akuzuar zyrtarisht për kryerje gjenocidi, një komandant të burgjeve të regjimit
komunist rumun. Prokurorët rumunë kanë
akuzuar ish-komandantin Aleksandru Visinescu për krimet që sipas dëshmitarëve ai ka bërë kur ishte
përgjegjës i burgut famëkeq Ramnicu Sarat,
nga viti 1956 -1963. Thuhet se në
atë burg mbaheshin kundërshtarët më të dalluar politikë të regjimit komunist
rumun, përfshirë elitën politike para- komuniste të Rumanisë si dhe
intelektualët dhe klerikët më të njohur të vendit. Siç duket, këjo masë nga prokurorët rumunë
është një përpjekje serioze nga ana e auoriteteve rumune për tu përballur me të
kaluarën komuniste të vendit të tyre, duke sjellur para drejtësisë
ish-komandantët e burgjeve, të cilët mundësuan qendrimin në fuqi të një prej
regjimeve më brutale në Europën Lindore.
Akuza për
gjenocid, është një akuzë e rëndë, pasi gjenocidi përcaktohet nga Kombet e
Bashkuara si një krim ndërkombëtar, dhe si një “akt që kryhet me qëllim të për
zhdukur në terësi, ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racial ose
fetar”. Ish komandanti i burgjeve të
regjimit komunist rumun, Aleksandru Visinescu është personi i dytë në Rumani që
mban mbi shpatulla akuzën e gjenocidit, pas ish-diktatorit komunist rumun
Nikolai Çausesku dhe bashkshortes së tij, të cilët u gjykuan dhe u ekzekutuan
në vitin 1989. Prokurorët rumunë, në
deklaratën për median, janë shprehur se Visinescu, si komandant i burgut
Ramnicu Sarat, i trajtonte aq barbarisht të burgosurit politikë sa trajtimi i
tyre shtazarak kishte për qëllim zhdukjen fizike të kundërshtarëve politikë të
regjimit komunist.
Ishte Instituti
Rumun për Hetimin e Krimeve të Komunizmit dhe të Kujtimit të të Mërguarve
Rumunë, një organ qeveritar, ai që mblodhi provat kundër Visinescu-t dhe bëri
një listë që përfshinë emërat e të pakën 35 ish-zyrtarëve komunistë, të cilët
instituti në fjalë i akuzon ata për shkelje të të drejtave të njeriut dhe
abuzime e krime të tjera. Instituti
qeveritar për Hetimin e Krimeve të Komunizmit në Rumani, në një prononcim për
median tha se, "mirëpret këtë vendim historik (të Prokurorisë rumune) duke
nënvijuar njëkohësisht vedosmërinë e tij për të vazhduar përpjekjet për
identifikimin e të gjithë atyre që janë përgjegjës për abuzime dhe krime të
rënda politike gjatë periudhës komuniste."
Duke thënë se ky vendim është
historik jo vetëm për Institutin që ai kryeson por edhe për të gjithë shoqërinë
rumune, Presidenti i Institutit Andrei Muraru u shpreh për median se,
"Këjo është hera e parë që një ish-nëpunës i sistemit të burgjeve
komuniste akuzohet për gjenocid, për krimet politike dhe abuzimet e bëra gjatë
regjimit komunist." Ai shtoi se
akuza kundër ish-komandantit të burgut famëkeq Ramnicu Sarat, Aleksandër
Visinecu-t, "përbën një pikë-këthesë në zhvillimin dhe dënimin e krimeve
të regjimit komunist", në vendin e tij.
Para një jave,
gazeta Nju Jork Tajms në një artikull të gjatë në faqen e pare, tha se akuza
zyrtare kundër ish-komandantit të burgut Visinescu ka shtuar shpresat se më në
fund edhe Rumania po ndjekë shembullin e shumicës së fqinjëve të saj në Europën
Lindore dhe Qëndrore për të “shkundur amnezinë kombëtare mbi të kaluarën e saj
brutale dhe që të rishqyrtojë kulturën e mos-ndëshkimit e cila ka nxitur
korrupcionin e papërmbajtur në shoqëri, gjë që ka ngadalësuar dukshëm përparimin
e vendit, megjithëse është anëtare e Bashkimit Europian ç'prej vitit 2007."
Gazeta Nju Jork Tajms shkruan se vazhdimësia midis elitës komuniste dhe
post-komuniste është një fakt që shpjegon se pse në Rumani ekziston një
rezistencë aq e fortë ndaj përballimit me krimet e regjimit komunist. Gazeta citon, Laura Stefan, një eksperte rumune të ligjit e cila thotë,
duke iu referuar vendit të saj se, "Ne rrjedhim nga ujëra të thella dhe
shumë të ndyra. Korrupcioni është arsyeja kryesore që ne nuk flasim për të
kaluarën", tha ajo për Nju Jork Tajms.
Megjithëse e sheh akuzën zyrtare ndaj ish-komandatit Visinescu si diçka
pozitive, ajo dyshon se autoritetet janë
serioze për të dënuar dhe burgosur Visineskun dhe të tjerët si ai të akuzuar
për krime gjatë regjimit komunist. Edhe
profesori rumun D. Voinea citohet nga
gazeta Nju Jork Tajms se elita politike
dhe ekonomike e Rumanisë gjithnjë dominohet nga ish-komunistët dhe të afërtmit
e tyre, të cilët si të tillë duan të
sigurohen se krimet e komunizmit nuk do
të zbulohen kurrë dhe ata që i kryen ato krime nuk do të dënohen kurrë për to.
Tranzicioni nga
regjimet komuniste në demokraci ka qenë dhe vazhdon të jetë i vështirë për
shumë vende të ish-bllokut komunist, përfshirë Rumaninë, por edhe për Shqipërinë
dhe Kosovën si vende ish-komuniste.
Ekspertët në përgjithësi janë dakort se konfliktet e pazgjidhura që
rrjedhin nga mos vullneti për t'u përballur me të kaluarën komuniste dhe të
gjitha të zezat e saja vazhdojnë të pengojnë zhvillimin dhe stabilizimin e një
sistemi të vërtetë demokratik, megjithëse në pushtet tani janë përfaqsues të
një brezi tjetër, por pinjollë të regjimit të vjetër komunist. Tranzicioni ka qenë më i vështirë në shtetet
ish-komuniste siç janë Shqipëria dhe Rumania, vende këto të cilat, ndryshe nga
shumë vende ish-komuniste, nuk kanë dënuar as nuk kanë mbajtur përgjegjës asnjë
person për krimet dhe masakrat e kryera gjatë periudhës komuniste ndaj
kundërshtarëve të pafajshëm të regjimit komunist. Madje në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë, individë që kishin marrë pjesë në shtypjet
brutale dhe në zhdukjen e kundërshtarëve
të regjimit komunist, gjatë 20-viteve të fundit, janë këthyer në pozita të
larta të pushtetit qeveritar dhe shtetëror.
Siç duket, në
një mungesë të plotë të vullnetit politik për tu marrë me krimet e së kaluarës,
në disa vende ish-komuniste dhe jashtë, do të vazhdojë debati në lidhje me
hapjen ose jo të dosjeve, me lustracionin,
me gjyqet dhe me dënimin e atyre që kryen krimet dhe masakrat gjatë
diktaturës komuniste kundër popullit të vet.
Pyetja është se pse disa vende përballen me të kaluarën e tyre
diktatoriale e shtypëse duke hapur dosjet e sigurimit të shtetit, duke ndaluar
pjesëmarrjen në politikë të ish-zytarëve të regjimeve komuniste dhe duke dënuar
abuzimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të bashkombasve të vet, ndërsa
disa vende të tjera me të njëjtën histori krimesh e abuzimesh ndaj
popullit të tyre, nuk bëjnë asgjë për tu
përballur me të kaluarën e tyre tragjike.
Shekspiri ka thënë, "What is past is prologue", që pak a shumë
do të thotë se ato që kanë ndodhur më heret vendosin faktorët sundues tani dhe
për të ardhmen, me fjalë të tjera nëqoftse e kaluara nuk gjykohet për ato që
ishte, në këtë rast për krimet dhe brutalitetin e regjimeve komuniste, atëherë
historia do të prësëritet.