| E hene, 07.10.2013, 07:55 PM |
NË LOZANË KRYEQYTETIN OLIMPIK E BURGDORF 2013
Nga
ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ
Voal-online -
Mbresat nga udhëtimet që institucionet zvicerane organizojnë me APES janë sa të
larmishme aq dhe të pashlyeshme. Si ky i rradhës që organizoi Presence
Switzerland, pranë Departamentit Federal të Punëve të Jashtme. Nga natyra,
gazetarët janë shtegtarë të përhershëm, por pa stinë të caktuar shtegtimesh dhe
pa ligje përkatëse shtegtimesh. Më të veçantët, gjithsesi, jemi ne të APES-it,
nga të gjitha anët e botës, nga të gjitha llojet e mediave të sotme, përherë e
më të shumëllojshme, veçse me një bosht të përbashkët - sa të bukur, aq dhe të
papërsërishtëm – i falemi së vërtetës dhe jetojmë në Zvicër.
Pas çdo udhëtimi
ne vazhdojmë të shkëmbejmë fotot dhe regjistrimet që kemi bërë nga veprimtaria
jonë e radhës, dita ditës i plotësojmë ato dhe, një ditë prej ditësh, detajet
krijojnë një përfytyrim të plotë, reportazhi, eseja, dokumentari,
udhëpërshkimi, merr përfundimisht formë. Më shumë se subjektive, veçanësitë e
akteve të tilla krijuese, janë objektive. Sapo bashkohemi në një veprimtari,
sekush nga ne fluturon në një tjetër veprimtari, në një kënd tjetër të
rruzullit, me shërbim të ngarkuar nga qendra apo diku me pushime stinore apo
vjetore.
Kjo e shpjegon
mirëfilli edhe faktin që përbërja e ekipeve tona, nga njëri udhëtim në tjetrin,
është e ndryshme, nganjëherë shumë e ndryshme. Jo se nuk do të donim të
konfirmonim pjesëmarrjen e plotë në të gjitha udhëtimet, por thjesht pse
axhendat e këtyre udhëtimeve jo gjithherë përkojnë me axhendat tona. Kësaj
radhe, në përbërje të ekipit tonë janë gazetarë e gazetare nga Thomson Reuters,
ANSA, AFP, Deutsche Welle, VRT NIEUWS, Belgjikë, Asahi Shimbun, Guanming Daily
China, KUNA, Agjensia e Lajmeve të Kuwaitit, La Suisse russe monthly; Europe
Novelle, The Star, Afrika e Jugut etj. etj. Janë agjensi lajmesh e tituj
gazetash me emër në gjithë botën, me të cilat është mësuar veshi dhe syri i
lexuesit apo dëgjuesit. Ne po ju sjellim një emër jo aq të dëgjuar për veshin,
për shembull, The Asahi Shimbun, gazetë japoneze, një nga pesë më të mëdhat
kombëtare që ka Japonia, me botim mëngjes e mbrëmje, e cila në vitin 2010 ka
arritur tirazhin 12 milionë kopje në ditë ! Me ta jemi dhe ne, dy editorë
shqiptarë të The Voice of Albanians - www.voal-online.ch, platformë online, që
po e rrit për çdo ditë numrin e vizitorëve dhe klikimeve, në saj të
profesionalizmit dhe besueshmërisë të informacionit. Opinioni shqiptar është i
etur të mësojë të vërtetën dhe të jetë i orientuar jo politikisht, por se si
mund të bëhet qytetar i përgjegjshëm për të patur një shtet ligjor dhe një demokraci
Perëndimore.
Grupin tonë e
shoqëronte një ekip nga Presence Switzerland, Departamenti Federal i Punëve të
Jashtme, me një axhendë të përpiluar si broshurë, me foto e ngjyra, model i
seriozitetit dhe kujdesit ndaj gazetarëve dhe imazhit të institucionit që ka
bërë ftesën.
Në çdo udhëtim,
natyrshëm, vijnë edhe njohje të reja, ngaqë APES është një shoqatë në ndryshim
e në përtëritje të përhershme, një shoqatë që shtohet vazhdimisht me anëtarë të
rinj. Një njohje e re, e veçantë për ne, është zonja Paola Ceresetti, zyrtare e
shtypit në Misionin e Përhershëm të Zvicrës pranë Kombeve të Bashkuara në
Gjenevë. Është një fytyre familjare për ne ngaqë për shumë vite ishte një nga
gazetaret kryesore të lajmeve në televizionin zviceran në gjuhën italiane,
RSI1. Me Paolën hyjmë menjëherë në bisedë, si të njohur të vjetër, ajo ka qenë
në vendin tonë dhe komplimenteve tona iu përgjigjet në çast me komplimentet e
saj, aq të natyrshme për një zvicerane me rrënjë italiane.
Gjithnjë nën
moton "Të shikosh diçka me sytë e tu, ia vlen më shumë se nëpërmjet
njëqind burimesh" (proverbë japoneze), tema njohëse e këtij udhëtimi është
roli përherë në rritje i Zvicrës në sportin ndërkombëtar dhe roli përherë në
rritje i sportit në jetën e Zvicrës e të zviceranëve. Shumë organiza dhe
federata ndërkombëtare të sporteve kanë qendrat e tyre në Zvicër, si FIFA, në
Zyrih; UEFA, në Nyon; Federata Ndërkombëtare e Basketbollit, në Gjenevë;
Bashkimi Evropian i Shoqatave të Futbollit, Federata Ndërkombëtare e Shoqatës
së Futbollit, Federata Ndërkombëtare e Hokejit në Akull, po ashtu në Zyrih,
Bashkimi Ndërkombëtar i Ciklizmit, në Aigle. Ne e dimë të gjitha se të gjitha
shortet dhe zarat e eveneve sporteve kryesore ndërkombëtare, duke nisur nga
kampionatet e futbollit botëror, atij Europian etj etj, hidhen pikërisht këtu
në Konfederatën Helvetike!
LOZANA
KRYEQYTETI OLIMPIK
Ndërkaq Lozana,
e ndodhur përkatësisht në kantonin Vo (Vaud) është kryeqendra e Lojërave
Olimpike, thënë ndryshe Kryeqyteti Llimpik, ku e ka selinë Komitetit Olimpik
Ndërkombëtar, ku ndodhet Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit Sportiv etj. etj.
Këtë rol Zvicra e luan edhe falë infrastrukturës së veçantë moderne në
përkryerje të përhershme, ku vetë sporti bëhet faktor në infrastrukturën e
jetës zvicerane, shkencës zvicerane, sistemit arsimor zviceran, nga më të mirët
në kontinent dhe në botë. Kjo është pjesë e imazhit dhe realitetit të Zvicrës!
Profesor
Jan-Anders Manson, një emër brilant me famë botërore në Universitetin
Politeknik Federal të Lozanës, ( Zvicra ka dy Univeristete të kësaj kategorie,
bashkë me Universitetin Politaknik të Zürich-ut), midis të tjerave, duke na
treguar për veten na tha: „Jam suedez, kam studjuar në Siatëll, (Seattle),
SHBA, po vendi më i mirë për të jetuar e punuar është Zvicra.
***
Ndalesën e parë
e kemi në Shtëpinë e Sportit Ndërkombëtar, The House of International Sport,
një kompleks unik që sjell nën të njëjtën çati disa faktorë të administrimit të
sporteve ndërkombëtare, kryesisht seli të rreth tridhjetë e sa federatave dhe
organizatave të sportit ndërkombëtar dhe të nja njëzet kompanive aktive në
fushën e sportit. E ndodhur përgjatë brigjeve të Liqenit të Gjenevës, kompleksi
i pagëzuar si Shtëpia e Sportit Ndërkombëtar, përfshin një ndërtesë pritjeje
dhe tri blloqe zyrash, të cilat shtrihen në një sipërfaqe prej 5752 metrash
katrore, me kafeteri, palestër gjimnastikore, si dhe shërbime të ndryshe
makinash fotokopjimi, faks,, interneti, telefonash e tjerë.
Kjo
infratrukturë e re jep një mundësi të shkëlqyer për organizatat sportive që të
punojnë së bashku, të kultivojnë kontakte, të shkëmbejnë përvoja dhe të
zbulojnë e shfrytëzojnë përbashkësitë e tyre. Këtu është duke na pritur zonja
Cosima Deluermoz, Delegate e Sportit Ndërkombëtar e Kantonit Vo, për të na bërë
një panoramë të përgjithshme se çfarë është Lozana për sportin ndërkombëtar, se
çfarë është kantoni Vo si organizator e mikpritës i Lojërave Olimpike Botërore,
se cilat janë infratrukturat që ecin bashkë me zhvillimin e sportit botëror, ku
iu paraprijnë ato këtyre zhvillimeve e dukurive, cilat janë sfidat e reja të
sportit botëror për infrastrukturat teknike si dhe për shkencat e dijet
përkatëse të kohës së sotme e në ardhmëri.
Kthehemi rishtas
tek imazhi. Për të patur një imazh të tillë, Zvicra punon, investon,
përkushtohet, angazhohet. Këtë gjë e themi edhe nisur nga ky Media trip, i
organizuar enkas për ne gazetarët, ku na presin kudo e na hapin kudo dyert.
Ajo që mësuam në
lidhje me Shtëpinë Ndërkombëtare të Sportit dhe na u duk me shumë vlerë është
fakti se të gjitha ata që dëshironin të hapnin këtu, në kuartierin kryesor të
Kryeqytetit Olimpik, federatën ndërkombëtare të ndonjë sporti, qyteti i Lozanës
dhe kantoni i Vaud, ndihmon duke nisur që nga sigurimi i lejeve të qëndrimit
deri tek oferta gratis për dy vjet e qirave të zyrave! Kuptoni!
TEK GJYKATA
NDËRKOMBËTARE E ARBITRAZHIT OSE 'HAGA E SPORTEVE NDËRKOMBËTARE'
Nga një mjedis i
supersofistikuar dhe modern i Selisë së Sporteve Ndërkombëtare, ndodhemi para
Château de Béthusy, një kështjelle jashtëzakonisht e bukur dhe për minuta të
tëra duam vetëm të fiksojmë gjithçka në kamerat dhe aparatet tona. Kush jeton
në këtë kështjellë ? Ndonjë supermilioner, ndonjë guru, sheik apo yll
Hollywood-i ? Jo, ndodhemi përballë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit për
Sportet, Court of Arbitration for Sport, e konsideruar ndryshe si Haga e
sporteve ndërkombëtare. Selia qëndore e saj është në Lozanë, ndërsa gjykatat i
ka në Lozanë, New York dhe Sideny. Këtej kalojnë proceset e atyre që cënojnë
Kodin Botëror të Anti-Dopingut. Mikpritës është zotëri Matthieu Reeb, Sekretar
i Përgjithshëm. Biseda zhvillohet në sallën ku mbahen seancat dëgjimore mes
palëve ankuese dhe palëve të paditura.
Gjykata e
Arbitrazhit e Sporteve është themeluar më 1984 nga Këshilli Ndërkombëtar i
Arbitrazhit të Sporteve nën autoritetin administrativ dhe financiar të të cilit
është. Është një organizëm privat që ka fituar famë dhe kredibilitet botëror.
Ka rreth 300 arbitrues nga 80 vende, të zgjedhur si dijetarë specialistë për
ligjin e arbitrimit dhe të sportveve. Rreth 200 procedura në vit janë
regjistruar pranë kësaj gjykate. Rekordi u arrit në vitin 2008 me 318 raste.
Gjykata krijon trupa gjykuese jo të pëhershme në Lojërat Olimpike, në Lojërat e
Komënuelthit dhe në veprimtari të tjera të tilla të mëdha ndërkombëtare. Zotëri
Reeb nuk ndodhet përballë avokatëve, por përballë gazetarëve, zeja më e
përditshme e të cilëve janë pyetjet. Një dëshirë e jona për të dëshmuar
kulturën sportive, plus shqetësimet që mbart secili për problemet e sporteve në
vendet prejardhëse, e bën bisedën tejet të gjallë dhe interesante. Për më
tepër, kur me rastet gjyqësore lidhen shpesh emra të mëdhenj në sportin
botëror.
Ne e pyesim, për
shembull, rreth rastit të çiklistit amerikan Lance Armstrong, tetë herë fitues
i garës më të madhe botërore në këtë fushë, Tour de Francë. Zotëri Reeb na
përgjigjet se z. Armstrong duhej të paraqitej para kësaj gjykata, por ai pranoi
se trofetë e tij ishin fryt i dopingut, kështu që ato u vlerësuan të
pamerituara nga kjo gjykatë. Rasti i tij është shumë i veçantë se Gjykata nuk
kishte patur asnjë provë kundër tij.
Pyetjet variojnë
nga ato statistike, lidhur me ngarkesën e kësaj gjykate, kohën e zgjidhjes së
çështjeve, zbatueshmërinë, raportet me legjislacionin ndërkombëtar, me
ligjshmërinë civile dhe me atë penale. Gjykata ka rol ndërmjetësues, ka rol
vendimarrës, nëpërmjet tyre rol edukues për sportin dhe sportistët. Dhe detyra
e saj nuk do të përmbushej as ndikimi i saj nuk do të vinte në rritje nëse nuk
do të kishte bashkëpunim sa më të përkryer me ekspertët e shumë të kriminalistikës
të fushave të caktuara, me laboratorë nga më modernët e kohës. E pyetëm
patjetër edhe për pagasat, të cilat janë në varësi të të ardhurave, nga 100
franga deri 25 mijë, kur të ardhurat për vit i kalojnë 10 milionë frangat.
PIKËTAKIME
TEKNOLOGJIKE DHE SPORTIVE
Drekën e kalojmë
në një restaurant të shkëlqyer, Starling Restaurant, me një meny të shkëlqyer
me shoqërinë e shkëlqyer të kolegëve dhe ekipit nga Departamenti Federal i
Punëve të Jashtme, në shoqërinë e verës dhe shoqërinë jo larg prej nesh të
Liqenit Leman. Me ne drekon edhe Prof. Jan-Anders Manson, i Teknologjisë Bazë
dhe Polimere, President i Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave dhe Teknologjisë
së Sporteve, specializuar në kërkimet arsimore dhe të zbatuara në studimet e
sporteve, i cili pastaj na shoqëron në auditorin pranë Universitetit Politeknik
Federal të Lozanës. Prof. Jan-Anders Manson e kemi përmendur në krye të këtij
reportazhi.
Profesor Manson
ka doktoruar në inxhinerinë mekanike në Universitetin Teknologjik të Goteburgut
të Suedisë, ka marrë titullin profesor në Universitetin e Uashingtonit, Siatëll
për Inxhineri Kimike dhe për teknologjinë polimere në Universitetin e
Stokholmit. Prej vitit 1990 është profesor dhe Drejtor i Laboratorit në
Institutin e Materialeve në Universitetin Federal Politeknik të Lozanës.
Kërkimet e tij janë të përqëndruara në strategjitë e reja të zbatimit të
teknologjive në kontekstin industrial. Partnerë të tij kërkimorë janë
industritë e automjeteve, hapësinore, mjekësore dhe sportive. Ai ka mbi 500 publikime
shkencore dhe është anëtar i bordeve të disa revistave shkencore bashkëkohore,
është anëtar aktiv i disa akademive dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare
shkencore. Në aspektin sportiv ai është anëtar i Bordit të të Besuarve në
Fondacionin Antidoping të Zvicrës, Kryetar i Akademisë Ndërkombëtare të
Sporteve, anëtar i Asamblesë së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe
institucioneve të tjera sportive. Për kureshtjen e lexuesve, mund t'iu themi se
është përgjegjës shkencore në Universitetin e Lozanës për projektin e Bertrand
Piccard në Solar Impuls, avionin që punon me energji diellore. Pra figurë e
vërtetë jo shaka!
Universiteti
Politeknik Federal i Lozanës është i pari në renditjen e universiteteve të
Evropës dhe ndër të parët në renditjen e universiteve botërore, na sqaron
profesori. I vetmi universitet tjetër federal i këtij lloji është ai i Zyrihut,
edhe ai ndër më të mirët e kontinentit dhe më gjerë. Duke e dëgjuar Profesor
Manson në ligjëratën e tij, me një shpjegim brilant – na hyp dëshira që të kthehemi
e të bëhemi rishtas studentë. Por koha nuk na pret dhe na sfidon. I ngrejmë
duart lart! I dorëzohemi kohës!
***
Drekat dhe
darkat gjatë udhëtimeve të APES kanë natyrë çlodhëse e përtëritëse sa dhe
njohëse dhe bashkëpunuese. Vendet në restaurante herë janë të përcaktuara e
herë jo. Aty improvizohen biseda sipas interesimeve të përbashkëta të grupeve
të gazetarëve. Në tryezën tonë gjatë drekës në Starling restaurant pranë nesh
patëm kolegun japonez Ishiguro Yutaka, nga The Yomiuri Shimbun, një tjetër gazetë
japoneze, që botohet në Tokio dhe disa nga qytetet më të mëdha të Japonisë, në
grupin e pesë gazetave më të mëdha që dalin në vend, me një tirazh rreth 14
milionë kopje në ditë, ekspert i zhvillimeve politike dhe ekonomike sidomos
atyre të Kosovës. Na tregoi se e kishte intervistuar edhe Sali Berishën.
Gazetari japonez na la pa gojë, aq në brendësi të proceseve politikave ishte
dhe njohje rreth procesit të privatizimit e të përparësive të investimeve në
Kosovë. Folëm edhe për tërheqjen e grupit Albright në privatizimin e Postës dhe
Telekomit të Kosovës. Ishim me një mendje. E ku do t’i gjente Kosova
investitorë më të besueshëm se ai i Grupit Albright! Folëm edhe për dashurinë
që ka populli i Kosovës për Zonjën Albright. Me kolegun japonez ndanim të njëjta
mendime.
Në darkën me
grill në një restaurant të bukur brënda në qytetin e Lozanës patëm një bisedë
shumë të bukur me Uehara Akiko, gazetare japoneze, e lindur dhe shtetase në
Zvicër. Me zonjën Uehara, nga The Asahi Shimbun folëm veç të tjerave për
letërsinë dhe përkthimet. Kur po i tregonim se djemtë tanë i kanë shumë qejf
Mangat japoneze, ajo na impresionoi kur na tha se poezitë e Charles Baudelaire
i ka lexuar për të parën herë pikërisht kur ishte fëmijë përmes Manga-ve.
Shikoni se çfarë bën Japonia për të edukuar dhe kultivuar brezin e ri. Se si e
përçon kulturën nacionale dhe botërore që të asimilohet sa më mirë. Ndërsa tek
ne në Shqipëri shkollës po i vihet kazma, një dramë e përmasave kombëtare që na
trishton pa fund.
***
Në një kënd të
veçantë të Lozanës, ndodhet Instituti i Shkencave të Sportit, Qendra e Sportit
dhe Shëndetit, pranë Universitetit Federal të Lozanës, pikërisht ajte ku
ndodhen laboratorët më modernë dhe më të pagabueshëm të botës bashkëkohore.
Instituti ndodhet në një mjedis natyror të veçantë, nga ata që mund të ndeshen
vetëm nëpër filma hollivudianë të fantashkencës. Dhe ne përfitojmë sërish të
fiksojmë veten në kuadrin e këtyre mjediseve. Jo larg nesh, bile shumë afër
ndodhet Liqeni Leman, në një përzierje të magjisë shkaktuar nga bukuria e
natyrës dhe përkujdesjes të dorës të njeriut. Drejtori Grégoire Millet,
ndërkohë na shpjegon rritjen e pagabueshmërisë së këtyre laboratorëve dhe
teknologjive të reja në përgjithësi në fushën e sporteve, lidhjet përherë e më
të fuqishme midis instiucioneve të shëndetit dhe botës së sportit, rolin e
sportit në rritjen e shëndetshmërisë së shoqërisë, pjesën e sportit në kulturën
e përditshme dhe në kulturën shëndetësore të individit dhe një mori të pafundme
ndërlidhshmërish të tjera.
KOMITETI OLIMPIK
- KËSHTJELLA OLIMPIKE E ZHYTUR NË GJELBËRIM
Dhe, natyrisht,
çatia e gjithë kësaj bote sportive, Himalaja e saj, është pikërisht Komiteti
Olimpik Ndërkombëtar. Një ndërtesë e konsideruar tip kështjellë, por e zhytur
në gjelbërimin e një pylli të moçëm mbi njëqindvjeçar, tejet çlodhës, na fton
të përmbyllim një ditë veprimtarish tejet të dendura njëra pas tjetrës.
Në zanafillën e
saj, diku në thellësi të mesjetës, e famshmja Château de Vidy ishte kishë,
ndoshta nga më të hershmet e zonës, këtu në brigjet e liqenit Leman. Në vitin
1669, kisha u bë shtëpi banimi, e cila kaloi nëpër zotërues të ndryshëm,
nëpërmjet blerjesh, nëpërmjet trashëgimish ose nëpërmjet martesave. Shndërrimin
e parë rrënjësor ajo e ka pasur në Shekullin e XVIII, kur nga Gjeneva erdhi për
të banuar këtu Familja de Loys. Me ripërtëritjen e ndërtesës u muarën dy
arkitektë të famshëm të kohës. Punimet përfunduan plotësisht më 1774. Më 12 maj
1880, Napoleon Bonaparti, i cili në atë kohë ishte konsull i parë i Francës,
pra kryesundimtar i saj, i cili po iu bënte kontroll të përgjithshëm trupave të
tij, para se të marshonin në qafën e Shën Bernardit, u prit këtu në dhomën më
të madhe të miqve. Më 1919, familja de Loys ua shiti ndërtesën bashkë me
sipërfaqne rrethuese prej 27 hektarësh institucioneve të ndryshme zvicerane,
kryesisht atyre të sistemit ushtarak. Për dhjetëra vjet ajo kaloi në duart e
bashkisë së Lozanës, duke iu nështruar punimeve të ndryshme përshtatëse. Deri
më 1 mars 1968, kur këtu vendosej Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, ajo kishte
shërbyer për Qendrën Evropiane të Kërkimeve dhe pjesërisht për zyrat e
Institutit të Kërkimeve të Komunikimit Masiv pranë Universitetit të Lozanës.
Kjo është edhe
periudha e kulmimeve të para në marrëdhëniet mikpritëse të Zvicrës ndaj
Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, zanafilla e të cilave daton prej vitit 1908, në
të cilin sot aderojnë 205 komitete olimpike nacionale, përbërë nga 126 vende,
që mblidhet një herë çdo vit, me një president me mandat tetë vjeçar.
Presidenti aktual është Thomas Bach i zgjedhur këtë vit. Këtu në Komitetin
Olimpik Ndërkombëtar zhvillohen sesione shkecore, simpoziume, konferenca,
kongrese, festat jubilare, këtu nënshkruhen marrëveshje të panumërta, të cilat
do të shënojnë edhe rritjen e këtij institucioni dhe forcimin e lidhjeve me
Zvicrën, veçanërisht me Lozanën, Kryeqytetin Olimpik. Ciceroni jonë kësaj here
është zotëri Patrice Chollet, kryetar i Bashkërendimit të Strategjisë Rinore në
krye të programit të ri të këtij Komiteti, i cili na kalon nëpër sallat muzeale
duke interpretuar simbolet figurative në muret dhe në mjediset e institucionit,
duke kaluar nëpër historikun dhe figurat kryesore të olimpizmit botëror dhe
rolin e Zvicrës, që është fondamental sepse ka krijuar të gjitha kushtet dhe
infrastrukturën. Kur takimi ka përfunduar i gjithë grupi i gazetarëve bashkë me
zotëri Patrice Chollet fiksohemi në foton përballë hyrjes kryesore të Komitetit
Olimpik.
LARTËSITË E
BURGDORFIT
Megjithëse ishim
befasuar pa fund, befasia e befasive, megjithatë, do të ishte e nesërmja e
udhëtimit tonë. Pasi jemi larguar nga hoteli ynë, me autobusin tonë shuttle,
duke përshkuar pamje nga piktoresket e mundshme, jemi në Burgdorf të
lokalitetit Emmental, sipas markës të njohur të djathit, të kantonit të Bernës,
ku është duke u zhvilluar «Fédérale» një nga ngjarjet më të mëdha popullore
festive që mbahen në Zvicër, një herë në tre vjet në vende të ndryshme. Kësaj
here qëlloi në Burgdorf. Një lloj mundje , si një Wrestling zviceran, dhe
Steinstossen, një sport i vjetër me hedhje guri. Këtu ishim të ftuar edhe ne.
Bashkë me gazetarët zviceranë ishim të privilegjuar, pasi na ishte rezervuar
vendi në tribunën e « Emmental Arena »-s, stadiumi i hapur, më i madhi në
Zvicër dhe nga më të mëdhenjtë në Europë. Këtu përmbajtja sportive është
zvicerane, një lloj tradite të cilën zviceranët e konservojnë me kujdesin më të
madh. Në përfundim të aktivitetit, do të dilte fituesi, i cili do ta mbajë
trofenë për tre vjet. Siç e thamë, kjo është veprimtaria më e madhe sportive
dhe një nga festivalet me domethënëse zvicerane - një veprimtari
shumëdimensionale, sportive, shpirtërore, kulturore, komerciale, turistike, me
vlera unikale. Kërkon mot të mirë, do këshillim paraprak me meteorologët, për
të gjetur javën më të qëndrueshme të stinës së verës. Dhe kjo e tanishmja është
përzgjedhja më e pagabueshme. Asnjë fije reje nuk guxon të shfaqet diku larg
apo diku afër nëpër qiellin zviceran, aq më tepër në qiellin e këtushëm lokal.
Po lahemi prej rrezeve të diellit.
Kur hymë në
zonën e festës, automjeti ynë është i vetmi që lëviz. Të gjitha lëvizjet e
tjera janë këmbësore. Pjesëmarrësit në veprimtari i kanë parkuar veturat e tyre
nëpër livadhet pranë, me mijëra sosh, të tjerët i kanë rreshtuar në varg pa
mbarim biçikletat e tyre. I gjithë rrjeti i qarkullimit publik të zonës - ai i
trenave, i tramave, i busëve - është përshtatur për veprimtarinë kombëtare.
Ndërkohë, në një rreze prej 50 kilometrash largësi rreth e rrotull, prej ditësh
të gjitha vendet në hotelet janë zënë prej kohësh.
Mikpritësi i
gazetarëve, atyre të APES, atyre të mediave të huaja, qendrore dhe lokale,
është zotëri Fabio Lorenzet, Zëdhënës i Medias Ndërkombëtare, i cili na
shpjegon se punonjësit e paguar që merren me organizimin dhe mbarëvajtjen e
veprimtarisë janë vetëm 230, ndërsa ata që punojnë vullnetarisht, pa asnjë pagesë
janë 3500. Burgdorfi është një qytet i vogël, me 17 000 banorë, por këto ditë
ai është populluar nga 250 000 deri 300 000 vetë. Buxheti i veprimtarisë shkon
në 25 milionë franga zvicerane. Në mensat e ngritura, gjatë tri ditëve kryhen
70 000 orë punë, konsumohen 23 mijë kilogramë mish, 105 mijë litra ujë mineral,
6000 mijë litra shnaps (pije e fortë), 70 000 kafé, pa llogaritur pijet,
lëngjet, frutat dhe ushqimet e tjera që konsumohen këtu.
Mediat e Zvicrës
i japin papushim gjithë këto ditë publicitet veprimtarisë që po zhvillohet në
Burgdorf, reklamat e pafundme të firmave zvicerane, nga ato shumëkombëshe me
shtrirje globale, deri te ato lokale, janë të afishuara gjithandej nëpër
mjediset ku zhvillohet kjo veprimtari. Në reklama kemi parë edhe vajza të reja
që garojnë në sportin e mundjes. I pyesim organizatorët nëse tashmë kjo së
shpejti do të jetë risi e kësaj gare. Na përgjigjen se ende mbetet në nivel
lokal, por synimet janë që festivali i mundjes popullore të përfshijë edhe
femrat garuese në këtë sport dhe sportet e tjera alpine.
Fituesi i garës
së mundjes, kampioni i ri, shpërblehet me një dem njëvjeçar që peshon 1200
kilogramë dhe që kushton 22 000 franga, fituesit e tjerë marrin shpërblime
dema, kuaj dhe lopë. Të gjithë garuesit janë amatorë, nuk janë pjesëmarrës në
sporte të tjera, merren me profesione të thjeshta të bujqësisë dhe të fshatit.
I vetmi që i ndryshon jeta pas këtij akvititeti është kampioni i ri, i cili
është në qendër të mediave me intervista, në qendër të reklamave, por edhe ai nuk
shkëputet nga profesioni që ka. Sivjet Mbreti i kësaj gare është 27 vjeçari
Matthias Sempach. Në ceremoninë festive mori pjesë edhe Presidenti i
Konfederatës Ueli Maurer, ndërkohë që gjithë vemendja e publikut zviceran i
mbante sytë e mbërthyer në Burgdorf. Analistët sportivë i krahasojnë këto
sporte me ato që zhvillohen në Japoni, në Kinë apo në vende të tjera aziatike
me kulturë të lashtë. Në fakt, ato kanë evropianitetin e tyre, burimësinë e
tyre të kontinentit tonë.
Ne grupi i
gazetarëve të APES e lamë Burgdorfin në kulmin e ngjyrave dhe festimeve, duke
marrë me vete impresionet më të bukura se si një komb i civilizuar e mbron, e
ruan dhe e vazhdon me krenari kulturën e vet, qoftë ajo materiale apo
shpirtërore. Dhe ne shqiptarëve nuk ka si të mos na dhembë prapë zemra kur kemi
parasysh se si kultura shqiptare është lenë në mëshirën e fatit.
Aty edhe u ndamë me kolegët dhe ekipin e DFPJ, duke marrë trenin në klasit të parë, nëpër destinacione të ndryshme, një palë në Gjenevë, të tjerë në Zyrih, Bernë apo Bazel. Me atë përshëndetjen tonë tashmë si refren: Mirupafshim herën tjetër! Tschüss bis bald ! A bientôt ! Till the next time!