| E shtune, 05.10.2013, 09:12 AM |
Fjalë për një takim Rama-Basha
Nga Vangjush
Saro
Politikanët
shqiptarë kanë qenë dhe mbeten shumë konfuzë sa i takon rolit të institucionit
të opozitës në një vend demokratik. Aktualisht, në një mjedis të rënduar
politik, si shpesh herë në këto 22 vjet tranzicion, ende po mungon një takim
midis përfaqësuesve të pushtetit që posa ka filluar të ushtrojë mandatin e vet
dhe atyre të opozitës. E vendosur në emra, Edi Rama dhe Lulzim Basha, si
drejtuesit e dy formacioneve kryesore, jo për të shkuar radhën, jo për
spektakël, por për të biseduar tema serioze, duhet të takohen, mbase edhe me
ekipe. Kryeministri ka zhvilluar një sërë takime jashtë vendit; mirë e bën, nuk
se ka folur keq apo ka pozuar (së paku deri më tani). Por ai, ende nuk ka
zhvilluar takimin më të rëndësishëm (brenda vendit) atë me drejtuesin, drejtuesit
e opozitës. Madje, nuk ka gjer më sot asnjë shenjë që po piketohet(!) një gjë e
tillë, çka do të thotë se absurdi i mosbashkëpunimit pozitë-opozitë mund të
vijojë edhe më tej. Për fat të keq. Në traditën më të papranueshme të këtyre 22
vjetëve.
Arsyet pse jemi
në këtë absurd janë disa. Më së pari, nuk është në traditën e politikanëve
shqiptarë të bisedojnë dhe kjo vjen që nga kohë të largëta, sado e pavend duket
ta themi. Me hope janë mbledhur dhe kanë folur me njëri-tjetrin shqiptarët në
mote. Më vjen keq të citoj një publiciste e vëzhguese të hershme, Meri Uorthi
Montegu, e cila thoshte (që në shek. 18) se shqiptarët “nuk janë stërvitur për
diskutime”. Provat për këtë, nuk kanë të numëruar gjer më sot. Gjer në këto
ditë...Pyetja është: Si do ta thyejmë këtë “rregull” të pashkruar, por të
fetishizuar nga të gjithë, kohë pas kohe, opozitë pas opozite? Sipas mendimit
tim, kryeministri Edi Rama duhet të tregojë largpamësi në zëvendësimet e
punonjësve të administratës. Ai dhe ministrat e tij nuk duhet të “ngatërrohen”
me ata të cilët kanë CV-në e duhur dhe janë në vendin e duhur; sidomos me
njerëz “teknikë” dhe për arsimimin e të cilëve ka pasur një përkujdeseje nga
partnerët dhe organizma perëndimore. (Natyrisht, diplomat e marra
drejtpërsëdrejti nga dëftesa të shkollës tetëvjeçare, të tilla ka me okë, duhet
të gjejnë vendin.) Po ashtu, drejtuesit e pozitës duhet të tregojnë me fakte se
e respektojnë mendimin e “teknikëve” kundërshtarë, me të cilët fundja do të
kenë mjaft dialog e punë në Kuvend; duhet t’iu lënë atyre hapësirën e duhur për
ndihmesë dhe afirmim.
E thënë me fjalë
të tjera, pozita duhet të kontrollojë me kujdes në termin revanshizëm. Nuk
duhet të përsëriten historitë e shkollës së shkuar politike. Dikush duhet ta
harrojw i pari revanshizmin. Megjithatë, po bie dy episode për të treguar se
heqja e të rastësishmëve nga administrata, nuk mund të jetë tabu. (Këtë duhet
ta kuptojë edhe opozita.) Një miku im, pedagog në një universitet privat, më
tregonte se si gjatë provimit, kishte parë një student, të shtyrë në moshë, që
po shkruante me shkronja kapitale, krejt tekstin...Në një nga institucionet ku
kam punuar, ishte një grua e cila nuk dinte as të shkruante (por bënte
gazetaren) dhe as të sillej (por ishte nëpunëse). I vëllai qe diku shef komisariati.
Ajo shkoi më pas në Kryeministri, në një hallkë shumë të rëndësishme. Këto nuk
mund të tolerohen, le të bërtasë z. Basha me sa të ketë në kokë. Jo.
Administratës i duhen teknikë të aftë.
Më tej, opozita
nuk mund të mbetet si deri më sot në blla-blla-blla që prodhojnë më së shumti
humor. (Ua kemi bërë gati integrimin…Etj. Formula qesharake.) Ca më pak, të
flasë për thika e kallashë...Po. Në opozitë, po shfaqen maksima revolucionare
dhe ekstremiste. Rruga e kundërshtimit për kundërshtim, e braktisjes së
Kuvendit, si dhe ajo e “mobilizimit” të njerëzve të pakënaqur, të treja
vizatojnë njëlloj “bombe” që mund t’i plasë në dorë kryetarit të opozitës, duke
e risjellë atë në sytë e aleatëve dhe publikut të gjerë si një revolucionar apo
dhunëushtrues, “profesione” të pasigurta dhe që mjaft i kemi vuajtur deri më
sot. Mbase mund të jem i gabuar, por besoj se kjo “shkollë” e vjetër, me gjithë
kontigjentet e veta, për fat të keq, është mjaft aktive ende. Të përthyera në
emra, ato - kontigjentet e politikës së vjetër, që janë pengesë pa një pa dy
për realizimin e takimit në fjalë (dhe jo vetëm) - janë disa. Po kush merret…
Tani, sot, i
rëndësishëm është akti i bisedimit. Koha ka ardhur që drejtuesit e sotëm të
partive kryesore t’i vënë gishtin kokës dhe të rizgjedhin sa i takon modeleve
të përparuara që mund t’i udhëheqin në praktikën e tyre aktuale. Një takim mes
liderëve të forcave kryesore politike, të kahjeve të pushtetit, atij në mandat
dhe atij në opozitë, mund të shënonte një epokë tjetër në zhvillimin e demokracisë
në Shqipëri. Përveç përcaktimit të raportit dhe bashkëpunimit politik mes
palëve, si dhe të ndryshimeve në administratë, në këtë takim mund të kishte një
pleqnim edhe të problemeve ekonomike apo të spektrit të ndryshimeve qytetare në
shoqërinë shqiptare; (pse jo, edhe në politikë). Më vonë, mund të jetë vonë...
Një fjalë e urtë popullore thotë: “Mjerë peshkatari që ka frikë nga lumi.” Zotërinjtë e thirrur në këtë takim, duhet të lënë pas frymëzimet ideologjike dhe praktikat neokomuniste. Nuk është i pamundur një takim mes kolegësh të politikës. Nuk është tabu. Nuk përbën ndonjë çudi. Është një detyrim. Nëse nuk kemi lëvizje në këtë kahje, atëherë, po të na lejohej të perifrazonim Xh. Oruell, do të thoshim pak a shumë: “Jeta (politike-V.S) do të vazhdojë siç ka qenë, domethënë si mos më keq...(“Republika e kafshëve”) Por asgjë e tillë nuk iu intereson vendit dhe qytetarëve të tij. Nëse ka politikanë që mendojnë se mund të përfitojnë nga “absurdi”, ata gjenden në rrugë pa krye, ku nuk ka pse të shpien krejt shqiptarët dhe as problemet e tyre përherë të hapura dhe të qenësishme.