Sot, më 3 tetor Gjermania feston ditën ribashkimit të saj. Në këtë festë, më të madhen të nivelit nacional, gjithandej në Gjermani organizohen solemnitete të mëdha. Kështu edhe në qendrat e 16 landeve (republikave) të vendit mbahen manifestime solemne ku marrin pjesë personalitete të larta të landit por edhe nga qendra, Berlini.
Në Stutgard, kryeqytet i landit Baden Württemberg me moton "Së bashku, unikë" mbahet manifestimi ku veç të tjerëve merr pjesë edhe një delegacion prej 15 njerëzish të angazhuar në aktivitete vullnetare, të zgjedhur nga qeveria e landit. Në këtë delegacion bë pjesë edhe Almire Brahimi, vajzë njëzetvjeçare, e ardhur 15 vjet më parë nga Kosova.
Në Stutgart, përveç kryeministrit të landit, Winfried Kretschann ajo do të ketë afër edhe presidentin e Gjermanisë, Joachim Gauck.
Meritat për të cilat ajo është zgjedhur janë të shumta. Nga mosha 15 vjeçare ajo angazhohet vullnetarisht në aktivitete të ndryshme me dobi të përgjithshme dhe në fushë të integrimit e të mirëkuptimit mes popujve. Në këtë kontekst ajo punon prej vitesh në mënyrë vullnetare për shërbimin e migracionit për të rinj dhe për shoqatë nga Emmendigeni "Yjet e Kosovës".
Kjo shoqatë organizon projekte për të bërë bashkë njerëz nga kultura të ndryshme. Pasi ka mbaruar gjimnazin, Almira këto ditë do te fillojë edhe studimet e shkencave politike në Universitetin e Manheimit.
Kosovarja me shtete¨si gjermane së fundi ka filluar të angazhohet edhe në politikë. Realizimi i të drejtës së votës në nivel lokal për migrantët është preokupimi i saj kryesor aktualisht, shkruan "Badische Zeitung". Ajo thotë se kjo është më se e rëndësishme pasi që niveli lokal i vendosjes i prek më shumë edhe migrantët në rrethin ku jetojnë.
Këto angazhime dhe shumë të tjera, kanë bindur qeverinë e landit se meritojnë shpërblim. Për këtë arsye e kanë zgjedhur Almirën që të marrë pjesë në Ditën e Bashkimit në Stutgart. "Është nder i madh për mua dhe njëherësh një shtytje. Veç kësaj më pëlqen që angazhimi personal shpërblehet në këtë mënyrë", thotë Almira