| E hene, 30.09.2013, 07:00 PM |
Nga Arbër Selmani & Albert Ahmeti - Zëri
Marrëveshja për Tregti të Lirë (MTL) me Turqinë, të cilën ditë më parë e nënshkroi ministrja, Mimoza Kusari-Lila, dhe ministri i Ekonomisë i Turqisë, Zafer Caglan, do ta dëmtojë buxhetin e Kosovës hiç më pak se 20 milionë euro në vit.
Kështu bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri” brenda Doganave të Kosovës, sipas të cilëve, kjo marrëveshje në aspektin buxhetor është “autogol” për vendin.
“Turqia eksporton mallra në Kosovë rreth 200 milionë euro në vit, përderisa eksporti i Kosovës atje sillet rreth 8 milionë euro. Me këtë marrëveshje, dëmet në buxhetin e Kosovës arrijnë shifrën prej rreth 20 milionë euro”, bëjnë të ditur burimet e gazetës, sipas të cilëve, përfitues kryesor nga kjo marrëveshje është tregtia turke.
Kjo MTL me Turqinë vlerësohet gjithashtu se do t’i dëmtojë rëndë prodhuesit vendorë, të cilët vështirë se do të përballen me konkurrencën e kompanive turke që do të mundë të sjellin mallra në Kosovë pa iu nënshtruar taksës doganore.
Burim Piraj, drejtor i kompanisë “Meka”, pranon se në situatën në të cilën gjendet Kosova, çdo marrëveshje e tregtisë së lirë e pozicionon vendin si humbës.
Turqia, sipas tij, si një superfuqi botërore në prodhimin e disa artikujve vetëm sa do t’ia shtojë prodhuesve vendorë edhe një konkurrent tjetër të madh, i cili do t’i dëmtojë prodhuesit “e vegjël”.
Për produktet e tilla, Piraj thotë se marrëveshja nuk ka asnjë anë pozitive dhe në një situatë si kjo ku gjendet Kosova, çdo marrëveshje ekzistuese e tregtisë së lirë veç sa paralajmëron dobësimin e gjendjes ekonomike.
“Marrëveshja do të ketë ndikim jashtëzakonisht të madh, për shkak se produktet e mishit nuk janë eksportuar në Turqi dhe po ashtu nuk ka pasur as interesim prej palës turke për të bërë import nga Kosova.
Në momentin që produktet e njëjta nuk eksportohen në Turqi e në anën tjetër ne jemi dëshmitarë që produktet e mishit nga Turqia importohen në Kosovë, automatikisht prodhuesit vendorë do ta kenë edhe një konkurrent akoma më të madh”, thotë Piraj.
Bazuar në statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Turqia është eksportuesi i katërt më i madh në Kosovë, pas Serbisë, Italisë dhe Gjermanisë.
Ngufatje e konkurrencës
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave i Kosovës, Haki Shatri, thotë për “Zërin” se normalisht marrëveshjet e tilla janë me kritere të barabarta për të dyja shtetet, por ajo barabarësi çrregullohet me vetë faktin që Kosova nuk ka çka të eksportojë në Turqi, ndërsa këta të fundit kanë shumë produkte që mund t’i eksportojnë në Kosovë.
“Kjo do të thotë se ata përfitojnë proporcionalisht me vëllimin e qarkullimit të mallrave të tyre, por megjithatë edhe ne përfitojmë diçka. Për konsumatorët, këto mallra që janë të konsumit apo veshmbathje e tjera në treg, do të jenë më të lira. Në këtë mënyrë mund të lirohet kostoja e jetës për qytetarët tanë. Edhe bizneset që e sigurojnë lëndën e parë prej këtyre vendeve ndoshta stimulohen” thotë Shatri.
“Me Turqinë nuk besoj që dëmtohemi shumë, sepse ne prej këtyre prodhimeve që i kemi, perime e gjëra të tilla importohen më pak, ndërsa të tjerat që importohen prej Turqisë nuk i prodhojmë fare prandaj edhe nuk kemi fare konkurrencë. Në përgjithësi nuk del zarar prej kësaj marrëveshje”, pohon Shatri.
Dardan Sejdiu nga lëvizja “Vetëvendosje” thotë se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është edhe një hap tjetër drejt degradimit të potencialit ekonomik që posedon Kosova.
“Turqia është një fuqi botërore në përpunimin e ushqimit, në prodhime tekstili dhe në mobilie. Kjo është një ngufatje që po i bëhet konkurrencës brenda vetë prodhuesve vendorë, sidomos kur merret parasysh që Turqia ka kohë që ec në drejtim të kundërt me parimet e OECD-së dhe i ka shterur burimet përbrenda territorit të saj dhe rritjen ekonomike e krijon me anë të eksporteve”, thotë Sejdiu.
Sipas tij, një vendim i tillë i pamenduar vjen nga një ministre në dorëheqje, e cila gjithçka po e krijon vetëm me qëllim të fushatës zgjedhore politike. Ai ka përmendur si shembull Ferizajn, një qytet ky me një numër të madh përpunuesish ushqimorë, të cilët me arritjen e kësaj marrëveshjeje do të përballen edhe me konkurrencën turke, përkundër konkurrencës brenda vetë prodhuesve vendorë.
Efekte negative në buxhet
Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se me këtë marrëveshje Kosova është gati të bëjë gabimin e njëjtë sikur atë me CEFTA-n. Madje, sipas saj, pikërisht përfitimet e vogla që Kosova merr nga CEFTA e bëjnë të pafuqishme vetë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
“Kostoja e prodhimit të të gjitha produkteve që vijnë dhe shiten në Kosovë e që prodhohen jashtë është shumë më e ulët se sa që e kanë prodhuesit tanë. Nëse qindra produkte që vijnë nga Turqia lirohen nga taksat doganore atëherë kjo do të ketë efekte negative në afat të shkurtër në buxhetin e Kosovës dhe mandej duhet të shohim se qysh Qeveria e Kosovës ka planifikuar ta mbuloj këtë deficit”, pohon Bajrami.
Sipas saj, marrëveshja do të jetë hap i mirë për tërheqjen e investitorëve turq ndërsa shpreson që është bërë analizë nga ana e MTI-së rreth kësaj marrëveshjeje duke marrë parasysh periudhën 1-vjeçare gjatë së cilës është negociuar një proces i tillë.
“Në periudhë të shkurtër kohore nuk mund të shohë që do të ketë efekt pozitiv për prodhuesit tanë”, përfundon Bajrami.
Afrim Berisha nga kompania “Bylmeti” thotë se në kushte normale, prodhuesit e produkteve të qumështit nuk do të duhej të ndiheshin të rrezikuar nga implementimi i kësaj marrëveshjeje.
“Në rast se qeveria turke subvencionon prodhuesit turq, atëherë ata mund të na dëmtojnë dhe mund të krijojnë jostabilitet në konkurrencën vendore”, shton Berisha.
Ekonomistët alarmojnë
Muhamet Mustafa nga Instituti “Riinvest” thotë se si e tillë marrëveshja i barazon prodhimet turke me kushtet e njëjta prej të cilave blejmë në Serbi, Maqedoni apo Mal të Zi, kësisoj ato do t’i bëjnë më shumë konkurrencë prodhimeve serbe e maqedonase.
“Sa i përket interesit të Kosovës, ne e humbim një 10 % në buxhet, mirëpo Kosova me këtë kuantum të 1 milion e 400 mijë eurove me prodhimet që i kemi blerë prej Turqisë efekti do të jetë 10 milionë në buxhet. Të them të drejtën këtë marrëveshje do ta shihja si neutrale, nuk është ndonjë problem sepse ne edhe ashtu jemi duke i blerë këto produkte prej Serbisë dhe prej vendeve tjera, kështu që turqit tani forcohen kryesisht ndaj Serbisë. Natyrisht që edhe prodhuesit tanë do të kenë probleme, prandaj duhet shikuar se ku mund të ketë ndikim negativ kjo marrëveshje dhe duhet t’i mbrojmë ata”, thotë Mustafa.
Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë për “Zëri” se efekti i kësaj marrëveshjeje ndikohet nga pozita e Kosovës, si vend që nuk ka as ofertë të begatshme për tregun ndërkombëtar e as fuqi konkurruese në të.
“Është absurde të thuhet se me MTL-të po humbet buxheti i Kosovës! Kjo qasje është krejtësisht në dëm të konsumatorëve, meqenëse duke mbrojtur buxhetin e shtetit, atëherë insistohet që mallrat e importuara gjithsesi të ngarkohen me taksë doganore”, thotë Rexhepi.
Sipas tij, nëse flitet për ekonomi të mbyllur atëherë MTL-të janë të dëmshme dhe nuk lejojnë zhvillimin e shëndoshë të konkurrencës, ndërsa në rastet e zgjerimit të tregut, ato luajnë rol të domosdoshëm sepse eliminojnë barrierat doganore mes shteteve.
“Kur është në pyetje Turqia, atëherë pas arritjes së MTL-së konsumatorit duhet t'i mbesin së paku 20 milionë euro (10 përqindëshi i importit vjetor). Kjo ndodhë me kusht që mos të ketë manipulime me çmim prej doganës e deri te konsumatori. Por, për fat të keq, në mungesë të konkurrencës, kulturës afariste dhe të kontrollit shtetëror, ky fitim ka rrezik t'ju mbetet tregtarëve”, pohon Rexhepi.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Turqinë garanton mbrojtjen deri në 10 vite të sektorëve të ndjeshëm prodhues në Kosovë nga heqja e doganave për produktet me origjinë nga Turqia.
“Ne sot po nënshkruajmë Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë e cila do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe Turqisë. Kjo është edhe një tregues që marrëdhëniet ekonomike në mes vendeve tona po forcohen për çdo ditë edhe më shumë”, pati thënë ministri i ekonomisë së Turqisë, z. Caglayan, ditën që u nënshkrua marrëveshja.
Grafik:
200 milionë euro në vit importi nga Turqia në Kosovë
8 milionë euro eksporti i Kosovës në Turqi
Turqia është eksportuesi i katërt më i madh në Kosovë, pas Serbisë, Italisë dhe Gjermanisë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK)
10.8 miliardë dollarë është eksporti vjetor i mallrave të Turqisë në vendet e Ballkanit, sipas statistikave shtetërore të Turqisë. Eksporti përfshin këto vende: Greqinë, Rumaninë, Bullgarinë, Shqipërinë, Kroacinë, Bosnjën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.
1987-n për herë të parë Turqia ka bërë përpjekje që të bëhet pjesë e familjes së Bashkimit Evropian, tash sa vjet kërkesa e saj refuzohet.
80 kompani turke tashmë janë duke operuar në Shqipëri
3 kompani të mëdha turke kanë ndërtuar autostradën 445 km, Serbi – Mal të Zi
Turqia është ekonomia e 17-të më e madhe në botë
Aeroporti
Ndërkombëtar i Prishtinës dhe Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me
Energji Elektrike (KEDS) janë blerë dhe i janë dhënë me koncesion kompanisë së
njëjtë turke - LIMAK.