| E hene, 30.09.2013, 07:42 PM |
KURRË MË NË TROJË
SKËNDER BUÇPAPAJ
KORBAT QË LASHË
ATJE, KORBAT QË GJETA KËTU
Korbat që lashë
atje
Sykuqtë
Na krroknin
Drejt në sy
Korbat që lashë
atje janë sykuq
Ngaqë rrinë duke
ndukur stërvina
Korbave që lashë
atje iu lëshojnë lëng sqepat
Për sytë e njerëzve
Korbat që gjeta
këtu janë sykthjellët
Ata të shikojnë
sy për sy
Dhe ta lëshojnë
krrokun
Drejt e në vesh
Korbat që lashë
atje janë të përlyer
Glasash të veta
Korbat që gjeta
këtu e lëshojnë glasën atje ku duhet
Pa bërë kurrë
pis kalimtarët e pispillosur
Veturat me
dizajne marramendëse
Parkuar poshtë
pemëve
Korbat që lashë
atje janë të stërkequr
Të palarë, të
pangrënë, të pagjumë
Korbat që gjeta
këtu janë digitalë
Si të dizajnuar
në mënyrë kompjuterike
Secili ka faqen
e tij në internet
Ndonëse si
korbat që lashë atje
Edhe këta nuk
janë gjenetikisht të ndryshuar
Si të jetë vendi
bëhet kuvendi
Pra
Korbat që lashë
atje
I gjeta këtu?
Korba lashë
atje,
Korba gjeta
këtu.
PLEPAT
Te dritarja e
dhomës sime të mësuesit në Ibër-Hasaj të Gashit
Plepat nuk rrinë
thjeshtë për të fshirë yjet në prag të agimit
Ata qëndrojnë
aty për të thënë
Aty po fle
Skënder Buçpapaj
Prandaj mbani aq
qetësi e aq zhurmë
Sa duhet për një
gjumë të mirë.
Plepat ndanë
Valbonës
Si matës të
nivelit të kaltërsisë së lumit
Nuk rrinin
gjithmonë për të treguar
Se gjithmonë
lumi i kaltër do të kalojë aty
Poshtë Urës së
Bujanit
Ata rrinin aty
për të treguar
Se nëpër të
përthimë të ditës së re
Këtu do të
kalojë mësuesi i fshatit dhe poeti i Alpeve Skënder Buçpapaj
Plepat rrinë
pranë brigjeve, urave, lumenjve
Dregëzohen,
lëmohen, gjethohen, zhgjethohen
Gjysmëdrejtëza
të hequr nga toka drejt pafundësisë
Për të treguar
se nga pafundësia
Pasi të ketë
lënë në pritje të gjithë plepat e botës
Do të rikthehet
përsëri te plepat e vet
Skaj dritares së
mësuesit në Ibër-Hasaj të Gashit,
Skaj lumit aty
ku merr udhë për nën Urën e Bujanit
Gjithandej
brigjeve, urave, lumenjve.
NDAL SOKOL FALU
ME MUA
Shpendi
Sogjetar
Mbi prenë e vet
Përgjon nga hapësira
Plakat
Në dyer të
tabaneve
Në Lug të
Vrellës
Tellën e
Pranverës
Balçinë të
Luzhës
Lugun e Vocit
Gjarpër
Tëbanët e Hetës
Të baraslarguara
Nga shpendi
sogjetar
Besojnë
Se një ditë
tjetër të lume
Do t’u falë
Shpendi
fatsjellës
Rrudhat e tyre
Apokaliptike
Palojnë flatrat
Si shpend të
butë
Në fytyrat
shekullore
Ato bien erë
tambël vedrash
Njëqind vite
larg
Deri këtu në
fund të botës.
POEMA E TPLANIT
Tplani
Prej Moknit në
Arvejë
Prej Ballfushës
në Kryekand
Është metropoli
botëror
I bretkosave.
I kam merak
Se ato, në
miliarda,
Mos më mardhin
Në gjumin e tyre
letargjik
Nën akull.
Pa muzikën e
tyre
Nuk vë gjumë në
sy
As këtu midis
Alpeve të Evropës.
Druaj se mos më
mardhin
Rrëshqanorët e
bokave
Zhguallorët dhe
jozhguallorët
Ata flenë çdo
vit nga gjashtë muaj
Duke mos e ditur
Sa i kushton
botës së çmendur
Ky gjumë i
pafajshëm i tyre.
Druaj se më
mardh
Fauna me gëzof
në karma,
Prapshtia,
shullëre
Druaj se mos më
mardhin në shtëpitë e ftohta
Shkretanët,
mbrapshtanët,
Gubanët,
qurranët,
Zhelanët,
breshkanët,
Gjenialët e
Tplanit.
MOJ E MIRA NË
ORTEK TË BORËS
Ajo ishte midis
diellit
Dhe ortekut të
borës
E bardha.
Dielli ishte
midis
Së bardhës
Dhe ortekut të
borës.
Orteku i borës
Ishte midis
Diellit
Dhe së bardhës.
Flokëbardhën
Sybardhë
Qerpik-bardhë
As me sy
As me të prekur
Por vetëm se
kundërmonte zanë mali
E dallova
E bardha
Tamël deleje
Mjelë në ortek
të borës
Isha i zanuari i
zanës
O.
DRENUSHAT
Ato janë nisur
nga natyra për florë
E kanë dalë
faunë.
Drenushat dalin
Nga errësira e
pyllit
Në dritën e
lirishtës
Për ta parë
veten
Në pasqyrat e
pafundme
Të pikave të
vesës
Drenushat
frikësohen nga bukuria e tyre
Më shumë se nga
egërsia e bishave
Vrapojnë nga
drita e lirishtës
Për në errësirën
e pyllit
Që ta fshehin
bukurinë e tyre
Në pikat e vesës
Ka mbetur pamja
e drenushave
Fërfëllojnë
drenushat
Dhe dridhet
pylli
Prej meje pse
ikin drenushat
Unë kam dalë të
shfletoj errësirën e pyllit
Dritën e
lirishtave
Për të
koleksionuar
Lotët e
drenushave
Sepse drenushat
janë
Më shumë florë
se faunë.
RETË
Retë e bardha
Do të qajnë për
mua
Me lotët e
drenushave
Bjeshkët do të
dënesin
Me ofshamat e
pishnajave.
EMIGRANTI
Dalëngadalë
Dalëngadalë
Gjithnjë e më
shumë
Emigranti e
ndjen
Se kufijtë e
Atdheut
Ngushtohen
Ngushtohen
Jo më larg
Se lëkura e
trupit
Në të cilën
Emigranti rron.
EKZOTIKAT E
BARDHA
Ekzotikat e
verdha
Ekzotikat e zeza
Kanë hedhur
rrënjë
Në anët tona
Kanë pushtuar
Shtretërit e
burrave
Tashmë vendin e
tyre e kanë zënë
Ekzotikat e
bardha.
Dikur të hyje në
orbitat e tyre
Ishte si të hyje
në oribitat e orteqeve
Të linin pa
frymë
Cung në rrah.
Çdo Saharë
Me një frymë
E bleronin.
Tash ato janë
ekzotika të bardha
Janë hëna dite
Asnjëherë
njëlloj
Herë të plota e
herë fragmente
Gjithnjë e më
shumë
Dekore të
panevojshme
Tani ato
Janë Antarktida
Mardh deri në
shndërrim në mermer
Planeti
Burrat e në
shtretërit e tyre
Janë të rrallë
Sa eklipset e
diellit
Ato mbushin
faqet e rubrikave
Ku kërkohen
partnerë shtrati
Të fshehura nën
shifra, kode, pseudonime
EVOKIM
Sapo ka shtyrë
tutje lëvozhgën nga ka dalë
Zogu i vogël ka
vënë në sy një gjethe të sapoçelur ahu
Vë re se si
ujëvarat e Valbonës
Krye Rrogamit të
Shalës
Shpërbëhen në
shpendni
Të pafundme
ylberesh
E ëma
Ia jep një
gjethe ahu në sqep
Ta ketë
baraspeshë
Për fluturimin e
parë.
Në sfond të
linjave të tensionit të lartë
Në sfond të
teleferikut të minierës
Nga oborri i një
shtëpie
Vjen aroma e një
buke të valë
Të sapodalë nga
çerepi
Zogu mbush
kraharorin
Me aromën e
bukës
Në prag të
fluturimit të parë
PYLLI NUK DURON
PRISHJE QETËSIE
Pylli duron
vetëm fëshfërimën e gjetheve të tij
Dhe shushurimën
e lumit që i kalon pranë.
Kacafytjet midis
të fortëve e të dobëtëve
Çarjet e pishave
nga rrufetë
Rrëzimi i bredhave
nga bora
Janë vetëm
përjashtime nga rregulli.
Pasi është
ngopur me prenë e vet
Gjithkush
lëpihet, vetëkënaqet dhe fle
Në folenë e vet,
apo shtrofullën e vet
Nëpër degë,
zgurliqe, shpella, tunele nëntokësore
Dhe pylli e merr
përsëri në dorë situatën.
DETET, OQEANET
KANË FRIKË SE MOS SHKON LUMI T’I PËRPIJË
Detet
Oqeanet
Për më tepër
oqeanet
Kanë frikë
Se mos shkon
lumi
T’i përpijë.
Lumi lind
Në trajtën e një
pike vese
Që rrëzohet nga
një fije bari
Iu shpëton
zogjve e insekteve
Që mund ta
shuanin etjen me të.
Përfund
brushtullave
Përfund zalleve
Lumi merr vrull
të çajë shkëmbinjtë
Të arrijë detet
dhe oqeanet
Detet
Oqeanet
Tranohen
Tremben
Vërtiten në
qiell nga frika
Tmerrohen
Ç’trimërohen
Ikin nga brigjet
Rikthehen në
brigje
QENTË E KËTYRE
ANËVE
Qentë e këtyre
anëve
E njohin të
zonjën
Por nuk e njohin
vetveten
Gjithnjë e më
asocialë
Ata bëhen
Kur shohin veten
të pasqyruar
Pranë zonjave të
tyre
Gjithnjë e më
xhelozë
Kur e shohin
veten
Në foto shtrati
Me zonjat e
tyre.
KUJTESA E LUMIT
Lumit i janë
dashur shekuj
Për të
skulpturuar
Këta zambakë në
gurë
Në lartësitë e
shkrepave.
Duke gërryer
thellë e më thellë luginës
Lumi i është
përmbajtur gjithnjë filozofisë
Se lumi nuk e
harron shtratin e tij
Por tashmë është
tepër vonë
Në skulpturat e
lumit
Tashmë sfilon
era
Bën pirueta era.
PËRKUFIZIM
Nëse harresa
Është proces i
domosdoshëm e kujtesës
Atëherë nata
Është proces
I domosdoshëm
I ditës
Me gjuhën e
Borhesit
Është i njëjti
lumë
Që turbullohet
Për t’u
kthjelluar.
ASTRONAUTËT
Të shikosh botën
Nga maja e
qiellit
Është pak a
shumë
Ta shikosh botën
Nga maja e lisit
Nga maja e
kodrës
Nga maja e malit
Njeriu shkon më
larg
Për të vështruar
më gjerë botën
Që ashtu të
depërtojë
Më thellë botës.
STINË DASMASH NË
BERISHË
Prej Berajve
Në Mash dhe në
Rushtë
Është stinë
dasmash
Në Berishë.
Trungjet e
mollëve
Mezi i mbajnë
skelat pa u shqyer
Degët e mollëve
Mezi i mbajnë
furkëzat pa u thyer.
Si çdo vit
Pemë pa masë ka
falë Zoti.
Nga shtëpitë
prej druri
Fshehur mes
pyllit të pemëve
Në këtë stinë
dasmash
Si farat e
mollës në frut
Ndihen vekët e
çikave
Që bëjnë pajën e
nusërisë.
Sekush nga
dhëndurët
Dallon zemrën e
Nafijes së vet
Nga ritmet e
vekëve.
Nga tunelet e
pemëtoreve
Dalin një nga
një taksitë e nuseve
Me ojme të
bardha rrethuar
E flamur të kuq
valvitur
Nëpër ajrin e
dehur prej erës së mollëve.
Është ujë çikash
Thonë pleqtë.
PSE TË MOS
Pse të mos ishte
qielli
Një perde e
lëshuar
Deri në konturet
e tokës.
Pas saj ne të
zhdukeshim
Sapo t’iu
sillnim mërzitje
Spektatorëve
tanë.
Dhe të
rishfaqeshim
Vetëm e vetëm
Me kërkesën
Padurueshëm
ngulmuese
Të spektatorëve
tanë.
KOHA E TRIMËRISË
SË LEPUJVE
Koha e trimërisë
së lepujve vjen kur dimri është në pikën e Marazit të Madh, kur bora shkon deri
në krevetët e shtëpive deri në çatitë e plemeve mbi çarranikët e bulmetit
koshat e drithit bunarët kur në fytyrë të tokës sundon e bardha absolute kur
natyra është nën uniformën e kristaleve të borës deri tw sytë dhe qerpikët e
saj kur hëna e plotë pingul në kupë të qiellit nuk lejon asnjë trup të natyrës
të lëshojë hije kur zogjtë fshihen në puplat e tyre kur qentë bëhen kutullaç në
koliba kur frymët e njerëzve vënë një gisht akull në xhama kur edhe ëndrrat
kanë frikë të gjejnë gjumin e njerëzve në shtëpia e të gjësë së gjallë në ahure
e pleme kur egërsirat struken në gëzofët e tyre nëpër strofulla kur era nuk
guxon të prishë paktin e heshtjes dhe hapësira nën hënën llamburitëse po të të
shpëtojë nga dora thërrmohet në thërrmoja e spirra të pafundme e të binte në
borën llamburitëse atëherë vjen koha e trimërisë së çartur të lepujve të cilët
në kohë jo trimërie kanë frikë edhe nga hija e tyre ata dalin nëpër cipën e
hollë të krijuar sipër borës së ngrirë dhe mësyjnë pemët e reja në oborre nëpër
pemëtore në grupe në çifte në tufa dhe fillojnë e brejnë lëvoret e njoma të
fidanëve brejnë filizat njëvjeçarë të pemëve pastaj i lëshojnë në mënyrë
sfidante kakërdhitë në rrëhe të oborreve në pragje të shtëpive mbi çati të
plemeve kur dielli ia merr hënës kur hëna nis të lëbardhet si sy me shkëlli si
sy me katarakt lepujt trima rikthehen në strofullat e tyre dhe ia këpusin
kokrrës së gjumit të ngopur me lëvore të njoma pemësh dhe të ngopur me
kënaqësinë e sfidës që ua kanë bërë njerëzve koha trimërisë së lepujve është
koha e trimërisë së vdekur është koha kur pulsi i gjallë i trimërive nuk ndihet
kurrkund në fytyrë të tokës. Atëherë lepujt haçkabanët e kohëve të tjera gjejnë
kohën për të bërë sfidë ndaj gjithë trimërive zulmave bëmave të të tjerëve a po
je trim kur trimërohen lepujt lind pyetja në shtëpitë e lyera me porcelan bore
pranë vatrave, ku shpuza është bërë kallkan, ku gacat janë bërë thëngjij të
frikshëm njerëzit hapin portat dhe shikojnë pemët e lëvoruara pemët që në
pranverë nuk do të kenë më as gjethe, as lule as fruta dhe i mallkojnë lepujt,
të cilëve atje në kokërr të gjumit iu bëhen shëndet mallkimet e dala prej së
kopurit së plasuri të zemrave. Njerëzit mbyllin dyert dhe ngjeshën pranë njëri
tjetrit, duke e ditur se nata e mbrëmshme ia lënë vendin natës së sotme dhe ata
nuk mund të bëjnë asgjë për të ndalur trimërinë e lepujve të cilët në pikë të
natës prapë do të fshijnë sytë në kulm të kënaqjes dhe do të vërshojnë drejt
pemëtoreve e do të brejnë lëvoret që kanë mbetur e do të hidhen, duke ua lënë
njerëzve për të nesërmen gjurmët përpikmërisht të çapërpikura simetrikisht të
asimetruara mbi cipën e borës mbi cipën vajzërore të paprekshmërisë së borës
dhe kakërdhitë në pragjet e shtëpive nën strehët në rrëhet në lëmenjtë ky është
kijameti i kohës koha e kijametit e trimërisë së tërbuar të lepujve O Zot
POEZI KU TË
GJITHË EMRAT, MBIEMRAT, FOLJET, PËREMRAT, NYJAT KËRKOHEN NË SHUMËS
Ashtu
Ne i zhdukëm të
gjitha faunat
D.m.th
Faunat e pyjeve,
faunat e ujërave,
Faunat
katërkëmbëshe, rrëshqanorët,
Fluturuesit,
notuesit, amfibët,
Mishngrënësit,
barngrënësit
Ne
Ato
I zhdukëm.
Atëherë
Lindën
pikëpyetjet
Me cilët do t’i
zëvendësonim faunat
Pasi natyrat nuk
mund të mbijetojnë
Pa ekuilibret
natyrore
Natyrisht
Ne do t’i
zëvendësonim faunat.
Nëpër ndërrime
të kohëve
S’ishte çudi
Na hipnin në
kokat instinktet
Për të ulëritur
Për të çarë
stërvinat kënetave
Sytë na
skuqeshin
Si të qenve, si
të ujqërve
Nëpërmjet qafave
Kokat bashkë me
vrimat e tyre
Na tërhiqeshin
brenda zgoreve
Si të breshkave.
Na hipnin në
koka dëshirat
Për të pasur
pyje
Ku të fshiheshim
Dhe t’ua jepnim
ulërimave
Me të gjitha
barqet e të gjithë kraharorët
Gjer në kupat e
qiejve
Meqë nuk kishim
pyje
Zhyteshim në
moçalet
Dhe herë pas
here dilnim
Krejt të verdhë
Prej lëmashqeve
të qelbura.
E SHITUARA E
NATËS
Nga terri pus
Ra një ujk dhe
çukërmimi
Në torishtën e
deleve.
Jo ulërima e
sharovit
Krisma e thatë e
pushkës së bariut
E trembi ujkun
Dhe ai la vetëm
duhamën e fytit
Dhe gacat e syve
të ballit
Në sytë e një
deleje
Të bardhë si
qumështi.
Përkrye gardhit
Turr mbas ujkut
Shtegut pa shteg
Ngarendi delja
As pyll as terr
Nuk i panë sytë
Veç atij ujku
Që ikte më
shpejt se plumbi
I hutës së
bariut.
As frymë në
shpirt
As të pame në
sytë
Veç atë duhamë
të fytit
Ato gaca të syve
të ujkut
I kishin mbetur
në botë asaj deleje.
Në fund të
territ pus
Atje ku
shkrepnin pyjet në dritë qumështi
Atje ku
shuheshin në ditë yjet
Dhe humnerat
rrafshiteshin nga mjegullat shterrzane
Shtangu atë ditë
e sot delja
Dhe asgjë tjetër
s’dëgjohet më
Veç trokitja e
zemrës së saj
Në kraharor të
ujkut
Që e përpiu
veten.
LINDJA E HËNËS NË PYLL
Sa shkrepi nata
Nën futën e saj
zi të reve
Unë kisha rrugë
për larg
Në çdo hap
merrja në thua në vetëtimat
Bubullimat më
shkonin përpjetë shtatit
Pylli si foshnjë
e lebetitur
Më dridhej para
syve
Mbaruan retë së
shtrydhuri
Sipër fletëve të
pyllit
Në horizontin si
një pikë loti
Pylli lindi
hënën e vet të përnatshme
Një erë te vona
në mua
E shkundi shiun
e fletëve të pyllit
Fauna gjitarë e
shkundi në mua gëzofin duke ikur në jerm
Shpendët nëpër
gjumë e shkundën në mua shiun e flatrave
Deri lakuriqët,
minjtë dhe urithët
Rrëshqanorët i
shkundën korracat
Në mua e
shkundën shiun e natës.
Unë isha i vetmi
që e pashë
Lindjen e hënës
në pyll.
Ishte një natë
gjumërëndë.
Asnjë shpirt
faune
Asnjë dritare
shtëpie
Nuk çeli sy për
të parë
Ritualin e
përnatshëm
Të lindjes së
hënës në pyll
Unë isha i vetmi
poet
Që dëshmoja
lindjen e hënës
Unë kisha rrugë
për larg në pyll
Futën e natës
kisha në trup veshur.
PA
Dasmat bëjini pa
mua
Unë kurrë s’kam
qenë
Dasmori juaj kam
qenë
Kam qenë
udhëtari që më ka zënë udha
Në dasmat tuaja.
Vdekjet bëjini
pa mua
Mos i vononi mbi
dhè
Ata që shkojnë
këso bote
Unë kurrë s’kam
qenë
Përmortësi juaj.
Kam qenë
Udhëtar që më ka
zënë udha
Në mortjet
tuaja.
Kam qenë udhëtar
që s’kam pasur prehje
Sipër tyre duke
shkuar
Kreshtat dhe
luginat
I kam bërë
lavra-lavra
Duke udhëtuar
Lavra lavra ma
kanë bërë ballin
Mendimet e
udhëve.
Askujt
Sytë nga dera
Të mos i mbeten
për mua.
MBI MALE
Jemi bimë
shpirti
E maleve
Kur shkojmë mbi
male
Lumenj na vijnë
Deri te qerpikët
Pyjet na zbresin
Deri te qerpikët
Pyjet
Janë qerpikët
tanë
Me gjelbërim të
Përjetshëm
Lumenjtë
Janë sytë tanë
Që mbajnë në
fund të tyre
Qiellin
SAGA E
KALLUKANXHËS
Në kohë të
Kallukanxhës
Mjegullat s’të
lënë të shohësh
As gishtin që të
futet në sy.
Nga rudinat
Ndihen vetëm
përçakët e barit
Që qajnë nëpër
erë.
Shpendët i
anulojnë fluturimet
Rrinë me flatrat
ngjitur pas trupit
Dhe kanë uri e
etje
Për qiellin që
kishin pasur
Bishat që i zë në
rrugë Kallukanxha
Nuk i gjejnë
kurrë shtrofullat e tyre.
Ne i marrim të
imtat dhe gjedhet
E i çojmë nëpër
ashta
Ku Kallukanxha
nuk arrin kurrë
Përmes gjetheve
hermetikisht të kapura dorë për dorë
Delet hanë
tërfojë rrotull drurëve
Lopët kampula të
ashtave
Ne kullotim
dritën
Që kullon e
kaltër
Mes kolonave të
drurëve
Pastaj vjen nata
Dhe ne e marrim
përdore veten
Dhe e çojmë në
atë pak dritë
Që ka mbetur në
një kajz pishe
Diku në fund të
shpirtit tonë.
ART NAIV
Herët në jetën
time
Para moshës së
shkollës
Para moshës së
librave
Para moshës së
artit racional
Duke luajtur me
mellë të zezë
Me mellë të
kaltër, me mellë të verdhë
Unë kam krijuar
njerëz prej melle
Mbrëmjeve e kam
ndërprerë lojën e i kam lënë skulpturat e mia vetëm.
Të nesërmeve nuk
i kam gjetur më skulpturat e mia.
Kam menduar
Se deri në
vazhdimin e lojës
Skulpturat janë
plasaritur nga vapa
Janë zhdukur nga
shiu
Pa dashur t’ia
di për fatin e krijesave të mia
Me të njëjtin
zell loje
Kam vazhduar
artin tim të skulpturës
Ua kam hequr me
duart e mia
Mellën e tepërt
ku ishin ndryrë
Krijesave të mia
Të cilat kanë
pësuar të njëjtin fat
Ndoshta në duart
e erës, të ujërave dhe të avujve.
Tevonave
Njerëz me
tiparet e skulpturave të mia
Ndoshta të
tërbuar nga harresa ime totale ndaj tyre
Shpesh e më
shpesh më janë vërsulur me hakmarrje
Ata kanë bërë
gjithçka
Që unë në një
pikë të caktuar të jetës sime
Të kujtohem për
krijesat e mia
Për tiparet e
papërfunduara
Për tiparet e
reduktuara
Për tiparet e
ekzagjeruara
Prej melle
Që i kishin
pasur ata
Kur s’kishin
qenë asgjë tjetër
Veçse skulpturat
e mia prej melle.
Pasi iu kanë
mbijetuar plasaritjeve prej vape
Pasi iu kanë
mbijetuar thërrmimeve prej ere
Pasi i kanë
mbijetuar shuarjes prej shiut
Njerëzit prej
melle
Kanë bërë
gjithfarë karrierash
Për të pasur një
ditë, një minutë, një sekondë të vetme
Fatin tim në
duart e tyre.
Por nëse fati im
s’ka rënë asnjëherë në duart e tyre
Ata së paku kanë
bërë që të kujtohem
Se ata janë të
njëjtit njerëz prej melle
Të cilët edhe
nëse s’kanë lënë të zezë pa e bërë në këtë botë
Nuk kanë
ndryshuar dot asgjë
Në asimetrinë e
pandreqshme
Të artit tim
naiv
Që i krijoi
Në atë moshën
time
Që përkon me
moshën e pafajshme
Të çdo njeriu në
botë.
I kisha lënë pa
tiparin e të menduarit
Hajt nesër kisha
menduar me vete.
UMBERTO EKOS
Njerëzimit me
një Zot të vetëm
Për shumë shekuj
Me të drejtë
I është ndaluar
E qeshura.
Sepse njerëzimi
Ende ka qenë
tepër i pa përkryer
I dobët
Për të
përballuar
Të qeshurën.
Përderisa ende
Shumëkush
E quan majmunin
njeri të përkryer
Vetëm pse e
zotëron të qeshurën.
Njeriun
E dallon nga
majmuni
E qara
Dhe jo e
qeshura.
Këtë e ka
harruar
Emri i
Trëndafilit.
AKAPELLO E
UJQËRVE TË FËMIJËRISË
SIME
Tani që s’ka më
as pyje as shqerra,
S’ka më as
ujqër-
Ndaj na duhet të
hallisemi me ujqërit e fëmijërisë sonë.
Trishtimin dhe
vetminë për herë të parë ata na e mësuan
Kur ulëronin a
kapello anës së maleve
Dhe gjithçka
poshtë këmbëve të tyre
Shndërrohej në
hon kumbues
Instrument
aerofon
Për zërin e tyre
Dhe hëna si
gjethe e plakur
Dridhej prej
thirrjes së tyre.
Bishat ulërinin
sa u mbante koka
Trishtoheshim ne
të vegjlit që pelenat na tereshin në gardh
Trishtoheshin
shqerrat në torishtat buzë arave
Dhe përrallat
për ujqër dhe qengja që u turbullojnë ujin ujqërve
Na tingëllonin
një absurd.
Tani që s’ka më
as pyje, aq shqerra,
S’ka më as
ujqër.
Dhe mua më vjen
keq për ata që lindën vonë
Dhe ëmbëlsinë e
muzikës e mësuan nga radiot, televizorët,
Nga orkestra me
instrumentistë, dirigjentë të shkolluar.
Më vjen keq-
Ata muzikën
s’kanë për ta shijuar kurrë.
Sepse ata s’e
kanë dëgjuar kurrë a kapellon e ujqërve
Që i shndërronte
në instrument ujërat, drurët dhe gurët.
Ata s’e kanë
provuar si ne
Të riprodhojnë
menjëherë pas dëgjimit
Javë e muaj e
vite nga shpirti
A kapellon e
ujqërve.
Ata që lindën
vonë
Pagjumësinë
ndoshta do ta mësojnë nga zënkat banale të prindërve
Ne pagjumësinë e
mësuam
Nga brenga pa
shpjegim
E a kapellos së
ujqërve të fëmijërisë sonë.
ALUSHANI,
BALUSHANI, KËMBKANJUSHA, QAFËQURANI DHE TË TJERËT
Alushani
kopilani bukë të thekur djathë prej stani sipër fotos
Së një nudoje ka
shtruar, han, pshurret e përjarget Alushani
Bën thërrime,
stërblak vendin por s’i mbledh me dorë virani
E shtrin gjuhën
sipër nudos, mbledh thërrimet edhe dromcat.
Jashtë bumbllon
e fryn murlani, dridhen pamjet e krejt botës
Bien muret si
bukëvale mbas mbarimit të luftë-ftohtës
Borë në degë,
akull në xham, bukë e thekur në shporet
Klaudia
Shiferin, Sharon Stonin i lëpin Lushi mbi gazetë.
Balushani më
poet, më kopuk dhe më alush se Alushani
Sipas ngjyrës që
gjatë seksit marrin zhaba me zhabanin
Tek përfenden,
tek përçiten, tek përcillen dhe përcallen,
Metaforat herë
të gjelbra, herë azure, herë të bruzta i vërdallen.
E mëlmen hori
kafjallin në shullë të Naomi Kempbellit,
Siç i thosh
gjyshja në përralla, me bukë hini e mish mini,
Dhe balluket
jele-jele si të mëzit të Eseninit
I tranohen midis
ballit, për pllejmejtse i pëlcet cipa e dellit.
Dimër, verë,
pranverë e vjeshtë ndërrohen, rihen, përtërihen prapa xhamit
Sipas ritmeve të
bretkut mbi bretkosën dhe të breshkës mbi breshkanin
Sipas ritmeve
khë e khë – e khë e khë të Zeqirit mbi Shkurtanin
Në moçalet
kolkoziane, në ligatat torfiane të Fundtplanit.
Këmbkanjusha pi
duhan, shkruan artikuj, kruan atë sendin,
Vithearushës,
thonë, balusha s’ia lë çarën kurrkund shtrigës,
Nuk lë sensacion
pa mbledhur në azhanset e Ilir Zhillës
Ua vërvit
rivaleve që në fushë të Balushanit ia zënë vendin.
Një kafshë bukë
mësyn, e merr vrik në gazetë të Alës,
Ja shikon gjuhën
e bukur si iu bie rreth viseve të Madonës
Gjuhë rozë, pak
e kaltër, e verenikur si e lopëve të Lorkës,
Këmbëkanjusha sy
për sy e tradhton Balën me Alën.
S’ka si Ala,
s’ka si Bala, s’ka si Zala, Tala, Mala,
As këndej, as
andej Murit të Berlinit, paj qe besa, s’i ka kush
O Alë he Alush,
o Balë he Balush, o Zalush, Talush, Malush,
Iu çon shëndete
Dull Lugati, iu bën të fala:
Demokracia
s’është vetëm ha e pi e rri e .i – e .i – ëhë,
Demokracia ka
fut-mbrapje, ka ndërskamca, ka skërbishta,
Këmbëkanjusha,
fund vetes ka dy bira, në formë V-je merr dy gishta,
Pikëçuditje
marrin tjerët (!), marrin të mjerët veç nga një.
Qafë-qurani
nëpër birën poshtë trupit e përdredh qafën si kulpër
E nxjerr kryet
prapë mbi supe për t’i thënë bota qafëshkurtër
S’i dëgjon
fjalët e popullit mjerë qafë-shkurtëri e lumë qafëgjati
Kozmopolit më
shumë se tjerët paska qenë ky krahthati.
Hajt i shkreti,
ka një zor, shtiret si me qenë verior
Lucatet e
lucitet, mbythet, karambythet e belbon
Qafë-quran, je
haçkaban, s’je Alushan as Balushan
Këmbkanjusha ty
të tha ik andej, ti more Tan.
Qafë-quran ti ke
veç zuzë, Këmbëkanjusha ka edhe fuzë,
Fytit të oxhakut
tullug fuza i nxjerr flakë e shpuzë,
Je qyqan,
vreman, shkulan, belban, shtremban, katran i zi,
Ta dish mirë,
tha Balushani, bën partia edhe pa ty.
ANTIBIBIBLIKE
Pasardhëset e
Evës
Janë bimë
hijedashëse.
E para e tyre
Përvojën e parë
e mori nga pema e mollës
E cila u vesh me
gjethe në pranverë.
Gjarpri apo
gjarpërushja
Kishte pjesën e
vet në hije sikurse vetë Eva
Por nuk kishte
pjesë
Në krimin
biblik.
PËRROI
Ai rend gjithnjë
drejt burimit të vet
Duke i ikur
lumit dhe detit.
Rërën e ka prej
syve të zogjve
Që u plasën
Nga mallkimi i
foleve.
Merret vesh me
Djallin për hesap të Zotit!
Vetëm ndonjëherë
Kur aty mbyten
kopila
Ai i bën përrua
lumin dhe detin.
Lëmashku u
mbetet brigjeve
Si gëzof
zhapinjsh.
Merret vesh me
Djallin për hir të Zotit!
GJARPËRI I
BOKAVE
Krojeve
U ka fluturuar
trupi
Dhe u ka mbetur
shpirti
Etjen time e
shuaj
Veç me helmin
tim
FAUNË TIRANASE
Gjoja metropoli,
keshe metropoli, kinse metropoli
Për të dalë prej
kënetës së origjinës së vet
Statujave të
lavdisë i varen bretkosat zhabat
Lëmashku i
qelbët i varet fasadave
Dikastereve,
tregtoreve, diskove
Duke dalë që
andej
Krokodilë me
dhëmbë të krimbur, krokodilë me dhëmbë të prishur
Kërkojnë
elektoratin e humbur kioskave
Krokodilëve iu
merret goja, krokodilë të shkretën
Nuk e thonë dot
fjalën kooperativë
Krokodilët natën
bëjnë derzhurn sipër piedestaleve boshe
Krokodilët ditën
i pëgërin piedestalet boshe
Krokodilët natën
nusërojnë sipër piedestaleve boshe
Krokodilët ditën
mallkojnë piedestalet boshe
Krokodilëve u
merret goja
Krokodilëve u
merret goja
Kur kërcënojnë
përmes dhëmbëve të gërryer
Krimbat kur
gjallërohen kur fërshëllejnë
Metropoli gjoja,
metropoli keshe, metropoli kinse
Bën t’i vidhet
kënetës së vet të origjinës
Në fund të
kënetës, në llum të kënetës
Ai ka ëndërruar
grataçela qerpiçi
Metropoli,
metropoli, metropoli,
Gjoja, keshe,
kinse
Zot bëje ëndërr
kënetën
Ndërsa këneta i
han vithet e rëna
Zot bëje ëndërr
kënetën.
Lapraka, Shkoza,
Brraka, Jalliasi
Imitojnë
Harlemin, Bronxin, Manahatanin
Ëndërrojnë
gjithsesi, gjithsesi kontinentin.
Bën të dalë e
s’del dot nga Gropa e Ajdinit
Gjoja, keshe,
kinse
Metropoli,
metropoli, metropoli.
Metropoli i bie
fyellit të vet vetëm në një vrimë
Ha në atë vrimë,
Pi në atë vrimë
Qet nevojën e
hollë dhe nevojën e trashë
Nëpër atë vrimë
Përjeton
orgazmën
Riprodhon
vetveten
Nëpër atë vrimë
Ashtu metropoli
i bie fyellit vetëm në një vrimë
Metropoli Ronxho
Metropoli Bonxho
Metropoli Ronxho
Bonxho
Acidi klorhidrik
Kundërmon në
fasadat e ndërtesave
Të firmave, të
selive të partive,
Redaksive të
gazetave
Nga mëngët e
kamishave, të pantallonave
Të deputetëve,
ministrave.
Me sytë e
zgurdulluar
Njëra palë ia
lëpin tjetrës
Acidin
klorhidrik
Pastaj kthehen
Dhe lëpijnë
vetveten
Deri në
amortizim të skajm
Minjtë ndërzehen
me macet
Macet ndërzehen
me qentë
Qentë e rrugëve
Me qentë elitarë
të vilave
Strebat e
djathit me strebat e qumështit
Ndërzehen të
majtët
Me të djathtët
Ish të
burgosurit dhe të përndjekurit
Me
ish-burgosësit dhe ish-përndjekësit
Pozitarët me
opozitarët
Shkrimtarët
realsocë me postrealsocët
Lypsarët me
milionierët
Fondamentalistët
me liberalët
Orientalët me
oskidentalët
Ballistët me
komunistët
Avionët
supersonikë me zisët dhe me zilet e moçëm
Bensat me
xinfutë
Karrocat me
fiatet
Minipantollonat
me maksifundet
Minifundet me
maksipantollonat
Të kultivuarit
me të pakultivuarit
Kryqat orientalë
me kryqat perëndimorë
Metropoli bie
Erë mbathje të
palara
Bie erë qyteti
konviktorësh
Provinicialesh
të shputuara
Njëzet herë në
ditë
Për të
grumbulluar shumën
E bursës mujore.
Fosfori i syve
të maceve
Bie në acidin
klorhidrik
Të rënë nga
vegët
E bushtrave.
Ti ishe i vetmi
kinsemetropol ateist në botë
Megjithatë
Emrat e
objekteve të tua
Ishin tabu
Gjoja metropoli
Keshe metropoli
Kinse metropoli
Përpiqet t’i
nxjerrë veshët mes plehut
Të kapë tinguj
Bretkosash dhe
bretkësh
Të lashtësisë së
vet moçalore.
KURRË MË NË
TROJË
(Lekë Paridi)
Ju betohem si
dardan
Në nderin e Lekë
Paridit.
Kurrë më nuk do
të shkoj në Trojë
Sepse tok me
Helenën
Tashmë udhëtoj
kudo nëpër botë.
Atë ditë,
pikërisht atë ditë që unë do të shkoja në Trojë
U mblodh me
urgjencë, jashtë sesionit parlamenti trojan të vendoste
Që unë të mos
kthehem kurrë më në Trojë
Që mua të më
përzënë përfundimisht
Nga Troja
Për këtë kanë
votuar njëzëri
Deputetët trojanë
Pikthi dhe
Qokthi, Doku dhe Shtogu,
Poli Nord dhe
Poli Sud,
Lajthia dhe
Kajsia dhe Qershia,
Bjeshka dhe
Breshka, Oktapodi dhe Gaforja,
Iriqi, Besniku,
Shkrepi dhe Lisi.
Madje edhe vetë
Kali i Trojës.
Po atë ditë ata
kanë vendosur
T’iu sajojnë
helenëve një Helenë tjetër
Me të cilën të
ngrysë pleqërinë
Menelau i gjorë.
Ndërsa unë isha
në Smirnë tok me Helenën
Për t’i rrëfyer
Homerit ngjarjen e vërtetë
Mirëpo Homeri
parapëlqeu më mirë të gënjejë
Sesa të mos
pushojë kurrë sherri
Mes trojanëve
dhe grekëve.
Që atëherë unë
s’kam shkuar më në Trojë
Ndonëse së toku
me Helenën
Sipër airbusëve
kemi shkuar
Në Smirna, në
Kostadinopojë,
Në Atenë,
Spartë, Aleksandria,
Në Luksor,
Asean, Persi,
Në Moskë, Pekin.
Në botën e re
postkolumbiane
Nëpër Sheratonët
dhe Hiltonët
Por në Trojë…
Kurrë më s’kam
për të shkuar në Trojë,
Sepse atje
trojanët me rrasat e muranave nëpër kraharorë
Vazhdojnë të
pinë për fitoren me helenët
Në Iliri
Në Mesopotami
Në Indi
Në aeroporte
kemi parë
Bukuroshet
kolkolziane të Lindjes
Që shkonin t’i shkrinin
gjakun Perëndimit
Ku sapo kishte
mbaruar Lufta e Ftohtë
Ndërsa Helena e
sajuar prej trojanëve
Edhe në atë botë
Përdhunisht
vazhdon të bëjë dashuri
Me Menelaun.
Ju betohem për
këtë si dardan
Për nderin e
Lekë Paridit.
RRUGA NË PYLL
RRUGA QË KA
HUMBUR NË PYLL
RRUGA QË U KA
HUMBUR NJERËZVE NË PYLL
Është fshehur
Nën palat e
gjetheve të ahave
Nën myshqet e
trungjeve
Nën gëzofët e
arinjve
Është bërë
hermetike
Si ëndrrat e
letargjikëve
Është bërë e
pakapshme
Si jermi i
zogjve
Rruga në pyll
Ka humbur
Si fëmijët
Në lojën
symbyllazi
E pafajshme
Si fëmijët.
VALBONA DHE
ALPET
Nuk janë ujërat
e saj
Nga ato ujëra
Që marrin
trajtën
E enës së vet.
Valbona
Ua ka dhënë
trajtën që ka dashur
Këtyre Alpeve
Dhe Alpet
Janë ato ujëra
Që kanë marrë
Trajtën e enës
së vet
Valbonës.
MË PËLQEN TË
DËGJOJ HESHTJEN E PYLLIT
Më pëlqen të
dëgjoj heshtjen e pyllit
Të nënvizuar
prej lumit
Më pëlqen të
dëgjoj heshtjen e blertë të pyllit
Të nënvizuar
kaltër prej lumit
Më pëlqen të
dëgjoj heshtjen e zhurmshme të pyllit
Të nënvizuar
bujshëm prej lumit.
AH GJON I
GJERGJIT TË GJONIT
Ah Gjon
I Gjergjit të
Gjonit
Kulmit të detit
Kulmit të tokës
Qiellin
Rrashtës së
kokës
Dheun
Të plasur syve
Lotin
Të ngjeshur yjve
Njërrokësh
I rrokur rrufeje
Rrosh
Me ne je
Gjon pas Gjergji
e Gjergj pas Gjoni
ERA NË PYLL
Midis humusit
Myshqeve
Bie në letargji
Mjafton një
stekë pishe
T’i shpëtojë
ketrit
Që ajo të
zgjohet
Dhe pylli të
valëvitet
Si xhubletë në
qiell
MARATONË
Të parët
Arritën në breg
të lumit
Shelgjet.
Pas tyre në
rresht ishin mështeknat
Lajthitë,
panjat, ahët
Të fundmet
Mbetën pishat.
Ato i mbajti për
vete kaltërsia qiellore
Duke ua krehur
halat
Duke ua larë
trungjet
Me ajër të hollë
Të kthjellët.
Shelgjet panë në
pasqyrë të lumit
Pishat në gjirin
e qiellit
Sipër gurëve të
bardhë të bregut
Shelgjet
Shpërthyen në
lot.
FJALË TË GJETURA
NË FERRA
Fjalë të gjetura
në ferra
Kur ushkurët i
kishin hapur sipër
Dhe shpinën
Ia kishin kthyer
botës.
QYTETI PA POETË
Njerëzit
Në njëshkolona
milingonash
Ndjekin njëri
tjetrin
Duke i marrë erë
Sekush hedh
hapin
Në vendin bosh
që lë
Hapi i tjetrit
Në një ritual
Pa fillim dhe pa
fund