Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Muharrem Blakaj: Sa të paskan hije

| E hene, 30.09.2013, 07:14 PM |


SA TË PASKAN HIJE

Tregim

Nga Muharrem Blakaj

I hapa sytë e trembur. Agimi i purpurt vjeshtak sikur trokiti në derën e drunjtë e të mbyllur me shul duke shtendosur e çarë perden e zezë të natës që po arratisej. Vështrimin e mbërtheva mbi derën e shkallmuar nga goditjet e milicëve një javë më parë. Prapë, po me përsëriten skenat e tmerrit të atij mëngjesi fatal që e mbushi më zi, lot e tmerr shpirtin tim të trazuar... ajo fytyrë e vërejtur, ata sy që puliteshin me dhembshuri e që i bënin hije çehres së tij të vrarë nën flokët krela-krela, ato duar të zgjatura drejt prangave dhe... prangat... ah, ato pranga vezulluese që ti lidhën duart e njoma, që ti lidhën ditët e rinise... shpirtin e dëlirë dhe ëndrrën e dashurisë... Ah, loke... ku je tani o birë? A bëre gjumë sonte o i miri i nënës? A të lanë të flije katilët që u sulen si bisha të egra mbi trupin tënd të lidhur?

Në dhomën matanë u dëgjua një e kollitur dhe fill pas vaji i një foshnje. Po qanë mbesa ime, mendova kalimthi, po qanë, por jo si unë me lot, shpirt e zemër të zhuritur... i fshiva lotët dhe dola në oborr. Vështrimi me iku andej nga burgu, atje ku mbahej i mbyllur biri im... atje ku torturohen bijtë e kësaj toke... atje ku vritet lulja e rinisë, atje ku jeta nuk ka vlerë... atje, ku rritet trimëria, burrëria e nderi i virtytshëm i këtyre trojeve të vaditura me gjak ndër shekuj... atje, ku vite më parë e kishin mbyllur babanë tim të cilin kurrë nuk e pashë sepse e vranë, e zhdukën pa gjurmë. Kot e kërkuam... trupi i tij u tret, as varri nuk ju gjet.

Dielli, me rrezet e tij të purpurta stisi malet, shkëmbinjtë mbi katund dhe shtëpitë e përgjumura duke kthyer zhurmën e këndshme të gjallërisë. Oborri u mbush me qeshjet e harlisura të fëmijëve që sa ishin zgjuar nga gjumi. Në rrugë vërshuan tufa të rinjsh që tuboheshin për të lozur e kuvenduar... kurse unë, me lot në sy po vështroja dritaren e dhomës së birit tim, te heshtur, të mbyllur, pa shenja jete. Në çast, dëgjova një zë plot dhembshuri nga prapa krahëve: Mos qaj oj nënë, mos qaj... djali do të vij... Do të vij?, pyeta unë kureshtare. Si do të vij? Kurë?... Kush do ta sjell? Ata që e lidhën? Ata që e vr...a...në?... fjalën e fundit nuk desha ta thosha sepse me tremb, me tmerron, me ndjell kob, zi, vdekje...

Dita po thyhej ashtu siç thyhet zemra e nënës. Prangat vezulluese në duart e birit tim sikur po ma shtrëngonin shpirtin e vrarë kurse, gjallëria e ditës po venitej. Tutje tehu, andej nga kreshtat e Lugut të Madh sikur po dëgjohej një vaj nëne, një kuisje motre, një vajtim qyqeje... me vinin të shkapërderdhur zëra ngushëllues burrash...

E sollën, thirri dikush me zë të lartë.

Kë e sollën, pyeta me tepër vetën se sa të tjerët.

Kufomën, u përgjigj një zë i përhumbur.

Ndërkohë, pashë një turmë burrash që bartnin një arkivol.

Zemra mu tkurr, shpirti mu ligështua derisa u dëgjua gjëma e dhembjes dhe e tmerrit... kurse unë, sikur kisha frikë se po e zgjoja birin tim nga gjumi i rëndë i vdekjes, e thirra qetë, qetë... zgjohu o birë... zgjohu o trimi i nënës... ta paskan vrarë hijeshinë, ta paskan çart bukurinë, ta paskan këputë djalërinë... ta paskan shuar lulen e rinisë... sa të paska hije shtrati i dhëndërisë o birë... sa të paskan hije plagët e trimërisë!

Hinwil, vjeshtë 2012