| E enjte, 26.09.2013, 09:04 PM |
Me ose paqëllim gabove rëndë z. President Nishani!
("Jepi Çezarit çfarë i takon Çezarit!")
“Mund të them, se Imzot Kçira, është një burrë i madh e trim. Është një njeri i feshëm e i atdheshëm, pra fetar dhe atdhetar i madh. Imzot Kçira, me jetën dhe veprën e tij, e vazhdon traditën e hershme shqiptare të Pal Engjëllit, Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit, Gjeçovit, Imzot Nikë Prelës e shumë e shumë burrave të famshëm të kombit tonë. Ai është gjithnjë njeri i pajtimit dhe forcimit të besimit në Zotin. Ai është njeri i madh i kombit tonë. Ndihem krenar, që e kam mik dhe krah të fortë mbështetës në punët e Kosovës, vendit tonë të shtrenjtë.”
Dr. Ibrahim Rugova, President i Kosovës
“Njëri prej këtyre figurave, që ka dhënë më shumë për çeshtjen shqiptare,
sidomos gjatë luftës në Kosovë është dhe do të mbetët Don Anton Kçira, figurë e
njohur e diasporës, klerik dhe atdhetar, njeriu që diti të mbrojë shqiptarët
dhe të kontribuoje për ngritjen e frymës patriotike…
Dom Anton Kçira me urtësinë e një kleriku, por edhe të një mërgimtari që din se çfarë do të thotë largimi nga atdheu është orjentuar drejt nga vlerat. Me predikimin e tij paqësor dhe shpirtin human ai do të ngelet kultivuas i frymës afruese, tolerante dhe pluraliste në shoqërinë shqiptare.”
Elidon Pashaj, Dervishi i Teqës Bektashianë në Detroit
Nga Klajd
Kapinova
Janë këto fjalë
realiste dhe tepër domethënëse, që Presidenti i paharruar historik, Gandi i
Kosovës i pavdekshmi Dr. Ibrahim Rugova, i përsëriste shpesh në shenjë nderimi
e respekti të madh, që kishte për mikun e tij të idealeve të shenjta kombëtare,
klerikun e përsonalitetin e shquar të komunitetit shqiptaro-amerikanë, burrin e
madh të palodhur të popullit të vet në Amerikë e Kosovë: Të Përndershmin Dom
Anton Kçirën.
I Përndershmi Dom Anton Kçira, ruan si thesar të çmuar
vlerësimin maksimal të 120 kongresmenëve amerikanë, që kanë firmosur një Çertifikatë
Falënderimi, që u arshivua në
rekordin e Kongresit Amerikan. Kongresisti Gary Peters, ia dorëzoi
mirënjohjen Dom Antonit, ku, theksoi, se: “Ky
është një vlerësim, që i bëhet karrierës fetare dhe atdhetare meshtarit
shqiptar, që drejtoi për 22 vjet (Nëntor 1989-Qershor 2011) Kishën
Katolike Shqiptare të Shën Palit në
Detroit (MI), si një lider i palodhur, ndihmoj vijueshmërisht jo vetëm
besimtarët katolikë, por edhe muslimanë, duke i shërbyer paqës, e harmonisë
ndërfetare.”
Konsiderata të
larta kanë shprehur: Kardinal Adam Maida, Arqipeshkëv Metropolitan i Detroit-it
(Michigan), Rochester Hills Mayor Bryan K. Barnett, Ipeshkëvi i Kosovës, Imzot Nikë Prela, ish-Kryeministri i
Kosovës, Bujar Bukoshi, shkrimtari Pjetër Arbnori, ish i burgosur politike për
28 vjet dhe Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë, Arqipeshkëvi i Tivarit dhe Primat
i Serbisë Imzot Zef Gashi, Imzot Mark Sopi, Ipeshkëv i Kosovës, Ipeshkëvi
Ndihmës i Shkodrës shkrimtari Imzot Zef Simoni, Arqipeshkëvi i Metropolitan i
Shkodrës albanologu Imzot Frano Illia,
studiuesi At Daniel Gjeçaj
O.F.M., Presidentët e Shqipërisë: Dr. Sali
Berisha, Prof. Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu, Bamir Topi, shumë kryeministra të
Kosovës dhe Shqipërisë, senatori amerikan Tom Lantos, kongresistët amerikanë: Joseph
DioGuardi, Eliot Engel, Sue Kally, etj., Ekrem Bardha Konsull Nderi i Shqipërisë,
Prof. Anton Qetta, Imam Muhamed Lipaj, Imam Isa Hoxha, Imam Vehbi Ismaili, Baba
Rexhebi, Anthony Athanas, Harry Bajraktari, shkrimtari Hasan Hasani, Dr. Mentor
Quku, Prof. Riza Sadiku, studiuesi Tomë Mrijaj, Prof. Nue Oroshi, Prof. Riza
Sadiku, heroi i demokracisë Azem Hajdari,
Prof. Prekë Gjetaj, gazetari Astrit Lulushi, gazetari Beqir Sina, poeti
Agim Shehu, Selim Hasani, etj., etj.
Kisha Katolike
Shqiptare e Shën Palit në Detroit, është më e madhja në botën shqiptare dhe një
muze i gjallë historik ose pasqyra e trojeve etnike shqiptare në miniaturë. Dom Antoni, u shërbeu shqiptarëve të Amerikës për disa dekada. Gjurmët
e punës së tij, gjenden në zhvillimet e jetës kulturore e fetare të shqiptarëve
në mërgim, duken qartë.
Kisha e Shën Palit në Roçester
Hills, e ndërtuar para 11 vitesh me nismën e Dom Antonit, mund të thuhet se
është vepra e tij.
Nën drejtimin e Dom Antonit,
besimtarët e Kishës së Shën Palit, kanë dhuruar qindra mijëra (mbi 1 milionë
dollarë ndihma), gjatë dhe pas luftës, për viktimat në Kosovë, përveç ndihmave
për rimëkëmbjen e kishave dhe fesë në Shqipëri, që dolën të shkatërruara nga
lufta e ftohtë.
“Gjurmë të veprimtarisë përkushtuese fetare e atdhetare të don Anton
Kçirës, janë gjithashtu përmendoret e Skënderbeut dhe Të Lumes Nënë Terezës, në
hyrje të oborrit të Kishës. Këto punime individuale të skulptorëve të njohur
Kreshnik Xhiku e Vasiljev Nini, me madhështinë dhe stilin e tyre, mbajnë gjallë
kujtesën historike shqiptare në dhe të huaj. Ato përçojnë vlerat e një kombi, veçanërisht,
kur tërheqin vemendjen e kalimtarit të panjohur, i cili, kur i sheh s’mund të
rrijë pa u interesuar e pyetur: “E kujt është kjo kishë? Nga cili vend janë
këta heronj?
Këto janë konkretizime të nismave largpamëse të don Anton Kçirës në
krye të Kishës. Janë gjurmët të ngurtësuara, që ai lë pas, ndërsa largohet për
t’u shlodhur.
Një drejtues mund t’i udheheqë të gjithë, por nuk mund t’i kenaqë të
gjithë. Edhe rruga e don Antonit në krye të Kishës, nuk ka qenë e shtruar. Para
pak vitesh ai u bë objekt kritikash nga disa pjestarë të komunitetit, “për disa
deklarata anti-shqiptare”, thonë ata. Don Antoni, vazhdimisht, është
përpjekur të sqarojë, se fjalët e tij janë shpërdorur, duke u nxjerrë
qëllimisht jashtë kontekstit.
Për shqiptarin, feja është pjesë e traditës. Don Antoni është njeri i
fesë. Dhe shqiptari gjithmonë e ka respektuar fenë e vet. Shpesh, ka respektuar
më shumë fenë e tjetrit. Nga ky këndvështrim, lind edhe toleranca. Don Antoni,
thotë se si shqiptar, ka respekt për fenë islame, dhe se fjalët e ashpra ai i
ka përdorur vetëm kundër terroristëve islamikë, me të cilët Amerika është në
luftë.”, vlerëson me reportazhin e tij gazetari i
Zërit të Amerikës Astrit Lulushi.
Dardania martire, vendlindja e
meshtarit Kçira, vjen një vlerëism tjetër, se: “Dom
Anton Kçira, as në Amerikë nuk qëndroi duarkryq, kur Kosova dhe populli i saj
kishin nevojë për sensibilizimin e çështjes. Ai u bë Ambasadori më i zëshëm,
për t’i hedhur dritë vuajtjeve dhe zgjedhës së popullit të tij. Nuk prajti për
asnjë çast, në shërbim të kauzës. Nuk la pa udhëhequr dhe marrë pjesë në
asnjërën demonstratë, që është organizuar, nëpër metropolet euro-atlantike. Nuk
la portë të kancelarive të Evropës e Amerikës pa depërtuar, për t’i hedhur
dritë të vërtetës shqiptare. Në shumë takime në Shtëpinë e Bardhë, me ish-Presidentin
e Amerikës, Bill Clintonin, në Vatikan me Atin e Shenjtë, Papa Gjon Palin II,
në Paris me Zhak Shirak, në Londër me Toni Blerin, në Bon me Shrwder e shumë e
shumë përfaqësues dhe zyra tjera diplomatike, me ndikim në Evropë e Amerikë,
don Anton Kçira, zbardhi çështjen shqiptare dhe kërkoi shpëtimin e këtij
populli nga ajo golgotë.”, shkruan prof. Prekë Gjetaj.
Kushdo
nga shqiptaro-amerikanët, që jeton dhe punon në Atdheun tonë të dytë, në
Shtetet e Bekuara të Amerikës, gëzohet kur institucionet fetare, kulturore,
patriotike, figurat e shquara të komunitetit tonë dje dhe sot, vlerësohen me
mirënjohje të thellë, përmes medaljeve simbolike, për punën dhe jetën e tyre,
në shërbim të komunitetit dhe trojeve etnike shqiptare.
Një
kënaqësi e natyrshme, vjen edhe këto ditë, kur mësuam, se Presidenti i
Shqipërisë z. Bujar Nishani, ndau medalje nderi, për institucionet fetare të
komunitetit shqiptaro-amerikanë në Detroit.
Por nga
ana e tjetër lind pyetja, se a kanë informacionin e duhur zyrat e Presidencës
së Shqipërisë e Dardanisë, kur ndajnë medalje nderi dhe vlerësimi të njëanshëm
dhe a janë shpesh subjektive në vlerësimet e tyre?!
Unë
mendoj, se figurat shtetërore apo stafet e tyre në Presidencë, nuk kanë ose nuk
duan të bëjnë shpesh vlerësime të merituara dhe ndodh gjithnjë nga
keqinformimi, shpejtësia, dhe dëshira, për të udhëtuar në Amerikë apo për të
qenë në qendër të mediave, fyejnë me “harresë”, tek anashkalojnë me ndërgjegje
koshiente personalitetet më aktivë, që vërtetë kanë shkrirë me pasion dhe
atdhedashuri të papërshkruar veprimtarinë e tyre atdhetare, në dobi të trojeve
etnike arbërore.
Një
rast i tillë, që po bën bujë, është shembulli i klerikut të nderuar dhe
respektuar në komunitetin shqiptar këtu në Amerikë, I Përndershmi Dom Anton Kçira.
Kështu
Presidentia aktuale e Dardanisë së lashtë, anashkaloi me qëllim vlerësimin e
kontributit të madh, që ka dhënë prej shumë dekadash në Kosovë dhe Amerikë (Ai shugurohet si meshtarë në Gjakovë, më 29 Qershor 1967,
në Kishën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit), kleriku i shquar patriot dhe aktivisti i
palodhur i komunitetit tonë, lideri shpirtëror i përvuajtur katolik në Detroit
I Përndershmi Dom Anton Kçira.
Arsyeja,
mbetet deri më sot pa shpiegim absurd, kur kjo mosmirënjohje i vjen pikërisht
prej vendlindjes së meshtarit Dom Anton Kçira, ku, përsëritet disa herë.
Presidentia e Dardanisë, nuk e di apo nuk do t’ia di me ndërgjegje të plotë, se
disa liderë fetarë, si: Mons. Dr. Zef Oroshi (1912-1989), Imam Isa Hoxha në New
York dhe I Përndershmi Dom Anton Kçira në Michigan, kanë qenë gjithnjë
në krye të demostratave, për lirinë fetare dhe rrëzimin e komunizmit në
Shqipëri e Dardani.
“Jehona
e veprimtarisë së don Anton Kçirës, bëri dritë si një yll mëngjesi, para
opinionit liridashës e demokratik ndërkombëtar, duke e treguar të vërtetën
autentike, që në atë kohë shqiptarët e përjetonin nga regjimi okupues serb.
Ta përkujtojmë organizimin e shumë demonstratave të tij, në shumë vende të
Amerikës; organizimin e demonstratave në Rambuje, fjalimin e tij të zjarrtë
para ish Presidentit amerikan, shpëtimtarit të Kosovës, Bill Clinton:
“Edhe
njëherë jam duke ju drejtuar Ju z. President, se prapë kemi ardhur para
Shtëpisë së Bardhë dhe Senatit Amerikan, para Shtëpisë, e cila ka kandarin e
drejtësisë.
Nuk e di, për të satën herë bashkohemi ne shqiptarët, jo vetëm këtu, por në
të gjitha qendrat botërore.
Zoti President, ju lutem Ju dhe Senatit të ShBA-ve, që çmoni dinjitetin
njerëzor, me vendosmëri më të madhe, të jepni kontributin Tuaj, duke e
përtërirë dinjitetin dhe të drejtat e njeriut në Atdheun tim”.
Prandaj, ndër shumë gurë, që janë hedhur në kalanë për lirinë dhe
demokracinë e Kosovës, janë edhe gurët e dom Anton Kçirës, të cilët ai i
konsideron si një borxh të vogël ndaj atdheut dhe popullit të tij.”, analizon me saktësi studiuesi Prof. Prenkë Gjetaj.
Klerikët
e sipërcituar, janë përkrahur dhe mbështetur nga laikë të komunitetit tonë prej
dekadash, duke punuar e luftuar pareshtuar, për ndërgjegjësimin e çështjes së Dardanisë, para
senatorëve, kongresistëve dhe miqve të shumtë amerikanë, në shtetin e
Michiganit dhe gjetkë.
Ky akt
i turpshëm e i përsëritur, mbetet të gjykohet nga ndërgjegja e munguar e
Presidentes të pakulturuar të Dardanisë, që në 125-vjetorin e Lidhjes së
Prizrenit (Qershor 2013), shpërndau (për 100 vite të marrë sëbashku) me lopata
dhe makina të ngarkuar plot dekorata dhe motivacione fallco, për një pjesë të
komunitetit tonë apo institucioneve fetare, duke lënë jashtë me paramendim
meshtarin tonë katolik, Të Përndershmin Dom Anton Kçira.
Kryetarja
e Dardanisë e ai i Shqipërisë, nuk kanë patur rast të shfletojnë periodikët e
përkoshme të shtypit këtu në Amerikë, për të mësuar zyrtarët e tyre, me fakte
dhe argumente historike meritat e secilit, që shpesh apriori i kanë dekoruar me
tituj të pamerituar dhe lënë më ndërgjegje në harresë përsonazhet e vërtetë të
komunitetit tonë. Këtu, ka me dhjetra revista, gazeta, libra foto nga
demostratat, gjatë dekatës së shekullit XX në New York dhe Washington D.C.,
para Shtëpisë së Bardhë etj., etj., që flasin, për kontributin e madhe të Dom
Anton Kçirës etj.
Shumë
mirë, që u dekorua Kisha e Shën Palit në Detroit, po meshtari, që shërbei për
22 vjet në këtë Qendër të Mirëfilltë Shqiptare Fetare dhe Atdhetare, i
Perndershmi Dom Anton Kçira, nuk e meritonte një vlerësim apo dekoratë të tillë…!!!???
Shfletoni
kujtesën historike të largët dhe të freskët të ditëve tona, se lehtësisht do të
shihni të vërtetën, ku, në çdo reportazh, foto, gazetë, revistë, libra me kujtime,
studime, biografi, tubime me fjalime atdhetare, fotografi të shumta, është
gjithkund i pranishëm dhe aktiv, kontributi i madh i meshtarit patriot Dom
Anton Kçira.
Meqe
Presidenti z. Nishani, si kalimtar apo turist i rastit, nuk i ka ditur këto
kontribute, që janë historia e pamohueshme e komunitetit tonë në Amerikë, ata
që e kanë “informuar” me s’mirëzi dhe xhelozi, e kanë keqinformuar e
keqinterpretuar me qëllim dinak biografinë e tij, një veprim tinzar dhe aspak
burrëror, për të mohuar atë mision jetësor, të spikatur fetar dhe patriotik, që
s’mund t’a mohoj e pagabueshmja nëna histori.
Dekoratën
e mirënjohjes, më të madhe plot zemër, me falënderime te vijueshme nga shpirti
i mirënjohjes Dom Antonit, ia kanë dhënë populli i Dardanisë dhe Shqipërisë,
sepse për t’a ka punuar dhe vepruar (vepron edhe sot, si bari i grigjes se
vet), sikurse shprehet shpesh, se “do t’i
shërbej popullit deri në pikën e fundit të gjakut”, pse kështu është betuar
si shqiptar i përkushtuar para Krishtit Zot e Njeri.
Bariun
tonë shembullorë, e kanë falënderuar fshatarët e Velipojës, të cilëve u ka
krijuar mundësi të kenë Shtepinë e Zotit, njerëzit e varfër të Shkodrës dhe
rrethinave, të cilëve u ka dhuruar ndihma në veshmbathje dhe ushqime, Motrat e
Misionit të Dashurisë të Të Lumës Nënë Tereza, në qytetin e Shkodrës, dëshmitar
i së cilit vazhdimisht, ka qenë edhe autori i këtij shkrimi modest.
Patrioti
dhe bariu i mirë i grigjës së vet, ka ndihmuar me strehime dhe ushqime, me
mijëra të shpëngulur dardanë, gjatë eksodit biblik drejt shtetit amë, për t’i
shpëtuar makinës ushtarake shfarosëse serbe, ku, unë kam qenë dëshmitarë, në
shumë qendra të sistemit të tyre, pranë Kishës Katolike, në qytetin e Shkodrës.
Fratin
tonë, sikurse e thërret me respekt komuniteti malësor shqiptarë në Michigan, mesë
shumti e kanë vlerësuar komuniteti muslimanë në Kosovë e Amerikë, sepse Dom
Antoni, ka qenë dhe mbetet lider i rëndesishëm i komunitetit shqiptaro-amerikanë
për një kohë të gjatë.
E
drejta vonon, por kurrsesi nuk harron!. Kështu i ndodhi edhe Pader Piu, që sot
është shpallur i Shenjt nga Kisha
Katolike Romane. Jeta dhe vepra e Tij,
është bërë e mirënjohur vonë, shumë vonë…, por më mirë vonë se kurrë!
Por, të
gjithë që jetojmë dhe punojmë prej shumë vitësh në Amerikë, e dijmë se pa
inisiativën dhe mbështetjen e pakufishme të këtij meshtari të përkushtuar, për
Fe e Atdhe në Detroit, qysh nga viti 1989 dhe deri më 2011, nuk do të ishin
bërë shumë mitingje, demostrata, grumbullime fondesh për çeshtjen shqiptare të Dardanisë,
ndihmen e pakursyer direkte për Shqipërinë, popullin e masakruar martir dardan
në vitin 1999, kur dihet, se ky klerik patriot, ka qenë "persona non grata", për ish
Jugosllavinë titiste asokohe, si i perndjekur, për t'a vrarë me gjithe
familje...
Për
atdhetarin e flaktë Dom Kçira, Elteri i
Krishtit, ka qenë edhe Elteri i Kombit Shqiptar, çeshtjes shqiptare
padallim feje, krahine dhe ideje.
Mosmirënjohja,
si dukuri e përditshme (për fat të keq), dihet se është një sëmundje ngjitëse
apo cilësi negative e marrë si virus nga koha barbare otomano-komuniste, të
cilën mjerisht e përqafuan shqiptarët apo pjesa më e dobët në karakter (si
telpërdredhur, servilë me shumë flamuj), e cila mbërriti edhe në Amerikë. Të
vjen keq, kur meson, se mosmirënjohja mbisundon si sëmundje tek disa shqiptarë
në Detroit.
Si ka
mundsi, të heshtet me turp, para një absurdi të Presidentit z. Nishani, ku,
askush se di, se kush ishte ai meshtar shpirtëror në Kishën e Shën Palit, i
cili, në harkun kohor të vitëve 1989-2011, deri në moshën 70 vjeçare i bashkoi e i udhehoqi si
një nënë e mirë, në ditët e vështira besimtarët halleshumë nga trojet e
ndryshme shqiptare.
E pra,
Dom Antoni, nuk ka nevoj për këto dekorata me “rekomandime”, sikurse
shpërndaheshin një herë e një kohë gjatë periudhës së diktaturës komuniste në
Shqipëri. Për fat të keq, po u jepen sot me zhurmë dhe dukje pa modesti, vetem
mureve apo objekteve jofrymorë, që nuk kanë ndërgjegje të kuptojnë apo të tregojnë,
se si u ndërtuan apo u mbajtën gjallë vatrat shqiptare, të mbushura me plot
besimtarë, në ambientet komode kombëtare në kishën me tradita tipike shqiptare.
Kësisoj
buron argumenti logjik, se historia e komunitetit katolik në Detroit, nuk mund
të kuptohet, pa meshtarët pararendës të Kishës së Shën Palit, si: Dom Prek Ndrevashaj,
Dom Prek Camaj dhe pasuesi i tij i zellshëm Dom Anton Kçira, që ka punuar dhe jetuar
mes komunitetit tonë, në ditët me halle të shumta të emigrantëve tanë në
Amerikë.
Klerikët
dhe më sëshumti I Përndershmi Dom Anton Kçira, janë përballë edhe
elementin antishqiptar dhe me komunistët e thekshëm (për fat të keq
bashkëatdhetarë), që kanë synuar t'a shkatërrojnë meshtarin dhe Kishën e Shën
Palit në Detroit.
Por
meshtari dhe besimtarët, dolën ngallënjyes, në saj edhe të kontributit të
drejtperdrejtë të Dom Anton Kçirës.
Sa ironike tingëllon
sot, mospërfillja ndaj Dom Antonit. Çfarë do të
thotë të nderosh me Urdhërin apo Medaljen e “Nderi i Kombit” apo “Gjergj
Kastrioti”, pikërisht Kishën dhe jo meshtarin në shërbim të këtij institucioni
shpirtëror dhe thellësisht kombëtar shqiptar Dom Anton Kçirën, i cili, ishte i pari që hyri në Shqipëri dhe
mbeshteti të ndjerin e përsekutuar gjatë rregjimit komunisto-ateist Dom Simon
Jubanin (1927-2011), për Ringjalljen e nevojshme dhe të domosdoshme të Kishës
Katolike dhe hierarkisë në shtetin amë!? Ai solli me vete 300 palë petka të
reja, të nevojshme, për të thenë meshën klerikët para popullit, të etur për
Fjalën e Zotit.
Pra, populli, pa meshtarin dhe meshtari pa
popullin besimtarë, nuk mund të kuptohen, sado inatçor që të jesh.
Ndërsa
Kisha Katolike z. President, të cilën nuk ia njihni historinë e lavdishme me
martirizime mbi 2000-vjeçare, është objekt kulti i krishterë, që drejtohet nga
meshtari, ku, ai ka shtëpinë e tij (qelën pranë Shtëpisë së Zotit), dhe mbahet
nga lëmosha dhe bujaria fisnike e popullit.
Z. President Nishani, gabuat rëndë, që e ndatë
me thikën ateisto-komuniste Kishën nga meshtari, mbasi Kisha, është
figurativisht nëna dhe babai i meshtarit, që gjithë jetën ia ka kushtuar Kishës
dhe Krishtit të Tij...
Por ty
të falet z. President, se nuk i përket besimit të krishterë! Por nga ana e
tjetër, nuk të lejohet të fyesh meshtarin me mosvlerësim tepër të merituar
denjësisht e për me keq t’a ndash dhe atë nga Shtëpia e Zotit dhe e tij.
A mund
të permenden veprat letrare me tharm të pastër atdhetarë, të poetit brilant
Fishtës, sikurse është: 'Lahuta e Malcis', pa cituar autorin dhe t'i japësh çmime e dekorata nderi asaj, pa
e vlerësuar e nderuar mendjen dhe dorën e begatë patriotike të poetit kombëtar
At Gjergj Fishtën O.F.M. (1870-1940).
Meshtari
i ri, sot në Kishën e Shën Palit, nuk do të ishte në atë vend apo fron
shpirtëror, nëse kjo Katedrale e Re (më e madhja në të gjithë botën shqiptare
në diasporë, që ndodhet si krenare në Rochester Hills, Detroit), po të mos
ishte ndertuar me kontributin e madh të malësorëve bujarë, të drejtuar me
urtësi, zgjuarësi, durim, vendosmëri dhe largpamësi atdhedashurie nga meshtari
i palodhur, i nderuar e respektuar I Përndershmi Dom Anton Kçira. Kisha e Shën Palit,
kurrësesi nuk mund të kuptohet pa Dom Antonin.
Ata
mosmirënjohës të meshtarit pararendës (sot në pesnsion), që i kanë sugjeruar Presidentit
të vleresohet Kisha e Re dhe jo meshtari i saj Dom Anton Kçira, nuk kanë bërë asgjë
tjetër, veçse kanë mohuar punën dhe djersën
e malësorëve, të derdhur sëbashku me meshtarin aktiv e të palodhur asokohe, në
themelet e Shtëpisë së Zotit.
Të mos
i dërgosh ftese për dekoratë, kjoftë kjo edhe suprizë tashmë, që ai ka dalur në
pension dhe për më keq, t'a anashkalosh meshtarin e palodhur të çështjes kombëtare, është njësoj
sikur të veprosh si diktatura komuniste në Shqipëri 1944-1990, ku, mohoi
kategorikisht apo përbalti sistematikisht dhe qëllimisht, gjithë kontributin e
shquar të dhënë ndër shekuj nga ana e klerit katolik shqiptar dhe të huaj, për
popullin dhe historinë, gjuhën dhe letërsinë, kulturën dhe traditën shqiptare.
Mosprania
e tij dhe mosvlerësimi me titull nderi (permes anashkalimit si fyerje) në atë
tubim aspak burrëror dhe mungesa e mirënjohjes nga shteti amë, për këtë
meshtarë trim dhe bujar, sypatrembur dhe të vendosur, për çeshtjen shqiptare dhe fetare,
është turp i rëndë, të cilën historia herët ose vonë do t’a korgjoi patjetër...
A mund
t’i mohosh atij gjithçka të dobishme, që ka organizuar me besimtarët, me
dhjetra herë ndihma në veshmbathje dhe burime financiare, për ringjalljen e
Kishës Katolike në trojet shqiptare dhe të disa kishave të rrënuar në themel
nga komunizmi, kur Presidenti i sotshëm, ishte student dhe oficer ushtarak i
rregjimit të Enver Hoxhës, mbronte në Shkollën e Bashkuar bustin e diktatorit
gjirokastrit…
Dom
Antoni, është i vetmi klerik në gjithë historinë mbarëshqiptare, që ka bekuar
armët dhe luftëtarët e lirisë të Batalionit “Atlantikut”, drejt Dardanisë, shkruan poeti i mirënjohur
Agim Shehu.
Nuk
është traditë burrërore dhe as njerëzore, të mohosh të vërtetën historike,
kontributin kundërkomunist apo jetën e tërë të shkrirë me ndërgjegje dhe besim
të plotë, për trinomin udhëheqës: ‘Fe,
Atdhe, Peparim’, nga Gjakova në Detroit, të patriotit të pastër shqiptar
Dom Anton Kçirës.
Historia,
është mësuesja dhe nëna e pagabueshme, që ka folur dhe do të flas serisht me
gjuhën reale të fakteve, për punën e madhe dhe jetën në përkushtim të kombit
dhe fesë, që ka bërë gjithnjë, I Perndershmi me përvujtëri dhe modesti Dom
Anton Kçira.
Një fakt nga historia. “Më 13 Qershor 1968, në meshën kryesore të Ditës së Shna Ndout
(Shën Antonit), në Gjakovë, gjatë predikimit plot elokuencë bariu i përvuajtur
shpirtëror, ishte i sigurtë në përcjelljen e mesazheve fetare dhe atdhetare tek
besimtarët e shumtë, që asokohe kishin ardhur nga shumë zona të largëta për t’a
dëgjuar.
Por si dukej, ai kishte ra shumë shpejt në sy të keq, tek
pushteti sllavo-komunist i ish-Jugosllavisë asokohe, që kishte vënë agjentët e
UDB-së, të cilët, mbetën të habitur nga fjalët plot
urretje kundër komunizmit… Dom Antoni, që e dinte se UDB-ja ishte prezent me
njerëzit e vet, nuk i bente syri tërr.”, shkruan studiuesi T. Mrijaj.
"E keqja e Shqipërisë janë shqiptarët dhe
tani që u bë Shqipëria, na duhet të bëjmë shqiptarët", ka thene i
madhi mendjendritur Faik Konica.
Unë
mendoj, se 50% e atij vlerësimi apo dekorate të dhënë për Kishën e Shën Palit
nga Presidenti z. Nishani, i takon Dom Anton Kçirës dhe 50% “objektit” të
heshtur apo institucionit të popullit kristian shqiptar në Detroit.
Figurat,
që perfaqsojnë unitetin kombëtar apo shtetin shqiptar, duhet të ruhen nga
shpërlarja e trurit, që u vjen nga keqinformimi dhe propaganda komuniste
“moderne”, me kostum “demokratik”, që shpesh me ose padëshirë po prek si
sëmundje ngjitëse liderët e shtetit amë.
Kisha
dhe meshtarët, nuk janë të ndarë nga njëri-tjetri tash mbi 2000 vjet Mr.
President, por janë në unitet, të lidhur si mishi me kockën.
Unë do
të thoja z. President, se është njësoj, sikur mbas 4 vjetëve, Presidenti
pasardhës të dekoroi Presidencën, gjatë periudhës, që keni drejtuar ju z.
Nishani, por pa ju permendur në emër e mbiemer. Si do të ndjeheshit ju, kur
dekorata t’i jepet Presidencës e jo juve direkt!? Po kush e ka drejtuar
Presidencën (me urdhër të peshkut) Ju apo Presidenca Ju!? (si në përrallat e
një mijë e një netëve), i duhet bërë natyrshëm sërisht kjo pyetje retorike
atij, që ka menduar t’a dekoroi Presidencën por pa Ju.
Eshte
njësoj sikur të dekorohet Kisha Katolike Shqiptare ‘Zoja e Shkodrës’ në
Harsdale New York, dhe të mos vlerësohen me të njëjtin titull barinjtë
shpirtërorë, si: themeluesi Mons. Dr. Zef Oroshi (1912-1989), Shkelqësia e Tij
Arqipeshkevi Metropolitan Tiranë-Durrës Imzot Rrok Mirdita dhe I Perndershmi
Dom Pjeter Popaj.
Faktet
flasin vete! Kjo është fyerje, dhe pabesi tipike anadollake turke, për
komunitetin katolik në Amerikë, Kishën dhe meshtarët e përkushtuar dje dhe sot
për ‘Fe dhe Atdhe’…
Studiesi i mjedologjisë Dr. Mentor Quku, autor i kolanës së 14 librave kushtuar Dom Ndre Mjedës,
për meshtarin tonë të shquar, ka vlërësuar kështu, në librin: “Dom Ndre Mjeda
3, Librit Dytë”: “… Dom Anton Kçirën për herë të parë e kam takuar në vitin
1995…
Edhe më parë kisha
dëgjuar për Dom Anton Kçirën, i cili me enërgji të pashtershme, punonte për
mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në diasporë, si dhe për rritjen e emërit
të Shqipërisë në botë. Shkoja për herë të parë në tokën e ShBA dhe pata në këtë
rast shumë takime me personalitete të shquara të diasporës.
I paharrueshëm do
të mbetet takimi që pata në kishën e Shën Palit në Detroit. Ishte enërgjik dhe
shumë i ngrohtë në takimin e parë që pata me te. Nga ky takim përforcova
përshtypjet e mia, mbi rolin e madh, që luante ky shqiptar në diasporë për
çështjen kombëtare, duke filluar nga mesha në gjuhën shqipe, që po mbante dhe
për këmbënguljen e tij për ruajtjen e traditave e vlerave kombëtare të
shqiptarëve në emigracion…
E quaj fat, që u
ndodha në mes të bashkësisë së kësaj kishe, si dhe pranë këtij personaliteti të
shquar, në festimete e Ditës së Flamurit.
Kësaj radhe, unë
pashë me sytë e mij kishën, se si, me nismën e Dom Antonit, ishte ngritur një
nga kishat më të mëdha në botën shqiptare, e cila ishte kthyer në një muze
historik, të rrallë në llojin e vet, që edukonte shqiptarët me besimin në
Zotin, dhe me dashuri të zjarrtë për atdheun e të parëve e për kombin shqiptar.
Me nismën e këtij
misionari dhe shqiptari të madh, erdhi në ShBA monumenti madhështor i Gjergj
Kastriotit, epoka e të cilit është më e lavdishmja në historinë tonë, është
elementi më i qenësishëm i krenarisë sonë kombëtare.
Është e
jashtëzakonshme puna e tij në mbështetje të Pavarësisë së Kosovës, si edhe për
çështjen tonë kombëtare.
Ky apostull i shqiptarizmës, ky luftëtar për lirinë dhe të
drejtat e njeriut, për lirinë dhe përparimin e Kosovës martire, për mbrojtjen e
interesave të kombit shqiptar, çdo ditë punon me pasion djaloshar për figurat e
shquara kombëtare, si:
Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Dedë Gjon Luli, Isa Boletini, Gjergj Fishta,
Ndre Mjeda, e shumë të tjerë.
Tek ai gjeta një
apostull të vërtetë, një vazhdues të denjë të veprës së rilindasve të mëdhenj,
gjeta një iliras të ri, një Ndre Mjedë të ri, të shekullit të ri.
Formimi i tij
atdhetar binte në sy menjëherë dhe kjo lidhej me vlerat tona kombëtare.
Ai i shihte të
bashkuara në mënyrë të pazgjidhshme dy pjesët përberëse të binomit Fe e Atdhe,
si dy shtylla të progresit e civilizimit të kombit tonë të shumëvuajtur…
Nuk mund t’i mbyll
këta radhë pa tërhequr vëmendjen se figura e këtij apostulli të kombit
shqiptar, duhet të përjetësohen me ngritjen e busteve, emërtimin e shesheve e
rrugëve, insititucioneve shkencore e arsimore.
Të gjithë kombet e qytetëruara në botë, i përjetësojnë figura të tilla, duke i renditur me respekt në Panteonin Kombëtar.”