| E enjte, 26.09.2013, 09:09 PM |
Në shënjestër
KUSH ËSHTË PARTNERI STRATEGJIK I SHQIPËRISË
Shkruan: Ahmet
Selmani
Nëse duam ta
formulojmë më saktësi parimin retorik të tij “Zero probleme me fqinjët”, ai do
të ishte “Qindra probleme me fqinjët”. E për t’i zgjidhur këto probleme
shqetësuese me “partnerin strategjik” të shpallur me aq shumë bujë, së pari
duhet të forcohet seriozisht shteti shqiptar, të ndryshohet rrënjësisht klima
politike e kombëtare, të normalizohen marrëdhëniet e brendshme në Shqipëri, të
lirohen institucionet nga partizimi i neveritshëm, të komunikohet në mënyrë të
natyrshme dhe organike me të gjithë shqiptarët kudo që janë etj.
Siç njoftohemi
nga agjencitë e ndryshme të lajmeve, gjatë ditëve të fundit, kryeministri
aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i posaardhur në pushtet, i ka dhënë një
intervistë agjencisë shtetërore greke të lajmeve AMNA, me titull “Greqia do të
jetë partneri strategjik për Shqipërinë”, e cila është vendosur qëllimisht në
faqen e parë si lajmi më i veçantë dhe më i rëndësishëm i ditës. Megjithëse
qëndrimin e tij që do të mbajë ndaj këtij shteti fqinj, kryeministri në fjalë e
ka bërë të ditur edhe më përpara, prapëseprapë, edhe këtu assesi nuk harron që
të përsërisë në mënyrë retorike se do t’i përmbahet parimit të shpallur: “Zero
probleme me fqinjët”. Ndaj në këtë rast me të drejtë duhet të pyesim: Ç’do të
thotë kjo?
Duke u nisur nga
intervista aq spektakolare, që në fillim është e nevojshme të kthjellohet fakti
i dhimbshëm se inferioriteti i skajshëm ndaj Greqisë do të vazhdojë edhe më tej
me një besnikëri të plotë, përkatësisht ashtu siç ka qenë edhe deri tani me të
gjitha qeveritë e gjertanishme. Me sa duket, ky është një paralajmërim
jashtëzakonisht i lexueshëm.
E para, të
thuash me gojën plot dhe me angërdufje “Zero probleme me fqinjët” në kuptimin e
zgjidhjes së tyre, gjithsesi, është një punë madhore, me peshë historike. Ta
zëmë, me vetë Greqinë, të cilën e ka shumë për zemër Edi Rama, dihet se
Shqipëria ka një mal me probleme të vogla e të mëdha; çështja e Ligjit të
luftës që ende është në fuqi, çështja e pronave të shqiptarëve të Çamërisë, të
vrarë, të masakruar e të dëbuar nga ky shtet, çështja e Kishës Ortodokse
Autoqefale Shqiptare të cilën e ka zaptuar i vetëquajturi kryepeshkop
Janullatosi, çështja e varrezave të të ashtuquajturve ushtarë grekë të rënë
gjatë luftës italo-greke në Shqipëri etj. Në qoftë se ka aq fuqi dhe aq guxim
për t’i zgjidhur këto probleme kaq të ndijshme në favor të shqiptarëve, atëherë
pa asnjë mëdyshje Edi Rama do të bëhej shqiptari më i madh i cili do të mbahej
mend. Por, kur të merret parasysh realiteti politik që ekziston në këtë aspekt,
si dhe qëndrimi tepër fanatik i shtetit grek lidhur me Shqipërinë dhe
shqiptarët, atëherë s’kemi si të mos jemi skeptik deri në fund.
Së dyti, të
shpallësh edhe publikisht Greqinë si partner strategjik të Shqipërisë, mbase
është një marrëzi e paparë, një skandal i shëmtuar, një aventurë e rrezikshme.
Në radhë të parë, shihet qartë se kjo është një tradhti ndaj shqiptarëve në
përgjithësi, të cilët e kanë shumë të qartë se cila është Greqia e vërtetë,
çfarë qëllimesh të errëta ka për ta, si vazhdon të sillet ajo në realitetin e
sotëm etj. Ose, ta konsiderosh Greqinë si partner strategjik në këto rrethana
tejet të mprehta, thelbësisht del se është një tradhti ndaj Kosovës dhe ndaj
SHBA-së. Këtë e themi ngaqë, realisht, si partner strategjik i Shqipërisë mund
të jetë vetëm Kosova dhe SHBA-ja, askush tjetër, e aq më pak Greqia me qeveritë
dhe elitat e saj politike e diplomatike pa përjashtim. Për hir të së vërtetës,
lypset të theksojmë se Agimi i Artë është vetëm një zëdhënës real i këtij
shteti fqinj ndaj Shqipërisë, pjesëtarët e të cilit hyjnë e dalin nga Shqipëria
sikurse të ishte ndonjë çiflig i pastër grek, madje duke i fyer e poshtëruar
shqiptarët në mënyrën më të pacipë.
Prandaj, edhe
logjika e kësaj loje është fare e thjeshtë; Greqia si patner strategjik i
Shqipërisë, siç e parapëlqen Edi Rama, do të ishte një kapitullim shumë i
rëndë, për shkak se vetvetiu nënkuptohet që duhet të heqësh dorë nga shumë
gjëra që janë me interes kombëtar, t’ia plotësosh pa kushte shumë dëshira të
sëmura shtetit fqinj, i cili kurrën e kurrës nuk ka pushuar me pretendimet
territoriale ndaj Shqipërisë. Në të vërtetë, kryekëput kjo do të thotë se e
gjithë strategjia politike e Greqisë është që ta shkëpusë një ditë të
ashtuquajturin Vorio Epir dhe ta bëjë realitet Megali Idenë e famshme. Tanimë investimet
dhe angazhimet e Greqisë në këtë drejtim janë të qarta për të gjithë
shqiptarët; rasti me zaptuesin e kishës ortodokse shqiptare, Janullatosin, me
kishat dhe kryqat e vendosur gjithandej shtetit shqiptar, me deklaratat e
konsullit grek në Korçë, me pensionet e shtetasve shqiptarë për t’u deklaruar
si grekë, me regjistrimin e popullsisë së Shqipërisë, me problemet aq të
shpeshta në viset e Himarës, me zhvarrosjen e eshtrave në Kosinë e Boboshticë,
me pushtimin e Pallatit të Kulturës në Përmet, me vizitat provokuese të Agimit
të Artë në territorin shqiptar etj.
Pra,
fatkeqësisht kjo është strategjia e Greqisë fqinje në raport me Shqipërinë. Por
krejt çështja është se a do të përfshihet Edi Rama në këtë lloj strategjie për
t’u bërë vartës kronik i shtetit fqinj apo do të futet në ndonjë strategji
tjetër që është në interes të shqiptarëve, për t’i zgjidhur problemet e tyre
jetike. Për të qenë realist deri në fund, nuk ka asnjë gjasë për të ndodhur kjo
e dyta.
Nëse duam ta
formulojmë më saktësi parimin retorik të tij “Zero probleme me fqinjët”, ai do
të ishte “Qindra probleme me fqinjët”. E për t’i zgjidhur këto probleme
shqetësuese me “partnerin strategjik” të shpallur me aq shumë bujë, së pari
duhet të forcohet seriozisht shteti shqiptar, të ndryshohet rrënjësisht klima
politike e kombëtare, të normalizohen marrëdhëniet e brendshme në Shqipëri, të
lirohen institucionet nga partizimi i neveritshëm, të komunikohet në mënyrë të
natyrshme dhe organike me të gjithë shqiptarët kudo që janë etj.
Për sa i përket
kësaj, tani për tani kryeministri shqiptar, Edi Rama çdo ditë po na jep shenja
të këqija, sepse ende vazhdon me zell retorikën e njohur të urrejtjes ndaj
kundërshtarëve politik, me pafytyrësi po mbjell përçarje në Kosovë duke
injoruar presidentin historik të saj, Ibrahim Rugovën, shqiptarët e Maqedonisë
me djallëzi i konsideron si pakicë
njëlloj sikurse maqedonasit e Shqipërisë. Më e keqja e kësaj loje dinake është
se partnerit të tij strategjik, Greqisë, po ia jep shenjat e para serviliste e
vasale. Për shembull, rasti i vendosjes së Vangjel Dules si nënkryetar i
Kuvendit të Shqipërisë, është shumë i dukshëm. Pra, deshëm apo nuk deshëm,
tanimë Kalin e Trojës e ka futur në institucionin ligjvënës të Shqipërisë,
pikërisht njeriun më negativ të ditëve tona, që shqiptarët e Çamërisë
vazhdimisht i quan bashkëpunëtorë të fashizmit, që pa fije turpi thotë e
stërthotë se çështja çame nuk ekziston, që aq shpesh vajton për “të drejtat” e
pakicës greke në Shqipëri etj. Në qoftë se kjo është ndihmesa konkrete e Edi Ramës
me të ashquajturin partner strategjik, atëherë vërtet shqiptarët do t’i marrë
lumi. Përballë të këqijave që do t’u vijnë nga fqinjët grekë, shqiptarëve nuk
do t’u mbetet asgjë tjetër, përveçse të klithin si Kandidi i Volterit. Dhashtë
Zoti të mos ndodhë asnjëherë!