| E hene, 23.09.2013, 07:50 PM |
Akoma Kauisin Hienat
Nga Fatmir Lamaj
Mbrëmjen e 22
marsit në televizionin Albanian Screen vejusha Nexhmije në një intervistë të
gjatë me politologun e njohur amerikan Janush Bugajski midis shumë të
pavërtetave tashmë historikisht mëse të vërtetueshme pa ndrojtjen më të vogël
morale bëri një deklarim mëse fyes për të gjithë të burgosurit politikë
shqiptarë duke i quajtur ata kolaboracionistë e ordinerë…
Fillimisht su
besova veshëve të mi dhe ndjeva një turbullim të brendëshëm por dalëngadalë
qetësia filloi të fitonte terren në të gjithë qenien time, ku vetishëm
shigjetat e shumë pyetjeve më godisnin pareshtur trurun dhe shpirtin si një
prej viktimave të diktaturës. Si …! Akoma edhe sot e kësaj dite hyena plakë nuk
na qenka lodhur me kauisjet e saj, akoma nuk shfaq as më të voglën pendesë për
krimet e kryera? Ku e gjen gjithë këtë guxim pervers një kriminele e paskrupull
për të lënduar shpirtrat e atyre që kanë vdekur dhe janë gjallë sërishmi
pafytyrësisht? Pyetjet vijnë gjithandej si ujët e një përroi të rrëmbyer me
brigjet e tij të thepisura mezi arrin të ndalë vrullin e tyre zemërak. Në ato momente gjithçka e përjeton nën ankthe
tronditëse të së kaluarës ku flakët e kujtesës fillojnë të ndriçojnë çdo skutë
të saj. Hiena na del heroinë!!! O Zot, si mund vallë që tek qëniet njerëzore ke
krijuar monstra të tilla ku dhe për shumë shekuj të tjerë do të trondisin
shpirtrat e një populli të tërë me bëmat e tyre vrasëtare!? Vejusha Nexhmia,
ose hiena Nexhmia. Ti e nise karierën tënde politike si një komuniste e
thjeshtë, por shumë shpejt i re në sy njërit prej shkaktarëve të tragjedisë
Shqiptare, sllavit M. Popoviç ku ai për "meritat e tua" të veçanta do
të bënte sekretare të tij, ku do mësoje zellshëm artin e shëmtuar të krimit.
Dëshmia ekskluzive e At. Zef Pëllumbit para se të vdiste, e realizuar me zë dhe
figurë "Se burrin e bën gruaja dhe ajo ishte sekretarja e M.
Popoviç", besoj se kjo dëshmi është e pakontestueshme kur dihet që e ka
bërë një prift katolik. Bashkë me shokun Enver do t'ju pregatiste si
kryevrastarët e patriotëve Shqiptarë, si hanxharë që do godisnit pa mëshirë
gjithmonë mbi ajkën e patriotizmit shqiptarë që nga koha e luftës e deri në
ditët e fundit të egzistencës së regjimit tuaj.
Vejusha Nexhmie
apo Hiena Nexhmie. Pasi u zderhallët maleve me emisarët jugosllavë dhe më në
fund morët për burra ata që j'u imponuan Miladini dhe Dushani u bëtë elita
gjakatare e sistemit ku do ushtronit dhunshëm pushtetin tuaj që çdo ditë
prodhonte vetëm vdekje dhe mjerim. Një popull i tërë do kthehej në viktimën
tuaj duke e vrarë dhe plaçkitur duke e burgosur dhe internuar. Mijëra të
pushkatuarit, të dënuarit, të internuarit dhe syrgjynosurit burra dhe gra, të
rinj dhe të reja si dhe fëmijët fatkeq që do provonin internimin dhe urinë pa
lindur akoma, do të mbeten gjithmonë në historinë e këtij vendi si dëshmia më
rrënqethëse e bëmave tuaja çnjerëzore. Vejusha Nexhmije, Hiena Nexhmie, ti sot
ke guximin të quash të burgosurit politikë kolaboracionistë e ordinerë, nga
thellësitë e natës së errët ku të ka vendosur historia si shpërblim që marrin
të gjithë kriminelët e llojit tënd. Ti që e nise karieren tënde brilante bashkë
me shoqet e tua kur ishit në Institutin Nëna Mbretëreshë duke hipur nëpër
veturat e ministrave të Zogut dhe në orët e vona për hijeshinë tuaj Gjeneral
Serreqi bashkë me Naltmadhninë ngrinin ndonjë dolli, ti që për ty, u vranë
shumë nga udhëheqësit komunistë të asaj kohe, se Enver Hoxha i quante si rivalë
në planin e kurdisur prej Miladinit për ti hapur rrugën karierës së tij dhe për
tu bërë ti gruaja e ardhshme e diktatorit. Ti sulltanesha e bllokut do të
thurje mijëra intriga për të ndarë gratë nga burrat e për të shijuar e vetme
"Elizirin e pushtetit tënd demoniak". Dihet se kush janë efektet
negative të diabetit në sistemin psikik të çdo të sëmuri të tillë… dhe Enver
Hoxha vuante nga diabeti, prandaj busulla e tij orientuese kuptohet që
gjithmonë ke qënë ti, për ti hapur rrugën e sigurtë ardhjes në pushtet jaranit
tënd Ramiz Alisë. Hiena Nexhmie! Kë akuzon ti për bashkëpuntorë të pushtuesve,
patriotët shqiptarë që bënë sa mundën në ato kushte të vështira për ti ardhur
në ndihmë shqipërisë dhe shqiptarëve kur ti bashkë me burrin tënd dhe bandën që
krijuat me në krye emisarët serb e malazes, armiqtë më të egër tradicionalë të
kombit shqiptar (kujtoni vargjet e paharrueshme të Fishtës "Se në mëni të
njëni tjetnit kena le")? Ata që edhe në kushtet e pushtimit u munduan të
ruajnë dinjitetin e krenarinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe shpëtuan nga
vdekja e sigurtë mijëra e mijëra prej tyre duke përfshirë dhe hebrenjtë e kudo
masakruar nëpër Evropë? Kush janë kolaboracionistët dhe tradhëtarët, Mitat
Frashëri, Bari Omari, Patër Anton Arapi, Abaz Kupi, Safet Butka, Visarion
Xhuvani, Koço dhe Arqile Tase etj. ata
që e krijuan këtë komb apo ju që e shkatërruat tërësisht deri në
pamundësinë për tu ringritur sërish, si një nga kombet më dinjitoze të Evropës
ashtu siç ishte dikur? Ju burri juaj dhe gjithë kasta gjakatare e diktaturës që
krijuat, vratë tek shqiptarët kodin e tyre moral si e vetmja mundësi e
mbijetesës së tyre prej mijra e mijra vjetësh, duke i hequr një populli gjënë e
tij më të shtrenjtë. A nuk i detyruat ju shqiptarët që një pjesë të madhe të
tyre ta bënit spiunë dhe t'u impononit masivisht për mbijetesë vesin e
vjedhjes?
Hiena Nexhmie,
50 vjet në historinë e një populli nuk janë shumë, kur historia është mijra
vjeçare, por 50 vjet diktaturë më se çnjerëzore si e juaj, janë më shumë sesa
shumë. 50 vjet ju i vratë dhe burgosë, internuat dhe persekutuat një popull të
tërë dhe sot keni guximin të akuzoni pafytyrësisht pjesën që në mënyrën më stoike
i rezistoi barbarisë tuaj çnjerëzore, duke mbajtur gjallë në këtë vend ëndrrën
për liri dhe demokraci që sot frytet e saj po i shijojnë më shumë se gjithë të
tjerët fëmijët dhe nipërit e tu e të atyre që e sollën këtë tragjedi të
tejskajshme.
Hiena Nexhmie,
vetëm ndonjë naiv mund të çudisë deklarata jote, se ne tashmë të njohim, e dimë
se kush ke qënë dhe kusëh je, e dimë ne dhe gjithë shqiptarët. Ti je dashuruar
pafundësisht me krimet e tua dhe ti çdo natë bie në shtratin e tyre të
përgjakshëm bashkë me to. Ti do të mbetesh përgjithmonë e burgosur në
errësirrën e tyre, ku e vetme dëgjon simfoninë e rënkimeve të viktimave të tua
dhe e dehur prej saj në haluçinacione makbethiane, vallëzon me ngulçin e frymës
së fundit mbi kafkat e coptuara… dhe kështu, ti po jeton fundin tënd të
lemerisshëm, duke ecur e sigurtë drejt flakëve të ferrit ku po të prêt me
padurim krahëhapur bashkëvrasësi yt Enver Hoxha.
Në ferr, besoj se do jeni çifti më ideal…!