| E diele, 22.09.2013, 07:07 PM |
Bllokimi kufitar na rikujtoj vitet e 90-ta!
Nga Blerim Ramadani
Vendosja e
taksës për qytetarët dhe automjetet e Republikës së Kosovës nga ana e
autoriteteve të Shkupit, që u pasua më pas me një kundërpërgjigje të Prishtinës
zyrtare për të mbyllur kufirin për produktet maqedone. E gjithë kjo u
manifestua me një rrëmujë të madhe politike dhe diplomatike nga të dyja anët e
kufirit. Maqedonisë j’u mvesh edhe faji tjetër pasi që nuk kishte bërë përpjekje të negocojë për
importin e miellit me Qeverinë e Kosovës, siç e kishte bërë më herët për
importin e grurit me Serbinë. Pyetja më e shpeshtë që bëhej në opinion ishte të
gjenin se kush ishte fajtori pas këtij ngërqi ndërkufitar! Në këtë situatë të
tensionuar nuk u respektua asnjë parim, pa mos e logjikuar se bëhet fjalë për
shtete fqinje. Nuk u respektuan as
principet e Unionit Europian, mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave
dhe raportet e mira ndërfqinjësore, si vlerë e vetë Unionit. U shkelën
dispozitat mbi të cilat ishte themeluar CEFTA, mbi çështjet e konsultimit ose
arbitrazhit, me çka një situatë e tillë mund të silltë dëme të paparashikueshme
mbi raportet tregtare ndërmjet dy shteteve. Kjo bllokadë tregtare na riktheu në
vitet e 1990-94, një kohë kur mund të shihnim bllokime të ngjajshme nga shtetet
fqinje, të rikujtojmë këtu edhe embargon që vendosi Greqia ndaj Maqedonisë, e
cila ndikoi drejtpërsëdrejti në jetën dhe lëvizjen e qytetarëve. Atëherë nga e
morri këtë guxim Maqedonia për të provokuar një gjendje të tillë?! Duke
analizuar dhe krahasuar statistikat ekonomike të institucioneve dhe shoqatave
relevante në rajon, nga kjo situatë Maqedonia del se është humbësi më i madh
nga kjo bllokadë kufitare. Dëmet nga embargoja, sipas statistikave që na
paraqesin organizata të ndryshme në
Maqedoni, janë të larta për kompanitë vendase, të cilat vlerësohet të kenë
humbur të paktën nga 400 000 mijë euro në ditë si pasojë e suficitit të madh
tregtar që ka Maqedonia me Kosovën. Kosova, që nga viti 2010 deri në qershor të
këtij viti, ka pasur një import nga Maqedonia në vlerë prej 1 miliard e 52
milionë euro, kurse për të njëjtën periudhë ka pasur një eksport prej 73.7
milionë euro, që i bie një debalancë tregtarë rreth 93 përqind në favor të
Qeverisë maqedonase. Më shumë të prekur nga ky ngërq na shfaqen bujqit dhe
transportuesit e Maqedonisë. Nga ana tjetër qytetarët e Republikës së Kosovës
sipas taksës rrugore të vendosur nga Shkupi zyrtar do duhej të paguanin një
shumë prej 2 euro për qytetarë dhe 10 euro për veturë. Përse duhej të merrte
një veprim të tillë pasi që vetë Maqedonia ishte humbëse në shkëmbimet
tregtare! Duke e ditë lidhjet e mëdha familjare të shqiptarëve në të dyja anët
e kufirit dhe udhëtimet e shpeshta të tyre, një taksë e tillë nuk do ti bënte
keq Maqedonisë dhe do të ishte një mundësi e mirë që buxheti të përfitonte nga shqiptarët e
Kosovës, të cilët do të ishin të detyruar ta paguanin taksën kufitare. Prandaj,
mendoj se motivi kryesor i palës maqedone ishte, përfitimi nga qytetarët e
Kosovës. Maqedonia, nga ana tjetër zgjodhi metodën më të keqe për të bërë
presion palës kosovare, metodë tipike e saj, duke fshehur vetveten dhe duke shfrytëzuar shoqatat qytetare, në
këtë rast shoqatën e trasportuesve, për të bllokuar vendkalimet kufitare edhe
për ata qytetarë të cilët kalonin kufirin dhe paguanin shumën e kërkuar në
pikat kufitare. Tani pasi që mospajtimet u tejkaluan dhe gjendja u kthye në
normalitet, dilemat dhe kontradiktat mbetën. Unë personalisht smund ti mohoj
edhe faktet që flasin për vendime politike dhe nacionaliste nga Qeveria
Gruevski. Pasi që, Kosova qysh nga pavarësimi i saj është provokuar dhe
shantazhuar edhe më herëti. Edhe pse u
emërua si “luftë tregtare” ajo asesi nuk mund ta arsyetojë emërimin e tillë dhe
tensionin e krijuar. Maqedonia, në dëm të sajin shfrytëzoi kufirin për të
treguar njëfarë superioriteti ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Si fajtor u etiketuan dhe nuk u kursyen as edhe ministrat shqiptarë, pjesë e qeverisë aktuale. Në një prononcim
për mediumet në Kosovës, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaqi, foli për
shqiptarët për pozitën e tyre në rajon, jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Ai
përgëzoi politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës për dialogun e nisur me
Beogradin. Mirëpo, deklarata e tijë për shqiptarët e Maqedonisë nuk ishte e të
njejtës vijë. Ai ftoi politikanët e Maqedonisë që të punojnë më shumë për të
drejtat e tyre. Sipas tij 3% e serbëve në Kosovë gëzojnë më shumë të drejta se
35% e shqiptarëve në Maqedoni, dhe liderishipi shqiptarë në Maqedoni duhet të
angazhohet për të përmirësuar këtë situatë. Deklerata e tillë e tij ishte një
goditje e rëndë dhe e drejtëpërdrejt për subjektin politik shqiptarë, pjesë e
koalicionit qeveritar. Gjatë vizitës së tij në Kosovë edhe z. Rama lëshoi një
deklaratë afarësisht e njejtë. Maqedonia duhet të bindet që Kosovën ta shoh si
partner strategjik në shkëmbimet tregtare dhe situata të tilla duhet të
mënjanohen para se të fillojnë. Në rast se do ishte biseduar si në rastin me Serbinë
atëherë e gjthë kjo nuk do të mund të ndodhte. Situata të tilla padyshim
ndikojnë në imazhin dhe seriozitetin e të dyja vendeve.
Autori është
Kryetar i Qendrës për demokraci dhe vlera europiane-Maqedoni