Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Një promovim mbresëlënës

| E shtune, 21.09.2013, 11:43 AM |


Një promovim mbresëlënës

Nga Përparim Hysi

Dje në një nga sallat e Muzeut Kombëtar u bë promovimi i  librit të shkrimtares Meri Lalaj kushtuar nxënseve të Institutit "Nana Mbretëreshë", libër që pa dritën e botimit  afër një muaj më parë.

Salla qe e mbushur plot dhe qe emocional jo vetëm pjesëmarrja si asnjë herë tjetër, por fakti shumë domethënës: emocionet qenë të një shkalle të epërme,se veç tjerash, në  sallë dhe në  tribunë (në mund të quhet kështu?) nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe nxënëse që janë diplomuar dhe, më pas, kanë kontribuar me dijet e tyre ( programet dhe trupa pedagogjike e këtij instituti ka qenë me orientim  perëndimor siç qe dhe arsimimi i gjithë trupës pedagogjike).

Nuk kishe si mos emocionoheshe, kur krahas autores, Meri Lalaj, zunë vend dy  Zonja shumë të nderuara, si Viktori Gjikondi dhe Didi  Biçaku. Pesha e viteve që mbanin mbi supe këto zonja të nderuara fliste shumë.  Krahas këtyre zonjave të nderuara në tirbunë qëndronte dhe shkrimtari Enver Kushi.

Enver Kushi në referencën e tij për librin, sikur bëri  sintezën e gjithë punës hulumtuese të autores Meri  Lalaj. Ai vuri në dukje se monografia për këtë institutcion me aq vlera, ia rrit she më shumë vlerat autores, e cila, ka bërë bërë një punë skrupuloze duke vrapuar sa në një adresë në tjetrën, vetëm e vetëm që të japë para lexuesëve një fakt historik shumë domethënës: Instituti "Nana Mbretëreshë" u hap me nismën e një figure të madhe në fushën e arsimit e të kulturës  shqiptare: u hap më 2 tetor 1933 me nismën e Profesor-Doktor MIrash Ivanaj që, Mbreti Zog, sado e kishte kundërshtar politik,ia besoi atij këtë ministri.

Profesor Ivanaj solli që nga Korça një diturak tjetrë të madh siç ka qenë Porfesor Sotir Papahristo dhe, veç të lexosh emrat  e profesorëve që kanë dhënë mësim në këtë djep diturie,  jo vetëm emcionohesh, por ke dëshirë që për çdo emër dhe të përkulesh me nderim. Lista e këtij Personeli ( kjo fjalë kur lakohen ata, meriton të shkruhet me gërmë të madhe) është paksa e gjatë, por secili emër ka një peshë të madhe. Një peshë dijeje të thellë dhe të një pune ngulmuese dhe pasionante. Kjo trupë pedagogjike, en bloc, qenë pasqyra ku secila nga nxënëset shikonte fytyrën e vet.  Secila prej tyre, donte t'u ngjante atyre: Profesorëve. Pse ndodhte kështu, pa mbetën në historinë e arsim-kulturës shqiptare, nxënëse,si: Musine Kokolari,Margarita Tutulani, Motrat Biçaku, Vitori Gjikondi, Drita Pelingu, Drita Kosturi, Liri  e Fatbardha Gega. E paharrueshmja dhe bukura si një Miss, Nermin Vlora. Padyshim, që kjo monografi ka arritur që të lakojë shumë nga këto figura që me kontributin që dhanë gjatë gjithë jetës së tyre, janë si të thuash modele që duhen ndjekur nga brezat. Në monografi ka dhe personazhe të tjera që ranë "prehë" e idealeve komuniste dhe disa prejt tyre, sa qenë në hiearkinë drejtuese, aq edhe u bënë viktimë të këtyre idealeve. Për të qenë më i drejtpërdrejtë: Liri Gega u pushkatua. Ramize Gjebrea po kështu. Liri  Belishova u denigrua.Fiqrete Shehu vdiq në burg.Dihet  kalvari rrëngjethës që ndoqi Musine Kokolarin. Tek shkruaj kalimthi për këto "kalvare" të diktaturës komuniste, s'kam si mos citoj se çfarë tha në  sallë,  e urta deri në madhështi, Zonja Didi Biçaku:

- Jo. Nuk flas për persekutimin tim. Qe pjellë e sistemit.

Këto fjalë të kësaj zonje kanë  një domethënie me vlerë. I dituri di  të falë.

*    *    *

Meri  Lalaj e ka ndjerë peshën e kalvarit komunist. Kolegu i saj i vuajtjeve në minierën e Manzës, ish i burgosuri, Gëzim Çela sikur hodhi me masë kripën mbi gjellë. Nëna ime,- tregoi shkurtazi ai,- shkoi në ministrinë e mbrëndshme të kohës së Enverit.

-Pse ke ardhur?

-Për djalin tim, Gëzim Çela.

-Çfarë kërkon?

- T'ma nxirnni nga burgu!

-Ne vetëm fusim në burg dhe nuk nxjerim...,por shko në ndonjë organ tjetër.

Dhe nëna ime mendoi t'i drejtohej Nexhmie Hoxhës. Nënë për nënë,- mendoi nëna ime. Por kur mendonte se do  takonte Nexhmien, i thanë:

- Çfarë e ke Vasil Lupon?!!! Dhe do të takosh shoqen Nexhmie...

Dhe a e dini kush është Gëzim Çela? I biri i nënë Rozës, mamisë së vetme që kishte Lushnja në vitet e pasclirimit. I asaj Rozës që është "Nderi I  Lushnjes" dhe, veç këtij fakti, Gëzim Çela ka në studion e tij me "tapi" kitaren  e Mretëreshës së Këngës" të madhe Vaçe Zela.

Siç e shihni, qëndrova në këtë pasazh, jo pa arsye. Edhe Nexhmie Hoxha ka qenë nxënëse e atij instituti. Bindjet dhe bëmat e Nexhmie Hoxhës dihen botërisht, po ky pasazh tregon se sa "alergji" ka patur kjo për profesorin e nderuar, LLupo, i arsimuar në universitetin e Vjenës.

*   *   *

Në promovim u dëgjua si me të mbajtur fryme ligjërata aq prekëse e të nderuarës Vitori Gjikondi që,duke tjekaluar moshën *afro të nëntëdhjetave* me atë shkrimin

( bukurshkrim:hollë-trash), lexoj fjalën e saj aq elokuente. Në sallë kishte figura potente,si Artistet e Mëdha, Tinka Kurti e Roza Anagnosti; Mjeshtri i Madh i muzikës, Zhani Ciko ( e ndjera nëna e tij,që ka pak që u nda nga jeta,ka qenë si nënë për gjithë konviktoret e këtij insituti). Në sallë qe shkrimtari Petraq Zoto, poetët Koçi Petriti e Musa Vyshka, Agim Bajrami,Shpend Topallaj, Pëllumb Gorica dhe ndonjë tjetër,që nuk arrita ta fiksoj.

Emocione të veçanta në promovim ngjalli fjala e bukur e poetit Shpend Topallaj që tha:

-Të më falni se librin ende nuk e kam lexuar, por po e përshënde autoren Meri Lalaj me poezinë e bukur të  Bërnsit, për Merin e tij mitik. Recitimi përmëndësh  i kësaj poezia brilante  qe, si të thuash, ëmbëlsira që hahet në fund. Me shijen e këtij recitimi kaq profesional u mbyll ky promovim kaq mbresëlënës.

Tiranë, 19  shtator 2013