| E enjte, 19.09.2013, 09:53 PM |
KËSHILLI KOMBËTAR SHQIPTARO-AMERIKAN NDERON FILIP RIKER
Nga Frank Shkreli*
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) ose (NAAC) në
anglisht) si çdo vit edhe sivjet
organizon darkën e 17-të gala me 27 Shtator në sallën e njohur Cipriani në
rrugën 42, në qëndër të qytetit të Nju Jorkut.
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan e ka bërë traditë
tanimë që në këtë darkë vjetore në Nju Jork të nderojë individë, personalitetete të njohura nga politika,
qoftë amerikanë, shqiptare ose të tjerë, të cilët sipas KKSHA-së, në mënyrë
unike kanë ndihmuar kombin shqiptar.
Gjatë 17 vjetëve të kaluar, KKSHA ka nderuar personalitete të larta të
politikës amerikane dhe botërore, siç janë Presidenti Bill Klinton,
Kryeministri Toni Blerë, Sekretarët Amerikanë të Shtetit Madelinë Ollbrajt dhe
Xhejms Bejker, Gjenerali Ueslli Clark,
Senatorët amerikanë Bob Dolë dhe Çuk Shumer,
Presidentin e Finlandës Marti Ahtisaari,
Ambasadorët amerikanë Frank
Uisner, Nik Bërns, Uilliam Uoker, Kongresmeni Eliot Engel, e të tjerë.
Këtë vit, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ka vendosur
që kësaj liste unike të personaliteteve
të shquara amerikane, që kanë ndihmuar shqiptarët, sidomos gjatë dy
dekadave të fundit të historisë së tyre, t’i shtohet edhe emëri i ambasadorit
dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Filip Riker, të cilit, në fund të
këtij muaji, do t’i dorëzohet çmimi prestigjoz, “Duartë e Shpresës”. KKSHA gjithashtu do nderojë me çmimin për
“Arritjet Jetësore”, profesorin Muhammad Yunus, fitues i Çmimit Nobel, i cili
njihet për filozofinë e tij “për të transformuar jetën e njerëzve më të varfër të
botës nepërmjet nismave të përbashkëta publike dhe private si dhe biznesit
shoqëror”.
Darka vjetore e KKSHA-së mbahet gjatë punimeve të Asambalesë
së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ashtuqë që bën të mundur pjesëmarrjen
e personaliteteve më të larta politike nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe
udhëheqës të tjerë nga Ballkani, ambasadorë të vendeve rajonale, zyrtarë të
qeverisë federale amerikane, përfaqsues të medias dhe personalitete të
komunitetit shqiptaro-amerikan. Këtë vit pritet që në darkë të marrin pjesë,
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe
Kryeminsitri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndër të tjerë. Burime të Këshillit Kombëtar
Shqiptaro-Amerikan njoftojnë se edhe Hillary Klinton dje vonë iu përgjigj
pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në darkën vjetore. KKSHA e cilëson këtë darkë si një rast i
veçantë për të lartësuar kulturën dhe
traditat shqiptare në Amerikë, por njëkohësisht edhe për të venë në dukje
marrëdhënjet e veçanta që ekzistojnë midis Shteteteve të Bashkuara dhe kombit
shqiptar.
Unë kam pasur privilegjin ta njoh Ambasadorin Riker dhe të
ndjekë karjerën e tij nga afër – sidomos atë pjesë që kishte të bënte me
marrëdhënjet amerikano-shqiptare -- gjatë viteve të mia në Uashington dhe mund
të them me sinqeritetin më të madh se Filip Riker ishte dhe vazhdon të jetë
njëri prej promovuesve më të përkushtuar të marrëdhënjeve të ngushta midis
Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe me gjithë vendet e
rajonit të Ballkanit Perëndimor. Z. Riker,
me prezencën e tij, është si të thuash simbol i këtyre marrëdhënjeve, po të
merren parasyshë vizitat e tij të njëpasnjëshme në Shqipëri e në Kosovë, por
dhe në rajon, si dhe intervistat dhe prononcimet e shumëta të tija mbi gjëndjen
në Ballkanin Perëndimor. Duket sikurë ai
kurrë nuk i heqë nga mendja Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe marrëdhënjet e tyre
me Shtetet e Bashkuara dhe me vendet e rajonit.
Zoti Riker është optimist për të ardhmen e Ballkanit si dhe për rolin që
Shqiptarët duhet të luajnë në rajon si dhe për
të ardhmen dhe vendin që u takon atyre në sofrën e madhe të kombeve të
Europës.
Gjithmonë duke i gjykuar punët bazuar në realitetin dhe
faktet e situatës aktuale -- dhe plot durim diplomatik -- Ambasadori Riker
gjatë karjerës së tij ka vazhduar të promovojë zhvillimin dhe konsolidimin e
lirisë, të drejtave të njeriut dhe demokracisë, me një perspektivë
historike. Gjatë një interviste vitin e
kaluar me analistin e njohur amerikan Janush Bugajski me rastin e 100-vjetorit
të Shqipërisë, Z. Riker tha se, “Nëqoftse u hedhim një vështrim dy dekadave të
fundit, duke marrë parasyshë 100-vjetë të pavarësisë së Shqipërisë, përparimi i
shënuar gjatë kësaj periudhe ka qenë i jashtëzakonshëm. Merr me mendë se sa të mbrekullueshme
janë arritjet e shënuara vetëm prej
rrëximit të regjimit komunist të Enver Hoxhës.”
Ky është fakt, por Z. Riker gjithmonë realist, tha gjatë të njëjtës
intervistë se në Shqipëri “mbetet shumë për tu bërë, sidomos në rrugën drejt
Europës dhe integrimit europian, bërja e reformave që janë mirë të përcaktuara
nga pikëpamja europiane, sidomos në fushën e zbatimit të ligjit dhe të
funksionimit të gjykatave”, ndër të tjera.
Si prioritet i detyrës së tij, Ambasadori Riker ndjekë nga
afër edhe situatën në Kosovë, duke qenë njohës i mirë gjithashtu i fakteve dhe
i realitetit në atë vend. Në intervista
dhe prononcime të shumëta, si në Uashington ashtu edhe në Prishtinë, mesazhi i
tij, në emër të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara ka vazhduar të
jetë se Uashingtoni është kundër
ndryshimit të kufijve, si rezultat i trazirave në veri të Kosovës, dhe
se ato promovojnë dialogun dhe bisedimet e sponsorizuara nga Bashkimi
Europian. Në emër të Amerikës, Zëvendës
Ndihmës Sekretari i Shtetit për Marrëdhënjet me Europën dhe Euroazinë, ka thënë
se në këtë periudhë historike të sajë, Kosova ka mundësitë e mëdha për
konsolidimin e shtetit demokratik, stabil dhe të begatë, në rrugën e tij drejtë
integrimit në familjen e popujve europianë.
Drejtë këtij qëllimi, Ambasadori Riker u ka bërë thirrje institucioneve
dhe popullit të Kosovës që të punojnë rëndë dhe të përqendrohen në ndërtimin e
institucioneve. Në këtë rrugë të gjatë e
të vështirë, Z. Riker ka premtuar
ndihmën e Uashingtonit zyrtar duke thënë se, “Shtetet e Bashkuara janë
partnere të Kosovës. Kemi marrëdhënje
shumë të ngushta. Ne kemi bërë shumë për
të ndihmuar Kosovën, dhe shtetasit e saj të të gjitha grupeve etnike dhe feve
ashtuqë që vendi të realizojë potencialin e vet.”
Ambasadori Riker mund të konsiderohet si një “troubleshooter”,
dmth si një diplomat që dërgohet në vende me konflikte e trazira për tu
përballur me krizat dhe për t’i zgjidhur ato, që për të është një
kompliment. Ai ka shërbyer si diplomat
në zonat më të vështira për një diplomat amerikan, në zona lufte, përfshirë
Ballkanin dhe Irakun dhe për këtë ai është nderuar për punën e tij të shkëlqyer nga Departmenti Amerikan i
Shtetit me çmimin prestigjoz, “Edward Murrow for Excellence in Public
Diplomacy” për vitin 2000-2003.
Gjatë viteve, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ka nderuar personalitete më të njohura dhe më me influencë të politikës amerikane, botërore dhe shqiptare, por asnjë prej tyre nuk ka punuar më rëndë, më me seriozitet dhe më me përkushtim, për përmirësimin e jetës së shqiptarëve në Ballkan dhe për promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënjeve tani mirë të konsoliduara midis Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe me Kosovën, se sa Ambasadori dhe Zëvëndës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Filip Riker.
*Autori ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit
Kombëtar Shqiptrao-Amerikan