Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fatmir Lamaj: Darka e fundit e Baltazarit

| E enjte, 19.09.2013, 07:46 PM |


Darka e fundit e Baltazarit

Nga Fatmir Lamaj

Babilonia! Kryeqyteti më i famshëm i botës antike, e njohur për një nga 7 mrekullitë e botës për kopshtet e varura, sundimtarin e saj të fundit pati Baltazarin Perandorin famëkeq për krimet dhe zullumet e tija. Baltazari po jetonte kulmin e fuqisë së tij ku të gjithë kundërshtarët i kishte mundur dhe poshtëruar dhe triumfalisht përjetonte ëndrrën e sundimtarit të përjetshëm. Babilonia jetonte në kaosin e plotë dhe frikën që kishte sjellë pushteti i pakufijshëm i Perandorit (a nuk i ngjan Shqipëria e sotme Babilonisë së dikurshme?). Në pallatin  e tij një ditë prej ditësh Baltazari bën një pritje për gjithë gjeneralët dhe oborrtarët e vet. Në darkën madhështore ku nuk kurseheshin pijet dhe ushqimet e ardhura nga të gjitha skajet e perandorisë oratorë të ndryshëm, lakenj e servilë thurnin lavde dhe dititrambe për sundimtarin e madh. Baltazarin dalngadalë filloi ta pushtonte një ankth i pakuptimtë, një furtunë e një parandjenje të frikshme po i trazonte humorin në shpirtin e tij të pa shpirt, thika e helmatisur e ankthit sa vinte e ngulej më thellë në zemrën e tij të akullt. Nga froni perandorak ku ishte ulur shikon në fasadën përballë të sallës së madhe të gostive të shkruara nga një dorë e padukshme 3 fjalë të pakuptimta për të. I alarmuar frikshëm dhe nga gjendja e ankthit që e kishte kapluar tërësisht thëret orakullin Daniel për ti shpjeguar domethënien e atyre fjalëve misterioze. Orakulli zbehet dhe i tronditur i bën shpjegimin e detyruar të domethënies së tyre. Baltazar - i thotë –  këto fjalë përkthehen vetëm kështu “Eshtë thënë, është shkruar, është vendosur”. Ky është mesazhi hyjnor për fundin tënd të pashmangshëm. Nesër ti nuk je më në pushtet si sundimtari i Babilonisë, fati yt është vendosur. Të nesërmen Baltazari ra nga pushteti dhe Babilonia e tij u shkatërrua. Morali i fabulës për këtë Baltazarin tonë (Berishën), besoj se është më se i qartë. Baltazari ynë po jeton në ankth ditët e fundit të pushtetit të tija. Çdo ditë që kalon ai po rrëzohet dhe më thellë në humnerën e pafund të paranojës dhe manive mbizotëruese të qënies së tij, se si duhet mbajtur me çdo kusht një pushtet tashmë i rrëzuar. Pema e kalbur tërësisht nga rrënjët e veta su qëndron më stuhive të kohës, sundimtarët i sjell agimi i shpresave dhe i largon errësira e zhgënjimeve. Përse do bjerë Berisha nga pushteti? Përçarja e PD, tashmë është një dukuri konkrete që dhe kozmetika mediatike e prodhuar me shumecë nga pushteti i tij nuk e mbulon dot. Dihet që përçarja bëhet gjithmonë faktori më gërryes i çdo pushteti sado i fuqishëm të jetë ai. Historia ka plot shembuj në këtë drejtim. Unë po jap vetëm një. Sulltani i famshëm Bajaziti rrufe që për një kohë fare të shkurtër e shtriu sundimin e tij në dy kontinente, u mund  nga Timurlengu i Mongolëve sepse u tradhëtua nga kunati i tij Osmani, Emiri i Karaminxhisë, një krahinë në Turqinë e atëhershme, si dhe disa nga gjeneralët e tij. Bajazitin, Timurlengu pasi e mundi e futi në një kafaz hekuri ku ai vdiq nga marazi në afërsi të Samarkandës, kryeqyteti i atëhershëm i Perandorisë Mongolo Tartare. Po për ty do të ketë… ndonjë kafaz hekuri? Nuk ta uroj këtë fat sado që bëmat dhe gjëmat e tua ndaj shtresës së përsekutuarve, ish pronarëve dhe të burgosurve politikë, nuk do mund tu bëhet kurrë inventari duke kapërcyer kështu çdo limit drejtësie dhe humanizmi. A nuk u more pronat pronarëve të ligjshëm dhe i ktheve në ish pronarë të paligjshëm duke pasuruar me pronat e tyre gjithë horrat dhe larot e pushtetit si dhe gjithë farefisin tënd biologjik e politik? A nuk po i ripersekuton sërisht këta mjeranë me gjyqe pafund kur fundin e tyre e ke paracaktuar ti dhe kasta jote si dhe pseudodrejtësia e korruptuar dhe e kontrolluar prej teje? Po të burgosurit politikë që paturpsisht vazhdon ti mbash në kthetrat e ankthit dhe gënjeshtrave duke u mohuar dëmshpërblimin e merituar për vitet e gjata të burgut? Kush jemi ne sot? Ne sot jemi fitimtarët pa fitore se fitoren na e vodhe ti dhe partia jote e krijuar nga kontigjenti më i sofistikuar i sigurimit të shtetit dhe ish komunistët pa moral dhe ideal. Idealin e lirisë e demokracisë në këtë vend e mbajtën gjallë për 50 vjet ata që u vranë, u burgosën, u persekutuan, u masakruan për këto ideale dhe jo ti me shokët e tu që ishit dhe do mbeteni pjesa vrastare ndaj tyre. Arsenali kriminal të gënjeshtrave pafund i demagogjisë imorale tashmë i ka ardhur fundi siç i ka ardhur fundi edhe pushtetit tënd. Përjetoje ankthshëm fundin e këtij pushteti që ndërtove mbi gjakun dhe jetën e mijëra e mijëra shqiptarëve që u sakrifikuan për lirinë dhe demokracinë e këtij vendi. Nesër është përkujtimorja e revoltës së përgjakshme të Spaçit, pasnesër e Qafës së Barit por është e sigurtë që aty nuk do shkojë asnjë qeveritar, sepse ju i rivratë ata sepse një pjesë e madhe juaja janë pjellë e atyre që i pushkatuan ata martirë të pafajshëm. Ne do shkojmë atje!... por çdo tu themi, që ëndrra juaj për një Shqipëri të lirë e demokratike nuk është realizuar akoma, që në krye të vendit është prap një sekretar partie i asaj partie që juve ju pushkatoi dhe neve na burgosi? Vëllezër na falni, ne do vimë aty t’ju kujtojmë por në një farë mënyre ne vimë të turpëruar para jush se për pushtetin neo-komunist e pseudo demokratik të Berishës kemi votuar dhe ne për 20 vjet rresht, e tani të zhgënjyer tërësisht po bëjmë divorcing e madh politik por të vonuar. Me ndjenjën e fajita të atyre katolikëve që kontribuan në bërjen Papë të një pirati famëkeq si Baltazar Kosa, në shekullin e XVI, (lexo Pirati u bë Pap, nga Aleksandër Kliridhis), do tu themi na falni vëllezër, na falni gabimin e madh por ne s’ju kemi tradhëtuar, ne do të luftojmë sërish që liria dhe demokracia aq shumë e ëndërruar prej jush të vijë edhe në Shqipëri. Ajo po vjen… Berisha po ikën i lemerisur drejt fundit të tij të pashmangshëm e të merituar. Atë do ta përpijnë errësirat e historisë si një kujtim që s’duhet harruar kurrë për të mos u përsëritur më në historinë e këtij vendi. Baltazar, kjo është darka jote e fundit.

Fatmir Lamaj

I Burgosur Politik