| E enjte, 22.05.2008, 09:11 PM |
Argjentinasi ka prezantuar filmin e tij në Kanë, me regji të Emir Kusturicas
“Isha i vdekur, por ai (Zoti) më tha se duhej të luftoja deri në fund”
Tashmë për ylli argjentinas ka edhe një film, i cili është prezantuar dje në konkursin e Kanës. Eshtë një film i cili tregon qartë jetën e Diego Armando Maradonës, një film me regji të serbit Emir Kusturica. Bëhet fjalë për një nga legjendat e futbollit Botërorë, i cili ka treguar historinë e tij, histori të cilën regjizori i mirënjohur serb e ka kthyer në një film. Titullohet “Maradona sipas Kosturicas” dhe tregon qartë historinë e famshme të futbollistit argjentinas, por edhe bëmat dhe gabimet e tij në jetë. Dje, ky film është prezantuar në Festivalin e Filmit në Kanë, ku kanë marrë pjesë shumë njerëz të famshëm, të cilët e kanë përshëndetur dhe i kanë dhënë mirëseardhjen legjendës argjentinase. Kjo nuk është hera e parë që në Kanë prezantohet një film për një futbollist të madh. Ka ndodhur më parë për një djalosh brazilian të quajtur Dario, i cili është një ndër dy milionë fëmijët që pretendojnë të bëhen futbollistë të mëdhenj. Në këtë film tregohen vështirësitë që Maradona ka hasur në jetën e tij dhe lidhjet e tij me Zotin, sidomos kur i ka shpëtuar vdekjes nga droga, “mallkimi” më i madh në jetën e tij, ashtu siç e ka quajtur vetë edhe legjenda e Argjentinës. “Tashmë edhe vetë e ndiej që nuk kam vdekur. Isha i vdekur, por ai atje lart (Zoti) nuk më la të vdisja. Kur isha në koma, flisja me Zotin, i cili më thoshte: “Lufto, ti nuk do të vdesësh. Isha në koma, por ai më thoshte: “Akoma jo. Jo tani”. Dhe unë e dija fare mirë se kisha ende për të dhënë. Ishte një sensacion shumë i frikshëm, por që më bëri të hapja sytë dhe të jetoja një rini të dytë”. Këto janë fjalët e Diego Armando Maradonës, i cili tregon edhe në film historinë e tij të dhimbshme, por edhe shumë të bukur pasi i shpëtoi vdekjes.
“Dinjo s’duhet të largohet!”
Maradona ka komentuar erdhe situatën dhe të ardhmen e Ronaldinjos, për të cilën ka akuzuar drejtuesit e Barcelonës: “Ronaldinjo është një lojrar shumë i mirë dhe mbi të gjitha një njeri i madh. Ka dhënë gjithçka për Barcelonën dhe tani që nuk po luan, Barça nuk ka fituar asgjë pa të. I këshilloj dhe i kërkoj drejtuesve të Barcelonës që të mos e shesin Ronaldinjon. Të mos ndodhë e njëjta gjë si ndodhi me Figon, Romarion apo Rivaldon dhe shumë yjeve të tjerë të cilët u larguan me polemika nga “Camp Nou”. Për katalanasit do të ishte gabimi më i madh në historinë e tyre nëse shesin Ronaldinjon. Nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë do të mbahen mend për budallëkun më të madh në historinë e futbollit. Milani? Nëse Dinjo shkon në Milano dhe do të përballet me Barçën, atëherë jam i bindur se do t’i shënojë tre gola”.
“Në Europian bëj tifo për Spanjën”
Spanja, Italia dhe Gjermaia janë favoritet për të fituar Eurpoçianin e ardhshëm, por Diego Armando Maradona deklaron se zemra e tij rreh për skuadrën e Luis Aragonesit, për të cilën do të bëjë edhe tifo: “Uroj me gjithë zemër që Spanja ta fitojë këtë Europian. Nëse do e dija se cila skuadër e fiton këtë kompeticion, atëherë do të vija baste. Mendoj se do të jetë shumë e vështirë për të gjitha skuadrat, por shoh se Spanja ka një grup vërtet simpatik dhe që mund të bëjë historinë. Ata janë shumë të fortë, edhe pse Raul nuk do të jetë. Kanë fituar çdo ndeshje dhe pas 44 vjetësh mund të rikthejnë një titull në Spanjë. Jam i bindur s emund t’ia dalin mbanë”.
“Do prisja dorën për Xhulia Roberts”
Ndër shumë temash të tjerash, Diego Armando Maradona ka folur edhe për jetën e tij jashtë futbollit dhe drogës. Ka komentuar për shumë gjëra të tij të preferuara dhe ndër to ka qenë edhe aktorja Xhulia Roberts: “Do të bëjë gjithçka për ta parë. Për të do të prisja edhe dorën”, ishte deklarata e argjentinasit, i cili më pas shtoi: “Edhe vajza ime është aktore dhe do doja që një ditë më bëhej po aq e famshme dhe e mirë si Xhulia. Më pëlqen shumë mënyra se si aktor dhe fizuku i saj. Eshtë një protaggoniste shumë e mirë, sidomos në filmin “Pretty Woman”. Përveç aktores më të mirë, Maradona tha dy fjalë edhe për “Dorën e Zotit”, pra për golin e shënuar me dorë ndaj Anglisë në Botërorin e Meksikë 1986. “Eshtë komentuar shumë ky rast, por më mirë do ta ndiqnin edhe në filmin tim. Regjizori Kusturica nuk e ka lënë mënjanë, por është një ndër pikat kryesore të këtij filmi ose dokumentari. Unë Zoti? Nëse të tjerët dëshirojnë të më quajnë kështu, atëherë do ta pranojë me gjithë qejf. Por, unë kam bërë shumë gabime në jetën time, për të cilat jam penduar, edhe pse gjërat nuk janë më njësoj. Do të bëja gjithçka vetëm të rikthehesha edhe një herë tjetër në atë kohë”.
“Mund të isha bërë më i mirë se Pele!”
Gjatë prezantimit të filmit të tij në Kanë, Maradona ka dhënë një konferencë për shtyp, ku gazetarët e kanë pyetur për shumë tema të ndryshme. Një ndër to ishte edhe marrëdhënia e tij me Pelen dhe pikëpyetja e madhe: cili prej të dyve është futbollisti më i madh në botë në të gjitha kohërat. Dhe Maradona përgjigjet: “Nëse nuk do të kisha bërë gabimet që kam bërë në jetë, atëherë Pele nuk do të ishte as i dyti”. Kjo përgjigje e argjentinasit vjen pas kritikave që Pele i ka bërë disa muaj më parë në një intervistë: “Maradona ka qenë një futbollist i madh, por nuk gjuante dot me këmbën e djathtë dhe ishte i dobët në goditjet me kokë. Nuk ishte një futbollist i kompletuar. Për më tepër, kam edhe një pyetje: Pse të gjithë lojtarët olimpikë i humbasin medaljet e tyre kur marrin doping dhe ai jo?”. Ky ishte ngacmimi i parë i Peles, por edhe Maradona nuk mund të rrinte pa u përgjigjur: “Vajzat e mia më ka thënë të mos flasë për Pelen, por nuk kam çfarë të bëj, nuk rri dot pa e përmendur emrin e tij. Pele nuk ka dinjitet për të folur me mua. Ai duhet të shh atë që ka dhe më pas të përmendë emrin tim”.
“Droga, mëkati im në jetë!”
Sigurisht që në konferencën për shtyp, Maradona nuk mund të linte pa përmendur edhe lidhjet e tij të ngushta me drogën, e cila e afroi shumë afër vdekjes. “A e dini se çfarë lojtari mund të kisha qenë nëse nuk do të kisha konsumuar kokainë?. Edhe vetë jam kurioz për ta mësuar një gjë të tillë. Eshtë e vërtet që kam patur lidhje të ngushta me drogën, e cila për pak më kushtoi edhe jetën. Kam kaluar një tmerr të vërtetë dhe askush nuk mund ta imagjinojë. Kam gabuar vërtet shumë, por falë Zotit e kam kuptuar shumë shpejt. Droga ka qenë mëkati im më i madh në jetë, por falenderoj doktorët, familjen time, vajzën dhe shumë miq të cilët më kanë ndihmuar. Falë tyre, unë jam tashmë mirë dhe midis jush”.