| E diele, 15.09.2013, 06:00 PM |
Mazhani me famë në histori
(nga lashtësia deri në vitin 1583)
Nga Kujtim Mateli
Mazhani bën pjesë në krahinën e Dëshnicës,në
rrethin e Përmetit. Për të është folur kalimthi, por historia e tij është e
hershme dhe sa më larg të zhytemi në historinë e tij, aq më afër na shfaqen
konturet e një qytetërimi që pret në radhë të parë dorën e arkeologëve, por
edhe të studiuesve të fushave të ndryshme që mund të zbardhin sadopak historinë
e tij.
Mazhani ndodhet në pjesën veriperëndimore të rrethit të Përmetit, fillon aty ku
ngrihet qafa e Kiçokut, ku shënohet dhe kufiri ndarës me rrethin e Tepeleniës
dhe në një gjatësi rreth 5 km. shtrihet përgjatë rrëzës së Trebeshinës. Në
juglindje kufizohet me fshatin Psarr. Ndërsa në lindje dhe veri ka fshatrat
Ballaban dhe Komorak. Sipërfaqja e tij është rreth 15 km katror. Në vitet 70-të,
nga fshati Mazhan, për arsye organizimi u shkëput një pjesë e tij dhe formoi
fshatin Kondas.
Për të kuptuar më mirë madhështinë e tij, le të shohim institucionet fetare që
kanë qenë përdorur nga banorët e këtij fshati:
Besimi i banorëve të sotëm është ai i bektashinjve.
1- Teqeja e Kiçokut.
Kjo teqe ka qenë institucioni më i rëndësishëm i besimit të bektashinjve. Ajo
nuk u ka shërbyer vetëm banorëve të Mazhanit, por edhe të fshatrave përreth.
Pas viteve 90-të u rindërtua nga Alizot Canollari. Sot është bërë një qendër e
rëndësishme e besimit fetar.
2-Mekami në qendër të fshatit Mazhan.
Mekami ka qenë tepër i frekuentuar nga banorët e fshatit. Pas viteve 90-të u
rindërtua përsëri. Data 24 qershor është lënë si dita e takimit të
banorëve të fshatit që janë larguar dhe ky takim realizohet në mjediset në
afërsi të mekamit. Në këtë ditë përveç banorëve të larguar vijnë dhe ata nga
fshatrat përreth.
3- Vakëfi. Diku në krye të fshatit gjendet një vend që e quajnë vakëf.
Në dokumentet osmane figuron që nga viti 1583.
4-Xhamia e Psarrit.
Ishte në kufirin që ndan Mazhanin nga Psarri. Nuk duhet të ketë funksionuar
gjatë, pasi prej banorëve nuk ka të dhëna që ky institucion të ketë ushtruar
funksionin e tij.
5-Kisha e Shën Mitrit
Në fund të fshatit Mazhan në lindje të tij është një vend që që quhet Shën
Mitri. Emri i këtij vendi lidhet me një kishë që i ka shërbyer fshatit.
Kujtimet për të janë të mjegullta nga banorët e fshatit, por gjithësesi emri i
vendit na tregon praninë e këtij institucioni të krishterë në këtë mjedis.
6-Kisha e Kreshovës.
Ajo ndodhet në lagjen Kreshovë. Vendodhja e saj është e përcaktuar.
7-Kisha e Kondasit.
Sipas gojëdhënave edhe kjo lagje ka patur një kishë, por nuk ka një emërtim
vendi që mund të japë të saktë vendndodhjen e saj.
8-Bregu i kryqit
Në fund të fshatit, në një kodër të dukshme, është një vend që quhet : “Bregu i
kryqit” Këtu ka qenë një kryq që shërbente jo vetëm për banorët e fshatit, por
edhe më gjerë. Ky kryq i vendosur në këtë kodër shihej nga më shumë se 5
fshatra. Ai bënte edhe lidhjen midis tri kishave, sepse që këtej mund të
shiheshin qartë Kisha e Kreshovës, e Kondasit dhe ajo e Shën Mitrit.
Mazhani i shekujve të shkuar, me dy kisha të rëndësishme dhe me një kryq që
dukej gjatë gjithë segmentit të rrugës Bubës-Këlcyrë, sidomos në pjesën e mesme
të këtij segmenti, e ka bërë Mazhanin të ndihej krenar për besimin e tij. Për
kryqin e Mazhanit thuhej se kishte lartësinë e një ndërtese dy katëshe . Me
këto përmasa ishte i dukshëm ngado që kodra e kryqit mund të shikohej. Një
kilometër më lart shtrihet një tjetër kodër që nga banorët quhet Lisi i Belçit.
Në krye të saj ka qenë një lis gjigant. Tregojnë se, kur ishte ditë e
kthjellët, ky lis dukej që nga Konica. Nga këto dy maja kodrash banorët e
Mazhanit vështronin Tomorrin dhe i drejtonin atij lutje.
Vende të shenjta që i përkasin besimit të vjetër të
shqiptarëve.
9- Lisi i shenjtë i
10- Lisi i shenjtë i Goxhajt.
Ky lis mund të ketë qenë më madhështori në
të gjithë krahinën. Lartësia e tij shkonte deri në 30 metra. Ndodhej në
lëndinën e një pylli, por në afërsi të tij kanë banuar njerëz. Diku, në lindje,
janë gërmadhat e një shtëpie të vjetër. Njeriu e kishte të pamundur ngjitjen në
të. Nga të gjithë lisat përreth, ishte i fundit që e humbte gjelbërimin.
Njerëzit e konsideronin të shenjtë. Mbi degët e tij nuk ishte dukur ndonjëherë
dora e njeriut me sopatë. Dora e njeriut mund t`i drejtonte atij vetëm lutje.
Këto kanë qenë disa nga vendet ku njeriu përulej para Zotit. Mund të ketë
patur dhe të tjera vende të shenjta, por koha ka bërë punën e saj. Ka fshirë
nga kujtesa e njerëzve një pjesë të kësaj historie.
Le t`i referohemi një pike në historinë e këtij fshati që ndodhet i dokumentuar
në defterët e perandorisë osmane gjurmët e saj nuk ka mundur t`i ruaj të plota
as toka. Megjithatë, 10 vende të shenjta janë të mjaftueshme për të parë
madhështinë e banorëve të këtij fshati që nuk i humbi kurrë lidhjet me trojet e
veta edhe në kohët më të vështira.
******
Mazhani në kohën e pushtimit Osman
Që të kuptohet historia e fshatit
Mazhan do të shkojmë në një periudhë historike që është e dokumentuar nga
arshivat osmane dhe ky është viti 1583. Për Mazhanin gjejmë këto të
dhëna:
Fshati Mazhan (në tekst Mazheni) Mevkuf-banojnë këtu tre bylyqe; shtëpi 83,
vejusha 7, beqarë 9. Të ardhurat 5122 akçe.
Nev-jaft i zbuluar nga Kolojani në fshatin e lartpërmendur
Mazhani (pasi u përfshinë edhe shtëpite e parregjistruara) kishte:
Shtëpi 112 dhe të ardhurave të mësipërme u shtoheshin edhe 4890
akçe 1).
Për të kuptuar më mirë pjesën e mësipërme le të shpjegojmë edhe disa nga
emërtimet të cilat na u bënë të qarta gjatë studimit të dosjeve të kohës së
Perandorisë Osmane të kësaj periudhe.
1- Mevkuf. Tokë ose pronësi tjetër të destinuara t`u shërbenin
institucioneve fetare. Më vonë u quajtën vakëfe. Mazhani kishte një vakëf i
cili ndodhej atje ku ne sot i themi: vakëf. Në këtë vend sot është shkolla
8-vjeçare.
2- Nev-jaft. Jashtë defterit, e
tepërt, tepëricë. Tokë e rigjetur. Spahinjtë kishin tendecë që disa familje të
mos i rregjistronin me qëllim që një pjesë të të ardhurave ta merrnin për vete.
Në rastin konkret në fshatin Mazhan nuk ishin rregjistruar 29 familje dhe
bashkë me to edhe toka dhe të ardhura të tjera që kishin në pronësi.
3- Bylyqe. Nga osmanishtja. Grumbuj. Në këtë rast ishin tre grumbuj me
shtëpi dhe në rastin konkret duhet të ketë qenë: Mazhani (qendër) Kreshova dhe
Kondasi dhe këto dy të fundit deri në vitet shtatëdhjetë kanë qenë lagje të
Mazhanit. Pra në vitin 1583 Mazhani ka qenë një fshat i madh që përfshinte
territorin ku shtrihet Mazhani i sotëm dhe i lagjeve Kreshovë dhe Kondas të
cilat rreth vitit 1970 u shkëputën nga Mazhani për arsye të rritjes së
popullsisë dhe krijuan fshatin Kondas.
4- Akçe. Njësi matëse me të cilën vlerësoheshin të ardhurat në vlerë.
Shembull: Taksa e mullirit ishte 5 akçe në muaj. Një kilogram grurë vlerësohej
me 10 akçe. Një kilogram elb ose thekërr 6 akçe.
Po cilat ishin zërat që tatoheshin në këtë periudhë(duke marrë për bazë vitin
1583): Taksë kullote, e dhjeta e zgjojve të bletës, taksë për perimet,
taksë shpendësh, nijabeti dhe taksa e martesës, taksa e drithrave, e dhjeta e
vajit të ullirit dhe taksa të tjera sipas zërit të të ardhurave, mulli etj.
Ishte gjithashtu dhe taksa e bekçiut (rojtarit të fshatit)
*******
Fshatra me emrin Mazhan në Livanë e Janinës.
Në Livanë e Janinës janë dy fshatra me emrin Mazhan. Njëri ndodhet në Nahijen
(krahinën) e Malakasit dhe tjetri në Nahijen e Radovizit. Është për t`u
theksuar se në Nahijen e Renjasës ndodhet një fshat me emrin Ballaban.
Le të shohim konkretisht njërin nga fshatrat me emrin Mazhan, atë që ndodhet në
Nahijen e Malakasit.
Fshati Mazhan, timar i Ibrahim Çaushit, çaush i mirmironit të Rumelisë, varet
nga Malakasi. ( në Livanë e Janinës rregjistrimi është bërë sipas familjeve.)
Gjonço Selo
Jorgo Teodori
Dimo Farmaqi
Llukë Dimo
Ishtana Kllaqi
Dimo Istathi
Niko Istathi
Miho Gjoni
Niko Leka
Jorgo Leka
Ishtamo Marko
Dokë Bernano
Jani Petri
Jorgo Aleksi
Ishtano Jorgo
Petro Jorgo
Dhikë Jani
Jorgo Jani
Miho Jorgo
Ishtana Murali
Niko Stefo
Jani Niko
Dimo Nika
Istefo Gjoni
Jani Ishtaniani
Doke Nika
Istathi Jorgo
Jorgo Dimo
Gjithësejt 28 familje2).
Ajo që na intereson është se a ka ndonjë lidhje
midis fshatit Mazhan në rrethin e Përmetit dhe atij të Janinës? Vështirësia
qëndron në faktin se në Mazhanin e Përmetit rregjistrimi nuk është bërë sipas
familjeve. Ajo që do të na vijë në ndihmë është të shohim emrat e vendeve,
sepse emrat e vendeve janë rregjistri më i mirë atje ku mungon dokumentacioni.
Veçojmë disa emra dhe mbiemra familjesh që kanë një lidhje me emrat e vendeve
në fshatin Mazhan dhe konkretisht në lagjen e Kreshovës. Ja disa nga emrat e
vendeve që do t`i krahasojmë me emrat e familjeve të fshatit Mazhan të
Janinës.
Emrat e vendeve në Mazhan të Përmetit: Doko, Lisalekaj (Lisat e Lekës)
Qafa e Stefës (e cila ndodhet përballë lagjes Kreshovë.
Emrat e familjeve në Mazhan të Janinës: Niko Leka, Jorgo Leka, Dokë
Bernano, Dokë Nika, Niko Stefo.
Nga krahasimi shohim se mbiemrat Leka, Stefo dhe emri Dokë, të fshatit
Mazhan të Janinës u përgjigjen emrat e vendeve: Doko, dhe emrat në
gjinore e Lekës dhe e Stefës. (Lisat e Lekës dhe Qafa e Stefës) që ndodhen në
Mazhanin e Përmetit. Kështu duke patur në dispozicion një material me emra
vendesh dhe njerëzish mund të arrijmë në një konkluzion se ndërmjet Mazhanit të
Janinës dhe Mazhanit të Përmetit ka patur një lidhje midis tyre që është
realizuar nga lëvizja e popullsisë ndërmjet këtyre dy fshatrave.
*****
Krahasimi i fshatit Mazhan me qendrat e tjera të banuara të asaj
periudhe(sipas rregjistrit të vitit 1583 dhe më parë.)
Në vitin 1427 kemi një rregjistrim të disa qyteteve të Shqipërisë.
Popullsia e këtyre qyteteve paraqitej shumë e kufizuar.
Argirikasri (Gjirokastra) 121 shtëpi
Himara …………………………117 shtëpi
Sopoti ……………………………60 shtëpi
Kanina…………………………216 shtëpi
Klisura (Këlcyra)………….100 shtëpi
Belegradi (Berati)………….175 shtëpi 3).
Në këtë mënyrë, secili nga këta qytete paraqitet në
gjëndjen e një fshati të madh. Kështu po të krahasojmë Mazhanin sipas
rregjistrimit të vitit 1583, me 112 shtëpi, del se Mazhani ka qenë një qendër e
rëndësishme në atë peridhë dhe më parë në periudhën mesjetare. Po të
shtojmë se qendrat e mësipërme: Argirikasri (Gjirokastra, Himara, Sopoti,
Kanina, Klisura (Këlcyra) dhe Belegradi (Berati) filluan të luanin rolin e
qëndrave të zonave të mësipërme, ato erdhën duke e rritur numrin e popullsisë
së tyre me familje që zhvendoseshin nga fshatrat përreth, drejt këtyre zonave
të banuara dhe kështu lindën qytetet ku banorët e fshatrave përreth
shkonin atje për të shitur prodhimet e tyre dhe për një sërë shërbimesh të
nevojshme për të përballuar jetën në fshat. Pra Mazhani me 112 shtëpi,
ndodhet midis Këlcyrës me 100 shtëpi dhe Argirikasri (Gjirokastra) 121
shtëpi. Po Mazhani para vitit 1583 duhet të ketë qenë edhe më i madh,
sepse që nga koha e pushtimit osman, fshatrat filluan të braktiseshin në dy drejtime
kryesore:
a) drejt vendeve ku mundoheshin t`u shpëtonin taksave. Kështu mund të
ketë ndodhur që Mazhani i Janinës të jetë formuar me banorë të fshatit Mazhan
të rrethit të Përmetit. Kjo për faktin se ndërmjet dy fshatrave ka elementë që
e vërtetojnë këtë lidhje. Por edhe lëvizja e popullsisë ka qenë në drejtim të
jugut, të cilat ishin relativisht më të qeta si dhe në drejtim të
Perëndimit (Itali) dhe në Lindje. Atje ku është vendosur Mazhani i Janinës në
atë periudhë, ka qenë toke e banuar nga shqiptarët, kështu që kjo lëvizje është
kryer pa vështirësi.
b) drejt qyteteve ku filluan të punonin në mjeshtëri të ndryshme. Këtë e shohim
nëse do t`i referohemi një rregjistrimi të mëvonshëm, pas 156 vjetësh, atij të
vitit 1583 shohim se Gjirokastra numëron 369 familje të krishtera. Këlcyra
kishte 244 familje.
Pra rritja e qyteteve erdhi si rezultat i ardhjes së familjeve nga fshatrat
përreth. Kështu Mazhani duhet të ketë qenë më shume se 112 shtëpi në vitin
1427.
Edhe vetë qyteti i Përmetit në vitin 1583 kishte 42 shtëpi me
kryefamiljar të martuar dhe 4 shtëpi me beqarë Pra shohim se Mazhani ka patur
një numër më të madh shtëpish se i Këlcyrës dhe i Përmetit. Atëhere shtrohet
pyetja. Cilat kanë qenë arësyet që Mazhani të ketë qenë një nga fshatrat
më të zhvilluar në numër popullsie dhe cili ka qenë roli i tij në luginën e
Dëshnicës dhe atë të Vjosës? Në këto kushte përgjigje do të marrim nga
arkeologjia dhe nga gjuhësia duke bërë gërmime tek vendi i quajtur Sheshi i
Melicës dhe duke analizuar emrat e vendeve për të përcaktuar kohën e emërtimit
të tyre.
Në lagjen Kreshovë, pjesa tek kisha,
kërkon medoemos dorën e arkeologut për të thënë më shumë për këtë fshat. Në
vitet 60-70-të, kur toka u punua për herë të parë me traktor, në një sipërfaqe
disa dynymëshe, dolën në sipërfaqe copra të shumta qeramike.
Emrat e
vendeve.
Në lagjen Kreshovë ekzistojnë emërtime që na
tregojnë se ky vend ka qenë i banuar herët. Është i banuar në ato periudha kur
prona nuk ishte ndarë midis individëve, por përdorej bashkërisht. Kur individët
filluan ta ndanin tokën midis tyre për të prodhuar më shumë, brenda këtyre
parcelave disa hektarëshe gjejmë emrat e pronarëve që i zotëronin këto parcela
të vogla . Psh. Emërtimi i sipërfaqes Thanëz kishte brenda saj rreth 20
pronarë, parcelat e të cilëve mbanin emrat e pronarëve ekzistues, por edhe të
atyre të mëparshëm. Disa emrash vendesh në fshatin Mazhan si: Sheshi i
Melicës, Drepale, Kallf, Panalep, Polig, Degdavë, Peneze etj, na shpien në një
periodë shumë të lashtë të gjuhës indoeuropiane të përdorur nga shqiptarët.
Shembull:
Për emrin e vendit Drepale.
Eqerem Çabej, studime
etimologjike në fushë të shqipes
“Drip. Këtë fjalë të Leotit, Resteli e çon te
rrënja indoeuropiane drep-;” 4).
Pra drep- është një nga fjalët më të vjetra
në gjuhën shqipe. Në kuptimin e sotëm ajo nuk përbën më fjalë. Por si një nga
fjalët e para indoeuropiane e përdorur dhe në gjuhën shqipe, sigurisht që ka
patur kuptim. Kjo mund të vërtetohet dhe nga fjala angleze drop (në kuptimin
pikon, bie pikë-pikë, kullon, si dhe
bie, rrëzohet, shembet, vidhiset). Fjala drepale ka dalë nga drep+ale
(prapashtesë). Por derisa në gjuhën shqipe të jenë përdorur prapashtesat për
formimin e fjalëve të reja, fjala drep është përdorur në kuptimin e përafërt me
fjalën angleze drop ( kullon, bie, rrëzohet). Vendi i quajtur Drepale është një arë rreth dy ha.
dhe që vazhdimisht rrëshqet (rrëzohet),
sepse përshkrohet nga ujra që kullojnë në pjesë të ndryshme të kësaj parcele që
ndodhet ndanë një përroi. Nisur nga sa thamë
më sipër shqipja duhet ta ketë përdorur fjalën drep- për rrëzoj, ashtu
sikundër është sot kuptimi në anglisht për drop. Emri i vjetër drep- nuk u
përdor në kohët e mëvonshe, ndoshta për shkak të fjalëve të reja sinonime me
të.
Po që fjala –drep është një fjalë shumë e
hershme, e kohëve homerike, mund ta vërtetojmë edhe me emra të tjerë vendesh.
a-) Erik,mbreti mitologjik i elimejve në
krahinën Erikia(Erithia), bir i oqeanit dhe i Tetit, ose bir i Butit dhe i
Afërditës. Aty ndodhej qyteti i Drepanit …” 5).
b-) Sipas Dhimitri Pilikës, për një lashtësi
të thellë parahelene dëshmon prania e emërtimit të disafishtë :Drepan është
emri i vjetër i Korfuzit 6).
c-)
Këtë e pohon edhe Pierre Cabanes
Pierre Cabanes, Historia e Adriatikut, Tiranë
2005, fq.35
“Pastaj Hera e favorizon lundrimin e tyre( të
argonautëve) drejt Drepane-Korkyrës”.
c-) Virgjili tek “Eneida” gjejmë vargun: Dhe
pastaj dola në portin e Drepanit 7).
******
Degdava është një emër vendi në lagjen Kreshovë. Emri eshtë i përbërë
nga dy fjalë: degë dhe davë. Davë dhe Devë janë emra të gjuhës shqipe, të
përdorura si emra njerëzish apo dhe mbiemra të tyre. Dava përdoret gjerësisht
si emër i gjinisë femërore në veri të Shqipërisë. Po ky emër rrjedh nga
trakishtja, popull që në antikitet jetonte në lindje të trojeve ilire. Mjaft
gjuhëtarë e kanë vënë në dukje lidhjen midis gjuhës shqipe dhe trakishtes, aq
sa kanë arritur dhe në konkluzionin se shqipja rrjedh nga trakishtja.
Pol Kreçmer( Paul Kretschmer) thotë se trakasit i përdornin emrat e
vendeve duke u vendosur shtesat: bria, deva ose dava, duke e ilustruar me
shembuj dhe kohën e përdorimit të tyre e vendos në periudhat para lindjes së
Krishtit 8).
Nuk ka dyshim që emri Degdavë është ndërtuar në modelin e trakishtes, duke
patur për bazë emrin e përgjithshëm degë, të gjuhës shqipe. Ajo që na intereson
është vazhdimësia dhe që banorët e Mazhanit, kanë përcjellë nga njëri brez në
tjetrin këtë pasuri të madhe. Mazhani ka patur largimet dhe ardhjet e veta, por
popullsia e mbetur asnjëherë nuk ka qenë në minorancë, ndryshe të ardhurit do
t`i kishin zëvendësuar këto emra me emra të rinj. Disa nga këto emra janë fjalë
të gjuhës indoeuropiane, që do të thotë se banorët e Mazhanit ka qenë në këto
troje qëkurse njerëzimi filloi të flasë.
Po
Mazhani, i banuar që në periudhat parahistorike, nuk ka pushuar së ekzistuari
as në kohën e pushtimeve sllave.
Eqrem Çabej, studime etimologjike në fushë të
shqipes, shkronjat C-D
Vendi i quajtur: Përroi i Çerepit.
“çerep, çerjep,. Huazim sllav, bullg....
Kristoforidhi
502 e jep për të folët e Përmetit, po e kanë ndër të tjera edhe
Mallakastra, Myzeqeja, Opari, Devolli, Dumreja,....”9).
Siç shihet ekzistenca e kësaj fjale
tregon se banorët e Mazhanit nuk e kanë braktisur truallin e tyre as me
pushtimet sllave, ndërsa periudha e pushtimit osman e gjeti Mazhanin me 112
shtëpi. Mazhani na tregon se kjo trevë ka qenë e banuar që nga koha kur shqipja
filloi të zgjeronte bazën e saj indoeuropiane. Mazhani dhe mbarë treva e
Përmetit, si pjesë e atij grupimi që formoi dialektin e toskërishtes, ruan në
emra vendesh fjalorin e vjetër indoeuropian, të cilin nuk mundi ta ruante
dot në të folurën e përditshme. Ky fjalor (fjalori i emrave të vendeve) do t`na
ndihmojë të depërtojmë edhe më tej, në misterin e mijëvjeçarëve para lindjes së
Krishtit.
Parajsa me emrin Mazhan.
Po cila është arsyeja që Mazhani ruan një vazhdimësi kaq të gjatë? I
përshtatshëm për banorin e komunitetit primitiv. Në kushtet kur mungonin veglat
e punës dhe bujqësia ende nuk ekzistonte, frutat, gjahu dhe blektoria ishin
baza e ekzistencës së njeriut të neolitit. Mazhani ka qenë një vend ku rritej
druri i arrës, gati në të gjithë sipërfaqen e tij.
Por Poligu, Thanza dhe Degdava ka qenë vende disa hektarësh ku disa qindra dru
arre rriteshin (dhe vazhdojnë të rriten) në atë vend. Arra duhet të ketë qenë
ushqim kryesorë tek banorët e tij, një ushqim që përfitohej pa i kryer asnjë
shërbim. Ndaj para një përfitimi kaq të madh, askush nuk kishte arsye që të
largohej.
Banorët e tij kishin një nderim të veçantë për drurin e arrës. Ata gati e kanë
konsideruar si të shenjtë. Arra nuk pritej pa shkak. Tek banorët e tij ka
ekzistuar një mit i çuditshëm. Arra nuk mbillej. Nëse dikush e mbillte, do të
vdiste. Ky veprim i pa arsyeshëm për kohën tonë, duhet të ketë patur në
zanafillë të tij një veprim teje të arsyeshëm.
Por këtij pylli me arra, po t`i shtojmë dhe klimën e ngrohtë, vend i parrahur
nga erërat, i shtrirë në një lartësi që shkonte nga 300- 500 metra mbi nivelin
e detit, me mal e luginë të pasur në kullota, me një pyll që shtrihej në pjesën
veriore të tij dhe që thirrej: Shullë, ku rritej derri i egër, kaprolli dhe
dhjetra kafshë të tjera që i përdornin si ushqim gjatë gjithë vitit, me bletë
të shumta që i rritnin fshatarët, por që i gjeje lehtësisht në pyllin e
Shullërit dhe më tej në Derven, e bënin Mazhanin një mrekulli për banorët e
saj. Lisat në ledhet e arave ku rritej hardhia dhe që banorët u thonë kuaj,
drurët e shumtë frutorë: molla, qershia, fiku, dardha dhe dhjetra të tjera e
bëjnë Mazhanin një fshat të kompletuar që nuk i ka munguar asgjë. Për Mazhanin
më shumë se kudo gjetkë vlejnë ato vargjet e Naimit: “Bota qëkur është zënë/
Mazhani gjallë ka qenë”.
1) Arkivi i
Institutit të Historisë (AIH)Defteri i Përmetit dhe Korçës, viti 1583.
2- (AIH) Livaja e Janinës (Hixhri 991) viti 1583.
3- (AIH) Sanxhaku i
Vlorës, (Hixhri 835) viti 1427.
4-Eqrem Çabej,
studime etimologjike në fushë të shqipes, fq.140.
5-Ilir Cenollari,
Profecitë e Zotit të Tomorrit, fq. 140.
6-Dhimitri Pilika,
Pellazgët origjina jonë e mohuar, fq. 389.
7-Virgjili, Eneida,
Sh.B.Toena, Tiranë 1996, fq.114.
8-Paul Kretschmer.
Njohja e gjuhëve indogjermane, Tiranë 1923, fq.24.
9- Eqrem Çabej, studime etimologjike në fushë të shqipes, shkronjat C-D. fq109.