| E shtune, 14.09.2013, 01:53 PM |
Në kullë
të Isa Boletinit
Nga Bedri TAHIRI
Kremtimi
i 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të cilën thuajse e patën
përgatitur kryesisht burrat e mëdhenj e
trima të Kosovës, sikur nuk ka të ndalur. Edhe viti 2013 po nanuriset në
prehërin e artë të shekullit të shqiptarëve. Pinjollët e familjeve të mëdha
atdhetare, të cilat brenda këtyre njëqind vjetësh nuk kursyen asgjë për të
mirën e kombit e të atdheut, sot, më shumë se kurrë, janë organizuar e janë
bashkuar në sendërtimin e idealeve të etërve e gjyshërve të tyre, që synim
përfundimtar kishin: Ribashkimin tonë kombëtar!
Edhe dita
e së martës, e 10 shtatorit 2013, u gëdhi hareshëm e në një atmosferë të tillë
festive. Kësaj radhe po na grishte plot gaz e hare komuna më specifike e hallemadhe e shtetit të
Kosovës, Mitrovica dhe Kreshbardha ilire me kullën e Isë Boletinit në Boletin.
Ora 10.
Sakaq në oborrin e komunës zbresin si me krahë dragoi përfaqësues të familjeve
atdhetare e veprimtarë të çështjes kombëtare nga të gjitha anët e trojeve tona.
Nga Shkupi historik erdhi historiani i palodhur z. Skënder Asani. Nga Prishtina
erdhi promotori i të gjitha këtyre organizimeve, z. Mehmet Prishtina, i
përcjellë nga veprimtari malishevas, z. Besim Thaçi e nga Klina z. Pjetër Coli,
i cili kohë më parë rregulloi varrin e Hasan Prishtinës në Kukës. Në anën
tjetër mbërriti pinjolli i Haxhi Zekës, z. Bekë Zeka. Aty na pristi nikoqiri,
z. Gazmend Boletini, pasardhës i Isë Boletinit. Në mesin tonë ka edhe familjarë
e veprimtarë të tjerë…
Dhe, të
gjithë tok ia mësymë komunës. Në paradhomën e zyrës së tij kishte dalë të na
priste i zoti i shtëpisë, z. Avni Kastrati.
Një pritje madhështore dhe e përzemërt. Sakaq ia bëhu edhe nënkryetari,
krijuesi dhe veprimtari i palodhur, z. Riza Haziri.
Mehmet
Prishtina, njeriu që bëri aq shumë për të madhin Hasan Prishtina, në emër të
delagacionit tonë përshëndeti kryetarin e Mitrovicës, z. Avni Kastrati dhe ia
dorëzoi Pullën postare me figurën e
Rexhep Mitrovicës, të lansuar ditë më
parë nga posta e Maqedonisë.
Mehmet Prishtina ia dorëzon Pullën postare kryetarit të Mitrovicës
Për
figurën e këtij atdhetari, paksa të menjanuar e të injoruar nga regjimet e
mëparshme, foli historiani shkupjan, z. Skënder Asani. Edhe ne të tjerët thamë
ndonjë fjalë…
Në zyrën
e kryetarit në Mitrovicë
Kryetari
i komunës, z. Avni Kastrati, pasi tha që ndjehet tejet i nderuar që zyrën e tij
e kishin mbushur mysafirë të veçantë, përfaqësues të familjeve që kanë bërë
historinë e të cilët, sot e nesër, duhet të luajnë rol në rrjedhat shoqërore,
na qerasi me kafe shtëpie dhe na dhuroi nga një ëmblemë të komunës së
Mitrovicës e nga një libër për Isa Boletinin.
Para shtatores së Isa Boletinit në Mitrovicë
Rrugën
për në Boletin e morëm pasi nderuam shtatoren e bacës Isë, buzë Lumit të Bardhë
dhe vizituam shtëpinë, gati të rrënuar, por siç na thanë së fundmi të marrë nën
përkujdesje institucionale, të Xhafer Devës…
Para kullës së Isa Boletinit
Kulla e
qëndresës heroike, krenare si përherë. Në oborrin e saj gjetëm sofrën shtruar
me gjithë të mirat. Gazmend Boletini kishte hapur zemrën dhe sa nuk fluturonte
nga gëzimi. Ndjehej i lumtur e i tejet nderuar që po priste pinjollët e atyre
burrave, të cilët, para njëqind e ca vitesh, bashkë me Isa trimin kishin
kuvenduar e kishin qënduar në bedenat e kësaj kulle heroike. Karvani ynë tashmë
ishte shtuar. Madhështinë e takimit e shtonte prania e të parëve të komunës, z.
Avni Kastrati e z. Riza Haziri. Atje ishin
RTK-ja, e TV- Mitrovica...
Për çudi,
kulla fliste vetë. Brendësia e saj, histori në vete. Fotot dhe eksponantet e
larmishme e gjallëronin vendin. Muret e trasha të fortesës që u përballuan
topave të pashallarëve satrapë turq, të ngjallnin emocione të veçanta krenarie.
Për ironi, tek po hynin në oborrin e kullës, njëra nga tri shërbëtoret e kishës
serbe, e futur në gji të saj, po e ngjyroste mbulojën e murit rrethues. Por,
zërat e ëmbël të njomëzakëve shkollarë që loznin në oborrin e shkollës ngjitur
me kullën, sfidonin heshtjen e memecëllekun e asaj foltoreje, e cila në mykun e
saj ruan urrejtjen e mbjellë nga priftërinj shpirtzinj, mbuluar me kamillaf
deri në fund të këmbëve.
Drekë në oborrin e kullës në Boletin
Peizazhi
para nesh; male, kodra, lugje, bregore…Majdani, Zhazha, Vllahija…vështruar
përmes frëngjive të kullës së qëndresës, në të perënduar të diellit, krijonte
imazhe të një kushtrimi të dikurshëm të trimave të lirisë…
Mua një
gjë seç më gicte thellë në shpirt: Mungesa e eshtrave të të zotit të kësaj
kulle. Kush e di, mbase pse më koinçidonte me varrin e zbrazët të heroinës
Shotë Galica, në Kompleksin Përkujtimor “Azem e Shotë Galica” në Galicë…
Sidoqoftë,
takimi ynë në Mitrovicë e në kullën e Isa Boletinit do të qëndrojë gjatë në
kujtesën tonë…