| E enjte, 12.09.2013, 08:47 PM |
Nga Gani
Qarri
Për fat
të keq, Serbia vazhdimisht manifeston sjellje jo- evropiane dhe qëndrime
thellësisht antishqiptare, për të cilat nuk e qanë kokën askush, madje nuk
mërziten as vet shqiptarët, ani pse tendencat e saj gjithmonë dhe
drejtpërsëdrejti godasin, ekzistencën dhe shtetësinë e tyre.
Dëshmia
më e keqe janë qëndrimet e mbajtura në bisedimet e deritanishme me kompromise
të pafund në kurriz të Kosovës, të cilat pas këmbënguljeve të Serbisë, sollën deri
aty sa që nga shkurti i vitit 2012, Kosova jo vetëm ta mohoj shtetësinë e saj
dhe zëvendësoj atë me fusnotë, por tanimë ta heqë dhe fshijë tërësisht edhe
logon shtetërore nga fletëvotimet, në mënyrë që një grusht serbësh të marrin
pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit të këtij viti.
Për çudi,
kësaj here edhe ata, bënë sikur u pajtuan me kompromisin tonë të radhës, dhe si
shpërblim ndaj zemërgjerësisë sonë, na e "ngulën" edhe një herë më
tepër si "pahiri", të cilët zgjodhën të na qerasin në grup, përmes
një paraqitjeje tejet provokuese me listën e ashtuquajtur "Serbia" në
Kosovë.
Megjithatë,
në trojet tona, revolta e hapur mbetet ende tabu kurse qëndrimi i përbashkët si
në vendet tjera evropiane mungon. Solidariteti organizativ dhe shembulli i
veprimit unik, te populli ynë assesi të gjejë shprehje. Ai këtu sikur nuk
ekziston askund dhe për asgjë.
Ndryshe
si mund të perceptohet gjendja kur krijohet përshtypja dhe ekziston frika e
arsyeshme se kështu siç po rrjedhin ngjarjet, së shpejti ne do të mbetemi edhe
pa këtë pak atdhe që ende e kemi, kështu si është, por megjithatë askush nuk e
ngrit zërin...
Thënë të
drejtën, sa u takon bisedimeve me Serbinë, përjashto shtetet tjera evropiane, një
kohë bukur të gjatë ne kishim përkrahjen e fuqishme të Gjermanisë, por pas pajtimit
të vet shqiptarëve, për pranimin e të gjitha kushteve të diktuara nga qeveria
serbe, e befasuar me "zemërgjerësinë" tonë të pashembullt edhe
qeveria gjermane u detyrua të dorëzohet, dhe të mos e kushtëzoj më Serbinë me
shuarjen e paralelizmave, largimin e policëve serb nga vendi ynë, heqjen e
barrikadave nga rrugët, lejimin e lëvizjes së lirë në veri dhe pranimin pa
kusht të kufijve të Kosovës.
Pra, ndoshta
jo vetëm kësaj radhe, fajet janë komplet tonat, të qeverisë dhe popullit të
Kosovës, Evropa as Bota nuk mbanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën e kemi
sjell ne vetveten, me mosdijen dhe papërgjegjësinë tonë.
Sikur
këtij vendi të mos i mjaftonin problemet me Serbinë dhe serbët në veri, përditë
e më tepër dalin në pah fakte të reja mbi përhapjen pa asnjë kontroll edhe të
Ekstremizmit islamik, pasi që sipas QPI-së, dyert hap e krah, për vërshimin e
papenguar të vahabizmit në Kosovë, i hapi vet kreu i Bashkësisë Islame, Naim
Tërnava.
Drejtori
ekzekutiv i Qendrës së Pluralizmit Islamik me qendër në Uashington, Stephen
Sylejman Schwartz, bazuar në argumentet që ka mund të grumbulloj, thekson se
para ardhjes së Tërnavës, në krye të BIK-ut, besimi mysliman tek shqiptarët, ka
qenë tradicional, i moderuar dhe shembull për tolerancë në gjithë botën, kurse
pas marrjes së kryesisë së BIK-ut, nga ana e kryetarit aktual, këtu është
komplikuar çdo gjë. Edhe shqiptarët, binden gjithnjë e më tepër se me
zëvendësimin e Rexhep Bojës, në BIK- toleranca, besimi tradicional dhe fryma
kombëtare, kanë ardhë duke u shtrydhur dhe ngushtuar, deri në maksimum.
Madje, sipas
shtypit ditor, drejtori i QPI-së, kryetarin aktual të BIK-ut, e quan plagjiat
të magjistraturës, diktator e "Stalin Tërnava", dhe është plotësisht
i bindur se pa largimin e tij, nga pozitat udhëheqëse, nuk mund të ketë zgjidhje
as adresim të problemeve lidhur me grupet ekstremiste dhe veprimtarinë vahabiste në Kosovë.
Megjithëse,
Sylejman Schwartz, beson se shqiptarët e Kosovës nuk do të dorëzohen as para
kësaj sfide të krijuar nga këto grupe, por shumica shqiptare me të drejt
druajnë se, nëse mbreti i BIK-ut, nuk parandalohet në vendosjen përfundimtare
të vahabizmit dhe salafizmit në Kosovë, të sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia, brenda
një kohe të shkurtër do të harrohet plagjiatura e magjistraturës së tij, dhe
nga sponsorizuesit sllav e salafisto-arab, "magistar"-Tërnava, shumë
shpejtë do të ngrihet në "Doktor" për "merita" dhe
shërbimet e kryera me besnikëri ndaj
tyre, në dëm të shtetit dhe popullit të Kosovës.
Ai, parë
nga zhvillimi i ngjarjeve në terren, ka kohë që me oficerët më të besueshëm, ka
nisur një fushatë të egër antishqiptare, e cila tanimë është kthyer në luftë të
hapur sipas metodës së Hunit dhe Konopit, për spastrimin e kuadrove më eminente
dhe profesor doktorëve më të njohur me orientim kombëtar, nga postet udhëheqëse,
fetare dhe arsimore.
Për
arritjen e këtyre qëllimeve të errëta dhe antikombëtare, përdoren jo vetëm
kërcënimet verbale por edhe metodat vahabisto -arabe të Habib-Dajakut, për
heshtjen me çdo kusht të atyre që kanë guximin të praktikojnë besimin tradicional,
ndryshe nga diktatet e imponuara dhunshëm të vahabisto-salafistëve, për çka
shumë të rrahur dhe kërcënuar, detyrohen të kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje të
afërt për shpëtimin e jetës, në vendin dhe shtetin e tyre.
Në mënyrë
që indoktrinimi dhe "pranimi" i metodave të "reja - fetare"
si të panjohura më parë në vendin tonë, të kenë sukses në implementim-
kreatorët arab dhe simpatizantët e tyre vendor, janë kujdesur me kohë, që të
kenë bashkëpunëtorë të fortë, në organe dhe pozita të larta shtetërore.
Bile, parë
nga prirjet e shprehura më tepër fetare, se sa kulturore e kombëtare, ekziston
frika e bazuar se një ditë jo të largët, mund ta shohim edhe ish reperin dhe
ministrin e (sh)kulturës kosovare, në majat e ndonjë minareje duke kënduar
"Ilahi" jeniçerësh bashkëkohor, derisa i ati, dikur "shok"
i ngushtë dhe kuadër i lartë në LDK-në e Ibrahim Rugovës, tani i rregullon nga
poshtë, altoparlantët "modern", si donacion special dhe i bekuar nga
vet Shefqet Krasniqi me shokë, për fuqizimin dhe përhapjen e ezanit turko-arab,
sa më larg dhe mundësisht në të gjitha anët e Kosovës.
Ndoshta
në shenjë solidariteti, ministri i "nderuar", i trimëruar edhe nga
përkrahja e babait-intelektual, pas një pune disavjeçare, së shpejti fillon t`u
shpërndaj edhe mirënjohje e dekorata të
shtrenjta udhëheqësve arabo-ekstremist, si shpërblim ndaj përpjekjeve të
jashtëzakonshme që ata vazhdimisht bëjnë për vendosjen e ideve
vahabisto-salafiste dhe mbytjen e frymës tolerante dhe tradicionale kombëtare
në vendin tonë.
Në këtë
mënyrë, si ngatërrohen përditë e më keq punët në Kosovë, nga persona që
nepotizmi, përkatësia partiake e krahinore
dhe njoftësia i ka sjellë në pozicione të pa merituara udhëheqëse, ata
që ëndërrojnë lëvizjen e lirë dhe liberalizimin e vizave me Evropën, duhet të
presin edhe për një kohë bukur të gjatë.
Edhe
Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në publikimin e fundit mbi përmbushjen
e rekomandimeve të Komisionit Evropian, vlerëson se qeveria ka bërë shumë pak
si në menaxhimin e migracionit i cili është rritur shumë nga shkaku i varfërisë
së madhe, ashtu edhe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar i cili
tanimë dihet botërisht se udhëhiqet dhe ushqehet nga njerëz me pozita
udhëheqëse në vend dhe ata që do duhej ta luftonin këtë delikt.
Kështu që,
edhe ministresha e (ç)integrimeve
evropiane, e cila për vete, përcjell trendet e kohës, vishet dhe mbahet mirë, ani
pse një pjesë e madhe e popullatës, me vështirësi sigurojnë edhe bukën e gojës,
në pamundësi për plotësimin e kushteve të vështirësuara nga problemet e
korrupsionit, krimit të organizuar, ikjes së njerëzve si shkak i varfërisë së
skajshme dhe telashet me veprimet e sekteve
vahabiste në Kosovë, ndoshta një ditë do të detyrohet që në vend të
rrugës evropiane, edhe ajo vet t`a vejë
shaminë dhe e dëshpëruar tu prijë shqiptarëve drejt lindjes "moderne"
dhe Afganistanit "bashkëkohor".
Bile, siç
është dëshmuar deri tani, as qeveria e vendit, nuk e ka problem prioritar
mirëqenien e popullit, madje këtë shprehje e ka përjashtuar tërësisht nga fjalori
i saj, dhe nuk e përmend asnjëherë, ngase ajo në krye me kryeministrin i janë
përkushtuar tërësisht dialogut dy-palësh dhe bisedimeve me Serbinë.
Por ajo
që nuk duhet harruar, është fakti se mjerisht këto bisedime, patën një çmim
tejet të lartë për Kosovën dhe popullin e saj, duke filluar që nga shkurti i
vitit 2012, kur vet qeveria u pajtua me "mbulesën" e shtetësisë me
fusnotë dhe daljen me "havale" në arenën ndërkombëtare, duke bërë
kompromisin e parë të dhimbshëm për vendin, përmes të cilit e vet-mohoi shtetin
e Kosovës.
Gabimi i
dytë i rëndë, i cili rrëzon tërësisht për toke edhe atë pak shtetësi të mbetur,
ishte vendimi për heqjen e logos nga fletëvotimet, pas të cilit në mënyrë të
çuditshme, me cinizëm të skajshëm dhe qëllim tërësisht provokues, shpejt dhe
papritur u paraqit një subjekt tendencioz serb, si listë e përbashkët gjoja për
pjesëmarrje në zgjedhje, me emërtimin skandaloz "Srbija".
Ndaj, edhe
sipas Adem Demaqit, pranimi i një listë të tillë me përmbajtje shantazuese të
emërtuar si "
Megjithatë,
nëse u referohemi deklaratave të kryeministrit, Hashim Thaqi, e gjitha kjo -
vjen si fryt i bisedimeve me një mirëkuptim të plotë, marrëveshje tërësisht
"kushtetuese" e "transparente" dhe të arritura në mënyrë
krejt paqësore në mes të dy palëve në Bruksel.
Kështu që
si rrjedhojë e këtij procesi, pas gjithë këtyre "sukseseve" të "shkëlqyera", si futja e
fusnotës, heqja e logos së shtetit-apo fshirja e stemës së Republikës dhe
pranimit për votim të serbëve me listën skandaloze "Srbija" në vendin
tonë, kryeministrit nuk i ka mbetur edhe shumë rrugë në arritjen e cakut të
fundit dhe realizimin e kulmit të të gjitha arritjeve, për kthimin e tërësishëm
dhe "me sukses të plotë" të Kosovës së "lirë dhe të
pavarur" në protektorat të Serbisë.
Por, siç
thuhet ndonjëherë nga optimistët, çdo fatkeqësi ka edhe një dozë të kufizuar
"fatmirësie" të llojit, brenda saj, ndaj për shkaqe patriotike dhe mbase për të "shpëtuar" atë që është e mundur, sado
që edhe Adem Demaqi e ka mik të ngushtë kryeministrin, dhe nuk mund të prishet
për gjithçka dhe për çfarëdo pune me të, duke u bazuar edhe në qëndrimet e tij
"parimore", ai mund të mos pajtohet dhe as pranojë që e tërë Kosova
ti mbetet Serbisë.
Ndaj, nëse
jo më shumë, të paktën-vendlindjen e tij Llapin, e mundësisht edhe krahinën e
Karadakut, do të përpiqet me apo edhe pa bisedime t`ia bashkojë me çdo kusht
Bullgarisë dhe në këtë mënyrë të hyjë edhe ai si udhëheqësi i parë në histori, i
cili jo vetëm që dikur diti e propozoj por më në fund arriti dhe realizoi
ëndrrën e tij të kamotshme, për krijimin e "Ballkanisë" në këto
hapësira.
Kurse ne
të tjerët (të mjerët) pjesa e mbetur pa zot shtëpie, të cilët nuk ditëm ta
"përdornim" luftën dhe as ta "trajtonim" lirinë, që i bie të jetë Dukagjini, në shenjë
dëshpërimi për humbjen e vendit të të parëve, na duhet të punojmë shumë në
mënyrë që të bëhemi, piktor dhe brushaxhinjë të denjë për pikturimin e bukurive të ish fshatrave dhe qyteteve tona, si
kujtim i së kaluarës së hidhur nga heronjtë e "devotshëm" të atdheut.
Por, që
të mos mbetemi edhe ne, ndonjë "zonë neutrale" të cilat kanë pësuar shumë
keq në të kaluarën dhe të mund ti bashkohemi vendit amë, duhet të bëjmë
përpjekje maksimale dhe me përkushtim të pafund, në mënyrë që
"atdhesimin" tonë ta meritojmë.
Kështu që,
me angazhime të përbashkëta, mundësisht ne duhet ti përmirësojmë gabimet e qeverisjes
së kaluar në vendin amë, duke i kthyer atij, ujërat e shitura lirë të detit
jonë, rivendosjen e tyre në shtratin e natyrshëm shqiptar dhe ngjyrosjen
kombëtare të Hartës shtetërore të Shqipërisë, në ato pjesë ku ka filluar të
zbehet dhe bjerë shpejt dukja autoktone e saj, nga shkeljet e palejuara të
Agimit të "thart" grek dhe rrebeshet e rënduara të stërpikjeve
"hyjnore" të Janullatosit.
Nda, njerëzit tanë, bashkëkombësit kudo që janë, medoemos duhet të kuptohen më mirë në mes vete, solidarizohen me hallet e njëri tjetrit dhe njohin problemet e vërteta të secilës pjesë të atdheut. Kurse Qeveria duhet të shprehet më shpesh, hapur dhe më me zë, për integrimin e trojeve dhe bashkimin e kombit, para integrimeve evropiane, qoftë edhe në mbledhjet e saj, të parapara të mbahen në Prizren, për bërjen me dije, jo vetëm- bashkëkombësve të lënë pa atdhe, nga ata të cilët nëpër kohë, me apo pa vetëdije, u hapën dhe po u hapin rrugë reve të zeza për të na e sjell hasmin te dera, por edhe atyre që tokat tona ende i duan për ushqim të vetin dhe ëndërrojnë ngrënien e tyre deri në fund, se për shpëtimin e tij, populli ynë mund të bashkohet një herë e mirë, ideal i shenjtë, për të cilin shqiptarët në të gjitha trojet, kanë ëndërruar gjithmonë.