| E marte, 10.09.2013, 06:00 PM |
Magjia dhe “të fshehtat” e poezisë
Në vend të një bisede me kolegët më të rinj
Nga
Vangjush Saro
Kjo është
një bisedë me kolegët më të rinj, jo për t’iu ofruar tutelë, por për të shtuar
diçka më tepër në njohuritë dhe përpjekjet e tyre për të zotëruar mjeshtërinë e
poezisë. E di që poezia - ca më tepër në fillimet e krijimtarisë - është një
sprovë tejet intime, vetiake, që lind së brendshmi, përtej çdo leksioni që mund
t’iu drejtohet atyre që shkruajnë. Ani. Këto radhë janë shprehje e dëshirës për
të lexuar prej tyre më të mirën...
Poezia
është njëlloj magjie, ka një forcë tërheqëse që zor se mund ta konkurojë art
tjetër; muzika mbase (që prapë, një dorë e ka te ajo). Poezia të kujton sirenat
e Ulisit. Por në ndryshim nga ai, s’mund të taposni veshët për të mos dëgjuar
ç’thotë e ç’kërkon ajo. Gjithsesi, mendoj*, duhet të krijoni pa e peshuar
skajshëm atë se si do t’i gjejnë të tjerët vjershat tuaja. Por mos u ngutni të
flisni për gjëra të cilat nuk janë të afërta për ju, nuk i keni parë, nuk i
keni ndjerë, nuk i keni vëzhguar për një kohë, nuk jeni në gjendje t’i
fantazoni në formatin e duhur; besojini frymëzimit dhe intuitës, por mos u
largoni nga “laboratori” pa u bindur që vjersha juaj është e “mbyllur”. Hidheni
poezinë si ajo të vijë, por më pas rishikojeni me kujdes çdo fjalë e çdo shenjë
pikësimi; ajo është si një frymëmarrje që ka ritmet dhe matematikën e
vet...Edhe kur shkruhet me varg të bardhë apo të lirë, ritmet dhe kadenca e
tingullit duhen “peshuar” mirë, janë edhe më shumë se matematikë.
Përpiquni
të mos toleroni (gjatë) vakum krijues e pleqnim (të poezisë) para kohe; për çdo
gjë që të zë syri e të veton mendja, mund të shkruash; më së pari, poezi. Pas
çdo fjale, rri një motiv, një vjershë. Më tej, kërkoni në llojet e pafund të
poezisë, duke filluar nga ajo peizazh. L.Poradeci: Perëndim i vagëlluar mbi
liqenin pa kufi,/ po përhapet dalëngadalë, një pëlhurë si një hije...
Bëni
kujdes; mos i kërkoni shumë poezisë. Ajo nuk është leksion, libër diturie,
atlas, teori filozofike, ç’terminologji tjetër mund të afroj...Me këtë, nuk dua
të them se ajo nuk duhet të mbruhet me mendim, se ajo i ka alergji termat (nga
të gjitha shkencat, dituritë dhe artet). Aspak. Përkundrazi, i rivlerëson ato.
Gjithsesi, mos e lini vjershën tuaj të bëhet e mërzitshme. Por mos ndaloni nëse
kini ende për të thënë dhe nuk ju duket mjaft e përsosur (mbase edhe e plotë)
ajo çfarë po karakterizoni. Zh. Prever: Kjo dashuri kaq e vrullshme,/ kaq e
brishtë,/ kaq e dhembshur,/ kaq e dëshpëruar...Ose nga A.Podrimja: Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh
dëshirat e heshtura,/ t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,/ t’i njoh
vuajtjet, gëzimet, vdekjet,/ t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të
kallura;/ ta di gjakun që të vlon në gji,/ dallgën, kur të rrahë netëve të
pagjumta,/ etj. Kur mund të krijoni pareshtur metafora dhe ato ta përcjellin
mendimin në një vezullim stilistik, është edhe më bukur. Por përpiquni që
poezia të mos jetë kalambur; të mos jetë as edhe e padeshifrueshme. Një fije e
brishtë ndan kredon e saj, bukurinë e saj, mundësinë e ngjërimit të saj nga
njerëzit, prej kaosit dhe shtirjes. Ja disa modele të poetizimit më të
natyrshëm. E.Dikinson: Unë renda që atë ta gëzoja, por ajo fjetur
ish...P.Neruda: Mund të shkruaj vargjet më të trishta/ këtë natë...
Nëse
ashtu e ndjeni, shtrojeni thjesht tematikën a thelbin e asaj që doni të
shprehni. R.Frost: Disa pandehin se bota
do të mbarojë në zjarr./ Të tjerë, thonë në akull…Nëse dëshpërimi duhet të
çjerrë formatin, lëreni. L.Lleshanaku: Gjithë ky udhëtim i gjatë/ vetëm për të
zgjedhur vendin ku do të vdesim…Nëse e “kini mbledhur mendjen” ta shpini
poezinë në një qerthull meditimi më të thellë dhe endjesh filozofike, kërkoni
në të njëjtën kohë në absurd e në thjeshtësi. T.Eliot: Koha e tashme dhe e
shkuara/ mbase janë të dyja e sotme tek a ardhmja/ dhe vetë ajo te e shkuara e
ka vendin…
Poezia
është një art që e ndjeni vetëm ju dhe e kumtoni siç e ndjeni ju; por pikërisht
nga ju varet sa do ta ndjejnë atë të tjerët. Duhet të flisni me figura, por në
të njëjtën kohë, çiltër. P.Risto: Gjithnjë gaboj nga që ndjek rrugën e duhur/ U
nisa drejt teje në një udhë zig-zage:/ Doli që ishte hija e një rrufeje...Ndodh
që lexuesit, nganjëherë edhe kolegët, të mos e kuptojnë ç’është shkruar. Dhe
pse. Ndodh që pjesërisht të mos e kuptojnë. Por ashtu si muzika më e mirë, që
kërkon një vesh të mësuar, ashtu si piktura që pranon një sy dhe një mendje që
abstragojnë, edhe poezia shkon më mirë në shije të kultivuar. Kur ajo është
sipërfaqësore dhe plot ofshama, ajo luan pak a shumë rolin e një
telenovele...S’kanë ndonjë të keqe të madhe edhe ato, e kam shpjeguar njëherë
ç’mendoj. Por klasi gjithnjë dikton lartësinë...
Përpiquni
të pasuroni sa të jetë e mundur e më shumë fjalorin tuaj. Gjerësia e motiveve,
sa edhe thellësia e tyre, mund të gjejnë mbështetje vetëm në një fjalor të
pasur dhe në plotësim të paprerë. Përpiquni që poezia të jetë sa më e hijshme,
elegante, të ketë sharm. D. Thomas: Renda pas gjumit, që më puthi në ballë,/ la
lotin e kohës, te sytë e fjetësit,/
shkoi drejt dritës, m’u kthye si hënë. Etj. Mos i nënvlerësoni efektet dërmuese
që vijnë prej mungesës së korrektësisë gramatikore a mosnjohjes së shenjave të
pikësimit; me përjashtim të rasteve kur ato bëhen pjesë e një kërkimi
strukturor apo një shkolle tej përvojave kryesore poetike. Mos iu besoni rimave
që krijohen me i të theksuar. (Që te “Nëntori...” ndërsa përshkruan një festë
te Pallati Mbretëror, fill pas pushtimit fashist, I.Kadare, në një moment,
tallet kështu: Atje kishte edhe shumë rapsodë, të cilët ishin të lumtur që
fjala Shqipëri rimonte me fjalën Itali.) Njëherë, një miku im poet, pothuaj
ishte duke më qortuar pse po shaja rimat foljore. E them prapë: mos iu besoni,
sidomos atyre që krijohen me foljet që mbarojnë me temë në o. Këto ç’zura goje
më sipër, nuk kanë “këllqe” të prodhojnë sukses; në të gjitha trajtat e tyre
morfologjike, janë të pavend dhe flasin për një “laborator” poetik të dobët.
Përpiquni
të mos humbisni për asnjë çast kontaktet me muzikën. Ajo dhe poezia janë shumë
të ngjashme. Përpiquni të gjeni domethënie në çdo pikturë. Ajo dhe poezia janë
artet më delikate. Poezia e mirë shkruhet dhe lexohet me një frymë. I.Kadare:
Ca pika shiu ranë mbi qelq/ dhe unë për ty seç ndjeva mall…Poezia është e
vetvetishme, por gjithherë ka ndaj saj një vëmendje estetike. Përpiquni ta
shijoni atë që shkruani, lexojeni disa herë, vini veshin si tingëllon,
recitojeni brenda vetes, gjeni fjalët e duhura për ta “përmbyllur”. Pastaj
firmosni...Përpiquni të krijoni pak edhe nga pak “shtratin” tuaj (merreni në
cilin kuptim të doni). Para disa ditësh, i shkruajta poetit R. Brahimllari: “Po
vë re - krahas pëlqimeve tematike dhe këndvështrimit - rimarrjen, mbjelljen
gjithkund, të disa fjalëve, fijeve, detajeve, gjetheve, fibrave
(particularities) në këtë krijimtari në ngjitje; pra, shenjë se modeli poetik
është krijuar tashmë, veç rritet.”
Më në
fund, mos u shtirni, mos e mbingarkoni veten me madhështi të rreme, mos e
kërkoni famën me zor. Ajo vjen vetë. Në kohën e duhur. Në këtë art, nuk merret
lavdia me zor dhe me vetëcilësime; në këtë art, askush nuk e merr dot lavdinë e
tjetrit...Shkruani për të plotësuar dhe ushqyer pasionin tuaj, por mos u
brengosni nëse nuk e arrini plotësisht këtë. J.Ricos: Në poezi flet e
gjithë bota. Ja edhe një porosi në
vargje nga poeti kosovar Azem Shkreli: Mos u bëj poet nëse s’mund të lindesh/
me secilin varg,/ të lindesh në secilën fjalë. Për fat, nuk është poezi vetëm
çka shkruhet në vargje. Poezia na shoqëron gjithë jetën, në trajta të tjera, që
do të na kujtojnë gjithnjë dëshirën për t’i parë gjërat me syrin e një poeti.
Kjo ndiesi vetëm e lartëson njeriun, edhe nëse ai nuk arrin të ngjitet në majë.
Poezia
është e shenjtë; dëshirën për të, nuk e kanë mpakur shekujt, që nga Homeri e
Safoja. Poezia është arti më i privilegjuar dhe më intim; të tjerët lexojnë në
shpirtin dhe në mendjen tuaj. Mos u fshihni. Poezia është sinonim i
sinqeritetit. Të gjithë poetët e mirë janë të sinqertë, deri naivë. Por mos i
mbiluani këto gjendje, sepse kjo gjë prodhon falsitet dhe shkon kundër
natyrshmërisë me të cilën vjen (duhet të vijë) poezia.
Kaq për sot...
.....................
* Në shkrim, do të duhej të përsëritej pafundësisht fjala mendoj, sepse kështu është, askush nga ne s’ka me vete tagrin të japë definicione. Ky shënim është për të mirëkuptuar lexuesi morinë e këshillave, që gjithnjë fillojnë te ajo fjalë. (Pra, mendoj. Unë mendoj.)