Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rezart Palluqi: Harta e zërit të nënës time!

| E marte, 03.09.2013, 07:55 PM |


Harta e zërit të nënës time!

Nga Rezart Palluqi

Këndo fort nënë, këndo  fort, me qëllim që zëri yt të depërtojë në damarët e gurëve, kurrizin e rrugëve të gjata të jetës time, barkun e hordhive të reve barbare. Së shpejti do të rikthehesh andej nga erdhe, dhe mua do më mungojë për kohë të gjatë, zëri yt, siç më ka munguar njëzet e tre vite.

Për aq sa kohë qëndrova në Greqi,të paktën pesëmbëdhjetë vjet, zëri yt më mungoi çdo ditë. Në fillim bodrumi im mesjetar e më vonë dhoma ime me mure të plasaritur, nuk i njohën kurrë zërin dhe këngët e tua, sepse shteti primitiv helen ta ndaloi ty çdo lloj vizitë njerëzore pët të ardhur si zonjë e rëndë në mes të ditës, dhe jo në mes të natës si shtrigë malesh.

Vetëm aparatura e telefonit të kabinës e njohti zërin tënd.

Tani që erdhe të më vizitosh në Holandë, dua që të bekosh me zërin tënd çdo rrugë ku unë kam ecur dhe do të ecë, çdo kthesë me syrpriza ose fatkeqësi të papritura.

Nëna nuk i fshehu dot lotët. Renda tia fshij ato shpejt me petalet e një tulipani të kuq që avitej nga flladi i lehtë dhe i butë buzë bërdurës së lulishtes së lagjes.

-Lotët tuaj nuk duhet të lagin rrugët holandeze, nënë. Qielli qan këtu si njeri depresiv nënë, urinon si fëmijë i sëmurë, orë e minut.

Nëna ime e ndjeshme, më përqafoi me mall. Lotët e saj tashmë u derdhën mbi shpatullat e mia…

Në mbrëmje i kërkoj nënës të sodisë të tërë shtëpinë me këngë të gëzueshme.

-Mos harro cepet e shtëpisë! Hap dollapet e rrobav e  fute gojën në xhepat e palltos time dimërore, hapësirën e këpucëve, xhepat katrorë të këmishave. Mbushi ato nënë, me këngë, zë amësor, tinguj dashurie. Nuk i dihet se kur do të më vizitosh përsëri nënë- i lutem me përgjërim.

-O, bir, me këto fjalë që më thua, unë dua vetëm të qaj!- u përgjigj nëna, me të drejtë.

-Bëhu burrë, o bir, se e ligështove nënën. E di unë, jeni të dy shpirtëra delikatë ju. E di,e di, ty ajo të mungon më shumë- reagoi babai xheloz.

-Baba, o babai im naiv dhe i djallëzuar. Pikës i re! Qysh kur erdha në Holandë, nëna më mungon më shumë, sepse ky vend është i butë, shumë i butë, si qielli edhe lulet. Po ashtu edhe zemra e shoqërisë.

Kur jetoja në Shqipëri dhe më vonë në Greqi, më shumë të kujtoja ty, sepse atje shoqëritë janë të egra,dhe vetëm një burrë me zemër me mustaqe alumini mbijeton atje. Njerëzit me zemër me mustaqe trëndafili gjunjëzohen. Më kujtoheshin këshillat tuaja, se një burrë duhet të bëhet çelik. Dhe unë çelik u bëra, kur i mora malet greke me këmbë, nuk u gjunjëzova përpara dhunës dhe shantazhit të policisë greke dhe ditëve të stërgjatura të ngarkuara me punë të rëndë fiizike apo fjalëve rraciste greke se ne shqiptarët jemi kafshë dhe jo njerëz normalë. Tani, këtu në Holandën me shpirt femre, o baba, babai im sakrifikues që më ke rritur me vuajtje të mëdha, tani më mungon më shumë nëna. Më fal, baba, më fal, por ti e di, unë kam shpirt artisti dhe gënjeshtrat nuk i kam në thua.

Babai më rrahu shpatullat. Tundi kokën plot mirëkuptim dhe u vu t’i ledhatonte mamasë shpatullat, ndërsa kjo e fundit po vazhdonte të këndonte me intesitet në të gjithë cepet e shtëpisë që unë e porosita.

Të nesërmen si dhe të pasnesërmen, qielli mbeti i prangosur nga retë e rradhitura trup më trup si ushtri diktatoriale.

-Nënë, e di që të mundova,por të lutem, këndo disa këngë me gojën e drejtuar drejt qiellit. Ngjizi retë e lagështa, të shëmtuara, retë zorrëgrisura, me zërin tënd. Të nesërmen, kur të bjerë shi, pikat e shiut do të përplasen në qelqin e dritares time dhe shkërmoqen në qindra pikëza uji në sipërfaqen e betontë të rrugëve ku unë do të ecë. Ato do të kumbojnë tingujt e këngëve të tuaja. Atëherë do të më zbukurohet dita, dhe zëri  yt nuk do të më mungojë kurrë.

Nëna iu bind si një skllave e ëmbël dëshirës time. Ndërsa ajo këndonte me gojën drejt qielllit, babai i fërkonte asaj muskujt e qafës.

-Po e bej këtë, që të këndosh sa më gjatë, qafa të mos lodhet shpejt- i tha babai me zë të lagur.

Në vazhdim, shëtita me mamanë me biçikletë të gjitha ato rrugë që unë i përshkoja më shpesh në jetën e përditëshme. Kaluam përbri shkollës së fëmijve, qendrës tregtare, parqeve dhe pyjeve që unë i shëtis shpesh, ndërtesës gjigande të spitalit. Kur iu afruam ndërtesës së bibliotekës, i kërkova mamasë ta ngrinte ë zërin fort.

-Ngrije zërin nënë fort, shumë fort, që ai të depërtojë në milliarda faqet e mijëra librave që flenë atje, si varre të mençur.  Notat melankolike të zërit tënd të depërtojnë si pika shiu në faqet e tyre!

Tre javët e vizitës avulluan shumë shpejt,dhe nata e fundit u ul këmbë kryq midis valixheve që ajo po i paketonte, jo duke kënduar por qarë.

Ndërsa unë u përvesha të vizatoj rrugët që ajo i bekoi me zërin e saj. Dalëngadalë vizat zigzake, harkore ose të drejta të rrugëve krijuan një hartë, e cila mori formën e rrumbullaktë, formën e globit të tokës.

-Mos ji e pikëlluar! Rrugët e kurbetit të Greqisë vërtetë nuk i pagëzove me zërin tënd,ama rrugët e Holandës po. Pa shih rrugët që kemi shëtitur bashkë?

Mamaja zgjati kokën dhe ashtu në heshtje të ngashërueshme ndoqi me levizje të ngadalta syshë të gjitha rrugët që ne patëm përshkuar gjatë vizitës së saj tre-javore.

-Po kjo hartë ngjan me globin e Tokës?- reagoi nëna me zë melodramatik.

-Po, po! Nuk të duket mrekulli e gjallë? Zëre se i ke kënduar rrugëve të kurbetit të gjithë emigrantëve të Botës.

Ajo pohoi po me kokë, por nuk u mjaftua me gëzimin tim. Më rrëmbeu fort kraharor. Biri im. Je rritur gjysmë jetim.  Emigracion i mallkuar-murmuriti ajo duke palosur këmishën jeshile të babait.

Të nesërmen nëna u largua për në Shqipëri. Ajo humbi në barkun e ngushtë dhe të gjatë të një pelikani të bardhë, të gjatë, me mish dhe krahë prej hekuri.

Si zakonisht, zhurma e aeroplanëve dëgjohet fare  qartë, mbasi ata fluturojnë ,mjaft ulët; malet këtu Zoti i bëri mish të grirë…

Por sot për herë të parë, zhurma e aeroplanëve nuk dëgjohej kërrkund, sepse zëri i nënës kumbonte herë butë, herë pak më fort nga gjethet e pemëve, vijat ndarëse të pllakave të trotuarëve, dyerve të supermarketit ose bibliotekës,  sa herë që ato hapeshin për të dalë një klient. Zërin e saj e ndesha më fort të gjitha zgavrat, cepet  e shtëpisë. Mbasi bëra një dush, shkova në dollap për të veshur një këmishë. Sapo ajo takoi në lëkurën time të freskuar, shpërthyen këngët e nënës nga xhepi i saj i majtë.

Fjalët, “të faleminderit nënë”- i thashë me lotë  të trashë, të cilët u thyen si diamantë të butë në faqen e hartës së zërit të nënës time, te cilën e palosa dhe e futa thellë në gji…

Gusht 2013