Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Shehu: Po të thosha...

| E marte, 03.09.2013, 07:11 PM |


PO TË THOSHA…

 

QAZIM SHEHU

 

Po të thosha: në cep të syrit tënd,

Do rrija si në breg liqeni,

Me siguri do gënjenja,

Ju do thonit:po gënjeni…

 

Nuk kam kohë të sodis,

Ato sy,

Kohë abrashe larg më nis,

Udhët vidhen aty për aty.

 

Ca reflekse vijnë nga shpirti,

Turbullohen në sy,

E dyta vjen dashuria, i pari flirti,

E para dashuria, s`dihet kur do vijë….

 

 

ARRATIA

 

Nata iku në arrati,

Zogu nëpër natë,

Nga oxhaku një shkëndijë,

Ndezi një imagjinatë.

 

Nata ndezi në qetësi,

Yjet nëpër natë,

Burimet në to pinë,

Ndriçimi i tyre sa zgjat.

 

U ndje me fat mendja

Në arrati,

Me të edhe zemra,

E shkul kraharorin-përmbi.

 

Përmbi të-del e ik,

Arratisur në arrati,

Të turret e errët vrik,

Pamjeve që s`i di.

 

Kur u kthye në vend të vet,

Aq qe zvogëluar,

Kraharori s`hapi derë,

Për ta pranuar.

 

Zemra mbeti e mjeruar….

 

 

QERPIKU YT

 

Qerpiku yt tezgjah,

End pëlhura të padukshme

Ëndrra të mori në krah,

Apo ti i dhe urdhër.

 

Qerpiku yt shigjetë,

Shpon enigma në ajër,

Enigmë je ti vetë

Në errësirë të mardhur..

 

Naimi u qa nga qepallat

Unë nga qerpiku

Brenda meje andrallat,

I kap paniku…

 

 

TË DY

 

Kur vjeshta pyllit i jep flakë,

Ditët ecin një mbi një,

Je ferr, je parajsë,

Ferrgajasur pa zë.

 

Brenda teje ikën shpejt,

Një ferrtërmet,

Bëhem një me ty,

Ik nga ty e bëhemi dy.

 

Më mirë po rrimë përballë,

Gjysma ime ti, unë gjysmë e çalë.

 

Prapë më ysht ide e parë,

Tek ti moj shegë e çarë,

Të shkrirë të dy të rrimë,

Me hidhësiëmbëlsinë.

 

Të dy shtyhu e tërhiqu,

Ngjitushqitu gjithashtu,

Si stuhi me grimca dielli,

Me lulet që jep prilli…

 

 

JE…

 

Je britmë e heshtur e agimit,

Hark muzgu mbi mal

Çast i pakuptuar i zgjimit,

Gravitet i gjethes që nuk ra.

 

Ti nuk i di këto,

I duhet dashurisë t`i zbulojë,

Kur t`i lexosh si nuk do,

Do thuash

Ç`marrëzi që i shkroi…