| E enjte, 29.08.2013, 08:52 PM |
PRESIDENTI
OBAMA DHE SIRIA
Nga Frank Shkreli
Presidenti
i Shteteve të Bashkuara Barak Obama tha të mërkurën, në një intervistë me
rrjetin publik televiziv amerikan, PBS se ai nuk ka vendosur ende nëse të
urdhëroj ose jo një sulm ushtarak kundër regjimit të presidentit Bashar Asad të Sirisë. Megjithëse, shtoi ai, qeveria e Shteteve të
Bashkuara ka ardhur në përfundimin se javën e kaluar, regjimi i diktatorit
sirian Asad ka përdorur armët kimike kundër popullësisë civile të pafajshme –
përfshirë edhe fëmijë në gjumë -- ku sipas të dhënave kanë vdekur mbi 300-veta
në një sulm të vetëm, përfshirë edhe gra e fëmijë, duke shkelur kështu vijën e kuqe të deklaruar nga
Presidenti Obama, para një viti.
Gjatë
intervistës, presidenti Obama tha se nuk është aspak i interesuar për një konflikt
të zgjatur në Siri, ndonëse, shtoi ai, Pentagoni i ka, "paraqitur atij
opcionet e mundëshme për një ndërhyrhje ushtarake dhe tha se ai është duke
zhvilluar bisedime intensive me këshilltarët e tij të sigurimit kombëtar",
në lidhje me këtë çështje. Ai shtoi në
intervistën me televizionin PBS se megjithëse nuk ka vendosur ende për ndonjë
sulm se ku dhe kur ndaj regjimit sirian të Asadit, ai nënvijoi se duhet që të
ketë pasoja ndëshkuese për përdorimin e armëve kimike kundër njerëzve të
pafajshëm, "me qëllim që armë të
tilla të mos përdoren më".
Përdorimi i armëve kimike konsiderohet krim lufte dhe është i ndaluar me
marrëveshje ndërkombëtare.
Gjatë
intervistës, presidenti Obama dukej i bindur se ai është i sigurt se regjimi i
Asadit është përgjegjës për sulmin me armë kimike të 21 gushtit, në periferi të
kryeqytetit sirian. "Ne kemi ardhur
në përfundimin se regjimi sirian, në fakt ka përdorur armët kimike... dhe për
këtë duhet të ketë pasoja ndërkombëtare", ndaj atij regjimi, shtoi
ai. Edhe përfqasuesi i Kombeve të
Bashkuara në Siri, Z. Lakhdar Brahimi
njoftoi të mërkurën se provat dhe
dëshmitë tregojnë se ajo që ai cilësoi si një "substancë kimike",
është përdorur kundër civilëve të pafajshëm në Siri. Ai u tha tekstualisht kështu gazetarëve në
Gjenevë: "Në lidhje me atë që ka ndodhur me 21 gusht të javës së kaluar,
duket se është përdorur njëfarë substance që vrau shumë njerëz, qindra,
definitivisht më shumë se 100, disa thonë 300, disa të tjerë thonë 600, ndoshta 1000, ndoshta më shumë se
1000", u tha gazetarve në Gjenevë, përfaqsuesi i OKB-s për Sirinë, Z.
Brahimi.
Dy tre
ditë më parë, Sekretari Amerikan i Shtetit, (DASH) Xhon Kerri than ë Uashington
se ajo që ka ndodhur në Siri, duhet të "shokojë ndërgjegjen e
botës." Z. Kerri vazhdoi duke thënë
se "Masakra pa dallim e civilëve dhe vrasja e grave dhe fëmijve të
pafajshëm me armë kimike është një turp ndaj parimeve të moralit
njerëzor". "E gjithë
bota", shtoi Z. Kerri, "duhet të jetë e shqetësuar në lidhje me çdo kërcënim ose përdorim të armëve kimike dhe këjo është
arsyeja se pse bota është e përqëndruar
tani mbi gjëndjen në Siri", tha krye-diplomati amerikan. Zyrtarët më të lartë të Amerikës, përfshirë
Presidentin Obama dhe zëvendës presidentin Bajdën, vazhdojnë të jenë në kontakt
me aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe gjetiu, në lidhje këtë
çështje.
Ndërkaq,
përpjekjet amerikane dhe të aleatëve të saj për
miratimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të
Bashkuara, për të dënuar Sirinë për
përdorimin e armëve kimike kundër popullësisë civile të pafajshme, kanë ngecur
për arsye të asaj që zëdhënsja e DASH e cilësoi, "kokëfortësisë''
ruse. Zëdhënsja Marie Harf u tha
gazetarve në Uashington të mërkurën se, "ne nuk shohim asnjë mundësi për
të shkuar përpara, kur të merret parasyshë kundërshtimi rus për marrjen e
ndonjë mase më rëndësi mbi Sirinë, nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të
Bashkuara." Rusia dhe Kina,
përkrahse të regjimit të Asadit, pritet të përdorin veton mbi çdo rezolutë të
Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të dënonte regjimin sirian për
përdorimin e armëve kimike kundër popullësisë së pafajshme civile.
Atëherë
ç’duhet bërë. Administrata e Presidentit Obama gjëndet përballë vendimesh të
vështira në lidhje me këtë çështje, por është e detyruar të bëj diçka pasi vet presidenti Obama një
vit më parë ka deklaruar se shkelja e vijës së kuqe, dmth, përdorimi i armëve
kimike nga regjimi sirian i Asadit do të
shkaktonte ndëryhrjen amerikane.
Duke marrë parasyshë mungesën e bashkpunimit diplomatik në OKB, Gazeta
amerikane Nju Jork Tajms sugjeron në një editorial të saj dy ditë më parë se,
“Zoti Obama mund të anashkalojë Kombet e Bashkuara, ashtu siç ndodhi me
ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, duke bashkuar një koalicion
ndërkombëtar që do të mbështeste ndërhyrjen ushtarake….në përkrahje të civilëve
sirianë.” Nju Jork Tajms thotë edhe se,
nëqoftse presidenti Obama zgjedhë këtë rrugë veprimi, ai atëherë, “do të ketë
nevojë për një mbështetje të fortë nga Liga e vendeve Arabe dhe nga Bashkimi Evropian.” Dhe nëqoftse ai është i vendosur të ndërhyjë
ushtarakisht, objektivi i sulmeve, sipas gazetës Nju Jork Tajms duhet të jetë,
“ndëshkimi i presidentit Asad për masakrimin e popullit të vet me armë kimike
dhe jo përzierja amerikane në luftën civile të atij vendi.”
Kriza në
Siri ka shkatuar shqetësime të mëdha anë e mbanaë botës, përfshirë Evropën dhe
Lindjen e Mesme. Një numër gazetash në Evropë, në editorialet e tyre,
kanë shprehur përkrahje për ndëshkimin e presidentit Asad për përdorimin e armëve kimike kundër
popullësisë civile, një qëndrim ky që pasqyrohet në editorialin e gazetës
irlandeze, “Ajrish Indipendent”, ku thuhet se “Nëqoftse komuniteti ndërkombëtar
nuk ndëshkon përdorimin e tillë të armëve kimike kundër popullësisë civile,
atëherë mund të thuhet se nuk ekziston asnjë autoritet moral në botë. Mos
veprimi në këtë rast do u japë guxim shteteve të tjera despotike, duke
rrezikuar dhe kërcënuar sigurimin në rajon”.
Gazeta irlandeze thotë se, megjithse Presidenti Obama është pragmatist,
ai nuk dëshiron që të lejë pas një trashëgimi mungese të autoritetit moral duke
mos ndaluar krimet kundër njerëzimit, gjatë mandatit të tij…..Megjitëse një
ndërhyrje e tillë është plot rreziqe dhe me përfundime të panjohura dhe të
paparashikuara, parseprap është një ndërhyrje e nevojshme”, për të parandaluar
përsëritjen e rasteve të tilla, përfundon
komentin e saj gazeta irlandeze.
Ndërsa,
Hans Hoyng dhe Kristof Reuter, në komentin e tyre për revistën gjermane Der Spiegel, shkruajnë në lidhje me
përdorimin e armëve kimike nga regjimi sirian se, “Kredibiliteti i Shteteve të
Bashkuara dhe i aleatëve të tyre perëndimorë është në dyshim. Kushdo që deklaron që të mos kalohet vija e
kuqe dhe pastaj kur kalohet vija e kque, nuk bën asgjë, është më mirë që të mos
bëjë kërcnime të tilla në të ardhmen. Sulmi i fundit në Siri me armë kimike
duhet të zhdukë rezervimet për një ndërhyrje ushtarake. Gazi helmues është i
ndalur ndërkombtarisht –ndalim i cili
duhet të rspektohet.”
Dhe
komentuesi, Ari Shavit i gazetës izraelite Haaretz, shkruan se, “Pranvera
madhështore Arabe që u përkrah me entuziazëm nga Perëndimi, është këthyer tani
një një ngjarje akopaliptike. Asnjë
person i denjë nuk mund të injorojë këto që po ndodhin. Ajo që duhet të jetë një botë e qytetëruar
nuk mund të heshtë më. Nuk janë vetëm
viktimat e pafajshme të Damaskut, por kemi të bëjmë me ekzistencën e konceptit
të një nacionalizmi të moderuar dhe
qytetëruar arab si dhe me shpresën se Perëndimi ka ende njëfarë
ndërgjegje….Nëqoftse civilët mund të masakrohen me gaz helmues në vitin 2013,
pas asnjë ndëshkim, atëherë në gjëndemi përballë mbarimit të botës”, përfundon
komentuesi izraelit.
Shtëpia e
Bardhë thotë se administrata e Presidentit Obama, tani për tani, nuk ka marrë
ndonjë vendim për një sulm ushtarak, megjithse tanimë presidenti ka në
tavolinën e tij rekomandimet dhe opcionet për një sulm të tillë, nëqoftse ai
vendosë të ndërmarrë një gjë të tillë.
Ndërkaq, analistët thonë se administrata Obama ngurron të përzihet në
një luftë civile ndërkohë që me të drejtë i konsideron shumicën e grupeve
kryengritëse si të pabesueshme. Por
duket se po arrihet një konsensus, si mbrenda ashtu dhe jashtë administratës –
përfshirë edhe në radhët e aleatëve -- se përdorimi i armëve kimike nga regjimi
diktatorial i Asadit në Siri – kërkon një përgjigje të shpejtë dhe të fuqishme.