| E merkure, 28.08.2013, 08:42 PM |
Frika nga
partitë politike në pushtet
Nga Aurora Bakalli, deputete e LB-së në Kuvendin e Kosovës
Këto
ditë, deri sa po bëhet një punë më intensive se rëndom në rekrutimin e
kandidatëve për përfaqësim në asambletë komunale, kam hasur personalisht disa
herë në një dukuri të cilën nuk mund ta përshkruaj ndryshe pos si të dhimbshme
dhe që ka të bëjë me frikën e individëve (të paangazhuar në politikë) për t’u
prezantuar nën petkun e një subjekti politik, i cili nuk e ka pushtetin në
komunën përkatëse. Arsyeja e kësaj frike, siç e kam kuptuar nga disa individ[
të sinqertë, është hakmarrja që pason ndaj tyre. Për të qenë korrekte, këtë
dukuri e kam hasur jashtë kryeqytetit. Fatkeqësia qëndron në faktin se kjo po i
ndodh pikërisht shtresës së intelektualëve. Aty ku duhet t’i kemi sytë, aty ku
duhet të shpresojmë se do të burojë iniciativa, energjia dhe dija për
ndryshime…, pikërisht aty është mbjellë frika nga të gjitha partitë që kanë
ndokund pushtet.
Si kanë
arritur ta bëjnë këtë? Përgjigja është sa e thjeshtë, aq edhe poshtëruese: duke
kërcënuar me humbjen e vendit të punës, duke kërcënuar, pra, me mbijetesën dhe
ekzistencën.
A është
kjo DEMOKRACIA të cilën e dëshironim aq shumë? A është kjo DEMOKRACIA me të cilën e kanë gojën plot pikërisht ata
që e bëjnë këtë represion psikologjik mbi masën, e veçanërisht mbi
intelektualët?
Në këtë
rast nuk dua ta hedh barrën e përgjegjësisë mbi intelektualët duke aluduar në
“mosguxim”, “qyqarllëk” apo etiketim tjetër të ngjashëm, sepse e kuptoj se
duhet të mendojnë për mbijetesën e tyre dhe të familjeve të tyre në këtë kohë
të krizës ekonomike e sociale; por barrën e përgjegjësisë do ta hedh te partitë
politike të cilat kanë pushtet (lokal apo qendror) dhe të cilat janë duke e
keqpërdorur atë skajshmërisht. Ata janë duke e ngulfatur lirinë, ata janë duke
e ngulfatur DEMOKRACINË,… ata janë duke i bërë zullum psikologjik popullit të
vet vetëm e vetëm për ta mbajtur pushtetin.
Nga këndvështrimi im si opozitë konsideroj se ne kemi obligim dhe DUHET të luftojmë për DEMOKRACI të vërtetë, për liri të shprehjes, për liri të bindjeve. DUHET! Vetëm pasi ta kemi instaluar këtë në shoqërinë tonë thellësisht besoj se do të fillojnë të vijnë edhe të mirat tjera.