| E merkure, 28.08.2013, 05:59 PM |
Jo tolerancë për jotolerantët!
Në Kosovë islami politik është në ofensivë. Kjo nuk duhet toleruar më.
Nga
Driton Gashi -
U ktheva
nga Kosova me shumë impresione të mira, duke parë zhvillim në ekonomi,
logjistikë, në shumë fusha tjera. Ndoshta duke i parë këto ndryshime nga
distanca, ne mërgimtarët jemi më racionalë dhe mund t'i perceptojmë këto më
qartë, besa edhe të mburremi me këto të arritura në vendin tonë. Natyrisht se
kishte edhe shumë gjëra jo aq të mira, të cilat nuk dua t'i injoroj, por ma
merr mendja se edhe ato do të përmirësohen në vitet që do vijnë.
Çka më
bëri të mos ndihem rehat dhe të them të drejtën më nevrikosi disa herë, ishte
pushtimi i një hapësire të madhe publike të besimtarëve myslimanë, e kjo
vërehej sidomos gjatë muajit Ramazan. Të mos keqkuptohemi: Kosova ka popullatë
shumicë myslimane, edhe unë i takoj kësaj feje dhe me principet e saj edhe jam
edukuar në familje. Në asnjë mënyrë nuk dua të paragjykoj ata të cilët e
praktikojnë fenë tradicionale, ashtu si janë mësuar nga baballarët e gjyshërit
e tyre më parë. Çka më ra në sy, ishte një vrull i madh i adoleshentëve, besa
edhe i fëmijëve kah islami. Parimisht kjo gjë është pozitive, në këtë moshë
secili njeri është në kërkim të identitetit të tij. Por asesi nuk mundem të
pajtohem me faktin, se dymbëdhjetvjeçarët duhet të agjërojnë Ramazanin! Bile
edhe në një kanal televiziv u paraqit një vajzë nëntëvjeçare nga Vushtrria më
duket, e cila e kishte agjëruar krejt muajin e Ramazanit. Nuk e di nëse ky lajm
u dha për "nasihat", ose si shembull i mirë, si propagandë fetare.
Nuk jam i sigurtë në këtë, pasi predikuesit fetarë i kishin futur hundët
gjthandej nëpër media në Kosovë. Desha të them se nëse një baba ose një nënë
lejojnë fëmijët e tyre të agjërojnë në pikë të verës, dmth. të mos hanë e pinë
asgjë, kur temperatura arinn gati 40° Celsius, për mua ky ëshë keqpërdorim i
këtyre fëmijëve dhe këta prindër duhet të dënohen!
Vërehej
edhe një arrogancë e disa besimtarëve radikalë, të cilët shikonin me sy të
shtrembër ata që hanin ose pinin publikisht! Poashtu në shumë lokale të
Prishtinës nuk shërbehej fare alkoholi, duke thënë se është "respekt"
në Ramazan?! E sapo mbaroi filluan birrat eks! Athua ku kemi arritur në Kosovë?
Të n'a imponohet se si të jetojmë, çka të hamë, si të vishemi, çka të pimë? A
nuk jemi identifikuar deri tani ne shqiptarët si popull tolerant, me diversitet
kulturor e fetar? Me kushtetutë, Kosova është vend laik, pra ku politika dhe
feja ndahen, nuk kanë të bëjnë me njëra tjetrën. E grupet islamiste në Kosovë
janë duke e luftuar këtë parim, bile edhe me dhunë, duke rrahur hoxhallarë
liberalë, duke shkarkuar forca progresive nga Bashkësia Islame e Kosovës, duke
sulmuar si kafshë tubime publike, të cilët atyre nuk u pëlqejnë, si p.sh.
ndodhi dhjetorin e kaluar në sallë të kuqe në Prishtinë, ku promovohej revista
Kosovo 2.0.
Edhe
nëpër disa xhami kishte hyrë një retorikë e urrejtjes dhe e frikës. Dëgjova se
në një xhami të vogël të Prishtinës, gjatë namazit të Fitër-Bajramit, imami
kishte thënë se të gjithë ata që nuk kanë agjëruar, do e mbajnë me vete një
vulë si kuaj! Më këtë njollë ata do përfundojnë në xhehnem! Me një vokabular të
tillë konfrontohen besimtarët në shekullin 21! Kjo i ngjason predikimeve
urrejtnxitëse të kishës katolike në mesjetë. Si pasojë e kësaj ishte ikja e një
numri të konsiderueshëm katolikësh dhe formimi i Kishës Protestante. Dua të them
se në vend se të predikohet paqja, njerëzimi, e mira, se çfarë roli duhet të
ketë feja në shoqëri, thuhen gjëra që i ceka më lart. Është detyrë e Qeverisë
së Kosovës të kontrollon më mirë Bashkësinë Islame dhe predikuesit e dyshimtë
të saj.
Dua një
Kosovë bashkëkohore, ku mund të shprehet mendimi i lirë, pa frikë nga dhuna
psiqike dhe fizike!
Dua një
Kosovë tolerante, ku secili ka të drejtë të jetojë në mënyrën e vet, pa
imponime nga të tjerët!
Dua një
Kosovë laike, ku feja nuk ka të drejtë të ndërhyn në zhvillimet politike dhe të
përçajë njerëzit!
Dua një
Kosovë, ku secili ka të drejtë të besojë atë që ai dëshiron, ose ka të drejtë
të mos besojë fare!
Dua një Kosovë, ku parime duhet të jenë humaniteti dhe demokracia!