| E merkure, 21.08.2013, 06:55 PM |
Leni
fëmijët jashtë qërimit të hesapeve politike!
Letër publike Valdrin Sherifit
Nga
Bardhyl Mahmuti
I dashuri
Valdrin,
Unë dhe
ti kemi mësuar në lëndën e historisë dhe kemi parë filma dokumentar që dëshmojnë se një ndër faqet më të errëta
të historisë së njerëzimit pa mëdyshje është Lufta e Dytë Botërore.
Kemi parë
se si në përpjekje për të imponuar një hierarki mes «racash » çizmja dhe
uniforma naziste la pas vetes me dhjetëra miliona viktima. Sa për ilustrim po
përmendi vetëm një rast, i cili nuk është përzgjedhur rastësisht në këtë letër
që po ta drejtoj.
Rreth
400.000 anglez u vranë dhe rreth 4 milion londinez u detyruan të largohen nga
qyteti i tyre për të evituar sulmet e barbarisë raciste, që simbolizohej përmes
«çizmes dhe uniformës hitleriane».
Pesë
dekada më vonë, kur ti ishe dy vjeç, humbi jetën në një aksident të
komunikacionit në
Ajo që të
gjithë pajtohen lidhet me rolin e pakontestueshëm në shkatërrimin e jetës së
Diana Frances Spencer nga një kategori e gazetarëve që emërtohen si « racë e
papës» ( transkriptimi i këtillë i emrit të personazhit të filmit Dolce Vita,
fotografistit me emrin Paparazzo, është i qëllimshëm).
Tetë vite
më vonë, gazetarëve të kësaj « race» nuk do t’i shpëtojë mediatizimi i skajshëm
i ‘skandalit të princit’ Harry (djalit të vogël të Dianës). Faqet e para të
gazetave dhe lajmi kryesor i edicioneve televizive nxori një foto të Harry-t 20 vjeçar, të
veshur në uniformë naziste! A mund të kishte ‘skandal më të madh’ se sa një
‘pjesëtar i familjes mbretërore’ të vishte atë uniformë që ishte sinonim i
tragjedive të panumërta për anglezët dhe për tërë njerëzimin. Harry, kësaj radhe
në cilësinë e princit, sqaroi opinionin publik se këtë veprim e kishte bërë në
një ‘festë kostumesh’ që kishin organizuar bashkëmoshatarët e tij dhe për këtë
“gabim” ai “u kërkoi falje publike të gjithë atyre që ishin ndier të ofenduar’.
Përkundër
vjelljes së vrerit të asaj « race gazetarësh», që përmes veprimeve dhe
sjelljeve të një adoleshenti tentonin ta luftonin dimensionin mbretëror të
sistemit politik të Britanisë së Madhe reagime të shumta pati nga specialist të
lëmive të ndryshme (psikolog, sociolog, edukator etj).
Psikologët,
sociologët dhe edukatorët që u prononcuan lidhur me këtë ‘skandal’ e zhveshën
Harry-n nga funksioni i princit dhe e shtruan në rrafshin e veprimit të një
adoleshenti. Vetëm kjo qasje shkencore mund të hapte rrugën, që përtej
‘funksioneve dhe roleve të trashëguara’ si fëmijë mbreti e mbretëreshe, fëmijë
princi e princeshe, fëmijë ministri a ministreje, fëmijë deputeti e politikani
etj të kuptohen veprimet dhe sjelljet e një adoleshenti si veprime dhe sjellje
të një të riu.
Harry
është adoleshent, si miliona adoleshent që në Angli dhe në mbarë botën tenton
të testojë kufijtë e asaj që i përcaktohet si ‘e lejueshme’ apo si ‘e
palejueshme’, si ‘e drejtë’ apo si ‘e padrejtë’, si ‘normale’ apo ‘jonormale’
etj. Para se të gjykohet për veprimet dhe sjelljet e tilla, Harry, si edhe çdo
adoleshent tjetër në botë, ka nevojë të kuptohet nga rrethi, si formë e vetme
që siguron pranimin e ndihmës nga ana e adoleshentit dhe evitimin e përsëritjes
së veprimeve të ngjashme.
Diskualifikimet,
akuzat dhe sidomos intrumentalizimi i sjelljeve të një adoleshenti për të
sulmuar politikisht prindërit e adoleshentit janë veprime shumë të ulëta.
Çka është
edhe më e keqe, kjo « racë e papës» përpiqet në të gjithë botën, pra edhe në
Kosovë, që të imponojnë në fushën mediatike «INDEKSIN» e temave që janë
‘legjitime’ të njihen dhe të ndiqen nga publiku i gjerë dhe temat që duhet të
lihen në heshtje si ‘pa interes’ për publikun.
Ti
Valdrin, megjithëse i ri dhe në moshën e adoleshencës, e ke përjetuar mbi kurrizin
tënd këtë logjikë të funksionimit të
fushës mediatike në Kosovë.
Kur ti,
së bashku me Petrit Avdylajn, Besart Kodraliun, Bardh Shabanin, Doruntina
Sulejmanin dhe Alban Kryeziun si përfaqësues të Republikës së Kosovës në
Olimpiadën e 54 Ndërkombëtare të
Matematikës që u mbajt në qytetin Santa Marta të Kolumbisë nga 18-28 korrik të
këtij viti, kishit nevojë për mbështetje të gjithanshme, përpos moderatorit
Besim Dinaj që u mundua t’i jep pak oksigjen kësaj atmosfere të kontaminuar, u
ballafaquat me heshtje totale!
Në vend
të mbështetjes së gjithanshme për delegacionin që përfaqësonte shtetin e Kosovë
në «Parlamentin e Dijes» dhe në vend që t’ju sigurohej mundësia që të shkonit
së paku një javë para fillimit të garave në Kolumbi për t’u adaptuar me kushtet
përtej Atlantikut, ju mezi arritët disa orë para se të fillonte kjo garë.
Përkundër
kësaj, ju përfaqësuat në mënyrë dinjitoze shkencëtarët e ri të Kosovës në këtë
garë ndërshtetërore dhe ngritët renditjen e shtetit të Kosovës për 15 vende
(nga vendi 94 që ishte ranguar në garat e Olimpiadës paraprake të 53-të, në
vendin e 79 në botë). Ju u kthyet me tri çmime «Honourable Mention» dhe jam i
bindur se sikur të kishit përkrahjen minimale, në krahasim me mbështetjen
financiare dhe mediatike që u bëhet olimpiadave të muskujve, ju do të ishit
kthyer me gjashtë çmime. Mungesa e tri çmimeve duhet t’i fakturohet
mospërfilljes për të investuar në shkencëtarët e ardhshëm dhe pamundësinë që
t’ju krijojmë kushtet dinjitoze për ta përfaqësuar denjësisht cilësinë dhe
kualitetet e njohurive që i posedoni.
Ty
Valdrin të uroj nga zemra për rezultatet e arritura dhe çmimin «Honourable
Mention»! Duke të njohur mirë jam i bindur se ty nuk të bën dhe aq përshtypje
fakti se ky delegacion përfaqësues i matematicientëve të ri të Kosovës në
Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës u prit vetëm nga familjarët e tyre! Në
aeroport munguan përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe të
medieve! Sa i përket politikanëve, me gjasë ata ishin në ‘pushim’! Ndërsa
mediat?!!!!
Për
delegacionin që përfaqësoi shtetin e Kosovë me rezultate shumë të mira në Olimiadën
Nërkombëtare të Matematikës nuk pati gazetarë që të shkruajnë. U deshtë të
marrim informatat përmes familjarëve tuaj apo përmes ueb faqes zyrtare të
olimpiadës:
(http://www.imo-official.org/year_country_r.aspx?year=2013&column=total&order=desc).
Duke të
njohur mirë jam i bindur se ti Valdrin nuk do të kishe dashur të shkruhet në
media se ti Valdrin Sherifi, i biri i politikanit Bilall Sherifit që për më
shumë se 30 vjet është aktiv në skenën politike kombëtare (ish i dënuar politik
me 15 vjet burgim, anëtarë i Grupit Diplomatik të UÇK-së, disa herë anëtarë i
Kryesisë së PDK-së dhe aktualisht këshilltar i Kryetarit të Parlamentit të
Kosvovës, z. J. Krasniqi) u kthye me çmim nga Kolumbia! Ti atje ishe si një
person me individualitetin tënd dhe me njohuritë tua.
Ti
Valdrin e din fare mirë se për mediat kosovare ju nuk bëni lajm! Në kohën kur
ju ktheheshit me rezultate nga kjo garë ndërkombëtare «papa racët» ishin të preokupuar të mediatizonin se si
‘Valon Buja, i biri i Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, kishte
dëmtuar një pompë benzine në një aksident
me veturë’ apo se si ‘Guxim Grabovcit, të birit të Kryetarit të Grupit
Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit, i është gjetur një armë gjuetie dhe një
Kallashnikov në veturë’!
Kam
bindjen e plotë se ti Valdrin e din se kësaj «race gazetarësh» nuk u intereson
se a u lëndua apo nuk u lëndua Valon Buja në aksident por shpallin me
pompozitet se dëmi i shkaktuar i pompës është 7000 euro! Kësaj «race gazetarësh» nuk u intereson të
shohin sjelljet dhe veprimet e Valon Bujës, Ngadhnjim dhe Guxim Grabovcit si
sjellje dhe veprime të adoleshentëve dhe ta zhveshin interpretimin e gjërave
nga bagazhi i funksioneve publike të prindërve të tyre. Përkundrazi! Përmes
veprimeve dhe sjelljeve të adoleshentëve tentojnë të bëjnë luftën politike
kundër personaliteteve të caktuara publike!
Adem
Grabovci, Shukri Buja dhe të gjithë personalitetet publike janë objekte sulmesh
dhe mbështetjesh për veprimet që i bëjnë apo nuk i bëjnë! Kjo është normale në
çdo shoqëri që synon demokratizimin e vet! Ajo që është neveritëse te ne,
sikurse edhe në vendet tjera, ka të bëj me instrumentalizimin e veprimeve dhe
sjelljeve të fëmijëve për të luftuar prindërit e tyre!
I dashur
Valdrin! Jam i mendimit se ti, unë dhe
shumica dërmuese e njerëzve klithim në kupë të qiellit: leni fëmijët jashtë
qërimit të hesapeve politike!