| E merkure, 21.08.2013, 09:04 PM |
Shqiptarët
në Mal të Zi në udhëkryq
Shkruan: Shaban Peraj
Prijësit
politik shqiptarë në Mal të Zi që nga
fillimi i sistemit pluralist në vazhdimësi rreken të tregohen demokratë, por që
në mungesë të seriozitetit dhe lakmisë për të zënë një vend në “qeverinë e
dashur të tyre”, nuk merakosen për votuesit, nuk turpërohen për sjelljet dhe
deklaratat e tyre karshi komunitetit,
duke vazhduar kështu me mashtrime e trillime të njëpasnjëshme. Sa e sa zgjedhje
kaluan në këto vite të demokracisë, sa e sa premtime u dhanë për shqiptarët në
Mal të Zi, qoftë në nivel lokal po edhe në atë shtetëror, dhe sa herë
komuniteti i këtushëm u dha përkrahje për të drejtuar qeverisjen lokale e për
të qenë të përfaqësuar në parlamentin malazez, asnjëherë nuk po shihet dritë në
fund të tunelit, përkundrazi shqiptarët në Mal të Zi i ka kapluar terri, i ka përfshi kriza
shpirtërore, arsimore, kulturore e ekonomike. Ata që na përfaqësuan e këta që
po na përfaqësojnë sot janë bërë tashmë qesharak ndaj opinionit të këtushëm. Si
tu thuhet ndryshe kur asnjëherë, në asnjë rast nuk mbajtën premtimet e dhëna,
nuk përfillën vullnetin e komunitetit shqiptar në Mal të Zi, çka dëshmon për
mungesë të standardeve qytetare dhe kështu situata sa vjen e përkeqësohet
gjithnjë e më shumë.
E vërteta
është se prijësit e politikës shqiptare në Mal të Zi asnjëherë nuk realizuan
qoftë edhe më të voglin problem të shqiptarëve të këtushëm, shembujt janë të
shumtë dhe për problemet e krijuara nuk ka nevojë për kronologji historike.
Ngjarjet e fundit në mozaikun politik për komunitetin tonë nuk kanë si ta lënë
atë pa shqetësime e pa shumë pyetje: Çfarë bëhet sot këtu, kush luan me fatin e votuesve, në emër
të kujt dhe për çfarë? A thua vetëm për qëllime personale e për një karrige të
zënë në parlamentin malazez? Publikisht duhet denoncuar prijësit e politikës
shqiptare në Mal të Zi, të na thonë: Kur bënë analizë të përbashkët për
gjendjen e shqiptarëve, kush i shtynë ata të mos merren vesh njëri me tjetrin
për shumë probleme që kanë të bëjnë me jetën dhe standardin e komunitetit
shqiptar në Mal të Zi? Pse nuk kanë strategji të përbashkët rreth projektit për
komunën e Tuzit? Çfarë ndodh sot me pushtetin lokal të Ulqinit? Ku mbetën
zgjedhjet e elektorëve për KNSH-në?
Rreth
çështjes së projektit për komunë të pavarur të Tuzit ka deklarata nga më
absurdet, politikanët shqiptar vrapojnë me deklarata sa qesharake aq edhe të
neveritshme duke na shërbyer me thënie që “nuk i ha pazari”, në një kohë kur
asnjëri prej tyre nuk ka qëndrim të subjektit që i takon, përkundrazi atë nuk e
pyet askush dhe deklaratat personale të tyre bien ndesh me interesat e
përgjithshme të banorëve të Malësisë.
Disharmonia politike vazhdon edhe në komunën e Ulqinit ku partnerët e
koalicionit që qeverisin nuk mund apo nuk duan që për shumë çështje jetike për
qytetarët të merren vesh njëri me tjetrin, përkundrazi, polemikat në distancë
dëmtojnë akoma më shumë jetën e qytetarëve edhe ashtu të lodhur, humbin besimin
se nga ky koalicion qeverisës lokal mund të pritet diçka më shumë. Një situatë
absurde është edhe në Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi.
Strukturave udhëheqëse të deritashme ka kohë që u ka skaduar afati, ka pasur
paralajmërime se së shpejti do të formohet udhëheqja e re, asgjë në këtë
drejtim derisa të mos bëhen llogaritë matematikore, kush ku, cili do jetë i
pari, e gjithë kjo për interesa personale nga lakmia për të zënë një karrige, e
kurrsesi për interesa të shqiptarëve.
Pra, kush
duhet të jetë në shënjestër të kritikës nëse jo prijësit politik shqiptarë në Mal të Zi, sepse në vazhdimësi
punojnë e veprojnë për interesa personale e në mungesë të aftësive politike.
Zhvillimet politike të shqiptarëve në Mal të Zi nuk do duhej të varen nga këta
politikanë sepse thjeshtë kjo nuk është pronë e tyre personale. Këta politikanë
dhe partitë e tyre duhet të jenë vetëm administratorë për përmbushje të
standardeve të qytetarëve dhe asgjë më shumë.
Nëse nuk arrihet që statusi për komunë të plotë të Malësisë të
realizohet, atëherë nuk ka nevojë të mendohet kujt duhet drejtuar gishtin, nëse
funksionimi i pushtetit lokal të Ulqin vazhdon kështu siç është me ujdisjet
matematikore, nuk duhet besuar më askujt në sinqeritetin politik, përkundrazi,
nëse KNSH-a nuk zgjidhet në një afat sa më të shkurtër, atëherë të gjithë
aktorët e politikës shqiptare duhet të tërhiqen nga postet që mbajnë, të
largohen për t’u dhënë shansin forcave të reja e kuadrove të dalluar që ata të
punojnë me përkushtim e seriozitet në favor të shqiptarëve në Mal të Zi. Është
e qartë se situatat ndryshojnë, por identiteti mbetet, mbetet ajo që është
punuar në dobi të popullit, ndaj edhe premtimet duhet të mbahen, ndryshe të
largohen, të japin dorëheqje nga parlamenti malazez e nga “qeveria e tyre e dashur” dhe fatin e tyre ta lënë në duar të votuesve,
ata do dinë se kujt do t’ia japin besimin. Afatet u kanë skaduar.