| E marte, 20.08.2013, 10:00 PM |
Dy poetë
në trajektoren e fatit
Shënime për krijimtarinë poetike të Edmond Shallvarit dhe Luan Xhulit
Nga Vangjush Saro
Këto janë
pak shënime, përmes të cilave po përpiqem të dalloj disa konture në poezinë e
Edmond Shallvarit dhe Luan Xhulit, krijues që gjithnjë e më tepër bien në sy
këto kohë, edhe pse gjeografia ku shkruhet dhe publikohet sot letërsi
shqiptare, është e pamatë, gjithaq e paprerë, po ashtu vetëshkatërruese. (Pak e
vështirë të ndjekim spotet e duhura në horizont.)
Të dy
këta poetë interesantë jetojnë aktualisht në Greqi; një vend me aq shumë mite e
histori, por njëherësh një nga rafshet që e kanë shijuar herët nektarin e
fjalës, prej Homerit, Eskilit e Safos, te krijuesit e kohëve moderne,
Kazanzaqis, Seferis, etj. Në kryqëzim të kulturave të dy prej popujve më të
vjetër të Ballkanit (por jo vetëm aq) me përvoja jetësore të konsiderueshme,
Edmond Shallvari dhe Luan Xhuli panë një pjesë të qytetërimit të vjetër, që
edhe pse fundosur në tragjedi, kapërcen kohërat me zëra dhe apele që ndjekin
tragën e krejt historisë dhe nevojave të njerëzimit. Pehashi helen ndjehet herë
pas here në krijimtarinë e tyre. E.Shallvari: “Gjallë mbeta unë, vdekja jote/
tradhtia e një femre të tradhtuar./ Nëse deshe pritje Penelope, / të ishe pak
Odise, o i mallkuar!” Mbase edhe poetët grekë nuk do ta kenë rithënë mitin kaq
ftohtë dhe sikur t’i kishte prerë fjalët bisturia…
Të dy
poetët kanë botuar në greqisht, janë vlerësuar atje dhe në Shqipëri, njihen
mirë në diasporë; trajektorja e fatit të tyre poetik po tenton tani (duhet) një
gjuhë tjetër. Anglishten, do të thosha. Le të shpresojmë. Të dy janë poetë të
mendimit, por edhe të dimensionit kërkues. Ata i qasen shpirtit njerëzor duke
lexuar deri në thellësitë e paqëmtueshme; kërkojnë pareshtur në shëmtinë dhe
bukurinë e kësaj qënieje të lartë, në të gjitha ngjyrat ku performon edhe
dridhja më e pandjerë. Natyrisht, mënyra se si i përcjellin këto vrojtime, që
jo rrallë harlisen në fantazi, është e ndryshme. Te krijimet e Edmond Shallvari
duket se çasti përthyhet më shpejt, realiteti zien në të gjitha shprehjet e mundshme. Prandaj Shallvari
shkruan pareshtur dhe po kaq polemizon (në letërsi dhe jashtë saj). Kurse Luan
Xhuli shfaqet më rrallë, por edhe më i përmbajtur, mund të them edhe po kaq i
kujdesshëm. Megjithatë, në shumë nga poezitë e tij rëshkasin lotë rebelë jashtë
këtij qelqi të brishtë. “Mos u trembni, o vite
kundërshtare:/ S’mund të jetoj dot/ pa urrejtjen dhe habinë tuaj
magjike!” (Urim para kohe)
Të dy
poetët iu rrinë larg termave politike. Edhe kur drejtojnë diku projektorin e
vëmendjes së tyre poetike, janë mjaft të distancuar nga kronika e rëndomtë.
Shallvari e vështron të nesërmen e ndonjërës prej pamjeve të fillimeve
demokratike në Shqipëri mjaft ftohtë, por duke mos e kursyer sarkazmën. “Më
lanë ashtu, të vetmuar, pa ndihmë/ Mes thirrjesh çjerrëse korbash, krra,
krraaa!/ Ç’po talleshin me mua në qiell kostumzinjtë/ Të dikurshmit engjëj, të
shndërruar në djaj.” (Pardesybardhët) E shkuara jo e largët, një përvojë gri
për të gjithë ne, ka lënë shijen e saj jo të mirë edhe në poezinë e Xhulit. Për
kohën tjetër, janë thënë gjëra pa fund. Do të vazhdojnë të thuhen. Vargjet e
Xhulit e ngjërojnë këtë në mënyrën e vet mjaft elegante; ai e përcjell të shkuarën me një qasje simbolike: “Dy pikat,/
m’i këputën si urë e vjetëruar/ pa më lënë kohë të cektoja vahun…” (Biografi e
pashkruar)
Përgjithësisht,
i shoh të dy këta poetë të vendosur përballë të sotmes, realitetit
shumëngjyrësh; duke e vizatuar atë secili në telajon e vet. Me kombinimet
strukturore të vetat. Nëse nuk jam shumë larg së vërtetës, Shallvari shkruan me
poetere, duke u grindur pareshtur me kohën dhe episodet komike të jetës. Por
kur e ndjen që një motiv intim i regëtin në shpirt, pa ia hequr asnjë të drejtë
vetoje heroit lirik, në të gjitha ravgimet e tij për përgjithësime, ai poetizon me tone kënge: “Ti u shfaqe syri i
Hënës/ njeri hapur, tjetri shkelur;/ unë ia di kuptimin shenjës/ si rrufe më le
të vdekur…” (Në mes gjysmëhënës ndodhur) Në meditimin e tij të përditshëm,
temat janë kaq të larme dhe ai rrëmbehet menjëherë e
Në
vështrimin tim, Xhuli “vuan” më shumë. Mandej, të duket sikur ai i do vjershat
e veta disi më të stolisura, në mjedisin e fjalëve heziton, zgjedhjet e tij
janë mjaft me sqimë, gjendjet poetike ofrojnë një lëvizje që mbase duhet
interpretuar edhë më tej. Ai lë shteg për këtë: “Mëngjesit i jap
përqafime të njoma/ dhe puthjet i lë/ në
nxitimin që marr…(Unë dhe nata) Duke i dhënë përparësi vargut pa rimë,
Xhuli e zbraz shtambën e vet të dritës me njëlloj përdëllimi për çka nuk është
si duhej. Poeti i njohur lirik Vangjush Ziko, në një nga shënimet e tij, thotë
për të: “Rrjedhshmëria e vargëzimit të bardhë, që ndjek arratisjen e figurshme
të mendimeve, figuracioni spontan dhe i freskët, i papritur, por i kuptueshëm dhe
metaforik, një hije e lehtë trishtimi, po jo pesimizmi, malli i pashuar i
mërgimtarit për çka më të shtrenjtë në jetë, i bëjnë poezitë sa njerëzore, aq
dhe artistike.”
Kam
rastin të bëj këtu një parantezë. Shumë krijues shqiptarë, për hir të
rrethanave, po jetojnë larg Shqipërisë, në vende të tjera. Ashtu si po
përgatitem ta them në shkrimin tim të ardhshëm “Letërsia shqiptare në dy
kontinente”, ky episod shpesh mbiluan tonet sentimentale, krijuesit vetë bien
në njëlloj butaforie, atdheu kështu, atdheu ashtu...fillojnë e s’mbarojnë
pasthirmat, oh e ah, gjëra që më duket se nuk janë më e rëndësishmja për një
letërsi. Nuk dua të them me këtë se mund të harrojmë atdheun e vendlindjen apo
të luajmë rolin e dikujt që është çshqiptarizuar. Assesi. Por këtu ka dy probleme.
E para, të dallojmë grafomanët nga poetët dhe shkrimtarët e vërtetë, sepse të
parët janë shtuar pa masë dhe luajnë me ndjenjat e të tjerëve për atdheun,
ndërkohë që ofrojnë krijime pa ndonjë vlerë të spikatur dhe që kësisoj ndihin
për ta cënuar shijen e lexuesit. E gjithë kjo anomali, derdhet pastaj mbi më të
talentuarit, që me shumë mundim duhet të ringrenë urat e komunikimit me
njerëzit. E dyta, theksimi vend e pa vend i motiveve dhe botës së emigrantit -
sadoqë kjo jetë ka segmentet e saj shumë të vështira - është një grep më shumë
për të ngecur në provincializëm, për të tejzgjatur mundimin e integrimit në
botën perëndimore dhe, më në fund, ngjan si një lutje për kujdes e vëmendje.
Mund të thuhet edhe si një lojë. Kurse krijimtaria letrare është një gjë që
qëndron mbi episodet e ditës, mbi statusin me të cilin gjithkush po mbijeton;
krijimtaria cek kohëra dhe hapësira shumë më të gjera sesa psherëtimat false
për atdheun.
Nga ana
tjetër, unë mendoj se krijuesit më të mirë shqiptarë të cilët rrethanat i çuan
në Perëndim (se atje janë më së shumti), krahas peripecive e mundimeve, jetuan
një jetë të dytë, u ribënë intelektualë e krijues përmes një tjetër gjuhe e një
tjetër kulture dhe përvoje, çka ata vetëm i rriti. Dhe kështu, duke dalë nga
rrethi i provincës dhe limitet e atdheut - që ende vuan mungesën e qytetërimit
perëndimor dhe u stërlodh ndër dashurira shpesh të pasinqerta - këta krijues,
në disa dimensione, nganjëherë janë një hap përpara kolegëve të tyre shqiptarë
të kafeneve ku e “bëjnë ligjin” duhani dhe të bërtiturat, thashethemet po
ashtu; paçka se ne i nderojmë gjithë të talentuarit, kudo ku ata jetojnë dhe
krijojnë. Duke iu fluturuar në krah “stuhive” të veta, Shallvari është i
kthjellët megjithatë sa i takon grisë së kësaj bote: “Ti mbyll portën pas
shpine,/ përplasesh mijëra portave./ Në udhë plot kryqëzime,/ krijuar prej
gjithë Zotrave.” (Kodi) Në poezinë e Xhulit, i gjithë pengu i fshehjes së
prapësive dhe hiperbolizimit të vogëlsive, mund të “përkthehet” në një
sinqeritet shkatërrues, që mbase nuk e gjen në poezinë e kafeneve, ku pak e
vështirë të bësh, bie fjala, pohime të tilla: “Veten vendosim në rrethin e
frikës/ dhe zëulët themi/ ato çka
besojmë…” (Harresë…) Lexuesi e kupton se zëulët nuk do të thotë thjesht
me zë të ulët.
Te L.
Xhuli, gjithashtu shohim kërkime tej rrëfimit monoton; qasja në pyetje të
koklavitura, bën që nganjëherë edhe shpjegimet e tij poetike të jenë mjaft të
mbyllura, me njëlloj heshtjeje të brendshme, mënyra e të shkruarit e shpie atë
deri në kufijtë e ekzistencializmit, jo rrallëherë nën një presion formalizmi,
kur i duhet të vizatojë rrjedhën plot të panjohura të jetës. “Portofol i zbrazet si
hajduti mbeta/ me ilaçe zemre qe mbetën pa blerë…” Kurse, në më të fundit
poezi që më ra në dorë, ai shkruan: “Udhëtim shenjash pikësimi jeta ime,/ me
pika dhe presje si përrenj të thatë…” Te Xhuli, të bie në sy përherë një
trishtim i hollë, i prekshëm, që bën vazhdimisht sfond si ai shiu i imët, i
pambarim; një veçanësi e autorit. Por gjithsesi, në të tërën e vet, ka një
dritnim që projektohet sa nga brenda vetes, aq edhe duke vështruar ditët dhe
orët më të mira të jetës; një dritnim që zmadhohet edhe nën efektet e logjikës
së fortë.
Le të
hapim një tjetër parantesë. Nëse ka pa masë dëshpërim, nganjëherë pesimizëm,
nëse e errëta bëhet e bukur kohë e pa kohë, poezia fillon e humbet
natyrshmërinë dhe drunohet; fjalët prodhojnë skorje. Megjithatë, të dy
protagonistët dinë ta kontrollojnë këtë gjendje. Për hir të së vërtetës,
nganjëherë edhe pamjet më të bukura shkasin në ngërdheshje. Edhe një poet, le
të themi realist, si Esenini, i vërente me kujdes këto anomali, për shembull
teksa na tregon se si “
Këtë
Shallvari e ka parasysh më mirë teksa kërkon në qiell, por ulet edhe në tokë, e
cek atë, rafshohet me gjërat më të parëndësishme, duke i thënë lexuesit të tij:
Realiteti është ky, i njëjtë për të dy; përjetimi im është shprehje e
përjetimeve të mijëra e mijërave si ne. Nganjëherë, ai është i
paparashikueshëm. Mund ta ndehë vargun në një atmosferë larg cektinës. “Atëhere
jam i sigurt,/ se çfarë do formohet/ Një botë e tërë vargjesh dhe në mes tyre,
unë.” (Imja frymë) Mund të jetë i sertë, pse jo i hidhur; çfarë ka ndjerë e
përplas me rapëllimë në vjershën më të parë. Ka madje poezi ku shihet qartazi
se ai s’pret dot as sekondën dhe kërcen sakaq, shpalos inat e mërzi e padurim.
Kjo është grinta e tij e patjetërsueshme, që mund ta çojë (ndonjëherë kur
rrëmbehet) edhe në një vargëzim që pak na bën për vete. Por përgjithësisht,
komunikimi me lexuesin është një trend shumë i rëndësishëm për të, mund të
thuhet është pjesë e filozofisë krijuese të tij. Dhe kjo është e rëndësishme
kur flitet për karakteristikat e një krijuesi.
Nuk e kam
përdorur dendur fjalën filozofi, (me të cilën shumë shkrues abuzojnë); në këtë
rast, ka disi vend për këtë term të rëndë në atë çka shoh te poezitë në
shqyrtim. Ndryshe nga kolegu i tij, L. Xhuli bie në sy për njëlloj ndrojtjeje;
poezia e tij pak e vështirë të ngacmojë çdokënd; në vargjet e tij, të shkruara
me shumë ndjeshmëri, kuptimi i jetës performon vrërët, në gri, me tone
dramatike: “Më shumë se ç’do t’ju them,/ nuk gënjej dot/ dhe llogarinë bankare të
shpirtit/ s’e harroj mbi letër të
pavlerë…” (Deklaratë vere) Por ndonjëherë edhe ai i formulon mendimet
drejtpërdrejt, pa e dërguar muzën e vet poetike në mundime të skajshme. Ja një
fragment nga poezia “Aritmetikë”: “Njeriu,/ sapo nis të
numurojë,/ të parën gjë që bën,/ radhit
ato që do
më shumë.../ Mbledh./ Nuk zbret,/
gjithë jetën e vet...” Nuk ka asgjë për t’u trembur nga fshehja e mendimit ndër
metafora të serta apo nga shkrehja e tij aty për aty; janë jetësore edhe thurrja
e vështirë, edhe gjëja e lexueshme dhe e drejtpërdrejtë. Të mos harrojmë, Hegel
thoshte: “S’ka gjë më të thellë se ajo që duket në sipërfaqe...” Lojrat e
fjalëve dhe kërkimet e lodhshme, e çojnë poezinë në mjedise të thata e pa jetë.
Një poet i mirë e kupton ku ka fushë për të vizatuar në mënyrën më metaforike
të mundshme dhe ku ai mund të vendosë kontaktin me lexuesin pa shumë retorikë.
Gëte na kujton: “Shkëlqimi vdes në çastin që ka lindur, e thjeshta i mbetet
botës trashëgimi.”
Më në
fund, një personazh i Ekzyperi-së thotë diku: “Asnjëherë nuk mund të jesh i
kënaqur atje ku je...” Mendoj se kësodore përcjellim edhe këshillën më të mirë
për të dy këta poetë në ngjitje. Ata patjetër nuk kënaqen asnjëherë me statusin
e deritanishëm, sepse sa më lart të ngjitesh, sa më lart të jesh, aq më shumë
shikon, aq më shumë edhe ëndërron...sadoqë në një kuptim, lartësia është
enigma. Poetesha amerikane Emili Dikinson thotë: “Ne asnjëherë nuk e dimë sa
lart gjendemi...”