| E shtune, 17.08.2013, 02:09 PM |
TIPOLOGJIA E FRAZAVE SIPAS FUNKSIONIT MORFOLOGJIK (GRAMATIKOR)
Nga Bajram QERIMI
Çështja e klasifikimit  të frazave sipas funksionit morfologjik
(gramatikor)  ka gjetur zgjidhje  të kënaqshme dhe të pjesshme në studimin frazeologjik
të Jani Thomait“Çështje të frazeologjisë 
së gjuhës shqipe“ (Tiranë, 1981), e cila njëhrazi është vepra e vetme
studimore në dijesinë tonë frazeologjike. Ky 
studim,  që është  vepër dijesore frazeologjike e që  ishte temë magjistrature e autorit, në një
farë dore, pjesërisht e ndihmon dhe e zgjidh çështjen e  klasifikimit praktik  tërësor të frazave sipas funksionit
morfologjik (gramatikor).
Tipat, llojet  më të përhapura, më
kryesore të frazave të gjuhës shqipe sipas funksionit morfologjik (gramatikor)
, sipas studimit në fjalë të  Jani
Thomait janë: frazat emërore, foljore , mbiemërore  dhe ndajfoljore.
Katër tipave, llojeve të përmendura, sipas studimit frazeologjik  të Janit Thomait, duhet shtuar edhe katër
tipa, lloje tjera, që janë po ashtu  tipa
më vete, tipa  kryesore, që fare nuk janë
marrë në shtjellim e trajtim në studimin e përmendur frazeologjik të Jani
Thomait: frazat lidhëzore, parafjalore, përemërore e pasthirrmore.
Frazat emërore për nga kuptimi dhe funksioni
morfologjik (gramatikor) kanë kuptim dhe funksion emëror, kanë kuptim dhe funksion
të emrit. Pra, frazat emërore në ligjërim dhe shkrim kanë vlerë kuptimore
emërore  dhe kryejnë funksion morfologjik
(gramatikor) si emra.
Frazat emërore ashtu si edhe emrat, shënojnë, emërtojnë:
njerëz:  burrë (njeri) i dijes-dijetar;  burrë (njeri) i mendjes- intelektual; shok i
armës, shok armësh- bashkëluftëtar; burrë (njeri) i  pendës- shkrimtar, njeri i vargjeve –poet,
vjershëtor; burrë (njeri) i pushkës, burrë (njeri) i armës- luftëtar; burrë
(njeri) i fjalës, burrë (njeri) i kuvendit- kuvendar, gojëtar, orator; shok
lufte-bashkëluftëtar; shok i pendës-bashkëshkrimtar etj.
kafshë, insekte (zoonime): mizë dheu (trolli)- milingonë;
nuse e lalës-bukël; nuse pashke-mollëkuqe, mizë mjalti-bletë  etj.
bimë (fitonime):  aguliçe e egër, akacje deti; bar blete, bar
bjeshke, bar hënëze, bar qeni, lule shëmitri (vjeshte), lule shqerre, lule
vizhe etj.
sende, mjete:letër e dyllit, armë e
zjarrit  etj.
vende: breg i detit, buzë e detit,
buzë e lumit etj.
gjendje fizike, psikike,
shëndetësore: shëndet i lig (i dobët), gjumë i thellë, gjumë i
lehtë etj.
gjendje a cilësi morale: faqe e bardhë- nder, faqe e
zezë-turp, besë e dhënë, fjalë e nderit, akt barbar, akt heroik, akt burrëror,
akt tragjik etj.
dukuri, elemente atmosferike,
kimike, kozmike: ag i bardhë, ag i ditës, ajër mali, ajër
mbytës  etj.
organe, gjymtyrë njeriu:
mollë
e Adamit; adeckë e fytit (grykës); ag i syrit, ag syri;  kafaz 
i  kraharorit etj.
veprime (të emërzuara): marrje e gjakut; hedhje në
erë;  lënie anash  (mënjanë); lënie pas dore; shkelje e besës;
prerje e besës; rënie e muzgut; të zbardhurit e ditës; humbje nderi;  vënie në pah (në dukje, në spikamë); thyerje
e moshës; marrje mendësh etj.
Frazat e fundit,  frazat
emërore  që emërtojnë, shprehin, shënojnë
veprime, që shprehin kuptimin e veprimit të foljeve nga të cilat dalin, dalin
prej tipit foljor  të frazave, të cilat
janë me numër të madh. Te këto fraza 
emërore, në vend të foljes si gjymtyrë e parë, kemi një emër  foljor prapashtesor ose asnjënës, si bie
fjala: derdhje  gjak nga: derdh
gjak; qëndrim mënjanë nga: qëndroj mënjanë; hedhje poshtë nga:
hedh poshtë; ngulje këmbë nga: ngul këmbë; heqje dorë nga: heq
dorë; marrje parasysh nga: marr parasysh; çuarje përpara nga: çoj
përpara; vënie në jetë nga: vë në jetë; vënie re  nga: vë re; dhënie fund nga: jap
fund; zënie fill nga: zë fill; shuarje nga faqja e dheut nga:
shuaj nga faqja e dheut, vënie në pah (në dukje, në spikamë)  nga: vë në 
pah (në dukje, në spikamë); vënie në shënjestër nga: vë në
shënjestër; dhënie llogari nga jap llogari  etj.
Kuptimi   i kundërt, antinomik i
frazave të përmendura  del  duke iu shtuar përpara  parashtesa mohuese (mos) emrit foljor
prapashtesor, si bie fjala: moshedhje poshtë; mosngulje këmbë; mosheqje
dorë; mosmarrje parasysh; mosçuarje përpara; mosvënie në jetë; mosvënie re;
mosdhënie fund; moszënie fill, mosshuarje nga faqja e dheut, mosvënie në pah
(në dukje, në spikamë); mosvënie në shënjestër; mosdhënie llogari  etj. Këto lloje të tipit të frazave
emërore vihen në pasqyrim, shënohen, përfshihen në fjalor ashtu siç dalin  në praktikën krijuese leksikografike e
frazeografike, nga njëra anë, dhe, në praktikën 
krijuese ligjërimore shkrimore: gazetare-publicistike, letrare-artistike
dhe dijesore, nga ana tjetër.
Duhet mbajtur parasysh bamurinë (faktin) se frazat emërore  mund të përdoren  si barasvlerëse të emrave edhe në funksion të
mirëfilltë sintaksor për të shprehur 
qëndrimin  ndjenjësor, emocional
të ligjëruesit apo të shkruesit.Kështu, frazat emërore  mund të hyjnë në punë, mund të përdoren  për të shprehur kryefjalën, kallëzuesin
emëror, kundrinën e drejtë e edhe kundrinën e zhdrejtë.
Frazat  mbiemërore për nga kuptimi dhe
funksioni  mofologjik (gramatikor) kanë
kuptim dhe funksion mbiemëror, kanë kuptim dhe funksion të mbiemrit. Pra,
frazat  mbiemërore, në ligjërim dhe
shkrim, kanë vlerë kuptimore mbiemërore dhe kryejnë funksion si mbiemra.
Frazat mbiemërore ashtu si edhe mbiemrat  shënojnë, shprehin, emërtojnë cilësi dhe
vlera cilësore të frymorëve e të jofrymorëve ashtu si edhe mbiemrat, si bie
fjala: me bisht ndër shalë- i turpëruar; me zemër të thyer- i
pikëlluar , i prekur shumë, pa masë; me shpresa të humbura- i zhgënjyer,
i dëshpëruar  shumë, së tepërmi; me
emër, me nam- i njohur, i përmendur, i famshëm; me mendje të hollë- mendjehollë;
shpirt njeriu -i mirë  shumë, së
tepërmi; me fytyrë të çelur- i disponuar;  me mjaltë në gojë- gojëmbël; me gaz
në buzë- i buzëqeshur; me zemër të hapur- i çiltër:  helm e pikë-i helmuar, i zemëruar pa
masë, së tepërmi; me barrë-shtatzënë; me një këmbë në varr- shumë
plak; me një dërrasë  mangu- jonormal,
i krisur, i marrë; me gjak të ftohtë-gjakftohtë; me gjak të nxehtë-gjaknxehtë;
me buzë të plasur- i mërzitur, buzëplasur shumë, tej mase; me buzët
varur- i zemëruar, buzëvarur së tepërmi, tej mase; me allti në brez-  i 
përgatitur  për çdo rrethanë, i
gatshëm për çdo rast etj.
Disa fraza mbiemërore në trajtë krahasimi, të
ndërtuara, të përbëra me lidhëzën si (posi, porsi, sikur)  shënojnë, japin,emërtojnë, shprehin  një shkallë të lartë të cilësisë a
vlerës  cilësore, shkallën intensive, si
bie fjala: i kuq si gjaku- shumë, tepër i kuq, fare i kuq;  i zi si futë (si katran, si korb)-shumë,
tepër i zi, fare i zi; i bardhë  si
borë (si qumësht) -fare i bardhë, shumë ,tepër i bardhë; i kthjelltë si
loti-  shumë, tepër  i kthelltë. Te ky lloj, tip  frazash 
kur mungon gjymtyra përbërëse ftilluese (ftillimore): i kuq, i zi, i
bardhë, i kthjelltë  kuptimi mbetet i
paprekur, i njëjtë, i pandryshuar, i cili merr përfytyrim  fytyror (figurativ) krahasimor-metaforik (si
gjaku, si futë, si katran, si korb, si borë, si qumësht,si loti). Te këta
shembuj kemi të bëjmë  me fraza
mbiemërore krahasimore metaforike.
Disa fraza mbiemërore shënojnë cilësi, tipare, veti
dalluese, karakteristike të frymorëve, jofrymorëve sipas veprimit që kanë
pësuar,  do të thotë,  sipas veprimit të pësuar. Në të vërtetë, këto
fraza mbiemërore shënojnë tipare cilësore, dalluese karakteristike të veprimeve
të pësuara të frymorëve, jofrymorëve (njerëzve, sendeve  etj.).
Frazat e këtilla mbiemërore dalin nga lloji, tipi foljor i frazave  dhe në vend të gjymtyrës foljore kanë një
mbiemër foljor prejpjesor,si bie fjala: i bërë shoshë nga:  bëhet shoshë; i rrahur me vaj e me uthull
nga: rrahet me vaj me me uthull; i bërë pulë nga: bëhet pulë; i bërë
bishë nga: bëhet bishë; i bërë nuse nga: bëhet nuse; i bërë lule
nga: bëhet lule; i bërë derr nga: bëhet derr; i bërë rrogoz nga:
bëhet rrogoz; i bërë gur nga: bëhet gur; i bërë grusht nga: bëhet
grusht; i bërë petë nga : bëhet petë; i çuar përpara nga: çohet
përpara; i vënë në pah (në dukje, në spikamë) nga: vihet në pah (në
dukje, në spikamë); i çuar më tej nga: çohet më tej; i bërë akull
nga: bëhet akull;  i lënë mënjanë
(anash)  nga: lihet mënjanë (anash);  i marrë përsipër nga: merret përsipër;
i zënë pisk nga: zihet pisk, i vënë në analogji nga: vihet në
analogji; i vënë re nga: vihet re; i vënë në jetë nga: vihet në
jetë; i zënë fill nga: zihet fill etj.
Këto lloje të tipit të frazave mbiemërore vihen në pasqyrim, shënohen,
përfshihen në fjalor ashtu siç dalin në praktikën  leksikografike e frazeografike, nga njëra
anë, dhe nga praktika krijuese ligjërimore shkrimore: gazetare-publicistike,
letrare-artistike e dijesore.
Kuptimi   i kundërt, antinomik i
frazave  mbiemërore të zëna në gojë, del,
sendërtohet, duke iu shtuar përpara 
mbiemrave foljorë  prejpjesorë (si
gjymtyrë  të para përbërëse)  parashtesa mohuese (pa)  si bie fjala: i parrahur me vaj e me
uthull; i paçuar përpara; i pavënë në pah (në dukje, në spikamë); i  pabërë akull; 
i palënë mënjanë (anash); i pamarrë përsipër; i pavënë në analogji; i
pavënë re; i pavënë në jetë; i pazënë fill 
etj.
Frazat mbiemërore si barasvlerëse të mbiemrave për
nga kuptimi e funksioni morfologjik (gramatikor) hyjnë në punë, përdoren  edhe 
për të shprehur funksion të mirëfilltë 
sintaksor të cilësorëve të ndryshëm cilësues.
Frazat  foljore kanë kuptimin dhe funksionin
e kategorisë së foljeve. Këto lloje, tipe të frazave , në ligjërim dhe shkrim
kanë vlerë kuptimore foljore dhe kanë funksion morfologjik (gramatikor) si
folje. Pra, frazat foljore për nga kuptimi dhe funksioni  morfologjik (gramatikor) kanë kuptim dhe
funksion të foljes.
Frazat foljore ashtu si edhe foljet shënojnë, shprehin, emërtojnë
veprime a procese të ndryshme të frymorëve e jofrymorëve. Edhe frazat foljore
mund të përdoren si barasvlerëse  të
foljeve në funksion të mirëfilltë sintaksor, në funksion të kallëzuesve
foljorë. Pra, frazat foljore, mund të hyjnë në punë  për të shprehur  kallëzuesit foljorë si gjymtyrë kryesore të
fjalisë.
Frazat  foljore rëndom përbëhen,
ndërtohen nga një folje + emër. Fraza të këtilla kemi shumë, kemi me
burde, si bie fjala:   mbetet akull   dikush fr. fol.,id.;  e thyen akullin  dikush fr. fol.,id.; bën alarm për
diçka dikush, e bën alarm 
diçka  dikush fr.fol.,fj.; nuk
(e) luan çapin dikush fr.fol., meton.;ka damar për diçka
dikush fr.fol.,met.; nuk ka erë në (nga) diçka dikush fr.fol.,iron.;
 nuk merr  erë  nga  diçka   
dikush fr.fol.,iron.; ia shuan ëndrrat  dikujt dikush  a diçka  fr.fol., meton. ; s' i zë eshka dikujt
fr.fol., iron. etj. etj.
Një numër i kufizuar i frazave foljore përbëhet,
ndërtohet  nga një folje+  mbiemër, si bie    fjala: bëhet i aftë dikush fr.fol.,fj.-aftësohet
dikush ; e bën të aftë dikush dikë -e aftëson dikush dikë
;bëhet e bardhë diçka  fr.fol.
,fj. -zbardhet, zbardhohet diçka ; e bën të bardhë diçka  dikush-e zbardh, e zbardhon diçka
dikush bëhet  i lumtur dikush  fr.fol.,fj.-gëzohet; e bën të
lumtur dikë  dikush a diçka  fr.fol.,fj.- e gëzon;e  bën të zi fr.fol.,fj.- e nxin etj.
Një numër i kufizuar i frazave foljore përbëhet,
ndërtohet nga një folje+ ndajfolje, si bie fjala: bën
lart dikush a  diçka ;
merr lart diçka a dikush  .;ngrihet
lart dikush a diçka ;ngjitet lart dikush a diçka;
pështyn lart  dikush ;vret  lart, e vret lart dikush;
bën përpjetë dikush  a diçka;
merr  përpjetë  diçka a dikush; bën poshtë  dikush; merr poshtë dikush;  i rri 
poshtë   dikujt dikush  etj.
Një numër i kufizuar i frazave foljore përbëhet,
ndërtohet nga dy folje (folje+folje)  duke u 
ndëlidhur në mes me lidhëzën:  e, si bie  fjala: bën e prish  dikush; bën e zhbën dikush;
dridhet e përdridhet dikush; dridhet e zhdridhet   diçka ; hidhet e përdridhet  dikush; jep e merr dikush
; lyhet e ngjyhet (një femër)  ; merr e jep dikush; sillet e
mbështillet dikush ; vran e kthjell  dikush 
etj.
Disa fraza foljore 
kanë karakter përbërës përshkrimor-perifrastik  (folje+ emër+emër a mbiemër.Kuptimi i tyre
njësor del nga tërësia  
përshkrimore-perifrastike, si bie fjala: e ka gojën çorap dikush-
është gjuhustër, llafazan dikush; i ka dërrasat (vidat)  mangu (mangut) dikush-është i
çmendur, i krisur dikush; e ka zemrën gur dikush-është zemërgur dikush; e
ka mendjen e lehtë dikush- është mendjelehtë dikush; e ka kokën e fortë
dikush-është kokëfortë dikush; e ka mendjen e trashë dikush-është
mendjetrashë, budalla dikush etj.
Lypset të vëmë theksin në një specifikë të veçantë:
se frazat foljore  që përbëhen, ndërtohen  prej gjymtyrës së parë folje + emër (apo  emër+emër) po t’ i kenë foljet në
diatezën veprore, mund të hyjnë në punë si mundësi për lentimin, formimin e
frazave përkatëse emërore, si bie fjala: bërje alarm,lënie në ahur, lënie në
ahe,kalim anash, të kaluarit anash, lënie në arkiv, bërje (marrje)  lart (poshtë, tatëpjetë, teposhtë)  etj.
Frazat foljore me strukturë të këtillë përbërëse,
ndërtimore, po t’ i kenë foljet në diatezën vetvetore, pësore, mund të hyjnë në
punë, mund të shërbejnë si mundësi për të lentuar, krijuar  fraza përkatëse mbiemërore, si bie fjala: i
mbetur akull, i mbetur gjallë, i zënë ngushtë, , i zënë pisk,  i bërë lesh e li etj.
Po të jenë foljet e frazave foljore, edhe në
diatezën veprore, edhe në diatezën 
vetvetore (pësore), nga frazat e këtilla foljore  ka mundësi të lentohen, të krijohen, të
formohen : edhe fraza përkatëse emërore, edhe fraza përkatëse mbiemërore, si
bie fjala: bërje hi e pluhur nga: bëj hi e pluhur (diateza
veprore); i bërë hi e pluhur nga: bëhet hi e pluhur (diateza
pësore) etj.
Nga shembujt që u morën në përqasje e shtjellim del një si parim e
rregull e përgjithshme: se nga  frazat
foljore, që i kanë foljet si gjymtyrë të 
para përbërëse në diatezën veprore lendohen, formohen frazat përkatëse
emërore, dhe, po ashtu, nga frazat foljore, që i kanë foljet si gjymtyrë të
para përbërëse në diatezën pësore (vetvetore) lentohen, formohen frazat
përkatëse mbiemërore.
Frazat ndajfoljore janë fraza që në ligjërim  dhe shkrim 
kanë vlerë kuptimore e 
funksionale si ndajfolje. Pra, frazat ndajfoljore shënojnë, emërtojnë si
edhe ndajfoljet tipare veprimi a gjendjeje, rrethana veprimi, shkallë cilësie a
rrethane ose intensitet veprimi.
Frazat ndajfoljore në ligjërim dhe shkrim për nga funksioni sintaksor si
edhe ndajfoljet  dalin me funksion  të mirëfilltë 
të rrethanorëve e të përcaktorëve të ndryshëm.
Sikundër vihet re, del se frazat ndajfoljore  për nga funksioni morfologjik (gramatikor)
janë barasvlerëse me ndajfoljet, sepse, sikurse edhe ato, shënojnë kuptime të
cilësisë (madje të cilësisë e shkallës 
intensive) të veprimeve ose të rrethanave në  të cilat kryhen ato veprime.
Frazat  ndajfoljore dalin me
sttrukturë të ndryshme  përbërëse,
ndërtimore. Ne do të bëjmë orvatje për të bërë klasifikimin  e llojeve më të rëndomta, më kryesore, sipas
strukturës përbërëse , ndërtimore morfologjike.
Disa fraza ndajfoljore përbëhen, ndërtohen nga parafjalët:
me + emër: me arsye, me afsh, me anësi,me
hatër, me djallëzi, me imtësi,     
me   hollësi, me pabesi, me zemër
etj.
me +  emër
+ mbiemëra ndajfolje: me gjak të ftohtë,  me gjak të ndezur, me  zemër të çelur (të hapur), me duar bosh, me
hundë të lëshuar (të varur), me hundë të ngritur, me faqe të bardhë, me zemër
të ngrirë, me zemër të thyer, me zë të ëmbël, 
me zë të shtruar, me zë të qetë, me zë të lartë; me zë të ulët etj.
me+ emër+emër: me gjysmë goje, me gjysmë zemre, me gjysmë
shpirti; me gjysmë   zëri; me akull
të              mendjes, me afshin e
shpirtit, me feksin e agut, me forcën e armëve etj.
me+emër+ ndajfolje: me kokë ulur, me
ballë (ballin) lart, me ballë (ballin) ulur (unjur) etj.
me+ emër+ parafjala në (nën, ndër,
nëpër) + emër:me bisht nën (ndër) 
shalë,  me kokë në trastë  (në torbë), me dorë në zemër, me zemër në
dorë, me buzë në gaz, me lot ndër faqe, me pishë në dorë, me shpirt nëpër
dhëmb, me krye në thes, me armë në dorë, me brekë nëpër këmbë, me alete në brez
etj.
me+emër+ lidhëza: e+ parafjala (me)+ emër:  me mish e me shpirt, me rrënjë e me degë, me
thonj e me dhëmbë, me qen e me mace, me kuç e me maç, me të qeshur e me të
ngjeshur, me afsh e me rashk, me afsh e me zjarr, me ah e me bah, me laçkë e me
plaçkë, me lak e me gjak, me trup e me shpirt,me trup e me zemër, me
zemër e me shpirt etj.
me+ emër+lidhëza:e+ emër: me ag
e terr, me zjarr e flakë etj.
në+ emër:në tym, në afërsi, në ag, në ajri, në
heshtje, në largësi, në përgjithësi, në veçanti,  në hollësi, në imtësi, në tërësi, në plotësi etj.
në+ emër+emër (në rasën
gjinore): në buzë të agut, në fesk të agimit, në flakë të agzotit, në fill
të agut, në ag të dritës ( të ditës), në ferk (në në prag) të agimit etj.
nën+ emër: nën banak, nën
rrogoz, nën dorë, nën gunë, nën hundë, nën 
            lëkurë etj.
nga+emër+pjesëz+emër:nga
a-ja deri  te zh –ja, nga alfa tek omega etj.
pa+emër: pa adresë, pa anësi, pa dyshim, pa
ndërdymje, pa fjalë, pa ngurrim, pa 
mëdyshje etj.
pa+ pjesore e foljes+emër: pa
humbur kohë, pa hapur gojë, pa bërë zë, 
pa e çarë kokën, pa i vënë veshin etj.
pa+emër+ lidhëza: e + parafjalë+emër:
pa krye e pa fund, pa anë e pa fund, pa anë e pa masë etj.
para + emër: para afatit,
para syve,  para kohe  etj.
pas +emër: pas shpine,  pas dore, pas skene, pas perde etj.
për+emër+emër : për
dritë të  agimit,  për të zezë të thoit, për qime të kresë, për
dhjamë qeni etj.
për+emër+mbiemër:
për fat të mirë, për fat të keq etj.
prapa + emër: prapa diellit,  prapa krahëve,  prapa skene etj.
prej+emër+ndajfolje+emër:
prej alfës në omega, prej agu e në muzg, prej agut deri në muzg,  prej fillimit deri në fund (në mbarim) etj.
Disa fraza ndajfoljore ndërtohen me një tog elementesh  krahasuese
me  lidhëzën  paraprijëse 
sa: sa gishtat e dorës, sa për sy e faqe, sa çel e mbyll sytë,
sa të hanë qentë, sa të hanë lopët, sa të thuash pesë, sa të jetë bota (jeta) etj.
me lidhëzën paraprijëse si: si mishi me thuan (me kockën), si
veza në kulaç, si dhentë pa bari, si rrodhja pas guhës, si bukë me djathë, si
buka që hamë, si flaka e kashtës (si flakë kashte),  si kofini pas të vjelash, si nëpër ag, si me
amanet etj.
Disa fraza ndajfoljore ndërtohen me
përsëritjen  e gjymtyrës së njëjtë me anë
të
lidhëzës : e: anës e anës,  fët e fët, hollë
e hollë, larg e larg,  mbarë e
mbarë,  mirë e mirë,  shpejt e shpejt, afër e afër, pranë e pranë
etj.
Disa fraza ndajfoljore  ndërtohen
me përsëritjen e gjymtyrës së njëjtë  me
anë të
parafjalës: për: balë për ballë,
aty për aty, javë për javë, kokë për kokë, vit për vit,  ditë për ditë, natë për natë,   dorë për 
dorë, emër për emër, fjalë për fjalë, 
pikë për pikë, flakë për flakë, fije për fije,  kokërr për kokërr,  krah për krah, dhëmb për dhëmb, bisht për
bishti, sot për sot, hë për hë, tani për tani etj.
parafjalës: pas:  çap pas çapi, hap pas hapi, fjalë pas fjale,
gjysh pas gjyshi, atë pas ati, brez pas brezi, 
herë pas here, kohë pas kohe, 
këmbë pas këmbe, bisht pas bishti, 
gojë pas goje etj.
pjesëzës: më: flakë më flakë, zjarr më
zjarr, kot më kot,  thikë më thikë,  rrënjë më rrënjë, brisk më brisk, dhëmb më
dhëmb,  gju më gju,  tym më tym, 
vesh më vesh,  ditë më ditë, breg
më breg,  cip më cip, degë më degë,  derë më derë, gojë më gojë, faqe më faqe, gur
më gur, kokë më kokë, shteg më shteg, vërë më vërë, ledh më ledh, majë më majë,
orë më orë etj.
lidhëzës: e dhe pjesëzës: më: keq e më keq,  mirë e më mirë, thellë e më thellë,  afër e më afër,  pranë e më pranë etj.
parafjalës: pa: rrugë pa rrugë, dashur pa
dashur, nevojë e pa nevojë etj.
lidhëzës: e dhe parafjalës: pa: kohë e pa kohë, orë e pa
kohë, vend e pa vend, punë e pa punë, udhë e pa udhë, rrugë e pa rrugë etj.
Disa fraza ndajfoljore ndërtohen, përbëhen prej dy
emrash  me anë të lidhëzës e,
përkatësisht
emër+ lidhëza : e+ emër: shend
e verë, natë e ditë, ditë e natë, majë e brisk, rend e fill, buzë e hundë,
hundë e buzë, kokë e këmbë, këmbë e kokë, sy e veshë, fund e krye,  fund e majë, anë e kënd, anë e skaj,  anë e cekë, anë e qark, lak e fyt, lak e
gjak, fillim e mbarim etj.
Disa fraza ndajfoljore ndërtohen, përbëhen prej dy ndajfoljesh me anë të
lidhëzës:  e, përkatësisht
ndajfolje+ lidhëza: e+ ndajfolje: andej e këndej, mbarë e
prapë, hollë e gjatë, gjerë e gjatë, 
gjatë e gjerë, urtë e butë, 
poshtë e lart,  lart e poshtë,  sot e tutje, 
kryq e tërthor,  rreth e rrotull,
tej e mbanë, tani e tutje, tani e tëhu, rrallë e tek etj.
Disa fraza ndajfoljore përbëhen, ndërtohen prej dy foljesh me anë të
lidhëzës: e, përkatësisht
folje+lidhëza: e+ folje:
shkel e shko, ec e jak,  qesh e
ngjesh,  fol e qesh , qesh  e fol, nis e sos etj.
Disa fraza ndaj foljore ndërtohen,përbëhen me përsëritjen dyshe, dyjare
të gjymtyrës së njëjtë, sie bie fjala: hera-herës, dora-dorës, këmba-
këmbës  etj.
Disa fraza ndajfoljore ndërtohen, përbëhen
prej numërorit një+ emër, si bie fjala: një
çikë, një çikëz, një pikë, një pikëz, një grimë, një grimëz, një trohë, një
trohëz etj.
Frazat lidhëzore janë fraza që kanë vlerë kuptimore dhe funksionale
morfologjike (gramatikore) si lidhëza. Në ligjërim a shkrim  frazat lidhëzore hyjnë në punë,
shërbejnë  si mjete që lidhin  dy gjymtyrë fjalie ose dy fjali periudhe. Nga
ana tjetër, frazat lidhëzore shprehin, shënojnë marrëdhënie, raporte të
ndryshme sintaksore ndërmjet fjalive. Pra, për nga  funksioni 
gramatikor:  morfologjik e
sintaksor, frazat lidhëzore janë barasvlerëse me lidhëzat. , sepse, si edhe ato
hyjnë në punë si mjete që lidhin dy gjymtyrë fjalie ose dy fjali  dhe shënojnë marrëdhënie, raporte të ndryshme
sintaksore midis tyre.
Frazat lidhëzore dalin me strukturë të ndryshme përbërëse, ndërtimore.
Ne do të bëjmë llkasifikimin e llojeve më të rëndomta, më kryesore sipas
strukturës përbërëse, ndërtimore morfologjike.
Disa fraza lidhëzore
ndërtohen, përbëhen nga një parafjalë:+emër+ lidhëza: se:
për arsye se, për shkak se, në rast se, nga shkaku   që (se), në vend  që (se), në vend të, nga frika se etj.
nga një parafjalë:+emër+ lidhëza: qe: me kusht
që, me qëllim që, në mënyrë që, në vend që etj.
Disa fraza lidhëzore ndërtohen, përbëhen nga
lidhëz+trajtë trajtë foljore+
lidhëz, si bie fjala: në është se, në qoftë se, po qe
se, po të jetë se  etj.
ndajfolje+lidhëz: aq sa,  aq më tepër, aq më tepër që, ashtu edhe,
ashtu që,  ashtu si (siç), kështu
që,  para         (përpara)  se, mjaft që, sado që, sido që, tekdo që,
vetëm se, veç që,  ngado që etj.
ndajfolje+ ndajfolje+ ndajfolje
: aq më tepër
ndajfolje+ ndajfolje+ ndajfolje+
lidhëz: aq më tepër që
lidhëz+lidhëz: sapo që, posa
që, si edhe, edhe  sikur (sikur), sikur
se,  sikur që, edhe po të... sikundër që,
sikundër se,  edhe pse etj.
lidhëz + ndajfolje: po ashtu etj.
pjesëz  + lidhëz: deri ku, deri kur, gjer ku,
gjer kur etj.
lidhëz+ pjesëz: dhe në,  edhe po, 
dhe pse, edhe sikur, që ku, që kur, që nga, që se, qysh se, qysh kur etj.
parafjalë+ trajtë foljore+lidhëz:
me qenë se, me qenë që, në qoftë që, në qoftë se etj.
parafjalë+lidhëz: me që, në se etj.
lidhëz+parafjalë+lidhëz:  edhe në se etj.
ndajfolje + lidhëz: vetëm se,
veç se, veç që, kurdo që, kurdoherë që  etj.
ndajfolje+trajtë foljore:
sido qoftë etj.
ndajfolje+lidhëz+ trajtë foljore
+ emër: sido që të jetë, sido që të jetë puna etj.
Kemi  fraza lidhëzore të
ndërtuara, të përbëra nga
përemër lidhor+ emër+ lidhëz: sa herë, sa kohë, sa herë që, sa kohë që etj.
Disa fraza lidhëzore (fraza këpujore) ndërtohen me
përsëritjen e gjymtyrës së njëjtë : as...as, edhe......edhe, daç...daç,
ja...ja, ndo...ndo, ose...ose, si...si, dhe...dhe, o...o, qoftë...qoftë etj.
Disa fraza lidhëzore (fraza të shkallëzimit)  ndërtohen prej dy lidhëzash të ndryshme: si...
ashu (e) dhe etj.
Disa fraza lidhëzore (fraza përmbyllëse) 
ndërtohen, përbëhen  prej
lidhëzash e pjesëzash: jo që... po, që... po(r)  edh, jo veç (që)... por edhe, jo vetëm (që)
... por, jo vetëm që... por as, jo vetëm që... por edhe,  jo vetëm (që) porse,  le që...por, 
le që... po(r) as
(që), le që...por edhe, si... ashtu (e) dhe, jo që... po(r) edhe,
aq...sa që etj.
Nga sa u mor në shtjellim e trajtim,sikundër shihet e merret në syzim,
del se,  u përpoqëm të paraqesim e të
japim llojet më kryesore, më karakteristike ndërtimore, përbërëse të frazave
lidhëzore sipas strukturës ndërtimore morfologjike, të cilat i cilëson, i
karakterizon një shumësi mënyrësh  të
gjithnduershme ndërtimi e përbërjeje.
Frazat
pasthirrmore
janë fraza që kanë vlerë kuptimore dhe funksionale morfologjike (gramatikore)
si pasthirrma. Në ligjërim a shkrim 
frazat  pasthirrmore hyjnë në
punë, shërbejnë  si mjete  që 
shprehin  ndjenja të fuqshme në
trajtë miratimi, përgëzimi admirimi a lëvdate, si ,bie fjala: të lumtë dora!
të lumtë goja! të lumshin krahët! të lumshin këmbët! aferim i qoftë! i qoftë
aferim! ! fr. fol.psth.-i lumtë! -O gjë të bukur 
Pra, për nga  funksioni  gramatikor: 
morfologjik  frazat pasthirrmore
janë barasvlerëse me pasthirrmat. , sepse, si edhe ato hyjnë në punë,
shërbejnë  si mjete që  shprehin 
ndjenja të fuqshme   në trajtë
miratimi, përgëzimi admirimi a lëvdate.
Fraza  pasthirrmore  janë edhe shprehjet  me anën e të cilave shprehen  përgjërime e lutje të  të tepërta, si bie fjala: ju qoftë amani! !fr.psth..-ju
lutem shumë, së tepërmi! që i qofshim falë !
Fraza  pasthirrmore kemi edhe
shprehje në trajtë urdhri a komaande ushtarake, si bie fjala : më
këmbë !  fr.psth.-ngritu a ngrituni!.- Më
këmbë, pra nipa të Gjergj Kastriotit,/ Të lidhni besë e armët të ngjeshni?
(GJF-MZ f.30).
Frazat  pasthirrmore, në më të
shumtën e herës, i gjejmë në trajtë të shprehjes së përshëndetjeve  të përditshme në mes njerëzve, si bie
fjala :
ditën e mirë ! me ditë të mirë ! fr.psth.- përshëndetemi
kur ndahemi nga dikush me të cilin jemi takuar a kur dalim nga një vend (shtëpi,
lokal, dyqan etj.) ku kemi pasur punë a kemi qenë të pranishëm ; mbrëmja e mirë! fr.psth.-mirëmbrëma! natën e mirë! ose me natë të
mirë fr.psth.-përshëndetemi kur ndahemi nga dikush në mbrëmje apo
natën me të cilin jemi takuar a kur dalim nga një vend (shtëpi, lokal, dyqan
etj.) ku kemi pasur punë a kemi qenë të pranishëm ; ndesha e
mirë ! fr.psth.- përshëndetje  kur takohen dy veta në rrugë;mirë
mbeçi !fr.fol.,psth.- lamtumirë ! mirë se vini! fr.psth.-përshëndetje kur
shkojmë e hyjmë diku; mirë se ju gjejmë!-fr.psth.-përshëndetje
kur vijmë a hyjmë diku. (FGJSSH f. 605).
Më
në fund, shprehje pasthirrmore kemi edhe në trajtë falënderimi e përgjigjeje në
të, si  bie fjala:
të falem nderit ! fr.psth.-faleminderit! të falënderoj!
me nder qofsh ! me nder qofshi ! fr.psth.- përdoret si përgjigje
kur na falënderon dikush. etj.
Në  fraza përemërore bëjnë pjesë,
përfshihen vetëm  dy  fraza: një dorë, një numër, me kuptim
të përemrit: disa, të cilat në mes vete janë sinonime, janë çifte
sinonimike absolute,  si bie fjala:
një dorë. fr.përem.-
disa. (HB-I f. 222, HB-FPD f. 88).-Pikëpamjet e Arshi
Pipës  për gjuhën letrare, sado me një
dozë rezerve, kanë gjetur përkrahje te një dorë gjuhëtarësh e intelektualësh
shqiptarë, kryesisht shkodranë. (AVI te: GJJ nr.1-4/ 
Frazat  parafjalore  janë frazat që në ligjërim  dhe shkrim 
kanë vlerë kuptimore e 
funksionale si parafjalë. Pra, frazat parafjalore  luajnë 
rolin e parafjalëve, luajnë rol shërbyes përpara emrave, mbiemrave,  numërorëve, ose përpara  ndajfoljeve.
Sikundër vihet re, del se, frazat parafjalore  për nga funksioni morfologjik (gramatikor)
janë barasvlerëse me parafjalët, sepse, sikurse edhe ato,  luajnë rol shërbyes përpara emraave,
mbiemrave, numërorëve ose përpara disa ndajfoljeve.
Frazat  ndajfoljore dalin me
strukturë të ndryshme  përbërëse,
ndërtimore. Ne do të bëjmë orvatje për të bërë klasifikimin  e llojeve më të rëndomta, më kryesore, sipas
strukturës përbërëse , ndërtimore morfologjike.
Disa fraza   parafjalore  ndërtohen, përbëhen
nga  parafjala (me) +
emër ( i rasës gjinore),  si
bie fjala:
me  anë të dikujt a diçkaje,me
anën  e dikujt a diçkaje, me ndihmën e dikujt a diçkaje, me
ndihmë të dikujt a diçkaje,  me ndërmjetësinë e dikujt a diçkaje  me
kuptim: nëpërmjet dikujt a diçkaje , përmes dikujt a diçkaje, falë
dikujt a diçkaje.
nga  parafjala (në + emër
( i rasës gjinore),  si bie
fjala:
në krah të dikujt a diçkaje, në saje (të) dikujt a diçkaje, ; në shpinë të dikujt a
diçkaje, në shpinën e dikujt a diçkaje  me
kuptim: nëpërmjet dikujt a diçkaje , përmes dikujt a diçkaje, falë
dikujt a diçkaje;  në anë të diçkaje a të dikujt
a një vendi  me kuptim: anas,
bri, përbri, afër, përskaj, skaj, pranë diçkaje,dikujt a një vendi, në këmbë  të dikujt a të diçkaje, në vend   të dikujt a të diçkaje me kuptim: për zëvendësim të dikujt a
diçkaje.
nga  parafjala (për + emër
( i rasës gjinore),si ie fjala:
për arsye të  dikujt a diçkaje,
për hir të dikujt a diçkaje, për punë  të dikujt a diçkaje, për sherr të dikujt a diçkaje, për
sherrin e dikujt a diçkaje  me
kuptim:  për shkak të dikujt a
diçkaje, nga shkaku i dikujt a i diçkaje, 
për hatër të dikujt a diçkaje 
me kuptim: për nder të dikujt a diçkaje.
nga  parafjala (si) + emër
( i rasës  gjinore),  si bie fjala:
si pasojë  e dikujt a e
diçkaje,
si rrjedhim i dikujt a i diçkaje me kuptim : si shkak i
dikujt a i diçkaje, për shkak të dikujt a diçkaje , si përfundim, si rezultat i
dikujt a i diçkaje.
Nuk mund të pajtohemi me mendimin e gjuhëtarit ,Miço Samara, të shprehur në faqen 135 të punimit (të botuar në SF nr. 1-4/ 1992) ” Mbi trajtimin leksikografik të lokucioneve në gjuhën e sotme shqipe” se janë shprehje parafjalore: bashkë me dikë a diçka, krah për krah me dikë, mes për mes diçkaje, nga ana e dikujt a diçkaje, në ballë të diçkaje, në bashkëpunim me dikë a diçka, në bashkërendim me diçka, në bazë të dikujt a diçkaje, në dobi të dikujt a diçkaje, në krahasim me dikë a diçka, në kundërshtim me dikë a diçka, në lidhje me dikë a diçka, në mes të dikujt a diçkaje, në pajtim me diçka, në përputhje me diçka, në përshtatje me diçka, në prag të diçkaje, të cilat janë shprehje, fraza ndajfoljore. Shprehjet, frazat e zëna në gojë, pra, nuk janë shprehje, fraza parafjalore, po pikërisht ndajfoljore.