| E enjte, 15.08.2013, 07:55 PM |
VARKA E
SHPETIMIT
Tregim nga Hamit TAKA
Pasi
hodhi një vështrim hetues nëpër tavolina, Liri Gurollari u drejtua me
vendosmëri tek një tavolinë bosh në një kënd të qetë të lokalit. Mjedisi i
brendshëm, falë pajisjeve elektrike, ishte në kontrast të thellë me mjedisin e
jashtëm, ku i ftohti të priste si brisk. Ajo tërhoqi një karrige prej vetes dhe
çveshi pallton e madhe. Çlirimi, i cili e ndihmoi për ta hequr, e vari në
varsen metalike. Pastaj vendosi dhe pallton e tij. Gjatë kohës Liria u kishte
bërë klientëve të tavolinës përballë një përshëndetje të lehtë me kokë.
Ndërsa
Çlirim Gurollari, vëllai i vetëm, kapi karrigen përballë, ajo tërhoqi karrigen
tjetër pranë saj dhe e uli vëllain atje ku deshi ajo, me qëllim që ai të kishte
përballë atë vajzën, e cla ishte ulur midis dy burrave në tavolinën që
përshëndeti para pak. Qëndrimi i saj i shpenguar dhe indiferent ndaj tavolinës
parballë ishte krejt bllof. Gjithçka ishte paramenduar nga ajo dhe Vladimir
Qirjazi, i cili me qëllim i kishte kthyer shpinën tavolinës, ku u ulën vëllai e
motra. Edhe kjo ishte e paramenduar. Që nga ai çast roli i Lirisë ishte të
vrojtonte si një panterë e vërtetë reagimet e dy të rinjve, që ishin vendosur
tashmë ballëpërballë. Ato reagime kishin aq shumë rëndësi për të sa ajo e
barazvlerësonte me të ardhmen e familjes së saj.
Dy
burrat, që kishin futur vajzën në mes dhe tashmë gjerbnin kafetë e freskëta,
gati me përtesë, ishin shumë të njohur për Lirinë. Njëri direkt e tjetri
indirekt. Ajo nuk bënte pjesë në atë ministri ku punonjësit, siç thoshte
populli, të dinin sa lugë kishe në shtëpi, por edhe nga ministria e saj kishte
mundësi të siguronte aq informacion sa i duhej.
Burri me
atë portretin simpatik, tepër i lodhur, i zbardhur dhe i mpakur, dikur rridhte
nga një familje e madhe. Por, pas vendosjes së regjimit komunist, quhej klasë e
përmbysur dhe sapo kishte lënë prapa shpine hekurat e burgut politik. Vështrimi
i tij, sa i vrarë aq edhe kureshtar, i uritur për jetën, por edhe i lbyrur nga
drita e saj, e tregonte tamam si një shtazë që sapo ka dalë nga kafazi.
Pikërisht ky njeri, deri dje i përbuzur prej fatit dhe prej tyre, mund të
luante një rol vendimtar në të ardhmen e familjes Gurollari.
Ai burri
tjetër, me shpinë prej saj, ishte Vladimir Qirjazi. Edhe ai klasë e përmbysur,
por që i kishte buzëqeshur fati papritur me një nga ato marifetet që mund t’i
quajmë akrobatike. Ai ishte një miku i saj i vjetër, i cili duhet të bënte
kërcimin e anasjelltë, duke u rikthyer në vendin e parë. Kërcimi që kishte bërë
ai mund të quhej një kërcim social i këmbyeshëm.
Për sa i
përket vajzës nuk ishte punë e saj ta vlerësonte. Atë le ta bënte Çlirim
Gurollari. Nga ato anë, që u interesonte të gjithëve në familjen Gurollari, ajo
e kishte studiuar me hollësi nga të gjitha pikëvështrimet. E kishte peshuar me
zigare floriri dhe i dilte flori dyzetë karat. Nuk kishte gabuar kurrë Vladimir
Qirjazi. Kartrat i kishte për ta bërë ministre. Por ajo e kishte porasitur se
vajza duhej të ishte tmerrsisht e bukur që të matej me të fejuarën e Çimit. Dhe
ja ku ishte dhjetë herë më e bukur se Frida Golemi. Por akoma më tepër duhej të
ishte shumë e zgjuar, sepse Çimi ishte i prirur sa nga bukuria aq edhe nga
intelekti. Bile të parën edhe mund ta toleronte, por këtë të fundit kurrë. Ai
pretendonte femra që dinin të silleshin në shoqëri, t’i kishte partnere në jetë
dhe oponente në mendime.
-Dy
uiski,-i tha Çimi kamarierit, që rrinte në këmbë para tyre.
Pasi
kishte zënë vend dhe u dha porosia, Liria bëri sikur u befasua, sikur s’e
kishte vënë re
-Uaa! Të
më falësh Ladi. Nuk vura re me vëmëndje dhe ti s’e kthen kokën fare.
Ladi u
ngrit në këmbë, shtrënguan duart dhe ai bëri sikur e njohu me dy të pranishmit
e tjerë.
-T’ju themë
të drejtën u përqëndrova më tepër tek vajza. M’u duk se pashë diçka të veçantë,
ia bëri Liria si aktore.
Babait të
vajzës, zotit Dhimitër Furxhi, nuk i erdhi mirë për ato fjalë nga një e
panjohur, aq më tepër në prezencë të një djali të panjohur prej tyre.
-Ja edhe
vëllai im i vetëm, Çimi,-vazhdoi Liria, duke treguar nga tavolina e saj. Djali
lëvizi pak nga karrigja dhe bëri një përkulje me një respekt të shtirur, se nuk
i pëlqeu ai prezantim i gjatë e i hollësishëm i motrës. I ngjatjetoi me kokë
dhe u rehatua në karrigen me sfungjer. Liria zuri vend dhe, për të mos i lënë
kohë vëllait për ndonjë replikë, filloi t’i fliste për gjëra pa rëndësi.
-Ky
ambient më ka pëlqyer gjithmonë. Sa u inaugurua hotel “Tirana” unë s’kam
preferuar lokal tjetër mbi këtë. Ky është me parametra evropianë. Pavarësisht
se puna më ka çuar më tepër te “Dajti”, kur kam patur kohë të lirë, unë kam
frekuentuar këtë,-thoshte si një llafazane e përkëdhelur.
Çimi
ktheu kokën nga e motra, i buzëqeshi dhe i kapi dorën.
-Më vjen
mirë, motër, që të shikoj kaq të qeshur e të gëzuar. Kam sa ditë që të gjej të
trishtuar e të menduar.
Paçka se
vlerësimi i gjërave në përgjithësi është relativ, në situata të caktuara ato
kthehen në kategori absolute,-mendonte me vete Liri Gurollari. Kjo zgjidhje në
situatën e sotme është perfekte dhe këtë s’mund të ma kundërshtojë askush. Edhe
Çimi do të bindet shumë shpejt.
Ajo e
dinte sa e vështirë është të shkulësh një dhëmballë e të ngulësh një tjetër në
vend të saj pa dhëmbje. Por ndonjë herë është e domosdoshme të bëhet, nëqoftë
se stamatologu dhe pacienti do të shmangin ndonjë infeksion vdekjeprurës. Dhe
me ata sytë e gjelbër, që i ndriçonin si
të maces në errësirë, ajo vëzhgonte çdo reagim të Çimit. Përsa i përkiste
vajzës, s’donte t’ia dinte fare. Atë punë e ndreqte pa një pa dy miku i vjetër,
Vladimir Qirjazi. Ai e kishte garantuar se vajza do të pranonte. Veçse kjo punë
donte stisur sa më shpejt. Pasi tani vajza ishte më e trullosur se sa babai, që
sapo ka dalë nga burgu. Asaj do t’i verbohen sytë kur t’i afrohet ai goxha
djalë, kur t’i afrohet Tirana dhe ajo shtëpi me tërë të mirat. Kontrasti midis
mizerablës morale e shoqërore, ku ishte zhytur, me këtë që do t’i shfaqet
përpara, do ta bëjë atë të besojë mrekullinë, kishte thënë Ladi. Kjo është më se
e vërtetë, tha me vete Liria dhe iu kthye sërish bisedës me Çimin.
-Lokalet,
pas një dite të lodhëshme dhe të stresuar, gjithmonë më janë dukur si ato oazet
për udhëtarët e shkretëtirave. Shkarkohej, harrohej, qetësohej, relaksohej dhe
pertërihej…Ha-ha-ha!-qeshi dhe shtoi me zë të lartë:
-Nuk e di
ç’mendim ke ti si poet për atë që thashë?
Çimi
mendoi se mos motrës i ra keq uiski, pasi po bëhej shumë llafazane. Kjo sjellje
nuk i pëlqente. Sidomos përballë asaj tavolinës, ku ishte ulur ajo vajza me një
bukuri prekëse dhe ngrinte shpesh kokën si ato kafshët e egra të Afrikës, kur
pinë ujë dhe dëgjojnë zërin e një kafshe tjetër, pre e së cilës mund të bëhen
nga çasti në çast. Ndërkohë Liria vuri re efektin e fjalëve të saj dhe me
kënaqësi konstatoi turbullimin e të dyve. Trupi i zhvilluar mirë i vajzës,
vijat sensuale të gjoksit, krahëve e qafës mjaftonin për t’i dhënë zjarr gjakut
të vëllait. Gjë që pas pak e ndjeu fare qartë. Pyetja pa përgjigje atë e gëzoi.
Dmth vëllai ishte dhënë i tëri pas saj aq sa nuk dëgjonte as pyetjet e motrës.
Pikërisht ajo e gëzonte dhe ai ishte qëllimi i saj. Më tej filloi ta hidhte
bisedën sa andej këndej, duke mos iu afruar fare bisedave familjare dhe atyre
shoqërore. S’donte kurrësesi që Çimi të binte në mendime apo të kujtonte Fridën.
Por gjykatësi i ri nguli sytë në tavan, tek një abazhur i madh, sikur atje të
priste shfaqjen e një komete apo një eklips të paralajmëruar. Ai nuk e ktheu më
kokën as nga e motra, as nga vajza mbresëlënëse. Pastaj u kujtua dhe, për të
mos mbetur mospërfillës ndaj motrës, u kthye prej saj dhe i pëshpëriti në vesh:
-Ndihem
mirë që po të shoh pak llafazane, se kam kohë që të shoh në një përvuajtje të
thellë, pavarësisht se ti nuk jepej lehtë.
Ajo i
buzëqeshi. E dinte se vëllai i vetëm i donte dhe i respektonte shumë dy motrat
e tij. Bile e dinte edhe se ai e respektonte më shumë se Selën, me qënë se
ishte më e madhe, por me Selën ai sikur ndihej pak më mirë, më i lirshëm.
Sidoqoftë ai ishte krenaria e të dy motrave. Shpesh i vinte turp edhe nga
vetja, kur mendonte se Çimi kishte shpërndarë te motrat dashurinë që duhej të
kishte për babanë. Në të vërtetë atë mund ta vlerësoje si djalin më korrekt me
të atin, por respekti nuk është tamam dashuri, mendonte ajo. Sela thoshte se
ajo disonancë, atë e bir, e kishte krijuar vetë babai me atë përkujdesjen
pedante për figurën moralo-politike të tij. Çimi kishte shpirt artisti dhe
s’mund t’i duronte pa qejfmbetje gjithë ato presione për muzikën, veshjen,
flokët e paraqitjen e tij të jashtme në shoqëri. Bile edhe dega e jurispudencës
nuk i dukej fort e përshtatshme për të. Sido që e kuptonte se i ati gjithçka e
bënte për të ardhmen e tij, nuk mund të pajtohej deri në fund me të. Një herë,
në intimitet, ai u kishte thënë motrave: unë, le që në karakter s’i ngjaj shumë
babit, por s’i ngjaj fare as në fizionomi. Motrat ishin vështruar në sy pak me
habi, kurse Lirija uli kokën sikur diçka do t’i lexohej në sy.
Padashur
Çimi zbuloi një shenjë që Vladimir Qirjazi i bëri Lirisë. Ai nuk deshi ta
kuptonin se i pa. Por Liria e kuptoi shumë mirë dhe u kthye nga vëllai, i
buzëqeshi me delikatesë dhe i kapi dorën. Ndërkohë tavolina përballë u ngrit.
Gjatë kohës që vajza mori pallton e saj jeshile nga varsja dhe filloi ta
vishte, Çimi dalloi ca linja edhe më sensuale në vithet, këllqet dhe ijet e
saj. Ajo nuk u largua pa i hedhur atij një vështrim të ndrojtur e paksa të
zgjatur, që e bëri t’i kalonin ca mornica në trup. E motra i ndjeu sikur të
ishte një sizmograf shumë i ndjeshëm.
Minutat
pas largimit të klientëve fqinjë Liria i duronte me vetmohim. Cili është
misteri i lidhjeve të rrufeshme midis femrave e meshkujve? meditoi ajo. Unë nuk
i kam besuar asaj teorisë që pretendon se nga hunda dalin ca neurone simpatie
dhe kur ato përputhen në frekuenca, dmth janë valë me gjatësi të njëjtë, që u
komunikojnë burimeve maksimumin e energjisë, lind simpatia e më pas dashuria.
Mendoja se duhej të ishte diçka më e thellë. Por ja e pashë me sytë e mi si u
dashuruan Çimi dhe Marjola me një të parë. S’duhet të jetë pa gjë ajo teori.
Duhet të ketë diçka shkencore. Sa herë më ka ndodhur vetë mua. Rashë brënda për
vdekje me Bujar Çaparin sa e pashë. Pak a shumë ashtu më ndodhi me Vladimir
Qirjazin, me…
Dalim.
Makina e ministrisë tënde erdhi,-e ndërpreu zëri bariton i të vëllait.
Lirija
ndihej gati e lumtur. Ishte e sigurtë se ia kishte arritur qëllimit. I dukej
sikur ishte ngopur deri në grykë me pijet më të ëmbëla e më dehëse në botë.
Kurrë s’e kishte shijuar një kafe e një uiski aq shumë. Një lidhje
bashkëshortore e vëllait të saj, djali i një zëvendësministri dhe anëtar i
Komitetit Qëndror të Partisë, me vajzën e një të dënuari politik të mirënjohur,
do të ishte varka e shpëtimit për gjithë familjen e saj. Kishte shumë besim te
miku i vjetër, Vladimir Qiriazi, kandidati për deputet i opozitës.