| E marte, 13.08.2013, 07:43 PM |
“Instinkti
i zanatçiut” dhe “truri i zvarranikut”
Nga Bardhyl Mahmuti
Publiciteti
që iu dha në mediumet shqiptare akuzave “të Fatos Lubonjës” dhe “të Arben
Idrizit” kundër personaliteteve më të
shquara të historisë së re të Kosovës u përpoqën ta arsyetojnë me njërën nga të
drejtat themelore të njeriut: të drejtën për të shprehur lirshëm mendimin e
vet!
Në
shkrimin tim të titulluar «’Mendim i lirë’ apo ‘skizofreni politike’» nxora në
shesh se nuk bëhej fjalë për mendim të lirë por për shpërndarje të
kualifikimeve serbe të sintetizuara në të ashtuquajturën “Bela Knjiga”(“Libër i
bardhë”) dhe të titulluar “ Albanski terorizam i organizovani kriminal na
Kosovo i Metohiji (Terrorizmi shqiptar dhe kriminalitetit i organizuar në
Kosovë dhe Metohi, teksti origjinal me rreth 200 faqesh gjendet
htt://sorryserbia.com/wp/belaknjiga.pdf)
Për të
fshehur burimin e vërtetë serb të cilësimeve për “vrasës” dhe për
“kriminel” Fatos Lubonja drejton gishtin
nga libraritë evropiane, ku “qarkullojnë lirshëm” librat me kualifikimet e
lartpërmendura, ndërsa Arben Idrizi deklaron haptazi se përkundër asaj “se nuk
ka as prova dhe as shenja për t’i akuzuar si vrasës dhe si kriminel” ai e bën
këtë “duke u bazuar në instinktin e zanatit të vet prej shkrimtari dhe
intelektuali”. Madje, këtë formë të
denoncimit publik dhe “pa prova” ,Halil Matoshi dhe “zanatçinjtë tjerë me
instinkt” përpiqen ta ngrenë në nivelin
e “detyrës për intelektualin”!
Në
shkrimin e sotëm do të përpiqem të nxjerr në shesh atë që fshihet prapa
“instinktit të shkrimtarit”, “instinktit të intelektualit” dhe “instinktit të
zanatçiut” te të cilat bazohen Arben Idrizi dhe kompania e tyre. Zhveshja e
këtyre nocioneve do të na mundësoj të kuptojmë edhe një dimension të
mekanizmave përmes të cilave tentojnë që ‘vizionin serb për Kosovën’ ta mbanë
gjallë në hapësirën mediatike shqiptare.
Në këtë
kontekst, nocioni ‘instinkt’
E shoh të
udhës të përmendi faktin se filozofi,
doktori i mjekësisë dhe themeluesi i psikologjisë amerikane, William James, në vitin 1870 evokoi idenë e
ndarjes së trurit në tri shtresa dhe secilës prej tyre i atribuoi funksione të
caktuara. Mbështetur mbi këtë orientim
hulumtues, një shekull më vonë, në vitin 1971 neurologu amerikan Paul Donald
MacLean, në veprën e njohur ‘Tre trurët e njeriut’ e zhvilloi teorinë e tri niveleve të trurit
që korrespondojnë me tri periudha të zhvillimit të gjallesave.
Për temën
tonë është me rëndësi të theksojmë se strukturat e moçme të trurit të njeriut,
që ngërthejnë funksionet dhe veprimet më të thjeshta dhe që paraqesin qendrën e
reagimeve të menjëhershme dhe të pamenduara (instinktive) dhe që janë të
lidhura me luftën për mbijetesë të gjallesave, neurologu amerikan Paul MacLean
e emërtoi si «truri reptilian». Ky
emërtim u bë për arsye se forma e pavetëdijshme dhe instinktive e veprimeve
dominon te reptilët (zvarranikët)! Për dallim nga zvarranikët, truri i njeriut
zhvilloi, sipas të njëjtit autor, edhe dy struktura të veçanta: «truri limbik»,
si qendër të emocioneve dhe «truri
noekorteks», si qendër e tërësisë së aktiviteteve të vetëdijshme dhe
intelektuale.
Kjo teori
gjeti mbështetje të madhe në mesin e neurologëve, biologëve dhe psikologëve.
Përkundër
vërejtjeve që mund t’i bëhen kësaj teoria, pas zbulimeve të ‘epokës së
gjenetikës’, të gjithë pajtohen se vlera e kësaj teorie qëndron në trajtimin e
trurit si organ që është produkt i evolucionit miliona vjeçar dhe që përbëhet
nga struktura të ndryshme që janë prezent edhe te gjallesat tjera.
Një e
arritur tjetër e madhe e shkencës qëndron në verifikimin e faktit se neuronet,
për dallim nga qelizat tjera që ripërtërihen vazhdimisht, ato mbeten të njëjta
tërë jetën tonë. Ky fakt na mundëson të kuptojmë mekanizmin e memorizimit të të
dhënave, (gjuhës, ideve, figurave...) dhe në raste të nevojshme t’i
transmetojmë këto njohur të ngulitura në neuronet tona që përcaktojnë kujtesën.
Sidomos, në pjesën ballore të trurit (lobin frontal) ku janë qendrat e
mendimit, kujtesës, logjikimit, krijimit artistik etj...
Mirëpo,
një fazë tjetër vendimtare që të mund të qarkullojnë informatat e memorizuara
nga një neuron në tjetrin, vendosja e lidhjeve në mes të tyre është e
domosdoshme. Këtë funksion të lidhjes (të konektimit) e kryejnë sinapsat. Pra,
sinapsat vendosin lidhjet e komunikimit të neuroneve, në shikim të parë të
pavarura, që të komunikojnë dhe të përçojnë informacionet e njëjta...
Kjo është
në “aspektin mikro”! Ti kthehemi “aspektit makro” të temës së transmetimit të
informatave!
Në artikullin
« Mbi vrasësit tjerë » Arben Idrizi si ‘ fakt ‘ për ‘ vërtetësinë’ e akuzave të
Fatos Lubonjës sjell ‘të qenurit intelektual dhe instinktin e zanatit të tij’.
Në të njëjtën logjikë ai deklaron për ‘vërtetësinë’ e ‘akuazave të ‘veta’ se ‘ unë e di, pa i pasur provat e shenjat,
por duke u mbështetur në zanatin dhe instinktin e zanatit tim prej shkrimtari,
se vrasës është ….. etj. etj. ‘
Dikujt
mund t’i duket i rastësishëm togfjalëshi ‘instinkt zanati’ ( ‘instinkt
shkrimtar’ apo ‘instinkt intelektuali’) dhe si rezultat i mosnjohjes së teorive
shkencore të funksionimit të trurit.
Mirëpo,
përdorimi i nocionit ‘instinkt’, që është karakteristikë dominonte (por jo e
vetme) e zvarranikëve, në vend të ‘intuitës’ dhe ‘inteligjencës’, që
karakterizon njeriun dhe sidomos shkrimtarin dhe intelektualin nuk është
rezultat i mosnjohjes apo rastësisë.
Nëse
përqendrohemi shkurtimisht në pjesën e mësipërme të teorive shkencore të
funksionimit të trurit do të shohim se përpjekjet për ta paraqitur si rezultat
të ‘instinktit’ listën dhe cilësimin e shqiptarëve për ‘vrasës’ dhe ‘kriminel’,
fshehin ‘SINAPSËN’ serbe që përmes
pendës së ‘zanatçinjve me instinkt’
bën konektimin e ‘trurit të zvarranikëve’ për të transmetuar informatat
e të ashtuquajturës “Bela Knjiga”(“Libër i bardh”) të përpiluara nga institucionet inteligjente
të Serbisë!
Përpjekja
që t’i atribuoni ‘instinktit’, që buron nga ‘truri juaj i zvarranikut’,
transmetimin e shpifjeve dhe insinuatave të shërbimeve inteligjente serbe
kundër personaliteteve më të shquara të luftës çlirimtare të Kosovës është
strategji e shfajësimit.
Mirëpo,
krahas pafajësisë që përpiqet të nënkuptojë,
atribuimi i këtyre veprimeve ‘instinktit’ nxjerr në shesh edhe
strategjinë e mbijetesës së llojit. Në
këtë strategji agresiviteti, siç thekson neurologu amerikan Paul Donald
MacLean, është element konstituiv i veprimit për mbijetesë.
Agresiviteti
dhe frika për ruajtjen e llojit
Dhe në
fund, ne ‘turma pa mend e me muskuj’, siç ju pëlqen t’i quani mbështetësit e
vizionit shqiptar për Kosovën dhe për personalitetet që bënë historinë moderne
të saj, e dimë se akuzat që ngriti Shërbimi inteligjent i Serbisë dhe që ju i
transmetoni ‘instinktivisht’ me ‘trurin e zvarranikut’ janë, ashtu siç e
pranoni edhe vet në shkrimet tuaja, PA PROVA DHE PA SHENJA!
Por, kjo
formë e transmetimit të shpifjeve dhe njollosjeve serbe në mediumet shqiptare
nxjerr në shesh PROVAT DHE SHENJAT e urrejtjes ‘instiktive’ të zvarranikëve që
në Kosovën e pavarur humbën privilegjet që kishin gjatë simbiozës së vëllazërim-bashkimit me Serbinë!