| E hene, 12.08.2013, 09:54 PM |
Reportazh letrar
ÇIFLIKU I XHA DERALLËS
NGA KALOSH ÇELIKU
Poetët nga të katër
anët e Atdheut erdhën në Kërçovën
historike. Vendlindjen e Kalosh Zajazit, Sulltanë Qafës, Sadin Selmanit, Nezir
Koxhës, Osman Gjinit, Sefer Zajazit, Xha Derallës, Emin Xhambazit (Çeliku),
Nefruz Çelikut që e mbyti ujkun me dorë… Dhe, e pyetën një plak para porte në
fshatin Cërvicë: O plak, ku është Çifliku i Xha Derallës?
Plaku u ngritë më
këmbë me gjithë mjekrën e bardhë dhe shkopin me kërrabë. Mirëse erdhët, o burra
të grave! Çifliku i Xha Derallës është në Kërçovë, tek ajo Çuka pas malit,
drejtoi plaku në vend të gishtit tregues shkopin me kërrabë. E shihni atë Çukë
në mes të Qytetit? Atje, është Çifliku i Xha Derallës.
Rrugës e takuam
Date Koçin, që me Kryetarin e Komunës z. Fatmir Dehari për herë të parë në
Kërçovë organizonin Javën Kulturore Kërçovare. I thamë: jemi nisur për te
Çifliku i Xha Derallës. Qeshi. Çifliku i Xha Derallës është afër Përronit të
Thanës, në fshatin Cërvicë. E, kush ju dërgoi në këtë anë të Kalasë së Kërçovës
historike?!
Një plak me mjekër
e kësulë të bardhë në kokë.
Përsëri qeshi, Date
Koçi. Ai me siguri ka qenë Xha Deralla. Përmëtepër, ju paska mashtruar, ka bërë
pak shaka si gjithmonë edhe kësaj radhe me poetët. Gjatë një vizite, njëherë
moti në katund është tallur edhe me xhandarët e serbit. Vite më vonë, gjatë
ndryshimeve demokratike, pasardhësit e tij e kanë mashtruar edhe ministrin e
arsimit, e kanë shti t’i mjeli dhentë e Agait të Çelike te Lugu i Ymerit.
Nuk prish punë, i
thamë ne si burrat. I kuptojmë dhe e duam humorin me pak kripë, mashtrimet dhe
shakatë e Xha Derallës.
Date Koçi, aty për
aty doli me një propozim: Meqenëse e keni bërë gjithë këtë rrugë, mos të ju
shkojë mundi kot, pasi t’i përfundojmë Ditët e mërgimtarit, do të ngjitemi edhe
deri te Shtëpia e Artit, mbi Kërçovë.
Moti, qysh në
fëmijëri kisha dëgjuar dhe isha ngjitur në atë vend turistik gjatë festave të
Një Majit. Xha Duli i Riu, kur e hiqte vallen shqiptare me lodra e cingana krah
për krahu me shokë. Përmidisi i bienin Çarshisë Kërçovës me kësula të bardha,
tirqi e xhamadanë. Vite me radhë edhe isha ngjitur dhiareve, qoftë pas ndonjë
rrunze azgane, qoftë pas organizimeve të atëhershme letrare e muzikore të asaj
kohe duke e përcjellur natën me rokenrol nëpër lokale nate e disko-klube.
Përçudi, si kishte
ndodhur që kaq gjatë kohë të mos e kisha vizituar Krushinën, vendin turistik
malor që gjatë festave të Një Majit na mbëlidhte të madh e të vogël nën krahët e saj sikur të
ishte një pulë me zogjë. Fajin me siguri e kishte koha e studimeve në
Prishtinë. E më vonë, edhe arratisja ime si mësues në Drenicë e Malësinë e
Shkupit.
Krah për krahu si
poetë iu ngjitëm malit. Rrugës herë pas here Date Koçi na rrëfente gjurmë të
dhiareve ilire që ende nuk i kishte hëngër dhëmbi i kohës. Aty-këtu edhe ndonjë
burim malor, rrap shekullor që i bënte hije mbi kokë. Majë, nga ku si në
pasqyrë e shihnim Kalanë e Kërçovës, që me vështirësi e kishte shkelur këmba e
serbit, edhe e romakut, edhe e turkut, edhe ajo partizane. Secili në këtë kala
i kishte lënë të thella gjurmët deri në ditën e sotshme si pushtues. Vetëm, unë
e mbaja në mend fare mirë Kalanë e pas Luftës së Dytë Botërore, kohën e “artë”
komuniste, kur ajo kala - parajsë ishte e rregulluar aq bukur si në përralla
dhe mbuluar me lloj-lloj lule. Shatërvanë e karrike druri në çdo pesëdhjetë
metra anësh rrugicave.
Ecëm edhe pak në
heshtje rrugës kokë më kokë. Unë mendova me vete, me siguri do t’i shohim
matanë pishave edhe sheshet me lule. Edhe pak, arritëm te Shtëpia e Artit
rrethuar me gjelbërim dhe skulptura gjigante. Habia e radhës: në oborr na
priste Don Kishoti i veshur këmbekokë me mburoje hekuri, por kësaj radhe vetëm,
pa Sanço Pançon dhe Rosinantin. Poetët bënë një fotografi për kujtim me këtë
kalorës të arratisur i veshur me armatim deri më dhëmbë, që përveç kopeve të
deleve kishte bërë luftë edhe me mullinjt e erës. Tjetri, bënte roje me pushkë
në qafë mes malit, përballë Shtëpisë Artit. Krokodili kishte “ikur” me gjithë
trup e kokë nga lumi mes maleve. Oborri i Shtëpisë së Artit mes pishave e
gjelbërimit ishte veshur me artin botëror. Emra e emra artistësh nga e gjitha
bota, mes tyre edhe piktorë shqiptar: Omer Kaleshi me famë botërore. Aty për
aty mu kujtua edhe përmendorja e Skënderbeut, që pas lufte trimat kërçovar e
kishin hipur në kala. E më vonë, pas prishjes së miqësisë shqiptaro-jugosllave,
e kishin tërhequr pushtetarët komunsitë për shkaqe politike. E kishin futur në
një kasollë të fshehtë brenda kalasë. Që, unë gjatë shkollës së mesme sa herë
që ngjitesha me shokë në kala, e vizitoja tinës dhe e shihja se si “bënte” me
dhunë gjumë shekullor heroi ynë legjendar Skënderbe i strukur në gjirin e Kalasë.
Edhe, e prisja ta shoh heroin tonë legjender te Shtëpia e Artit me gjithë kalë
e shpatën në brez si në Shkup. Pse jo, edhe Xha Derallën para porte. Ose,
Kalosh Zajazin e Sulltanë Qafën. I kërkova edhe në atele mes pikturave, po nuk
i pashë me sy, nuk i dëgjova me veshë. Përmëkeq, kur në mesin e artistëve
botëror lexova plot emra të piktorëve shqiptar, po gjeta shumë pak gjurmë
shqiptare. Përgjigja: Ishte muaji i Ramazanit dhe këto ditë vere, shqiptarët
bënin për çdo ditë edhe deri nga njëzet dasma plot salltanete. Paratë që i
fitonin me djersë gjatë gjithë vitit në kurbet, i harxhonin “rrush e kumbulla”
brenda një nate. Asnjërit nuk iu kujtua të hedhë ndonjë euro edhe për arsimin e
kulturën shqiptare. Dhashtë Zoti, herën tjetër kur do të ngjitemi te Shtëpia e
Artit do t’i takojmë Skënderbeun me shokë, Kalosh Zajazin, Sulltanë Qafën,
Sefer Zajazin e Sadin Selmanin krah për krahu me Xha Derallën.
Tashti, edhe e shoh
realitetin me sy, pse Xha Deralla na paska dërguar në Krushinë. Çifliku i Xha
Derallës, kur ne e vizitonim si fëmijë me dhenë, ishte plot ferra. Vështirë nga
aty nxirrnim ndonjë shkop thane për t’i ruajtur dhentë. Ose, fyell shtogu.
Banorë të atij çifliku me nam ishin: zogjtë, laraskat, sorrat, korbat,
breshkat, zhapinjt, gjarpërinjt dhe boat e rrezikshme me flokë. Edhe Krushinën,
ne poetët për dallim nga dita e djeshme komuniste, sot e gjetëm plot bukuri e
vlera artistike: lule, shatërvanë e karrike. Llambat elektrike na e tregonin
rrugën. Dielli u binte mbi kokë. Fatmirësisht, rridhte uji i ftohtë për
kalimtarët e rastit. Vend turistik, që sot falë pronarit të Shtëpisë së Artit
z. Vladimir Toleski, që ka dhënë dhe jep mjaftë për kulturën shqiptare e
vizitojnë grupe artistësh e turistësh nga e gjithë bota. Ballëlartë, pas një
ore poetike zbritëm teposhtë malit në hotel. Pas dreke, dhe pushimit të
mesditës, e hapëm Natën e Madhe me humor, satirë dhe një minutë heshtje për
Mbretin e haikut shqiptar: Milanov Kallupi nga Elbasani. Mikun e Rrapit, që
këto ditë papritmas iku nga mesi ynë latrar. Këngë e valle deri në agim. I
hapëm portat poetike ta përcjellim Natën me Xha Derallën. Humoristin dhe
satiristin e madh shqiptar, që edhe malin me dardha gorrice e kishte shartuar
me ato verore për brezat e ardhshëm t’i mbushin xhepat për Ditën e Nesërme.
Pasdarke, nga malli
për satiristin dhe humanistin poetët e shaluan fantazinë. Për disa çaste e
sollën Xha Derallën në mesin tyre me humor dhe satirë. Orën simbolike satirike
si zakonisht e hapi Date Koçi me poezinë
e Ali Asllanit: Hani, pini dhe rrëmbeni. Ferit Abdiu i përshëndeti të
pranishmit me këngën origjinale kërçovare: Të prêt poeti. Date Koçi, të
cilin gjatë këtij manifestimi kulturor e kishte kafshuar grerëza, i dha zjarr e
flakë me një këngë dashurie. Poetët, pas tij e morën Natën e Madhe në duart e
veta me humor, këngë dhe poezi satirike. Njëri pas tjetrit lexuan poezi,
rrëfyen barcoleta, edhe anekdota. Dikur, çetës së tyre i erdhi në ndihmë edhe
Xha Deralla me anekdotat e tij të egra: Hoxha i katundit, Pajtimi me
Kolibaret dhe Xhandarët e serbit.
Ditën e nesërme, u
bë edhe përurimi i librit të Skënder Rusit: Ç’ditë e bukur për të vdekur.
Rreth krijimtarisë letrare të autorit dhe librit diskutuan kritikë letrar,
poetë dhe miq të autorit: Skënder Demolli, Pandeli Koçi, Nikolla Spathari dhe
Dhimitër Orgocka, Poashtu, u bë edhe përurimi i librave të poetëve strugan:
Vahit Nasufit me Diell mëngjesi
(tregime) dhe Besnik Lena, Shiu më rrjedh nën mjekër (haiku).
Librat e autorëve i vlerësuan lartë si arritje artistike krijuesit: Qazim
Shehu, Fadil Curri, Pandeli Koçi dhe Kalosh Çeliku. Tryeza satirike kërçovare u
shtrua në mesin e poetëve: Humori dhe satira brez pas brezi në mes të
Ballkanit e mbajtën gjallë popullin shqiptar. Atmosferën e ngrohtë
satirike e ndezën me diskutimet e tyre rreth humorit dhe satirës nëpër shekuj:
Dhimitër Orgocka, Skënder Demolli, Pandeli Koçi e Nikolla Spathari. .
Nata e Madhe
kërçovare i hapi dyert krah më krah me humor, satirë dhe këngë deri në agim.
Poezitë e tyre i lexuan poetët: Dhimitër Orgocka (lirikat e Skënder Rusit),
Nikolla Spathari, Pandeli Koçi, Jokida Mati, Begzat Rrahmani, Xhevdet Ukalli,
Xhelal Ademi, Vlladimir Muça, Agim Bajrami, Qazim Shehu, Fadil Curri, Vahit
Nasufi, Rexhep Bajrami, Besnik Lena, Rrahim Ganiu, Vesel Çeliku, Shefik Sadiku,
Selman Zendeli, Shaban Dalipi, Ibrahim Koça dhe Kalosh Çeliku.
Pasmesnate, juria
profesionale e përbërë nga Fadil Curri (kryetar), Pandeli Koçi (anëtar) dhe
Kalosh Çeliku (anëtar) i ndau edhe çmimet letrare: për vepër satirike, Skënder
Demollit dhe për poezi të “egëra”: Rexhep Bajramit dhe Vesel Çelikut.
Dita tjetër, e
nesërmja poetët i përcolli disa në Qafë Thanë e Shkup. Pandeli Koçin deri në
kufi me Kosovën, për t’u kthyer pas disa ditëve në Tiranë përmes Rrugës
Arbërit. Vetëm satiristët kërçovar mbetën në Kërçovë me Xha Derallën. Që, vitin
e ardhshëm, përsëri të na e shtrojnë sofrën satirike të miqësisë te Çifliku i
Xha Derallës pranë Përronit Thanës në fshatin Cërvicë, mundësisht pranë
përmendores së Xha Derallës.
Dhe, ashtu siç
thashë një vit më parë: Ndodhi mrekullia. Viti historik i kërçovarëve. Kërçova
si komunë për herë të dytë, pasë pesëdhjetë viteve “liri”, ra përsëri në duart
e një kryetari shiptar. Hapat e parë i keni në sipërfaqe: Kërçova për herë të
parë me forcat e veta komunale, kryetarit të komunës z. Fatmir Dehari dhe
poetëve nga të katër anët e Atdheut, e përfundoi javën kulturore shqiptare.
Larg zemrës se, do t’i ngulfasë kulturat tjera në këtë qytet siç vepruan
paraardhësit e saj të dikurshëm në pushtet, po në radhë të parë duhet
ringjallur arsimi dhe kultura shqiptare e një populli shumicë, që pesëdhjetë
vejt me radhë u nëpërkëmbë nga sistemi komunist. Themelet kryesore të një
shoqërie, shteti demokratik janë arsimi dhe kultura. Edhe, Manifestimi Kulturor
Tradicional Ndërkombëtar Ditët e Humorit dhe Sarirës: XHA DERALA, që nga dita e
sotshme mbetet në duart e Komunës së Kërçovës. Komuna në bashkëpunim me ne
(LSHSH) do të emërojë edhe dretjorin e
këtij manifestimi tradicional kulturor. Xha Deralla, kësaj radhe e ka vështirë
të na mashtrojë rrugës pas Çuke. Nesër, ne me një Orë miqësore poetike si para
disa viteve do ta vizitojmë edhe vendlindjen e tij, katundin Cërvicë, vetëmse
jo në stinën e verës kur gjarpërinjt e shullanit kulaç rreziten në diell. Krah
për krahu si poetë do të ngjitemi edhe deri te Çifliku i Xha Derallës, afër
Përronit të Thanës. Ndodhë, nesër atje të ndërtojmë edhe ne ndonjë kolibe
artistike për poetët.
Populli shqiptar, e
di se i di këto themele kryesore për ngritjen e Shtëpisë Artistike, unë vetëm i
përsërita që t’i nguliten në kokë. Punën tjetër e ka vetë në dorë. Dhashtë
Zoti, një ditë përkrah fytyrave historike të kësaj ane e ngrejmë në vendlindje
edhe permendoren e humoristit dhe satiristit të madh shqiptar: Xha Derallës.
Ashtu qoftë!...
Në fund: e
faleminderojmë Komunën e Kërçovës me kryetarin e saj z. Fatimir Dehari me shokë, i cili qe shkaktari kryesor që e bëri
të mundur edhe këtë vit ta vazhdojë jetën kulturore - artistike në Kërçovën
historike Manifestimi Kulturor Tradicional: Ditët e Humorit dhe Satirës XHA
DERALLA.
Populli shqiptar,
historikisht mbi të gjitha i di bijtë dhe bijat e veta që u flijuan për liri
dhe vlerat e arrira arsimore e kulturore për Ditën e Nesërme. Përgëzime!...
Pandeli Koçi,
Dhimitër Orgocka, Skënder Demolli, Rrahim Ganiu dhe Fdil Curri
gjatë orës satirike, në verandën e Shtëpisë Artit.
Vesel Çeliku (në ballë) nga familja bektashiane duke lexuar poezinë e tij satirike - mistike: Leska (përkushtuar Xha Derallës).