Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristaq Turtulli: Poemth për lypsarin

| E hene, 12.08.2013, 07:48 PM |


KRISTAQ TURTULLI

 

POEMTH PËR LYPSARIN

 

Atje. Anës lulishtes dhe rrugës së madhe

Ku gjendet një stol prej dërrase,

jetonte një njeri.

Çdo mëngjes kravatën e me ngjyra shkundte,

nyje e lidhte,

Pastaj ngadalë, me ceremoni krihej,

me krehrin delikat të rezeve,

Dhe lahej duke psherëtirë me një bulës vese,

Që lëvizte në kah drite.

 

Nuk kish emër, e thërrisnin lypsari.

Stinët për atë njeri

ishin mure,

ndërsa qielli qe çati.

 

Dimri gjëmonte, s’kish kohë të mendonte,

i dërgonte dëborë, erë dhe shi.

Kartolina i jepte, por prapë ia merrte.

E vështronte me kokëfortësi,

Si të thoshte, prapë këtu je ti!

Lypsari heshte.

Mbi qerpik loti i qëndronte.

I ngrirë.

E pëshpëriste natë e ditë, duke u dredhur, një këngë që se linin ta thoshte.

Por përsëri në mëngjes ngrihej shkundte nga supet dëborën

dhe lidhte kravatën me  ngjyra, si ëndrra që kishte.

 

Pranvera naive nuk e dëgjonte, ish marrosur me vete,

Por nuk harronte të hidhte në atë stol, ku ish një njeri,

Një pëllëmbë fllad dhe një grusht petale,

Lozonjarja kish shumë dashnorë hamshorë,

prandaj s’mund të ngrohte...

Një njeri me kravatë të kaltër që lypte.

 

Vera gjoksmadhe, faqekuqe, bukuroshe

në netët shkëlqimtare

Me zemërgjerësi e mbështillte,

e çlodhte.

Nën kuvertën e yjeve,

i këndonte rrëzë veshit këngën e prostitutave.

I varte në gjoks si medaljon një hënë

dhe me paturpësi

kur se kish mendjen, ia ngjishte buzët, me paturpësi e puthte.

 

Vjeshta finoke, e ngopur me vajtje ardhje,

dhe dashuri të konsumuara,

femër e vjetër, e pjellë, vithedalë

E mashtronte me fjalë boshe,

pastaj e mbulonte me fletë të arta,

Së bashku pëshpëritnin plot gjera të konsumuara,

Në atë stol të thjeshte dërrase.

Ndërsa hëna qe mbështjellë me pece të vjetra.

 

Në atë stol,

Anës lulishtes dhe rrugës së madhe.

Njeriu i pastrehë,

Përsëri lahej dhe krihej në vesën mëngjesore,

Me ceremoni lidhte kravatën me ngjyrat e ylberit,

I buzëqeshte rrezes së dritës

dhe ngrohej tek rrekëza e shpresës.

 

Por stinët e braktisën një natë,

U lodhën me të.

Nuk kishin kohë,

Dhe qielli ish mbushur me re.

Nuk kish as yje dhe hene.

Të gjithë ishin të preokupuar me ballon e madhe.

E lanë vetëm.

Njeriu pa shtëpi,

Pa fjalë, pa mërzi.

Me kujdes palosi

Kravatën me ngjyra të ylberit

Nuk e lidhi nyje.

Nuk kish kush ta zgjidhte,

dhe si jastëk e vuri

nën kokë

Iku pa ndjere si të tjerët, me erën.

Dërrasat e lagështa u drodhën, mërdhinë

Atje. Në atë stol të thjeshtë.

Anës lulishtes dhe rrugës së madhe...

 

Atje, në atë stol jetonte një njeri.

Dikush me pendesë një trëndafil vendosi

A ndoshta e flaku rastësisht aty.

Eh, aty,

Në atë stol të thjeshtë prej dërrase,

Midis lulishtes dhe rrugës së madhe....