| E hene, 12.08.2013, 09:28 PM |
KËLMENDI,
NDERI I KOMBIT
Nga Frank Shkreli
Nga
portali i Presidencës së Republikës së Shqipërisë me kënaqsi mësova se të
shtunën më 10 gusht, Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani mori pjesë në
"Logun e Bjeshkëve'', një aktivitet
ky që mbahet pë çdo vit në Këlmend të Malësisë së Madhe. Përveçse njoftohet se Presidenti Nishani i
dorëzoi Komunës së Këlmendit dekoratën e lartë,"Nderi i Kombit", një
vlersim i lartë ky për Këlmendin dhe mbarë Malësinë e Madhe, thuhet se ai ishte presidenti i parë shqiptar
në histori që vizitoi Këlmendin, ku u
prit me entuziazëm të madh nga banorët e Malësisë së Madhe.
Presidenti
Nishani ia dorëzoi Këlmendit – fisit të luftëtarit legjendar, Prek Calit --
dekoratën, ''Nderi i Kombit" gjatë aktivitetit artistik dhe kulturor,
"Logu i Bjeshkëve'', që mbahet çdo vit në atë trevë, me qëllim për të
ruajtur dhe kultivuar tiparet kulturore eksklusive të Këlmendit dhe Malësisë së
Madhe, si pjesë e pa ndarë e kulturës dhe etnografisë së vjetër dhe moderne të
Kombit shqiptar. Kreu i shtetit shqiptar
dekoroi fisin e Këlmendit, duke e dalluar,
“Për kontribut të shquar për
identitet kombëtar, për trimëri dhe heroizëm në kryengritjet antiosmane për
pavarësi, për qëndresën heroike në ruajtjen e kufijve kombëtarë nga copëtimi
shovinist, për kryengritjen e parë antikomuniste (1945), ku gjaku i martirëve u
shndërrua në memorje dhe vullnet për të kërkuar demokraci, për prijësit dhe
bijtë e saj të shquar që ka nxjerrë në shekuj”.
Është
tepër me vend, vlerësimi dhe nderi që Presidenti Nishani i bëri luftës dhe
qëndresës së Këlmendasve gjatë shekujve, të cilët gjithëmonë i treguan kombit
dhe botës, përballë luftërave e shtypjeve, dhe pushtimeve të huaja që kishin
për qëllim copëtimin e tokave shqiptare si plaçkë nga fqinjtë shovinistë, se
është, "Ma mirë dekun me nderë se gjallë
e për mënderë!".
Këlmendasit, gjatë gjithë historisë së qëndresës së tyre ndaj pushtuesve
të huaj otomanë e sllavë, si dhe ndaj komunizmit, si rradhë ndonjë krahinë
tjetër, ata gjithmonë ishin një shembëll bashkimi, të lidhur në besë, për t'i
treguar mbarë kombit se ishte më mirë, "me vdekë se sa me jetue në
robëni", ashtu siç këndon edhe malësori lahutar, “
“O ti
kangtari i kangve kreshnike,
Merre
lahuten tashti nji herë,
Na i
thuej trimnitë e doket fisnike,
Na i kujto të parët si e kishin për nder:
deken m’e
ba sikur me le.”
Ndoc
Vulaj, nga Libri, Lufta e Kelmendit
Sipas
portalit të presidencës, në fjalën e
mbajtur në “Logun e Bjeshkëve”, Kreu i
Shtetit, përmendi një prej karakteristakave të kësaj treve, respektin që gëzon
femra duke u shpreh gjithashtu se një vlerë e pashuar në shekuj e krahinës së
Kelmendit, është edhe respekti gati proverbial ndaj grave dhe lirisë së
shprehjes së tyre, si një shembull i përkryer i demokracisë së fiseve
shqiptare, duke thënë se, “Trashëgimnia e kësaj treve është një shembull i
gjallë i vlerësimit dhe cilësimit të gruas si një zonjë e vërtetë, që merrte
pjesë në kuvende, thoshte lirshëm fjalën
e saj, madje dhe votonte. Ky është një mesazh i madh qytetarie dhe
përparimi që “Logu i Bjeshkëve” duhet t’ia shpërndajë gjithë Shqipërisë dhe
gjithë përpjekjeve që ajo sot po bën në betejën e saj kundra padrejtësive dhe
pabarazisë gjinore, si një normë bazë e së ardhmes sonë europiane”. Në një gjest tepër fisnik, kryetari i
shtetit paraqiti para këlmendasve të bijën e tij Fiona, e cila në shënjë
respekti dhe admirimi për këtë zonë ishte veshur me kostumin popullor të kësaj
krahine.
Presidenti
Nishani me akordimin e dekoratës "Nderi i Kombit'', komunës së Kelmëndit,
nderoi pasardhësit të gjithë atyre kreshnikëve, që gjatë shekujve ia kushtuan
jetën, sakrificat, vuatjet dhe mundimet, lirisë dhe përparimit të kombit
shqiptar, duke venë në vend të drejtën dhe të vërtetën.
Sot, është detyrë e jona, që atyre kreshnikëve që luftuan për lirinë dhe që mbrojtën terësinë territoriale kundër armiqve shekullorë të kombit dhe atyre që gjatë gjithë historisë u përpoqën të ruajnë identitetin e fisit shqiptar, t'ua këthejmë lavdinë dhe nderin e kombit që e vërtetë u takojnë. Unë si njëri me origjinë nga ato treva, por për më tepër, si nip i Këlmendit, i jam mirënjohës Presidentit Nishani për njohjen e kontributit që ka dhënë treva e Këlmendit ndajë lirisë, përparimit dhe ruajtjes së bashkimit të kombit.