| E diele, 04.08.2013, 10:00 AM |
Plumba në
breg të Jonit!
Nga Elvi Sidheri
Po
kalojmë ditë të nxehta gushti, bën vapë, plazhet janë mbushur me gjindje të
etur për ujë të kripur deti dhe rërë të pastër e rreze dielli, por sërish
megjithëse më shumë se një muaj ka kaluar nga dita e zgjedhjeve, përsëri mendja
si shqiptarë të mirë, aty që aty na mbetet e s’na shqitet.
Bukë e
politikë siç dihet botërisht neve hamë natë e ditë (edhe kur nuk ka bukë
vërtetë, politika dhe bëmat e mosbëmat e saj sërish na ngopin me lugën e
zbrazur sa edhe premtimet plot), ndaj dhe asgjë të habitshme unë nuk gjej tek
kjo traditë shqiptare sa herë vjen dhe kalon koha e zgjedhjeve, që me to të
merremi pafund edhe me nesh, pra popullit, mes miqsh, familjarësh dhe shokësh, sikur
të mos ekzistonte në këtë botë, gjë më interesante dhe e prekshme sesa politika
e përditshme shqiptare, e cila prej 23 vitesh sillet dhe përdridhet në të
njëjtat shina.
Ja këtë
ditë në bregun e detit pak jashtë qytetit të mrekullueshëm turistik dhe
historik të Vlorës së Pavarësisë, dikush shkau nga trutë dhe “provokimit” të
madh që supozueshmërisht i qe bërë motrës së tij, iu përgjigj me anë të
kallashnikovit të shokut, duke palosur 3 plazhistë të pafajshëm të cilët siç
doli më pas, me ngjarjen (po qe se një çfarëdo ofendim apo fjalosje
mashkull-femër mund të quhet e denjë për këtë emërtim dhe mbi të gjitha për atë
bilanc lufte apo sulmi terrorist, si ai i para disa ditëve)...nuk kishin pasur
as lidhjen më të largët.
Atë ditë
kur kjo gjë ndodhi, mediat u shkulën nga ishin e nga s’ishin dhe përgjatë orëve
të tëra plot ankth dhe tension të mirëkuptueshëm, i ndoqën zhvillimet drejt e
nga bregu i Jonit pranë Vlorës së bukur në gropë, tërë vëmendje dhe përkorje
televizive, duke përcjellë informacione të vlefshme në kohë reale për gjithë
audiencën shqiptare.
Unë kur
më erdhi para syve lajmi i sipërpërmendur (sa kalova televizorin në një kanal
24 orësh lajmedhënës), menjëherë përveç tronditjes së kuptueshme, erdha në dy
lloj përfundimesh lidhur me arsyen përse një çmenduri e tillë (e pahasur më
parë edhe në një vend për shumë aspekte jonormal si Shqipëria jonë)...të kishte
ndodhur.
Pra
mendova se ose bëhej fjalë për ndonjë grindje të çastit të përfunduar në atë
mënyrë tejet tragjike siç qemë vërtetë dëshmitarë se ndodhi, ose se ndërkohë
ishte ndonjë rast sulmi të matur kundrejt ndokujt që atë ditë shullohej nën
diell, por të cilin ndokush donte t’a vriste, duke marrë sido që të jetë në
qafë edhe plazhistë të rastit aty rrotull.
Mesa
dukej dhe duket qartë, gjasat ishin dhe u verifikuan të flitej për versionin e
parë!
Jo
rastësisht ajo ishte ideja e parë që ndezi llampën në trurin tim të shokuar dhe
revoltuar teksa ndiqja në ekran të vinin me rradhë njoftimet lidhur me bilancin
e tmerrshëm të luftës në breg të Jonit.
Karakteri
dhe mënyra e të menduarit dhe reaguarit të shqiptarit, tashmë secilit prej nesh
që kemi lindur e jemi rritur apo thjeshtë mbajmë në vena dhe ADN këtë gjak dhe
trashëgimi gjenetike shqiptare, na janë bërë mëse të qarta dhe të lexueshme.
Shqiptari
ka si prirje më tepër të ndezurin si fije kashte ose shkrepseje, përvëlimin dhe
djegien e shpejtë, pa u menduar gjatë, pa kërkuar arsye dhe mbi të gjitha
ndonjë lloj arsyetimi të shëndetshëm.
Kjo lloj
teorie tejet shqiptare, bën të mundur që të ndodhin edhe ngjarje të tilla të
cilat tjetërkund do të ngrinin në këmbë një shoqëri të tërë, por që si rëndom, në
rastin tonë specifik shqiptar, u shuan dhe ranë në harresë brenda pak ditësh
“të lume”, pa u bërë ndoshta akoma varrimet e të ndjerave viktima të pafajshme
të kësaj masakre të përgjakshme.
Me
ardhjen e “të shtatave” të viktimave, padyshim që kjo vrasje e trefishtë do
bjerë në harresën kolektive (përveç organeve gjyqësore dhe policore të cilat do
të vazhdojnë të ndjekin të dyshuarin kryesor ende në arrati dhe që do të
vijojnë të mbledhin prova, evidenca dhe dëshmi)...dhe do të kalojë në të
njëjtin raft të memories sonë shtetërore dhe popullore, ku stivosen dhe fshihen
mijëra krime të tmerrshme të ndodhura në vendin tonë qysh prej vitit 1992 kur
demokracia përfundimisht triumfoi si sistem në Shqipëri.
Vetë kam
folur para disa muajsh për dikë që “hoqi qafe” si pa gjë të birin dhe nusen e
tij të huaj, ose për dhunën e vazhdueshme dhe të pashërueshme ndaj gruas dhe
femrës në përgjithësi në Shqipëri, apo po ashtu për seleksionin tejet
anti-natyror shqiptar, i cili përcakton me dhunë vendimi çnjerëzor, se cila
foshnje ende e paformuar brenda barkut të nënës, duhet të lindi, pra domosdo
një mashkull (që pastaj babatë shqiptarë mundësisht të marrin kallashnikovin
dhe të dalin në oborr a ballkon e të qëllojnë në ajër, ashtu sa për të vrarë me
plumb të verbër ndonjë të gjorë që i bie fati i keq t’a ketë rrugën nga ato anë
ku po festohet “plumbshëm” një eveniment i tillë).
Kur të
tilla gjëra të kobshme ndodhin, për to flitet disa kohë, ndonjë ditë, ka syresh
që edhe gjejnë guximin që qoftë edhe pak veta, të protestojnë përpara ndonjë
ministrie a diku në ndonjë shesh.
Ka
emisione të respektueshme ku për këto ngjarje edhe flitet, diskutohet dhe
kërkohen zgjidhje (nëse janë të mundura) optimale për këtë kancer që ndër të
tjera, e gërryen shoqërinë tonë bashkë më shumë infeksione të tjera, ditë pas
dite përherë e më tepër.
Ndryshimi
vjen edhe kështu, dalëngadalë, qoftë edhe nga një grup i vogël njerëzish jo të
iluminuar, pra të ndriçuar nga mendja dhe arsyeja, por të ndërgjegjësuar për
atë që i kanoset këtij vendi dhe kësaj shoqërie në qoftë se këtyre fenomeneve
nuk i vihet fre!
Çdo
ndryshim i vërtetë që ka shkundur rrënjët e së keqes në botë, ka lindur dhe
është fermentuar brenda një grupi të vogël njerëzish, midis për shembull një
grupi dishepujsh (të dymbëdhjetët e Jezusit për shembull, etërit themelues të
kombit amerikan Jefferson, Franklin dhe Washington, rilindasit tanë të mëdhenj
etj), prandaj numri i atyre që ngrenë zërin kundër tiranisë së krimit, injorancës
edukative dhe fushatës natyrale anti-femër e familje-shkatërruese që ka lëshuar
rrënjë në Shqipëri, nuk është kurrësesi më i rëndësishëm sesa idetë e tyre të
cilat sidoqoftë nuk ka dyshim që janë të afta të thyejnë një ditë murin e
shurdhërisë shqiptare kundrejt të tillave fenomene dhe shfaqje aspak të denja
për një popull me origjinë të lashtë dhe histori të vjetër siç pretendojmë dhe
jemi faktikisht ne.
Ngjarja e
Vlorës ishte një atentat terrorist me nuanca shqiptare!
Sepse për
fat neve ende nuk kemi ardhur (dhe mos arritshim kurrë në atë pikë) në gjendjen
e atentateve të mirëfillta të atij lloji.
Por ajo
që ndodhi ishte një atentat i llojit tonë specifik, sepse moskurimi i
simptomave të përhapjes së tentakulave të krimit brenda shoqërisë sonë, mosluftimi
si dhe me mjetet dhe kundërmasat e duhura, të krimit që ka tejshkuar çdo por të
shoqërisë sonë, na shpuri të gjithë së bashku, deri tek një akt i tillë i
padëgjuar.
As në
vitin e nëmur 97-ë, kur çfarë nuk ndodhi, kur çdo gjëmë e paimagjinueshme mori
jetë, sërish askush nuk mori armën për të vrarë njerëz plazheve tona.
Ka pasur
në Shqipëri kontestime politike, kryengritje të armatosura, atentate të
shumëllojshme, vrasje, vetëvrasje, djegie, sulme, prindër që hedhin fëmijët nga
dritarja, fëmijë që vrasin të afërmit e tyre për asgjë, fqinjë që i bien në
kosë apo sëpatë fqinjit për një kanal ujitës (aman mos i thoni më “vaditës” se
ujin nuk e quajmë “voda” në shqip).
Por kjo
që pamë para ca ditësh bregut të mrekullueshëm të Jonit, asetit tonë më vyer
turistik (që bashkë më trashëgiminë kulturore, po s’e rrënoi kush dhe malet
tona të virgjëra, do të jenë burimi i bukës sonë të përditshme në të ardhmen, po
qe se ndonjëherë turistët perëndimorë dhe botërorë do t’a zbulojnë dhe
frekuentojnë vërtetë Shqipërinë e cila nuk do të kapet më pas bishtit të të
ashtëquajturit “turizëm patriotik”), kjo pra ishte një formë atentati terrorist,
në mënyrën sesi u ekzekutua krimi dhe në shkaqet e tij haluçinante.
Dikush
mori në duar armën dhe e shkrehu atë drejt një grumbulli pushuesish të vaposur,
që ishin në punë të tyre dhe faji i tyre i vetëm vdekëtar, ishte se ata
gjendeshin në vendin e gabuar, në momentin e gabuar!
Tre të
pafajshëm humbën kështu jetën.
Çfarë
ndryshimi ka kjo me ndokënd që në Lindje të Mesme hyn brenda lokalit i mbushur
me lëndë eksplozive dhe hedh në erë veten bashkë me këdo që i ka rënë fati të
shpërthejë bashkë me atentatorin?
Apo me
dikë tjetër që diku në Perëndimin e kulturuar dhe qytetëruar, merr pushkë, automatiqe,
granata dhe bën kërdinë në ndonjë shkollë, universitet apo ishull plot pushues
apo të rinj, si në Norvegji para disa kohësh?
Ndryshimi
është se kur të tilla gjëra ndodhin sidomos në Perëndim, për to flitet edhe pas
disa vitesh, gjyqet ndaj atentatorëve janë domen publik, ligjet ndërrohen dhe
përforcohen, vrimat në sistemin ligjor dhe të sigurisë mbyllen ose taposen dhe
iniciativa të reja ndërmerren sidoqoftë.
Ne flemë,
shënojmë në bllokun mortor shqiptar edhe viktimat e rradhës dhe të nesërmen
ikim në plazh (se verë është)...si zakonisht pa e vrarë fare mendjen.
Na lumtë
vërtetë!!!
Pra ky
është “terrorizëm” kriminal dhe asgjë më pak!
Ne nuk
jemi fare popull me prirje terrorizmi të mirëfilltë nga ai model 11 shtatori
2001, por ajo që ndodh përditë në plazhet tona, brenda familjeve tona apo
kundër grave, femrave, nënave dhe vajzave tona, është terrorizëm që origjinon
nga një mentalitet shtazëror dhe mungesë frike ndaj ligjit, që shpie më pas
deri në akte të tilla.
Krimi që
ka marrë dhe merr akoma kaq shumë jetë shqiptarësh sa ç’nuk do të kishte marrë
as një luftë prej vërteti, tashmë ka ngritur krye aq shumë, sa shfaqjet e
efekteve të tij, bëhen aq të përgjakshme dhe të tmerrshme, sa edhe në ngjarjen
e fundit në breg të Jonit pranë qytetit të bukur të Vlorës.
Shqiptarët
mjaft janë terrorizuar nga pushtues, diktatura të marra si ajo komuniste, politikanë
të papërgjegjshëm etj, të gjejmë një mënyrë që së paku marrëzinë tonë tipike, t’a
frenojmë, kurojmë dhe mundësisht edhe t’a ndalim një ditë, përpara se ajo të na
shfarosë si popull!
Ky është
tipi i terrorizmit që na kërcënohet ne përditë, atë dhe simptomat e tij të
përgjakshme duhet të luftojmë me çfarëdo mjeti.
Nga
shfaqjet e tjera të terrorizmit global, ka kush të na mbrojë, ka një arsye që
qëndrojmë në anën perëndimore të Europës dhe jo vetëm, por as aleatët tanë
amerikanë apo NATO e BE-ja, nuk mund të vijnë e të na zgjidhin problemin tonë
jetësor me mendësinë malore, izoluese dhe prapanike shqiptare që nuk njeh ligj,
familje, grua apo fëmijë dhe të pafajshëm, sa herë dikujt i prishet qejfi apo
kur automatiku dhe plumbat e tij, janë zgjidhja më e shpejtë dhe efikase.
Ditën kur
ligji do të ketë forcën dhe zbatimin e duhur, kur kallashnikovi do të mbetet në
histori si çmenduri enveriane dhe kriminale, atëherë edhe Shqipëria do të bëhet
vërtetë një vend normal!