Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rrustem Geci: Haki Limani - ''Tradhëtia''

| E diele, 28.07.2013, 04:07 PM |


Cili është autor i vërtet i Romanit „Tradhëtia”, Haki Limani, mësues nga Bukuroca e Preshevës, apo serbi, Kapllan Kallushi, nga Trebinja e Bosnes?!

Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, të Kosovës, Institucioneve në Shkup, Preshevë, Ulqin dhe Mërgatë, si dhe shkrimtarëve, Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes dhe Adem Demaqit.

Nga Rrustem Geci - Dortmund

Të gjithë kanë nga pak informacione, ose pyetje-përgjigje, ose të dhëna; a ishte vallë „shkrimtari“ Kapllan Kallushi, autor i vërtet i romanit, „Tradhëtia“. Thuhet nga dëshmitarë të kohës, se romani në dorëshkrim nuk quhej „Tradhëtia“, por „Shtypja“. Flitet se romani „Tradhëtia“ i është marr mësuesit dhe studentit të Letërsisë shqipe, zotit Haki Limani, nga Bukuroca e Preshevës, ku Hakiu kishte shërbyer disa vjet s´i mësues nëpër fshatrat e Preshevës dhe të Bujanocit. Hakiu ishte student i zgjuar, dhe sipas dëshmive të nxënësve të tij, Hakiu kishte formim prej poeti dhe shkrimtari. Ai banonte në një shtëpi ku banonte edhe Rexhep Qosja, dhe studionin bashkë letërsinë, kuptohet në klasa të ndryshme. Mirëpo, përpara se t´ia merrnin dorëshkrimin, Haki Limanit, Atë e vrasin tek Qendra e Studentëve në Prishtinë, duke e shtyrë nën rrotat e një kamionisti nga Priboji i Serbisë. Aso kohe rruga kah Qendra e Studentëve, ishte me gropa dhe me zhavor e shtruar. Kamioni që vrau Hakinë nuk ishte më shumë se 15 kilometra në ore. Shpejtësia s´ishte e madhe. Aso kohe në Prishtinë s´ kishte shumë makina, të gjitha ishin shtetërore. Në atë aksident të përgatitur nga UDB-ja, për vrasjen e Hakiut, prezent ishte poeti i njohur, Azem Shkrreli,  e dashura e tij, dhe dy persona të tjerë; Hakiu dhe një vajzë. Për këtë ngjarje populli i Kosovës, Hakiut i bëri një Këngë; Qofsh e zezë moj e diell proma / çka solle n´ Prishtinë / atë makinë me të zezat goma / që vrave Hakinë!..I ftoj të gjithë ata që dinë diçka dhe kanë dëshmi ose të dhëna rreth kësaj ngjarje, të shkruajnë dhe të ndihmojnë që, Haki Limanit,  ti kthehet autorsia e romanit „Tradhëtia“. Kapllan Kallushi është ende gjallë, dhe ai vet duhet ta qartësoj, si i erdhi ideja ta shkruaj një roman të tillë, dhe ku i mori të dhënat, dhe pse u deklarua se me kombësi është serbe. Kapllani hynte e delte në shtëpinë e Dullës (Enverit ) në Tiranë pa trokitur, dhe çfarë dëmesh ai i bëri Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, të gjitha çështjet duhet thënë hapur. Spjegimet janë të domosdoshme nga ana e Kapllanit. Kapllan Kallushi dhe familja e tij janë shpërngulur nga Trebinja e Bosnes për në Ulqin, sipas rrrëfimeve të fqinjëve të tij. Por, për të gjitha këto Kapllani është vet figura që mund ta ndriçoj, tërë lëmshin e së vërtetës, që  romani „Tradhëtia“, ti kthehet autorit që atë e shkroi.