| E premte, 26.07.2013, 07:00 PM |
FLIJIMI
NGADHËNJYES!
“…Sepse, kur jam i ligshtë atëherë jam i fortë.”(2 Kor 7, 12, 10)
Nga Marjan Sebaj-SOPI
Ishin
ditë e vite të vështira të jetës sime, ditë të përcëlluara me dhembje të mëdha
shpirtërore dhe trupore. Ishin ditë, kur s’ dëshiroja të komunikoja me askënd,
por dëshiroja të qëndroj gjithnjë i mbyllur në vetvete, të mos ndaja asgjë me
askënd, as pikëllimin.
Edhe në
këto momente të vështira, Zoti dërgon njerëz të zgjedhur për të qenë me mua e
pranë meje.
Kalonin
ditë në pikëllim për vëllain tim, gjersa shëndeti im keqësohej gjithnjë e më
tepër. Mirëpo, Zoti gjithnjë kujdeset për të përzgjedhurit e vet. Së fundi u
hapën dyert e shpresës për shëndetin tim. Pas një vizite që më bëri drejtoresha
e Caritasit të Kroacisë znj. Jellena Brajsha (të cilën e kisha mike tani e
shumë kohë), vendosëm dhe një ditë u nisa për në Austri. Aty qëndrova për tre
muaj dhe në ndërkohë pata edhe një operim të rëndë. Kaluan ditë, larg familjes,
por që më mbante shpresa e dashuria për kthim sa më të shpejtë.
Tani në
Kosovë, gjendja politike, ekonomike, sociale (ishin vitet e nëntëdhjeta),
gjithnjë e më tepër rëndohej. Në vendin tim, asgjë më nuk ishte e sigurt. Ishin
këto ditë e vite të vështira për të gjithë popujt e kësaj hapësire, ditë
rreziku e që i vinte era lufte e me vranësira të errëta. Atëbotë, ne
shqiptarët, ishim të mësuar me maltretime, me dhunë e dhunime, me rrahje,
burgosje, vrasje. Shumë familje vuanin, punëtorët të përjashtuar nga puna,
nxënësit nga shkolla, njerëzit të përjashtuar nga e drejta në jetë. Kah do e
kudo, për çdo ditë dëgjonim vetëm lajme të këqija, në të shumtën e rasteve
pësonte më së shumti rinia, studentët. Të rinjtë rreheshin, kërkoheshin e
dërgoheshin dhunshëm në armatën e këtij shteti, shumë prej tyre ktheheshin në
arkivole. Pësonim vetëm pse ishim shqiptarë! Kjo situatë. ishte e padurueshme.
prandaj protesta të ndryshme, demonstrata në shenjë të pakënaqësisë ndaj
shtypjes dhe planeve shfarosëse të republikës dominuese në atë shtetin e
përbashkët artificial. Viktima më të mëdha të gjithë kësaj gjendje, padyshim
ishim ne shqiptarët, autoktonët e këtyre trojeve. Duke parë këtë rrezik të
shfarosjes kolektive, rinia e jonë me të madhe (edhe shumë bashkëfshatarë të
mi, në mesin e tyre një nga një ishin edhe vëllezërit e mi), filloi braktisjen
e shtëpive të tyre, vendlindjen, për të gjetur strehim në shtetet perëndimore.
Iknin nga më e keqja meqë ajo parandihej, ajo afrohej. Nga kjo gjendje vuanim
të gjithë shqiptarët. Por, prapë na mbante shpresa për një të ardhme më të
mirë, një ditë të bekuar, një ditë çlirimi, një ditë kur do të shohim edhe ne
dritën e diellit.
Nga
rreziku i jashtëm, e vetmja e mirë e atyre viteve dhe shpresëdhënëse, ishte
bashkimi i popullit shqiptar për të tejkaluar dhe përballuar kërcënimet nga
armiku i përbetuar shekullor. Ishin këto ditë e vite, kur fillon vetëdijesimi i
popullit për bashkim. Sepse, me të drejtë thuhet: bashkimi bënë fuqi. Bashkoheshim në çdo
mënyrë, bëheshim më të afërt me njëri-tjetrin, më human dhe emocional,
ndihmoheshim dhe hapnim zemrën për nevojtarë, për skamnorë, për të gjithë në
nevojë. Sa të vëllazëruar e bashkuar ishim tanimë në kërcënime të rrezikut permanent,
të rrezikut dhe pritjes të më së keqes, luftës e cila dukej e pashmangshme. Ajo
pritej dhe mund të fillonte pikërisht në Kosovën tonë të stërvuajtur, por, e
cila me njerëzit e saj të urtë dëshironte paqe e pajtim. Ishin ditë
ngadhënjimi. kur me iniciativën e rinisë. fillon pajtimi i familjeve të
hasmuara shqiptare, pajtimi “Mbarë Shqiptarë”. Rinia e jonë, gjatë gjithë
këtyre viteve, u tregua e pjekur, e aftë të çojë përpara proceset e lirisë dhe
demokracisë, si lëvizje në tërë rajonin dhe ish-shtetet komuniste. Rrënoheshin
barrierat, rrënoheshin ideologjitë, binin sistemet. E gjithë kjo jepte shpresë
dhe gëzonte, duke sjell një pikë drite që shihej në tunelin e gjatë dhe të
errët. Njeriu, në këso lëvizje edhe harronte shëndetin, pikëllimet e përjetimet
personale, por jepej me mish e me shpirt, për të mirën e përbashkët. Mua, pranë
të gjithave që përjetova, deri këto vite në jetën time, ku pata operime të
ndryshme në trupin tim, kur humba vëllain e dashur, atë kohë më mbante populli
im i dashur, sepse është ky popull që përjeton dhembje, vuajtje, ishte populli
me të cilin mundohesha të isha i pandarë në çdo aktivitet. Harroja dhembjet e
mia, sepse më të mëdha tanimë ishin dhembjet shpirtërore, vuajtjet e popullit
tim, këtij populli që më mbajti e më mban gjallë e në jetë. Dhe nga e gjithë historia e popullit, më
duket se shumë të vërteta e të sakta ishin fjalët e “Plakut të Kosovës”, siç e
quanin ipeshkvin e ndjerë Imzot Nikë Prela, se: “vuajtja përforcon karakterin e
njeriut!”. Pikërisht nga ky personalitet i madh, hasa në përkrahje e mbështetje të përhershme,
i cili ishte zëri i popullit, zëri i ndërgjegjes, zëri i të pambrojturave, të
vuajturve, i të persekutimeve, të sëmurëve, minatorëve, studentëve, zëri i
nënave dhe baballarëve tanë, zëri i fëmijëve dhe rinisë së pafajshme, i
shqiptarëve në Kosovë, në Dardaninë e lashtë martire, fjalë të cilat i
përsëriste shpeshherë;
Ditët më
të vështira të jetës sime i ndaja me familjen time, me famullitarin don Ndue
Gjergjin dhe kapelanët e tij (ndihmësit e tij), me meshtarë e motrat e nderit,
me studentë, me rininë tonë të mrekullueshme, i ndava me miq e dashamirë
anembanë Kosovës e gjetiu. Mirëpo, njëri ndër ta e që më pranoi menjëherë,
sikur të isha vëlla i tij nga gjaku, ai që më pranoi menjëherë pas vdekjes së
vëllait tim, ai që ma ktheu buzëqeshjen, gëzimin, deponimin dhe vullnetin për
jetë e me të cilin kaloja ditë të tëra, javë e muaj atje ku vepronte ai, ishte
meshtari don Viktor Sopi. Ky personalitet i spikatur, i lindur në një familje
të lashtë patriotike, me vlera të larta fetare e kombëtare, është një punëtor i
zellshëm në vreshtën e Zotit, një bari i kujdesshëm për grigjën e tij, një
meshtar shembull i bamirësisë, bujarisë, mikpritjes, një njeri i përkushtuar me
mish e shpirt për të mirën e vëllait njeri, një njeri që shkriu jetën për Zot e
atdhe, një meshtar vizionar e që e donë popullin e tij pamasë, për të cilin u
sakrifikua dhe gjithnjë sakrifikohet, për të mirën e fesë dhe kombit. Ky njeri
spirituoz, predikatar i dalluar i fjalës dhe porosisë së Zotit, fjalët e të
cilit shërojnë shpirtin e njeriut më qëndroi pranë, duke më ndihmuar në
tejkalimin e vështirësive të mia jetësore. Ky meshtar, i pranuar dhe shumë i
dashur, i urtë, bujar, human dinte vajin tim ta kthente në gëzim, vuajtjes sime
t’ia gjente kuptimin, të ma lehtësonte kryqin e barrën e jetës. Në të takova
njeriun e paqes dhe mirëkuptimit, të harmonisë dhe kultivuesin e shpallësin e
dashurisë hyjnore mes njerëzve. Në të, hasa njeriun këshillëdhënës dhe
dashamirës të njerëzimit, mbrojtësin e të varfërve, të persekutuarve. Ai, më
frymëzoi dhe mahniti me ndërtime të tempujve të Zotit në shpirtra dhe fshatra
të Kosovës. Është i madh, plotë mirësi e
dashuri, plotë zemër e mirëkuptim, për njeriun dhe ata që kanë nevojë, për një
fjalë të mirë. Për këtë, të gjithë kemi nevojë. Ai, është shpresëdhënës, ndërsa
në të njeriu merr guxim, merr zemër, frymëzohet për jetë nga parimet e
Ungjillit, se jeta është dhuratë e Zotit dhe atë duhet pranuar si të tillë dhe
njeriu që beson nuk guxon të dorëzohet kurrë…
I forcuar dhe përgatitur për
sfidat e reja që sjell jeta…
Ditët,
javët, muajt e vitet kalonin. Jeta sjelltë të mirat dhe sprovat e saja të
njëpasnjëshme, përvoja e çaste të hidhura e të lumtura. Në të vërtetë, mirë
është që nuk e dimë se çka sjellë ajo në të ardhmen, por, gjithsesi se neve
duhet të jemi të përgatitur për të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohemi në
jetë.
Pas
angazhimeve të mia të mëdha, të treguar dhe një vullneti të fortë dhe të pathyeshëm, erdhën ditët që unë të vendosëm
në hapësirën e shtëpisë famullitare. Ky ishte një gëzim i madh i imi, gëzim
ngase kisha mundësi të vazhdoja me studimin e ndërprerë, gëzim se tani më tepër
jam i lidhur me besimtarët tanë, me fëmijët, me rininë, pleq e plaka nga rrethi
ynë. Unë isha i lidhur me popullin tim nga e dija se tani mund t’i shërbeja më
drejtpërdrejt dhe në një mënyrë, sadopak t’ia ktheja gjithë ato të mira që bëri
për mua gjatë viteve e dekadave, t’ia ktheja sadopak, sa një pikë uji,
dashurinë, përkrahjen, mbështetjen që ma jepte, t’ia ktheja mirësinë, bujarinë,
gëzimin vetit dhe atyre të cilët më kuptuan dhe ndihmuan të jam vetvetja, t’i
pranoja dhe tejkaloja gjitha vështirësitë e peripecitë e jetës. Ishte gëzimi
tjetër edhe më i madh se qëndrimi im në shtëpinë famullitare, pranë së cilës
isha lindur, rritur dhe edukuar, isha bëre vetvetja, aty ku gjithnjë gjeta
ngushëllimin, përmes shumë meshtarëve e motrave të nderit, e tani ndihmës
famullitarit don Marjan Demaj, ku gjeta fenë, shpresën dhe dashurinë. Me një
fjalë jetën, isha i lumtur të isha pranë tyre e pranë një njeriu të madh të
popullit dhe Zotit. Isha tejet i lumtur dhe i privilegjuar të isha nxënës i
tij, asistent i tij, të isha nën mbikëqyrjen e atit shpirtëror, pra, të isha
pranë e me dr. don Lush Gjergjin, biografit të madh, të njohur dhe të pranuar
nga mbarë bota, të jetës dhe veprës së Nënës Tereze. Në të, zbulova jetën dhe
veprën e Nënës së Madhe, Nënës së lutjes dhe meditimit, Nënës së faljes dhe
pajtimit, Nënës së botës së vuajtur, Nënës së mirësisë dhe bujarisë, Nënës e të
përndjekurve, skamnorëve, të braktisurve, Nënës së dashurisë. Në të, zbulova
birin e saj, të një gjaku, gjuhe, dhe tradite i cili e shpallë dhe jeton shembullin e jetës dhe veprës së Nënës
shenjtëreshe të ditëve tona, të bijës sonë Nënës Tereze. Jeta e tij, ishte
plotësisht në përkim, përputhshmëri, dhe shembullin e Jezu Krishtit dhe Bijës
së madhe shqiptare, në të ishte mishëruar jeta e saj, jeta për të bërë mirë,
për të ndihmuar çdo njeri që ka nevojë, për ta përkrahur dhe dashur çdo qenie
Hyjnore pa kurrfarë dallimi moshe, qenie, race e feje. Për atë, të gjithë ishin
dhe janë bijtë dhe bijat e Hyjit dhe si të tillë, vëllezër e motra. Në të, unë gjeta freskinë
dhe vullnetin për punë, veprimtari fetare e kombëtare. Edhe pse s’mund të ecja
me këmbët e mija, ai më dha “krahë” për të fluturuar. Për mua, ky njeri ishte,
shpresa, dashuria, paqja, me një fjalë ishte vet institucion arsimor dhe
shkollë e jetës sime, dhe prandaj gjithnjë thosha dhe them: me të dhe nën
mbikëqyrjen e tij përfundova shumë fakultete, por edhe atë më të rëndësishmin,
më të mirin, më të dobishmin, Fakultetin e Jetës. Ai, ishte frymëzimi im, ishte
ngushëllimi im, ishte inspirimi im, ishte mbështetja e pa rezervë dhe krenaria
ime, siç është krenaria e mbarë popullit shqiptar, njeri i Zotit, njeri i paqes
dhe mirësisë, njeri i dashurisë! Kur jam larg tij fizikisht, ndjej ende aromën
e mirësisë dhe dashurisë së tij, butësinë dhe urtësinë, bujarinë, ndjejë
afërsinë e tij në shpirt dhe zemër, praninë e tij në jetën time. Unë jetoj,
duke i kujtuar me mallëngjim nëntë vitet e kaluara me të, dhe gjithnjë e me
padurim, duke pritur takimin e radhës, për t’u përforcuar, për të marrë energji
të reja, për jetë dhe veprimtari, për tu freskuar sikur tek burimi i freskët i
ujit të gjallë.
Me të dhe
mbarë popullin tim shqiptarë, mbarë rininë gjeta “këmbët e mia” për të ecur
pandalshëm drejt së ardhmes. Ishin ata, që në momentet më të vështira të jetës
sime, mu gjinden, i dërgoi vetë Zoti të më janë pranë, të ishin pranë meje
gjithnjë, familja, të ishin pranë meje, në çdo moment e të pandashëm, shumë
persona dhe populli im i dashur shqiptar, kudo isha e u paraqita, të ishin
pranë meje rinia e jonë e mrekullueshme e të ndanin me mua të mirën e
vështirësitë, një rini aq e afërt, e dashur dhe e gatshme dhe e përgatitur për
të ndihmuar njeriun në nevojë, njeriu në vuajtje. Po mos të ishte populli im, e
në veçanti rinia, unë do e kisha shumë vështirë të jetoja, vështirë kisha për
ta konceptuar jetën time, vështirë do të pranoja gjithçka erdhi në jetën time,
vështirë do të pajtohesha me atë, vështirë do të jetoja e veproja… Prandaj, i
gëzohem fatit që linda në mesin e një populli, që kupton të vuajturin, që
kupton dhembjet dhe ato i përjeton dhe pranon, por, edhe i ndanë me të
vuajturin. Kështu që nga populli im i stërvuajtur, por edhe krenar, mësova dhe
kuptova jetën, mësova ta pranoj dhe të dua atë. Andaj, edhe unë sikur edhe
apostulli i trojeve ilire i shekullit parë, Shën Pali, mund të them:
“Ne
mburremi edhe për vuajtjet, sepse e dimë mirë se vuajtja sjell qëndresën,
qëndresa na bën besnikë të sprovuar e besnikëria e sprovuar sjell shpresën, e
shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona...” (Rom
5, 3-5).
Ditë të vështira por edhe
shpresëdhënëse…
Kalonin
vitet, ndërsa unë gjithnjë e më tepër forcohesha në fe, shpresë dhe dashuri.
Punoja e veproja në të gjitha limitë, pa pushuar, kisha aq vullnet për punë,
saqë edhe gjumi mendoja se ishte i tepërt. Por, ajo që më mundonte dhe
shqetësonte shpirtin tim ishte gjendja gjithnjë e më e rëndë politike në
Kosovë. Më mundonte shumë dhe më dhimbsej edhe nëna ime, e cila, tani e disa
vite e kishte humbur të pamurit. Lotët e saja, tanimë ia kishin zënë syve të
saj dritën e ditës. Edhe vëllezërit tanimë ishin larguar e strehuar në
perëndim, ku jetonin e punonin, kurse me prindër, babën tim e nënën e verbër
qëndronte vetëm vëllai i vogël. Mirëpo, edhe në këtë gjendje, atë e gëzonte
fati që më kishte mua pranë. Unë, e vizitoja për çdo ditë, ku bisedonim e
çmalleshim. Ajo, ishte mësuar ta dëgjonte zërin tim, e në mungesë të të
pamurit, gjithnjë më thërriste, që së paku, të më prekte fytyrën time për të
cilën tani e disa vite nuk e kishte parë, ajo më thoshte: biri im, më duket se
ta kam harruar fytyrën, pamjen, por eja që ta preku së paku mjekrën që e bartë.
O sa të ëmbël e të ngrohta, ishin ato duar që më rritën, sa qetësi e
përkëdhelje, pushim, gjeja në prekjen e darëve të saja. Pranë gjithave që
përjetoi si nënë e birit të aksidentuar, si nënë e katër fëmijëve që i humbi,
si një nënë që tanimë nga lotët e saj, nga lindja, humbi edhe të pamurit. Ajo,
prapë jetën e këtë gjendje e pranonte dhe pranoi si vullnet të Zotit, të cilit
i lutej për çdo ditë. Rruzaren e lutjet
nuk i hiqte nga dora e goja. Kjo
fatkeqësi, që i ndodhi nënën sime, më mundonte shumë. Vuaja bashkë me
të, sepse vërtet ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, por e gëzonte fakti
siç thoshte gjithnjë, t’ju “shoh” juve mirë, të dëgjoj për ju që jeni mirë. Për
këtë, thoshte faleminderit Zotit, tani jeni mirë të gjithë. Iu gëzonte jetës
pranë të gjithave, iu gëzonte fatit se unë biri i saj, tanimë gjendem pranë don
Lushit, tezakut të saj, me të cilin ishin rritur së bashku, pasi kjo kishte
mbetur qysh si foshnjë bonjake dhe të shumtën e kohës e kishte kaluar te tezja
e saj, pra, nëna e këtij meshtari e atdhedashësi shembullor. Don Lushi, nënën
time nuk e kishte njohur ndryshe, pos si motër të veten, dhe si të tillë e
njihte, pranonte, dhe motër e thërriste. Shpesh, e vizitonte me dëshirë e
dashuri, siç i vizitonte edhe të gjithë të sëmurët tjerë në famulli, ku të
gjithë me dashuri e pranonin, e ky nga dashuria ata i quante “engjëjt e mi”!
Nënës, në
këtë gjendje iu gjendeshin shumë baba im dhe vëllai i vogël, por, edhe gjithë
familja dhe fqinjët, të cilët e vizitonin pandërprerë, sa ishte u mundur, nuk e
lënin të vetmuar as për një çast. Ajo, kishte dëshirë të dalë, t’i vizitonte
fqinjët, të bisedonte e ta kalonte kohën
me ta, dhe sa të afërm ishin ata kuptohet nga ajo, se me ta parë nënë time, e
cila mbante një shkop për t’u orientuar, menjëherë me të parë atë se doli nga
shtëpia vraponte i madh e i vogël, për ta marrë për dorë apo krahu dhe
përcjellur deri në vendin e dëshiruar nga ajo.
Brengoseshim
të gjithë për shëndetin e saj, brengoseshim për situatën gjithnjë e më të
vështirë në Kosovë, situatë e gjendje para lufte. Në disa pjesë të Kosovës,
edhe luftohej mes bijve e bijave tona çlirimtare dhe liridashëse dhe vrastarëve
të ardhur nga
Vërtetë,
ishte bërë vështirë e rrezik të jetohej në Kosovën tonë. Gjithkund përndjekje e
vrasje, gjithkund e gjithkah ushtarë e paramilitarë, hajna e banditë, kriminel
të ndryshëm që bënin kërdi në popullin e pafaj dhe të pambrojtur. Pra, gjendja
e filluar dikur në Kosovë, pakënaqësitë dhe parashikimet e shumëve se gjithçka
filloi në këto troje për liri dhe demokraci, do të përfundoj këtu. Parashikimet
dhe situate aktuale, flisnin për një gjenocid të mundshëm në këtë popull
liridashës.
Ngadhënjimi përfundimtar
Ditët e
luftës në Kosovë ishin ditë të rënda. Përjetuam tmerrin e kohës. Shumë familje
braktisën shtëpitë e tyre, shumë familje humbën më të dashuritë e tyre, shumë
familje u shukën të tërat. Kosova e luftës dhe pas luftës, ishte një shkrumb,
një “oaze e mjerimit”, por, edhe vend shprese, vend i bekuar dhe i shenjtë,
vend i martirizimit i larë me gjak të pafaj, vend i shumë dëshmorëve të kombit,
i njerëzve që flijuan veten e tyre për të mirën tonë, të mirën e ardhmërisë dhe
prosperiteti. Pranë të gjithave, ku ishte rrënuar e shkatërruar gjithçka, prapë
qëndronte shpresa dhe besimi, vullneti për jetë, për jetë të re!
Unë, pas
një muaj e gjysmë qëndrimi gjatë kohës së luftës në Kosovë, u tërhoqa shkaku i
një varre (plage) për në Shkup-Maqedoni, me babën e nënën time (vëllai ishte
tërheq po atë ditë pak para fillimit të bombardimeve të aleancës veri
atlantike-Natos kundër caqeve ushtarake serbe) dhe pikërisht këtu edhe u ndamë.
Ata, shkuan për në Zvicër tek motra e më pas për Gjermani, ku do ishin të
gjithë së bashku, pra me vëllezërit tjerë, e unë vendosa të shkoja në Kroaci,
me shpresë se pas ndonjë intervenimi kirurgjik, do kthehem menjëherë në Kosovën
time të dashur, pranë njerëzve ti mijë. Por, e gjitha nuk shkoi siç mendova e
planifikova unë, por siç deshi vetë Zoti. Kuptohet, se e gjitha ishte vullnesa e
tij dhe këtë e pranoja si të tillë. Pas disa intervenimeve kirurgjike (gjithsej
tre) në Zagreb të Kroacisë e kurimit të stërzgjatur në këtë shtet, në ndërkohë
përfundoi edhe Lufta në Kosovë, luftë kjo që zgjati gati tre muaj apo lirisht
mund të themi për një shekull radhazi. Gëzimi ishte i madh, gëzim të madh më
dhanë edhe lajmet që nëna tanimë pas një operimi të rënd (tumor në kokë) kishte
shpëtuar dhe ngadalë merrte veten. Gëzim e pikëllim në shumë anë, gëzim sepse
se së fundi u çliruam, e realizuam ëndrrën e shumë e shumë gjeneratave, por, të
pikëlluar sepse humbëm shumë popull (rreth 15. 000 persona të vrarë dhe 5000 të zhdukur), shumë të rinj e të reja
e fëmijë në moshë të njomë. Humbëm shumë, por, falë gjakut të derdhur të tyre,
fituam edhe më shumë, fituam lirinë e pritur me qindra vite e shekuj, fituam
shpresën për një jetë më të mirë, të lirë e në paqe, u flijuam, por
ngadhënjyem. Me ne, ishte Zoti, me ne ishin miqtë e shumtë tanë ndërkombëtarë,
ne ishim të bashkuar dhe vëllazëruar mes veti…, dhe tani gjithnjë mu kujtonin
fjalët e Mësuesit tonë i cili na mëson; “Mos
grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku
vjedhësit birojnë muret e vjedhin!....Sepse, ku është thesari yt, aty do të
jetë edhe zemra jote.” (Mt 6, 19, 21)
Dalëngadalë
filluam t’i kthehemi Kosovës tonë të dashur, t’i kthehemi punës, prosperitetit
e jetës. U kthyem në vendlindjen tonë, vendin e lavdisë dhe krenarisë e ku më
nuk e gjetëm armikun tonë të përbetuar shumëshekullor, ai ishte dëbuar turpshëm
njëherë e përgjithmonë…
‘’…Shpirti, vërtet, është i
gatshëm, por trupi është i ligshtë.”(Mt, 26, 41-42)
Pas një
viti qëndrimi në Kroaci, pas disa intervenimeve kirurgjike e kurimi, atë që e
pritja me padurim erdhi, erdhi dita ta shoh Kosovën e lirë. Erdhën edhe
prindërit e mijë, nanë e babë nga Gjermania, pasi që nëna ime nuk dëshironte
assesi të qëndronte atje.
Tani më
dukej se vendi im, vendlindja ime, Kosova e populli im kishin edhe më tepër
nevojë për mua, për përvojën time jetësore. Isha i pa përtesë dhe plotë vrull
për jetë, plotë shpresë e besim në shërimin e plagëve të pasluftës
ngadhënjyese. Punoja natë e ditë, isha me njerëz i pandarë. Ky popull
liridashës e paqedashës, ky popull “biblik” edhe më tepër kuptonte të
vuajturin, sepse vetëm para një viti, kishte kaluar “Rrugën e Kalvarit”, por
nuk u dorëzua. Përkundrazi, ai ngadhënjeu meqë e vërteta dhe e drejta gjithmonë
ngadhënjejnë.
Dhe kur
një ditë të bukur kisha një vizitë mjekësore në Prishtinë, në të kthyer nga
spitali, ja papritmas sapo dola nga oborri i spitalit, si nga qielli edhe një
sprovë për mua e për nënën e babë timin, për vëllezër e motër, për familjar,
miqtë e dashamirët e mijë. Pësova fatkeqësi të rëndë komunikacioni me disa
fraktura të rënda në këmbë, një lëndim në veshkë e disa lëndime tjera më të
lehta.
Në
gjendje të rëndë shëndetësore qëndrova në Klinikën Universitare për dhjetë
ditë, nën mbikëqyrje të mrekullueshme dhe shumë të ndërgjegjshme të personelit
mjekësor. Unë i kuptoja kushtet e rënda në përgjithësi në mjekësinë kosovare.
Kuptohet se mbi fatkeqësinë time morën lajmin të gjithë. Ndërsa, këtë nuk dinte
nëna, të cilës i thoshin se është ndalur për disa kontrollime mjekësore, e këtë
e kuptoi vetëm pasi shkova personalisht në shtëpi e i tregova vetë se çka ka
ndodhur. Edhe një plagë e rëndë për zemrën e saj.
Pas
qëndrimit tim në spital, u ktheva në gjendje edhe më të rëndë shëndetësore në
gjirin familjar. Për këtë fatkeqësi mendoj se dëgjoi e tërë Kosova dhe me
dhembje pranoi këtë lajm të pësimit tim. Mirëpo, tani duke parë se gjendja ime
gjithnjë shkon duke u rënduar, vëllezërit e mijë, kushtimisht dëshiruan që sa
më shpejt të tërhiqem për mjekim në Gjermani. Thënë të vërtetën, edhe unë nuk
shihja rrugëdalje tjetër për shpëtim të jetës sime me mendim se duhet të
shërohem, i bindur se populli ende kishte nevojë për mua. Kaluan një muaj ku
isha nën sedative të forta, shkaku i dhembjeve gjithnjë e më të mëdha. Dhe meqë
nuk shihja as unë e as familja, as të afërmit, rrugëdalje tjetër, vendosa të
iku për Gjermani, me shpresë se së shpejti do kthehesha pas ndonjë intervenimi
kirurgjik të cilin e dija se më pret e që ishte evident. Ndoshta, tani familja,
miqtë e dashamirët, duke parë gjendjen time dhe se kah shkon e tëra, për herë
të parë, ishin të lumtur të dalja jashtë për shërim. Ndodhi ashtu, dhe një ditë
shkurti të vitit 2003, në gjendje të rëndë shëndetësore, thuajse i tëri në
gjips e me dhembje të mëdha, fluturova për në shtetin demokratik, Gjermani,
shtet e shtëpi e dytë për shumë bashkatdhetarë tanë, shtet, në të cilën shumë
anëtarë tanë, shumë familje tona gjetën kafshatën e gojës, gjetën mbështetjen e
përkrahjen, gjetën strehimin, bujari e dashuri, gjetën shpresën dhe besimin për
jetë më të mirë për vete dhe anëtarë të tjerë në vendlindje. Pikërisht kur mendoja si t’ia dal kësaj
radhe, ja prapë rrugëdalja, ja prapë shpresa e pritja për shërim, për kurim dhe
përmirësim të shëndetit që tanimë më kishte lodhur pamasë fizikisht, vërtet
shpirti ishte i fortë por trupi ishte i ligshtë, dhe duke parë të gjithë
kujdesin e familjes, miqve dhe dashamirëve, duke parë kujdesin e mjekëve dhe
motrave medicinale të shtetit gjerman, të institucioneve të këtij vendi. Janë
të vërteta, fjalët nga Shkrimi Shenjtë: “Prandaj
po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të
pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta më e
vlefshme se ushqimi e trupi se petku?” (Mt 6. 25-26). Dhe vërtet nga e
gjithë kjo për të satën herë u dëshmua se nuk jam i vetëm, se dikush më
përcjell dhe ka plane me mua, kjo u dëshmua tani e gjatë gjithë rrugës sime
jetësore deri më sot.
Kalova
një vit nëpër spitale të ndryshme. Gjatë asaj kohe, pata pesë operime të rënda,
sepse tani zbuloheshin problemet e mbledhura shëndetësore vit pas viti në
trupin tim. Ishin momente të vështira, larg vendlindjes, larg prindërve të
cilët i lashë në Kosovë me shpresë se tani do të përmirësohet njëherë e
përgjithmonë shëndeti im. Kaluan ditë, javë e muaj në shërim e kurim, nën
mbikëqyrje të këtyre njerëzve zemërgjerë e human. Më mbante besimi, shpresa dhe
dashuria e të gjithëve për rreth meje dhe e atyre që gjendeshin shpirtërisht e
fizikisht si gjithmonë pranë e me mua.
Dhe
atëherë kur pritja shërimin tim, ku dita-ditës merrja veten, një ditë
saktësisht me datën 6 shkurt 2004, herët
në mëngjes, më cingëroi telefoni. Ishin orët e hershme të mëngjesit kur hapa
telefonin, dëgjova zërin e dridhur dhe të pikëlluar të vëllait tim të madh. Më
shkoi mendja menjëherë që paska ndodhur diçka, meqë e dija se askush nuk më
shqetëson në orët e hershme.
Ndërroi
jetë, ajo e cila që nga lindja derdhi lot, e cila pësoi shumë në jetë, ajo e
cila duket se jetën nuk e kishte aleat të mirë. Ndërroi jetë, një zemër e madhe
dhe bujare, një zemër për të satën herë e shporuar në jetën e saj, por që
askurrë nuk u dorëzua para asnjë kryqi të rëndë që përjetoi, si me vdekjen e
tre fëmijëve qysh foshnje, madje nuk u dorëzua edhe pse zemër thyer me
fatkeqësinë time, e as me vdekjen e birit të saj Augustinit. Nuk u dorëzua, as
kur humbi të pamurit e syve të saj, atyre syve që të shumtën e jetës derdhën aq
shumë lot sa të “mbushët një liqe”. Nuk u dorëzua. deri sa tani nuk e thirri Ati
krijues, atij që iu mbështet të tërë jetën, atë të cilin e deshi më shumë se të
gjithë ne. Ajo u kthye tek Ai. Kthehet për t’u takuar me bijtë dhe bijat e saj
në parajsë, kthehet aty ku sheh dritën e lumnisë së pasosur, dritën e amshimit.
Kthehet aty, ku nuk do të ketë vajë as lot, por gëzim e lumturi, dritë të
përjetshme. Deri në çastet e fundit të jetës pranë saj qëndroi besnik
“Benjamini” i saj, biri i dëshirit, Leonardi, i cili, nëse ka qenë i vogël dhe
jo i vetëdijshëm kur humbi vëllain e tij më të madh Augustinin. Ai, atëherë u
takua me pikëllim dhe humbjen tjetër të madhe, të nënës së tij. Qanë, e shikon
e përkëdhelë, e lut që të mos ndahet nga ai, nga ne, por asgjë nuk i ndihmoi.
Ajo, vetëm e kishte shikuar, pa çelë gojë e pa fol asnjë fjalë të vetme, por
sikur kishte dëshiruar e tentuar t’i thotë në heshtje: bir, mos u mërzitni, mos
qani e vajtoni se nëna e juaj ngadhënjeu, fitoi lumturinë e pasusur, dritën e
amshuar, u bashkova me atë për të cilin jetova, Jezusin!
Shkoi
nëna ime e dashur, me mall e mallëngjim për të gjithë ne, shkoi pa më parë mua
të shëruar e në këmbët e mia, e që tërë jetën shpresonte e besonte se një ditë
do të më sheh të ngritur në këmbë.
Shkoi, pa
më thënë lamtumirë, shkoi pa ma dhënë mundësinë që ta përqafoj e puthë, pa ma
dhënë mundësinë t’ia them fjalët e fundit faleminderit e më falë, faleminderit
që më mësove se çka është jeta dhe se si duhet pranuar, nderuar dhe çmuar atë;
pa i thënë, më falë për dhembjet e vuajtjet që t’i shkaktova gjatë jetës; pa i
thënë, më falë për netët e pagjumë që i kalove me vite të tëra pranë meje e
dhimbjeve të mija, duke më përkëdhelur pikërisht ato pjesë ku më së shumti
ndieja dhimbje.
Shkoi pa
fjalë e pa qenë e vetëdijshme se sa pikëllim solli në zemrën time, në zemrën e
bashkëshortit të saj, në zemrën e bijve e bijës së saj, në zemrën e mbesave e
nipërve të shumtë që i deshi dhe e donin pamasë.
Shkoi,
duke na lënë të gjithëve në pikëllim dhe kujtime të paharrueshme për të! Por,
shkoi e pajtua me Zotin, e lumtur që të gjithë i la mirë, që e përjetoi dhe
shijoi Kosovën e lirë.
Unë, nuk
pata mundësi (shkaku i shëndetit, kushteve dhe rrethanave në të cilat isha), të
shkoj e t’i them për herë të fundit lamtumirë e tani shihe dritën e lumnisë së
përjetshme. Ajo ngadhënjeu sepse me vullnet, besim, shpresë e dashuri ndaj
Zotit i barti të gjitha kryqet e jetës. Ngadhënjeu mbi errësirën, e cila e
kisha kapluar (me humbjen e të pamurit), më tepër se nëntë vite. Ngadhënjeu,
ndaj të gjitha dhembjeve që kishte në trup e shpirt. Ngadhënjeu, sepse besoi e
besimi i saj shpresoj të jetë shpërblyer me jetë të pasosur. Edhe tani kur
jetoj në Gjermani, me vite të tëra, kur përjetoj dhe jetoj ditët e mërgimtarit
si shumë bashkëkombës tanë, më duket se
ajo gjithnjë më përcjell, është prezentë në jetën time, ajo lutet për mua, më
jep forcë e kuraje për jetë, më jep qetësinë e shpirtit dhe trupit, më jep
guxim e vullnet të mos trembëm e të mos lëkundëm në jetë, por të eci i lumtur
dhe hareshëm shtigjeve të jetës. Dhe kështu, të jam i lumtur dhe i qetë, i
hareshëm, i pajtuar njëherë e përgjithmonë me Zotin që më dha jetën, me
vetveten, me popullin tim.
Ngadhënjeu
ajo mbi errësirën që ia kishte kapluar të pamurit. Ngadhënjeu Kosova mbi
errësirën e të keqen, ngadhënjeva unë mbi sëmundjen. Pësova e pësuam, vuajtëm,
bartëm dhembje të mëdha trupore e shpirtërore, u flijuam por ngadhënjyem.
“Kjo
është rruga jonë, rruga ime, rruga e popullit tim, rrugë e pësimit, vuajtjes,
dhembjes, por edhe rrugë e shpresës, dashurisë. Rrugë e flijimit dhe
ngadhënjimit!”
Prandaj,
edhe tani, pas dy dekada e gjysmë në “djepin tim të dytë” në karrocën time që
jam, përkundër të gjithave që kalova, u binda nga përvoja ime jetësore dhe
them:
-Jeta ka
kuptim,
-Atje ku
ti nuk dëshiron, dëshiron Zoti, sepse Ai është
-Rruga jonë, e kur nganjëherë na duket se jeta është
-Lojë,
luaje atë, mos u dorëzo sepse ti
-Ekziston,
prandaj mendo mbi jetën,
-Zgjohu,
e qëndro zgjuar sepse
-Nuk ka
gjë të pamundshme për Hyjin, vetëm Atij
-Besoj,
dhe thuaj
-Të
faleminderit dhe më falë, sepse, edhe kur mund të mendosh se
-Vështirë
mund të shpëtosh, është Ai që
-Plagët
shëron, e shpirtin forcon, e kur shpeshherë mendojmë e pyesim;
-Quo
vadis Domine, Ai të thotë, ec pas meje e gjithmonë do të ngadhënjesh!
Pra, meqë
është kështu, unë tani me gëzim them: “Jam përsëri në këmbë”!
Lus
Zotin, për popullin tim, të cilit i jam përjetësisht mirënjohës, që diti të
bartë bashkë me mua dhe njëri-tjetrin vuajtjet, e që askurrë nuk u dorëzua para
vështirësive, para sfidave të jetës. Lus Zotin, t’i ruajë e t’i shpërblejë me
dhuratat e hiret e tij të mirësisë e dashurisë, të gjithë ata njerëz që takova
gjatë jetës sime,
gjatë rrugëtimit tim deri më sot. Dhe në shenjë falënderimi, ndaj të gjithëve galdoj e brohorisë: “…po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët, e ua zbulove të vegjëlve” (Mt 11, 25)