| E enjte, 25.07.2013, 08:55 PM |
Një njeri
në shkëlqim...
Tregim satirik
Nga Vangjush SARO
Unë do të
takohesha me zyrtarin Zigur Qafa. Isha në paradhomën e zyrës së tij. Më duhej
të mblidhja të dhëna për një reportazh për gazetën; reportazhi do t’i kushtohej
një rruge asaj ane...Dhe qytetit ku drejtonte z. Zigur. Qafa. Kryeredaktori më
kishte thënë që krahas reportazhit, me Zigurin do të flisnja edhe për një
reklamë në një shumë të konsiderueshme. Në disa rrethe, këto jepeshin më lehtë
se në Tiranë. Reklama peshonte më shumë se reportazhi.
Ziguri
ishte ende në një takim me disa të huaj. Duhej të prisnja pak. Me ç’dukej, për
t’u ftilluar edhe më. Unë e njihja me dhëmbë e dhëmballë atë. Prej shumë kohe.
Ai kishte qenë drejtori im i parë. Të shkuara të harruara. Por përpara se të më
fliste për “njeriun e shquar’, unë ia thashë këtë kryeredaktorit. Kam disa
kujtime të pakëndshme, nisa t’i tregoja...
Kryeredaktori
ishte njeri i karrierës; nuk i hynin në sy diskutimet për moralin. Të mos e
paragjykojmë, më tha me një ton prej babaxhani. Kohët kanë ndryshuar, më tha.
Ishte një skile kryeredaktori. Puna e ka rritur atë njeri, më tha. E ka bërë të
rëndësishëm. Ia dëgjojnë fjalën edhe këtu në Tiranë. Është Kryetar Bashkie, më
tha. Rruga që po ndërtohet në ato anë...Të lutem, mos m’u kthe duarthatë, më
tha.
Shumë
kohë më parë, në një fshat të largët, në një korridor të ftohtë, përpara një
zyre asfare komode, unë gjithashtu prisnja me durim shokun Zigur. Qafa. Ai
ishte në takim me disa këshilltarë. Ishte dita e parë që kisha shkelur në atë
fshat. Ndjehesha si në ajër...Disa orë i kisha kaluar me nja dy nga kolegët, në
njëlloj “rikonicioni”...Shkolla. Banjot. Dhoma. Rruga për te mensa. Mensa.
Drejtori...
-Ndini?
Ja mirë se erdhe! Suksese! - më tha Ziguri me një ton mikpritës.
Burrë
mesatar, në të gjitha kuptimet. Në dorë mbante një bllok. Një bllok shënimesh.
-Epo, -
vazhdoi pas një çikë - u ambientove ndopak...
-Mirë, -
thashë unë.
-Është
dialektike, - shpjegoi ai.
Se
ç’hynte në punë atje në këmbë të malit një shprehje e tillë bashkë me
dialektikën e materializmin, ai e dinte. Pas një copë here, të njëjtën shprehje
e tha në një kontekst tjetër. Ishte duke më folur për kolegët.
-Ne jemi
një kolektiv luftarak, - tha edhe ai në mënyrë luftarake - Besoj se ti je një
djalë i partishëm. Hë? Aq më tepër që... kam dëgjuar...shkruan.
-Është
dialektike, - përsëriti ai si ndonjë i marrë.
Më pas,
nuk do të habitesha kur gjatë një analize - pasi kishte qenë kontroll tek unë -
ai e përdori këtë farë shprehjeje shtatë herë. Ishte me të vërtetë një person
dialektik.
?
Me
Zigurin ishim njëfarësoj edhe fqinj. Ai jetonte në krahun tjetër të një
ngrehine dykatëshe, ku kishim dhomën unë dhe Petroja, miku im më i afërt mes
mësuesve. Petroja jepte histori. Kishte shumë vjet atje...Edhe ai shkruante.
Por nuk botonte dot; siç do të më shpjegonte pak më vonë dhe pak ngatërrueshëm,
një xhaxhi i tij, nga gjyshja e dytë, duke qenë pjesë e një grupi të quajtur Të
vjetrit, i zënë goje në një rezolutë të atyre viteve, ndërkohë që emri i tij
ishte përmendur vetëm shkarazi, por ngase e kishin cekur disi edhe në një
buletin, duke marrë më pas një cilësor të papëlqyer në një mbledhje tjetër, kur
situata ishte acarruar shumë vite më vonë, paçka se nuk ishte thënë gjë për
qëndrimet e tij në përgjithësi...gjë e cila...ajo...Ishte një lojë me parti; në
fakt, një cung akulli që iu rrinte mbi kokë për dhjetra vjet.
Me Petron
shkoja shumë mirë.
-Ngrihemi,
dalim! - më tha.
Dhe
pastaj rrugës më bëri për një lek. Ç’të duhet që flet? Ku i njeh ti ata që ke
përreth? Ta bëjnë letrën menjëherë…
-Ç’letër?
- thashë unë.
-Letrën
anonime.
-E
ç’është kjo?
-O qyp, a
rron këtu ti? - Petroja i bëri gishtërinjë si hinkë edhe filloi të m’i
rrotullonte përpara syve; domethënë a je mirë nga mendtë? - Nga vjen ti?
-Unë? Nga
Tirana.
-Jo jo,
Ndini. Nga vjen ti sot, tani; nga jeta, nga shkolla…Nuk e kishe dëgjuar më parë
këtë gjë? Ja e mësove. Ta ngopin dhe ecë e shpjegohu pastaj.
-T’ëmën!
Ky episod
më nervozoi shumë. Jo për gjë, por në përgjithësi s’e mbaj dot gjuhën brenda.
Nuk ke ç’bën, do mbajtur...më tha Petroja.
Që nga
ajo ditë, u bëmë miq. Shumicën e kohës e kalonim në dhomë, duke lexuar libra
ose duke u përgatitur për të nesërmen. Nganjëherë merrnim e jepnim për
krijimtarinë e njëri-tjetrit. Por shpesh rrinim edhe te Korija e Puthjes. Atje
Petroja iu fliste vajzave me të cilat kishte pasur të bënte. Ai iu kishte vënë
drurëve emrat e tyre. Kur ishte vetëm, ndërsa pinte një cigare dhe mendonte
gjëra të trishtueshme, ai iu drejtohej vajzave. Drurëve. Me shumë përkëdheli.
“Hë, Vjollca, si je? Të kujtohet ajo mbrëmje me shumë yje, kur edhe u puthëm, edhe
u grindëm? U pajtuam, gjithsesi. Por pastaj dikush na vuri zjarrin...” “Ç’kemi,
Atje ai
thoshte dhe i “thoshin” shumë gjëra. Te ajo korije nuk të dëgjonte askush.
?
Z. Zigur
po vonohej, kështu që iu dhashë tërësisht kujtimeve. Dikur, Vatra e Kulturës
mori një televizor tjetër. E rregulluam me ata të Këshillit që të vjetrin ta
merrnim në dhomë. Me ndihmën e farkëtarit dhe këpucarit të fshatit (të dy këta
artizanë kishin nga një kthinë) sajuam edhe një antenë. Mbrëmjeve shikonim
stacione të Jugosllavisë; më shumë Shkupin dhe Sarajevon. Kur ishte koha xham,
hynte edhe Italia. Rai. Kjo ishte ç’ishte, sepse atë gjuhë e kuptojnë treçereku
i shqiptarëve. Kështu. Mirëpo pa e gëzuar televizorin as edhe një javë, na vjen
si rastësisht për një vizitë gruaja e Zigurit. Ajo punonte edukatore kopështi.
Ishte trupmadhe, tërheqëse, e paturpshme.
-Si jeni?
- tha -
-Siç e
sheh…
-Ç’kemi?
Jemi fqinj, ë. Unë jam Florija, gruaja e Zigurit.
Me sa
duket, ajo e kapi më në fund drojen time dhe duke më parë drejt e në sy, më
tha:
-Nuk po
më qiras me ndonjë gjë?
S’dija
ç’të bëja. Nxora nja dy gota me raki. Ajo e uruar na ndodhej. Gëzuar! Gëzuar! E
pashë që e rrëkëlleu mirë. Dhe pas pak:
-Mërzitesh?
Hm. Do më lexosh ndonjë vjershë? - e tha me njëlloj përkëdhelie, që mbase pak i
shkonte.
Kisha
dëgjuar që ishte një grua e hapur, që mbartte histori. Njëra prej këtyre
historive kishte të bënte me të shoqin. Mbas disa netëve që bënin dashuri, ai i
kishte thënë:
-
Në të
vërtetë, i kam pak të mëdhenj veshët. Sidoqoftë...
-Nuk po
të kuptoj, - thashë ngrirazi - Qetësohu!
-Ore
hundëpallë, unë po të begenis...
Në të
vërtetë, e kam pak të madhe hundën. Megjithatë, me kë fliste kështu ajo? Moj,
Florë! U hodha t’i kërkoja pak llogari e t’i thosha si e ke dhe si s’e ke
punën...Kur ajo më xhvati sakaq sikur të isha ndonjë nga ata fëmijët për të
cilët kujdesej në kopësht dhe më puthi gjithë afsh, diku midis buzëve dhe
njërës faqe.
-Ndonjë
ditë, do rri më shumë, - tha - Ti më pëlqen.
Dhe teksa
po dilte, më pyeti:
-A e di
pse isha këtu?
-...
-Kujdes
me televizorin, - tha çiltaz - Ai mund t’ju demaskojë...
-Ç’televizor,
moj? Kush do na demaskojë?
Ajo më
puthi edhe njëherë me shumë dëshirë dhe e lumtur.
-Televizori
dëgjohet, - tha - Filmat anglisht...Muzika italisht. Çiao!
Kur u
kthye Petroja, unë iu rrëfeva; nuk mund t’i fshihesha mikut tim të vetëm në ato
skërka. Për Florën, ai lëpiu buzët. “T’ëmën! - tha - unë kam kaq kohë këtu,
s’më qaset. Është me të vërtetë e çuditshme.” Kurse për televizorin, u përpoq
të bënte shaka: “Këtej e tutje, le ta shikojmë pa zë...”
?
U hap
dera e zyrës së Qafës dhe doli përpara një gjë kështu e lyer si mos më keq. Dhe
kundërmoi një parfum i rëndë. Ishte sekretarja e z. Zigur. Ai më lutej ta
mirëkuptoja, për shkak se takimi me ata të huajt ishte zgjatur...Sekretarja më
solli edhe një gotë martini në akull. Madje la edhe shishen atje. Tani mund të
vonohej Qafa sa të donte.
Z. Zigur
ishte mjaft kompleks si tip. Petroja më kishte thënë se nganjëherë ai bënte
sikur ikte për ndonjë mbledhje a takim dhe fshihej. T’i zinte të tjerët në
gabim, ky ishte pasioni më i madh i atij njeriu. Ai fshihej në shtëpinë e tij.
Pastaj kundronte prej andej se ç’ndodhte në shkollën e tij. Kishte pasur raste
që kthehej, i mblidhte mësuesit edhe iu thoshte: “Pse dole ti orën e dytë?
Nevoja personale? Është dialektike...Por ti u pe te klubi. Apo e kam gabim?”
Kurse tjetrit: “Çfarë kishe orën e tretë ti? Po mirë, kabineti i kimisë sikur
ishte bosh...Nga e pashë unë? S’ka rëndësi. Pra, ia kishe shtruar muhabetit...E
jo. Do marr masë. Është dialektike.” Ndonjëherë ai ndërronte rrugë dhe fshihej
te Çezma e Plakës. Kështu i thoshin, por atje ishte ferrë dynjaja...Dhe
vëzhgonte.
Papritur
qesha me zë, aq sa pata droje se po më dëgjonin ata që ishin brenda. Z. Qafa
dhe ata të huajt. Nuk e di nëse ndodhin gjetiu këto...Por dy ditë më vonë,
profecia e Petros u përmbush. Ziguri qëndroi përpara mësuesit dezhurn dhe la
porosi:
-Unë kam
një mbledhje në Gropë. Kujdesuni...
-Siurdhëron,
drejtor! - sekush tha - Do të vonoheni ca, besoj?
-Doemos.
Është dialektike.
Çantën në
dorë dhe theu qafën. Në të vërtetë, po bënte lojë. Dhe Petroja e ditkërkej
shumë mirë këtë. Bëji orët sagllam, se sikur është kthyer dhe kush dëgjon
konferenca, më tha ultazi. Në pushimin e orës së parë, dolëm te oborri, në mos
më përtej, të pinim nga një cigare. Ka shkuar te këpucari, tha Petroja. Orën
tjetër e ke prapa ferrave, te Çezma e Plakës. Kur largohet në drejtim të
Jug-Lindjes, përgjon nga shtëpia e tij. Kur drejtohet për në Veri, qëndron te
Çezma e Plakës. Bllokun e shënimeve nuk e heq nga dora asnjëherë.
Me të
vërtetë, në pushimin e orës tjetër, një gjë e çuditshme lëvizte në atë reliev
ku s’kishte shumë për të treguar. Është ai, më tha Petroja. Do bëj sikur qëlloj
me gurë për ndonjë zog...Ha ha ha! Në fillim, doja ta ndaloja Petron. Por
pastaj, më hipi edhe mua damari...Filluam të dy të hidhnim gurë tej atyre
ferrave. Sa për ta trembur.
-Oreee!
Mjaft qëlluat, se unë jam...
-
-
-Dil o
maskara, dil!
-
-Ti
qenke, drejtor?
-...Është
dialektike.
Ai po
vinte këtej i ngallosur me pak baltë. Dhe njërën mëngë e kishte gjithë gjemba.
Seç llomotiti diçka për anullimin e mbledhjes dhe e mbajti frymën drejt edhe në
zyrën e tij. Në këtë rast, mëria më e madhe i tij ishte që nuk kapi ndonjërin
në gabim...
?
Shtira
edhe një gotë të fundit. Edhe pse isha në mëdyshje nëse duhej ta pija...Një
mbasdite, ai na thirri të dyve në zyrë. Dukej mjaft i zemëruar, por dinte të
maskohej për bukuri. E solli bisedën pak si anës e anës. Ju e dini, tha, që
Partia jonë ka moralin e saj, ka normat e saj...Është dialektike. Ne si
arsimtarë duhet të jemi shembull. Propaganda reaksionare, siç e dini,
depërton...E kishte thënë atë fjalën e fundit sikur të kishte parasysh ndonjë
tryelë që shpon dru. Fillova ta përfytyroj atë gjë duke shpuar trutë e dikujt.
Por ai
befas nuk erdhi më anës; na kujtoi sakaq televizorin. Copë. Ajo antenë, tha,
duhet hequr...Unë ç’t’i bëj Florës, që ka respekt për ju të dy, ka lexuar edhe
librin tënd, se për ideal të partisë, do ta paguanit shtrenjtë çdo biletë të
filmave të degjeneruar borgjezo-revizionistë. Dhe sa për ato poezitë e tua,
shoku Ndini...
Ç’poezi,
mo! Ajo për çka kërcënohej ai, ishte me të vërtetë prozaike.
-O
drejtor, antenën e kemi për Tiranën, - thamë me një gojë.
-Pra, unë
jam një budalla?
-S’ta tha
njeri...
-Por ama
po kapa njeri...
Në të
vërtetë, ai për pak sa nuk më kapi njëherë me Florën. Më qepej ajo ndonjëherë,
nuk kisha nga ia mbaja. Ama në mbrëmje, ia bënte të shoqit tetë me dy. Ke
shkruar ndonjë letër? e pyeste. Florë, këto janë punë partie, ia kthente ai me
ton mbledhjeje. Pastaj i sillej rrotull.
Sidoqoftë,
ai njeri ishte “largpamës”; përndryshe, dinte të shkonte pas erës. Petron ma
hoqën dhe e degdisën edhe më larg; pasi bëri nja dy muaj punë të detyruar. Për
vajzat te Korija e Puthjes nuk kishte më takime. Unë shpëtova, pasi siç e tha
edhe ai vetë - gjithnjë ngatërrueshëm - unë nuk kisha një xhaxha si ai, nga
gjyshja e dytë, që të kishte qenë qenë “pjesë e një grupi të quajtur Të
vjetrit, zënë goje në një rezolutë të atyre viteve, ndërkohë që emri i tij
ishte përmendur vetëm shkarazi, por ngase e kishin cekur disi edhe në një
buletin, duke marrë më pas një cilësor të papëlqyer në një mbledhje tjetër, kur
situata ishte acarruar shumë vite më vonë, paçka se nuk ishte thënë gjë për
qëndrimet e tij në përgjithësi...gjë e cila....” Zot, na mba mendjen!
Ndërkaq,
ashtu siç ndodh rëndom në këtë jetë të padrejtë, ca shkojnë tatëpjetë (sapo e
shpjeguam) ca ngjiten lart. Qafa u emërua inspektor në Seksionin e Arsimit. Kur
ra nga kali partia e vjetër dhe e lodhur, teserën e së cilës ai e puthte tre
herë në ditë, e pa veten sakaq te një nga partitë që sapo kishin marrë
pushtetin. Dhe sërish ra në dyshek të pambuktë. Doemos, u thirr edhe njëherë në
detyrë, këtë herë si Drejtor i Arsimit. Qenka bërë edhe Kryetar Bashkie...
?
Një ligjëratë
e tërë, mikpritëse, e zhurmshme dhe e gëzuar, e shkundi korridorin. Oh,
ç’lumturi! Thashë se u tundën zyrat:
-Mirëdita,
Ndini!
Ne e
vazhduam bisedën në zyrën e z. Zigur. Qafa. Ishte shumë bukur...Atë e kishte
marrë malli për mua. Ai më fliste gjithë ngazëllim. E kishte harruar krejt që
dikur bënte letra informuese për mua. Sadoqë e shoqja e kërcënonte me ‘bojkot’
shtrati. Ai dukej aq i lumtur. Unë jo. Edhe pse ia rrëmbeva reklamën.
Ama, të
merr të qarët këtu te ne...