| E enjte, 25.07.2013, 08:31 PM |
Bohem i …dashurisë
Mbi vëllimin ‘’Bohem’’ të poetit Millianov Kallupi
Nga Timo Mërkuri
Nuk e di
pse, i ndodhur nën ortekun e botimeve të njëpasnjëshme të mbi njëzetë librave
me ‘’hajku’’, të poetit Millianov Kallupi, më ishte krijuar ndjesia, se “Vate dhe ky,
harroi të shkruajë shqip”.
‘’Harbimi
i kuajve’’ të tij, jo vetëm që nuk m’a dobësoi këtë përshtypje, por
përkundrazi, m’a përforcoi më tej, kur mendova: -“S’i mjaftuan ‘’hajku’’ këtij
Millianovit, që tani na lëshoi ‘’tankat’’ e harbuara të kuajve, ardhur andej
larg nga Janonia?” Dhe hordhive të Çengiz Khanit mund t’u bënim ballë, por jo
ortekëve millaniovianë. Dhe ca pëllumba të bardhë, si për të përforcuar
mendimin e mësipërm, vajti dhe na i dërgoi nga Stambolli, thua se s’kishte
pëllumba Elbasani.
Shkurt
muhabeti, më qe mbushur mendja, që Millianovi ‘’e ka harruar shqipen’’. .Madje,
besoja se dhe për të folur, kishte nisur të bëlbëlzonte .... japonisht
Prandaj,
kur më ra në dorë vëllimi i tij me lirika ‘’Bohem’’ ( Botimet Vllamasi’’ 2010,
fillova ta shoh me vëmëndje mbarë e
prapë, thua se ishte gabim emri në ballinën e librit. As fotografia e tij në
anën e pasme të kopertinës, nuk m’a mbushi mendjen. Le që atje kishte dalë
tepër serioz, ndryshe nga sa e njoh unë. Por poezia e tij ‘’Porosi’,’ poshtë
fotografisë me devizën villanoviane: -Si deng hidhmëni/në zbrazëtirën e varrit/
nëse s’jam përgjëruar/dhe për fijen e barit…, - dukej sikur më thoshte: -
“Tungjatjeta mik! Unë jam”.
Se
Millianovin, gjithmonë e kam parafytyruar si një djalosh ‘’dendi’’, i rrethuar
nga një tufë vajzash të bukura, tip gjimnaziste gazmore, të cilave u shpaloste
bukurinë e shpirtit të tij dhe u përgjërohej që t’a besonin. Ndoshta edhe për
këtë përfytyrim timin, e kanë fajin
librat e tij me ‘’hajku-n’’ e largët.
Kështu
fillova t’a lexoj me vëmendje librin e tij me lirika , ‘’Bohem’’.
Ndërsa po
lexoja, s’di pse m’u kujtua një fjalë e
Prof. Nasho Jorgaqit, që thotë: -Në arealin e çdo letërsie, lirika përbën
shkallën më të lartë të ndjeshmërisë poetike. Ajo është poezia e poezisë, rinia
e saj e përjetëshme.
Duke e
lexuar, krijoja përshtypjen se vërtet Millianovi vjen këtu i rrethuar nga një
trumbë vajzash, në kulm të rinisë e të bukurisë, plot hire e hare, veshur e
stolisur me tunikat antike, minifundet e dekoltetë europiane, apo maksifundet
aziatike të kohëve moderne.
Në qoftë
se dikush, do të më kërkonte të përkufizoja me një fjalë librin ‘’Bohem’’ të Millianov Kallupit, unë
do t’a përkufizoja me vargun e Rene Shar: - ‘’Aty bredh dashuria’’.
Në të
gjithë lirikat e shtrira në 150 faqe libri, ka vetëm dashuri. Ka dhimbje, por
edhe ajo është dhimbja më e bukur në botë, dhimbja e dashurisë.
Mos u
përpiqni të gjeni vetmi apo dëshpërim. Millianovi nuk banon në këtë lagje. Dhe
unë ia kam ‘’zilinë’’.
Unë nuk e
di nëse Millianovi beson tek Zoti, falet në kishë apo xhami, por te ky libër, unë shoh se Millianovi beson te
Poezia dhe i falet asaj, i rrëfehet dhe i ndez qirinj si besimtar i devotshëm,
i beson asaj sekretet më të mëdha të shpirtit të tij, ëndrrat, dashuritë,
dështimet e shpresat. Dhe për atë e poezinë e tij, mund të citojmë si aksiomë
thënien: -Vërtet që shpresa vdes e fundit, por poeti dhe poezia, nuk vdesin
kurrë.
E ndarë
në katër cikle, libri ka vetëm dialogje për dashurinë.
Që nga
antikiteti thërret Dionisin për dashurinë: -Të pimë, të dehemi tapë/të vdesim,
të ngjallemi prapë., filozofon për kohën e Laokontit: - Kohë, pse dënon ti kaq
rëndë/ kur themi një ditë të vërtetën… për të arritur te deviza: - sepse
mbrojtja s’të bën mëkatar.
Te
vargjet e tij qahet Jasoni: “Zeuz, baba,ç’faj bëra/që më dogje, kur më re me
rrufe/ dashuria në arë me Demetrën/më e mjalta,më e mira mbi dhe…”
E gjen
kohën edhe Herakliu të tregojë dymbëdhjetë trimëritë e tij, apo Eris të gjitha
letrat e dashurisë i gris/ dhe dhimbja i sëmbon thellë në shpirt, apo Mikena ku
s’ka heshtje varri.
…apo kur
flet për ninfa: - Ç’duhen nimfat e ujit e ç’duhen/Në u dashtë të mbytesh
diku/më mirë të mbytesh në sytë e vajzave/që ecin shpenguar rrugëve këtu..
Ndërsa
shpall se: “në shtëpinë e shpirtit/çdokush e ka një Itakë… shpërthen te Uliksi
Det. Det.
U mbytsha në det/Dhe i vdekur do të vij,
se ti më pret”
Prisni
dhe ju vajza, cilës prej jush do t’ja hedhë poeti mollën e dashurisë, duke u
bërë një farë Paridi, por pa sjellë djegie Trojash të reja. Mjafton djegia e
zemrave djaloshare.
Pse
udhëtoi poeti deri në antikitet vallë? Dikur më pati thënë, privatisht: -Unë
udhëtoj shumë. Dhe nga ky udhëtim nëpër shekuj, ndonëse shaloi kuajt e erës,
poeti harroi të na sillte trima e trimëri. Mbarti në vargje për ne e për kohën
tonë, vetëm dashuri.
Poeti
gjen kudo dashuri: “Vetëm ne të dy ngjisim dhjetra male/ dhe zbresim në liqenin
e çdo fjale.,gjen dashuri kurdoherë: “Nga ky spital do shkoj një ditë/ti në
Stamboll do humbësh krejt/Po pas do marr një Afërditë/me shpirt të kaltër porsi
det…dhe shpall devizën e tij të përjetshme: -Mos më ler të vdes/Në më do, ta
dish/do të dal nga varri/ do ngjallem sërish.
Ky shpirt
lirik sheh të bukurën kudo: “E ç’mu desh që rashë/E ç’mu desh që fjeta/ Hëna
lart shpërndante/lakrorin me peta” Ose.. “Një çajkë diellin/e mban në
sqep/..Një puthje e lehtë/mbi valë zbret/tërbon një zemër/trazon një det”
Lirikat e
Millianov Kallupit, u ngjajnë sorkadheve të një pylli të dendur, befasisht të
dalin përpara dhe po befasisht të largohen nga shikimi, sepse cepi i syrit
befasisht kapi një hije tjetër sorkadheje që po afrohej, me vrap e plot hir.
Duhet të kthehesh përsëri te këto sorkadhe që ikin turravrap nëpër pyll, për të
kuptuar e shijuar bukurinë e lirikës. Dhe të duket se ato sorkadhe janë të
tuat, e do t’i rrëmbesh. Millianovi le të mbajë tankat.
Citimet
për poezinë e Millianov Kallupit mund të jenë të shumta, madje mund të themi,
se gati gjithë poezitë e vëllimit janë të citueshme në një shkrim analize, po
qe se hapërsira e publikimit do jetë e madhe, por duhet të citoj diçka që më
feksi në mendje, ndërsa lexoja këtë libër.
Kohët e
fundit, kemi një numër të madh botimesh
me ‘’vargëzime’’ me vargje të rregullta, me rimë e kadencë ritmike, me
pretendimin se vargje të tilla janë automatikisht …poezi.
Në
tërësinë e këtyre botimeve, cilësisht problemore, ku ka çdo gjë veç jo poezi,
shpesh herë vargëzime adoloshentësh apo pensionistësh, të krijohet ndjenja e
gabuar, se me vargje të tilla, nuk mund të shkruhet poezi serioze dhe cilësore.
Kjo ka çuar në atë, që shumë autorë, gabimisht dhe fatkeqësisht, të distancohen
nga këto vargje, në një kohë që …këtu e kanë shtëpinë…
Te
vargjet e lira, shpesh ata ndodhen ..jashtë…poezisë, ndonëse kanë talent dhe
shije.
Kjo
‘’aradhë’’ shkruesish e sipërcituar, këto ‘’male’’ librash
të kësaj ‘’aradhe’’, kanë bërë vetëm një gjë: -T’ia zverdhin lexuesit,
poezinë e shkruar në vargje të rregullta, duke e parë dhe trajtuar atë, si
diçka të së kaluarës, si një mausoleum i poetëve të Rilindjes, vërtet me vlera,
por gjithsesi i një kohe të shkuar.
Se sa e
gabuar është kjo, mjafton të shohim e të lexojmë vargjet mjeshtërore të
Millianov Kallupit, këtij bohemi të dashurisë.
Atëherë
do të kuptojmë, se poezia nuk e ka vlerën te lloji i vargut, por te shpirti i
poetit.
Por dhe
shpirti i poetit është i trazuar. Ja, shikoni Millianovin.
Gjithë
vëmendjen e ka drejtuar te ‘’hajku’’ dhe ‘’tankat’’ e famshme. Jo më kot është
dhe Drejtor i Klub-Hajkut Shqiptar.
Por unë i
kujtoj, se ky është meraku i zakonshëm i çdo prindi. Çdo prind fle e gdhihet,
me mendjen te vajza e tij e …rritur, por ama djemtë e lagjes i vijnë rotull
vajzës së tij të vogël, të bukur e të freskët.
Kështu është
jeta.
Dhe
poezia.